Qeveria themelon Komunën e Mitrovicës veriore!

0
105

Qeveria e Kosovës pretendon që deri në shtator në dialogun me Serbinë të gjej një zgjidhje rreth themelimit të Komunës së Mitrovicës veriore. I gjithë plani i përgatitur nga një grup punues i institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, sipas një dokumenti që ka siguruar Radio Kosova, parasheh që deri në qershor të bëjë funksionalizimin e plotë të Zyrës Administrative në veri.

Kjo në mënyrë që të jenë gati për zgjedhjet lokale, ku sipas burimeve brenda këtij grupi organizator i zgjedhjeve për këtë komunë do të jetë OSBE-ja.

Bashkë me zgjedhjet lokale që do të mbahen në këtë vjeshtë autoritetet kosovare po synojnë të themelojnë edhe Komunën e Mitrovicës veriore, e paraparë me Pakon e Ahitsarit.

Një dokument i përgatitur nga një grup punues vendorë e ndërkombëtarë që është edhe pjesë e agjendës së bisedimeve në Bruksel, një kopje të së cilit e posedon Radio Kosova, përfshin të gjitha detajet deri te bërja e Komunës.

Dokumenti, emërtimi i të cilit është fuqizimi i Zyrës Administrative në veri përfshin bartjen e të gjitha kompetencave nga komuna jugore tek ajo veriore. Dokumenti parasheh që në fillim të shtatorit të jetë gati lista e votueseve si dhe të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me organizmin e zgjedhjeve në komunë.

Palët në bisedime dhe plani për fuqizimin e Zyrës Administrative parashohin rolin kryesor të OSBE-së në procesin zgjedhor për të cilin mendohet se do të ketë pajtim të plotë nga të dyja palët në bisedimet në Bruksel.

Ky mision që pas shpalljes së pavarësisë përgjegjësinë për organizimin të zgjedhjeve ua kaluar autoriteteve vendore, planifikohet që këtë rol ta rimerr me pajtimin e palëve në vjeshtë në Mitrovicë.

Dokumenti që përfshin bartjen e të gjitha kompetencave nga Komuna jugore e Mitrovicës tek Zyra Administrative radhitë, gjithashtu, regjistrat kadastral, definimin e pronësisë, regjistrat civil, rregullimin e taksave dhe financave, lejet e ndërtimit dhe të gjitha dokumentet për projektet në proces.

Në plan, gjithashtu, përmendet çështja e investimeve të huaja, çështjet kulturore e të sigurisë si dhe ato sociale e shëndetësore. Në çështjet arsimore, sipas dokumentit, është i përfshirë edhe niveli universitar që nënkupton rregullimin ligjor të Universitet të Mitrovicës.

Një nga pikat e këtij plani përfshin themelimin edhe të një Këshilli të Sigurisë për Komunitetet. Ndërkaq, asnjë gjë nuk thuhet sa i përket çështjes së gjykatave që bien në territorin e përcaktuar për Komunën e Mitrovicës veriore.

Adriana Hoxhiq, shefe e Zyrës Administrative në veri nuk ka folur për planin. Ajo vetëm ka konfirmuar se po punohet për fuqizimin e plotë të Zyrës dhe përgatitjen për themelimin Komunës.

Ndërsa, nga autoritet qeveritare në Prishtinë, Besnik Osmani, Sekretar i Përhershëm i Ministrisë së Pushtetit Lokal i ka thënë Radio Kosovës se Qeveria po punon në përgatitjen e terrenit për fuqizimin e Zyrës Administrative dhe themelimin e Komunës së Mitrovicës.

Zyrtarët e misionit të OSBE-së në Kosovë, ndërkaq, nuk kanë komentuar këtë plan, me arsyetimin se nuk kanë dijeni dokumentin.

Plani për fuqizimin e Komunës së Mitrovicës veriore ka të përfshirë, përveç institucioneve vendore, edhe gati të gjitha organizatat dhe misionet ndërkombëtare në vend. /rtk/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu