Qeveria i largon nga puna disa sekretarë të ministrive, i vë në listën tepricë

0
106

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e djeshme ka shfuqizuar një varg vendimesh të qeverive të kaluara. Si fillim, me unitet të plotë Qeveria ka shkarkuar Bordin e Drejtorëve të Telekomit. Me propozim të kryeministrit Albin Kurti dikasteri i tij qeveritar shfuqizoi vendimin për përfitimet e zyrtarëve shtetërorë pas mbarimit të mandatit, shkruan sot gazeta Zëri.

 Me vendim të ekzekutivit nga puna janë larguar edhe disa sekretarë të përgjithshëm të ministrive, të cilët i ka kaluar në listën tepricë me mundësinë e ricaktimit në pozita ekuivalente. Në këtë mbledhje të ekzekutivit është marrë vendim që edhe sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica, të zëvendësohet me sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Punës dhe të Mirëqenies Sociale Izedin Bytyqin. 

Disa sekretarë të përgjithshëm nga ministritë e prekura nga riorganizimi i qeverisë së re të Republikës së Kosovës do të kalojnë në listën tepricë sipas legjislacionit në fuqi për shërbimin civil. Kështu ka vendosur dje Qeveria e Kosovës me propozim të kryeministrit Albin Kurti. Ai theksoi se Qeveria do ta shqyrtojë mundësinë e ricaktimit në pozita ekuivalente ose do t’i trajtojë sipas rregullimit ligjor për nëpunësit tepricë në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Ministritë e prekura nga riorganizimi janë: Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Ministria e Arsimit, e Shkencës, e Teknologjisë dhe e Inovacionit, Ministria e Financave dhe e Transfereve, Ministria e Punëve të Brendshme dhe e Administratës Publike, Ministria e Ekonomisë, e Punësimit, e Tregtisë, e Industrisë, e Ndërmarrësisë dhe e Investimeve Strategjike dhe Ministria e Infrastrukturës dhe e Ambientit.

Me këtë rast me propozim të ministrit të e Infrastrukturës dhe të Ambientit, Lumir Abdixhikut, Qeveria e ka ricaktuar Izedin Bytyqin për sekretar të Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Ambientit, pozitë kjo të cilën deri dje e ka mbajtur Betim Reçica. “Izedin Bytyqi në përputhje me vendimin e Qeverisë ricaktohet në pozitën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Ambientit. I ricaktuari kryen të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë deri në përfundimin e mandatit të përcaktuar. Obligohet Ministria e Infrastrukturës dhe e Ambientit për zbatimin e këtij vendimi”, ka thënë kryeministri Kurti./ZERI

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu