Qeveria ne ikje: Ende pa trup punues rreth Demarkacionit

0
54

Pavarësisht zotimeve të vazhdueshme për korrigjim të vijës kufitare me Malin e Zi, pala kosovare ende nuk ka bërë asnjë hap në drejtim të kësaj. Së fundi lideri i LVV-së Albin Kurti ka thënë se do të punojë për një gjë të tillë, por vlerësohet se rishikimi i kufirit më shumë mbetet një shpresë për Kosovën sesa një realitet që mund të ndodhë, shkruan gazeta “Zëri”.

Menjëherë pasi kishte ardhur në krye të Qeverisë, kryeministri në largim Ramush Haradinaj pati emëruar ish-deputetin e LDK-së Shpejtim Bulliqin kryesues të Komisionit për Shënimin e Kufirit, me ç’rast pati shkarkuar Komisionin e drejtuar nga Murat Meha. Haradinaj më 2015-n, në një mbledhje ku Komisioni i Mehës po raportonte rreth Demarkacionit, ia pati përplasur për fytyre një hartë atij. I kontaktuar nga gazeta për ta pyetur rreth kësaj marrëveshjeje, Murat Meha ka thënë se nuk ka çfarë të thotë më për këtë çështje. 

Ndërkaq kryesuesi i Komisionit për Shënimin e Kufirit, Shpejtim Bulliqi, i cili tash është pjesë e LVV-së, ka thënë se deri tash nuk i është dhënë ndonjë detyrë për ta kryer. “Nuk marr kurrfarë informacioni, ata kanë për detyrë të më japin detyrë dhe punë. Kur të m’i japin punët dhe detyrat unë si Komision i kryej”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Duke mos dhënë më tej detaje, Bulliqi ka sugjeruar që të kontaktohet Zyra e Kryeministrit rreth kësaj çështjeje. 

Teksa nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje konkrete lidhur me rishikimin e kufirit, nga Zyra e Kryeministrit në largim kanë thënë që si referencë mund të merren deklaratat e fundit të Haradinajt. Pavarësisht faktit që deri tash nuk ka pasur diçka konkrete, në deklarimet e tija Haradinaj vazhdimisht është zotuar për korrigjim të vijës kufitare.

Për të shkuar deri te korrigjimi i vijës kufitare të dyja shtetet duhet të dakordohen për formimin e një trupi punues, i cili do të merret me këtë temë, gjë që ende nuk ka ndodhur. /ZËRI

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu