Qeveria e “territ informativ”

0
92

(E plotësuar)Janë bërë disa javë që gazetarët kosovarë e kanë pothuajse të pamundur që të raportojnë “siç duhet” për Qeverinë e Kosovës, për vendimet e saj, dhe kështu rrjedhimisht ta kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale.

Edhe zyrtari i vetëm i “autorizuar” që të flasë në emër të ekzekutivit kosovar, zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili deri më tani në mungesë të një zëdhënësi komunikonte me gazetarë, ka vendosur që t’ua bëjë bllok medieve, derisa ministrat tjerë s’kanë “të drejtë” të flasin për çështje që dalin jashtë dikastereve të tyre.

Ndërkohë që janë bërë gati dy vjet që nga ardhja në pushtet e Qeverisë “Thaçi 2” dhe ende nuk kanë një zëdhënës.

Kuçi, që në një farë forme e ka luajtur rolin e zëdhënësit, në të shumtën e rasteve ka komunikuar vetëm me mesazhe telefonike, para rreth një muaji e ka ndërruar numrin e telefonit, ndërsa numrin e ri është duke e mbajtur “top-sekret”.

Nëpër situatë të ngjashme komuniteti i gazetarëve ka kaluar edhe gjatë verës së kaluar, përkatësisht në kohën kur zëvendëskryeministri pati dhënë dorëheqje pas miratimit të dy neve kontestuese të Kodit Penal, ndërsa mediet në të shumtën e rasteve patën raportuar njëanshëm – pa e cituar fare qeverinë.

“Zëri” të premten ka provuar që nëpërmjet Kabinetit të ministrit Kuçi ta marrë numrin e ri të telefonit të tij, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur. Asistentja e tij, Brikenda Shala, ka thënë nëpërmjet telefonit se shefi i saj ka vendosur të mos ua japë numrin gazetarëve, prandaj s’mund ta bëjë publik atë.

Por, ky veprim i Kuçit së bashku me mungesën e një zëdhënësi të qeverisë, nga shoqëria civile, gazetarët, analistët politikë dhe kryeredaktorët e medieve të ndryshme shihet si terr i plotë informativ. drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK), Ymer Mushkolaj, thotë se njëra prej obligimeve kryesore të qeverisë është që publiku ta dijë se çfarë po ndodh në dikastere qeveritare.

“Është banalizuar kjo thirrja që qeveria ta zgjedhë një person i cili do ta luante rolin e zëdhënësit. Ata deri tash ia kanë lënë një farë forme këtë rubrikë zotit Kuçi, mirëpo duket se edhe me atë komunikimin me SMS nuk është treguar aq produktiv. Urgjentisht qeveria duhet ta zgjidhë këtë çështje, të jetë përgjegjëse para publikut, duke qenë paraprakisht përgjegjëse para gazetarëve, në mënyrë që gazetarët ta informojnë publikun për çdo gjë që ndodh në qeveri”, thotë ai.

Mushkolaj ironizon me ekzekutivin, drejtuesit e të cilit vazhdimisht pohojnë se angazhohen maksimalisht për transparencë, të cilën, siç thotë ai, në praktikë nuk e kanë parë kurrë. Ai kujton se gjatë bisedave me shumë gazetarë ka dëgjuar nga ta për hallet e tyre në raport me mbylljen e qeverisë, përkatësisht me “fshehjen” e Kuçit gjatë dhjetorit të kaluar.

Ndërsa kryeredaktori i gazetës Koha Ditore, Agron Bajrami, thotë se Qeveria e Kosovës ka frikë nga transparenca ndaj publikut, prandaj ka zgjedhur që duke mos pasur zëdhënës ta mbyllë secilën mundësi të komunikimit normal.

“Çdo komunikim tjetër që është bërë, qoftë përmes zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, apo përmes ministrave të veçantë, ka qenë më shumë komunikim joformal sesa komunikim i drejtpërdrejtë çfarë duhet të jetë midis medieve por edhe organizmave të tjerë të shoqërisë por edhe zëdhënësit”, thotë ai.

Ndërkaq, publicisti dhe gazetari Halil Matoshi thotë se gjatë vitit të kaluar ka pasur aq shumë skandale, sa që ka qenë e pamundur që dikush t’i arsyetojë, prandaj, sipas tij, nuk është emëruar zëdhënësi, kryeministri shpesh i ka ikur komunikimit me gazetarë, ndërsa së fundi Kuçi po qëndron “out” prej gazetarëve.

“Ndonëse Kuçi ka qenë paksa më i hapur për medie, me këtë rastin e ndërrimit të numrit të telefonit objektivisht po i shmanget publikut dhe Qeveria e Kosovës mund të them se ka hyrë në një fazë shumë jotransparente dhe pothuajse veprimet e saj, kushtimisht të them, janë tërhequr në ilegalitet”, thotë ai.

Matoshi thekson se mbyllja e qeverisë karshi medieve ka bërë që pa dëshirën e gazetarëve, shumë artikuj të botohen pa burime të mjaftueshme, përkatësisht pa prononcimet zyrtare të qeveritarëve.

 

Nga Jeton Llapashtica

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu