Qeveria e Sali Berishës lejon tabelat maqedonase

0
280

Bledar Hoti:

Dy javë përpara zgjedhjeve lokale të 8 majit, komuna Pustec mbushet me tabela me emra rrugësh dhe sheshesh në gjuhën maqedonase. Komuna që dikur mbante emrin Liqenas ka përfshirë dhe zyrtarë të komunës Gazi Baba të Maqedonisë, duke bërë fushatë edhe për kandidatin zyrtar të koalicionit qeveritar të drejtuar nga PD-ja, Edmond Temelko, i cili mban postin e kryetarit të Partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Evropian. Tabelat e rrugëve janë vendosur në dy gjuhë, shqipe dhe atë sllavo-maqedonase, dy janë në alfabetin latin dhe atë cirilik. Shenja të institucioneve dhe rrugëve në gjuhën sllavo-maqedonase në 9 fshatrat të komunës Liqenas, e emëruar në Pustec, të prefekturës së Korçës u vendosën me datën 14 prill ku të pranishëm ishin kryetari i komunës Gazi Baba, Tony Trajkovski, Teodor Petrov, presidenti i kongresit botëror të Maqedonisë dhe Tashko Ivanov, kryetar i shoqatës së Maqedonasve të Egjeut. Pikërisht komuna e Gazi Baba ka qenë edhe financuesja (donatorja) kryesore që bëri të mundur pajisjen me tabelat përkatëse. Rrugët dhe sheshet, sipas njoftimit zyrtar të komunës Gazi Baba, mbajnë emrat e kulturës maqedonase dhe historisë, dhe maqedonasit që lanë gjurmët e tyre në luftën për të drejtat e Maqedonisë në komunën Pustec dhe Shqipërisë. Këtu mund të përmendim si Aleksandri i Madh i Maqedonisë, Filipi II, mbreti i Maqedonisë apo dhe Falangat Maqedonase. Në total janë 9 shenja rruge, tabela spitalesh, qendra kujdesi familjar, 2 shkolla dhe 56 rrugica dhe 11 lagje, që u bënë me mbishkrime dy gjuhësh, të cilat shenja janë të dhuruara nga komuna e Gazi Babës. Nëntë fshatrat e komunës Liqenas jane: Kallamasi, Gorica e Madhe, Gorica e Vogel, Gollomboçi, Diellasi, Liqenasi, Zaroshka dhe Cerja. Tabelat orientuese të rrugëve, sipas kryetarit të komunës Pustec, Edmond Themelko janë miratuar me vendim të këshillit komunal dhe mbi të gjitha ai është miratuar nga prefekti i Korçës, Andrea Mano. Edhe pse si një zonë turistike, asnjë prej tabelave orientuese nuk janë shkruar në gjuhën e huaj, angleze, pasi kjo zonë shihet dhe si turistike pas shtrihet përgjatë Prespës. Maqedonia ka kërkuar respektim të minoritetit të saj në Shqipëri. E tillë ishte dhe kërkesa e presidentit maqedonas gjatë vizitës zyrtare në Tiranë. Ndërkohë që mjafton të përmendesh se në Maqedoninë fqinjë, në përbërje me popullsi shqiptare etnike të konsiderueshme, mungojnë emrat e rrugëve në gjuhën shqipe, duke mos respektuar marrëveshjen e Ohrit. Kryekomunari Themelko e cilëson si të ligjshme vendimin e marrë, por këto tabela janë dhuruar nga shteti maqedonas. Ndërkohë që disa prej tabela janë në rrugë kombëtare, për të cilën të drejtën e emetimit, e vendosjes së emrave e ka Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve. Pra nuk dihet nëse veprimi i komunës Pustec ka autorizimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Në bazë të Kodit Rrugor, nenit 23, pika 4 dhe 5, sanksionohet mes të tjerash se “Për vendosjen e tabelave duhet autorizimi i entit pronar të rrugës”. Neni 23, pika 11 e Kodit Rrugor përcakton qartë se “cilido që shkel dispozitat e këtij neni dhe të akteve në zbatim të tij, si dhe kushtet e autorizimeve të parashikuara nga ky nen gjobitet”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu