Qeverisja qesharake Berisha-Fino në pranverën 1997

0
361
Mero Baze

Krijimi i qeverisë së Pajtimit Kombëtar në 9 mars 1997. Kush ishte kryeministri Bashkim Fino dhe roli që luajti ai për të mbrojtur presidentin Berisha nga plani i SHBA-së për ta larguar përfundimisht nga politika. Tentativa e dështuar e presidentit për të hartuar kushtetutën.

(Vijon nga publikimi i të premtes)

Pas rënies së qeverisë “Meksi”, më mars 1997 në Shqipëri u krijua qeveria e Pajtimit Kombëtar, një koalicion qeverisës mes PS-së dhe PD-së. Por siç thotë gazetari Mero Baze në librin “Viti ’97, prapaskenat e krizës që rrënuan shtetin”, nxjerrë në treg nga shtëpia botuese “Toena”, ajo ishte një qeveri qesharake, ku pas ministrave qëndronin komisarët politikë të partive dhe ku presidenti Berisha bëntë lojën e madhe për të përmbysur qeverinë, duke krijuar tensione politike me anë të njerëzve të tij.

Gazetari Baze sjell klimën politike mes presidentit Berisha dhe kryeministrit Fino, kur ky I fundit e mbron atë nga vendosmëria amerikane për ta nxjerrë përfundimisht nga skena politike si shkatërrues I Shqipërisë dhe I marrëdhënieve me Perëndimin. Si ilustrim të kësaj, Baze sjell kërkesën e Berishës në prill 1997 për të hartuar me ngut një kushtetutë, megjithëse vendi ishte nën terrorin e bandave, buxhetorët nuk kishin marrë rrogat prej një muaji dhe gjithçka ishte në kolaps të plotë. Por ishte vendosmëria e të majtës që presidenti, të cilit I kishte dështuar refrendumi për kushtetutën në nëntor 1994, që e bënte të plotfuqishëm, të mos ia arrinte qëllimit ogurzi.

Nëse ka një zgjedhje tërësisht të goditur për dikë që duhej të ishte në krye të qeverisë më 9 mars, ky ka qenë Bashkim Finoja. Atë ditë që u projektua emri i tij, ndoshta askush nuk i kishte parasysh të gjithë cilësitë e duhura të tij për të qenë partner i Sali Berishës në ditët e tij më të këqija dhe të arrinte të mos bënte ndonjë dëm të madh. Pragmatist, njerëzor, me profil jo shumë të lartë, i gatshëm për kompromise të vogla, realist për zhvillimet politike, jo shumë konformist me partinë e tij, babaxhan në dukje, por jo aq i pastërvitur në shqisat politike, Bashkim Finoja dukej se ishte amortizatori më i mirë i përplasjes që mund të prishte qeverinë e tij dhe të Sali Berishës.

Keqkuptimi i madh i debatit politik për bashkëqeverisjen Fino-Berisha është se në debatin publik duket pak e besueshme ajo që shpesh Bashkim Finoja thotë për Sali Berishën: që e ka shpëtuar në ditë të vështira. Shumë veta mendojnë se Bashkim Finoja e ka shpëtuar Sali Berishën nga komitetet e Jugut apo nga njerëzit e armatosur. E vërteta e pabesueshme tani është se Bashkim Finoja e ka shpëtuar Sali Berishën nga vendosmëria e SHBA-ve për ta larguar nga politika. Një javë pas formimit të kabinetit, ShBA-të dukeshin të vendosura ta largonin Berishën, por avokati i madh i këtij të fundit u bë Bashkim Finoja, pa vetëdijen e duhur se çfarë po bënte.

Po ashtu Berisha u ndje i izoluar keqazi, nga vizita e Romano Prodit në Vlorë, i cili injoroi tërësisht Berishën dhe u përpoq të qetësonte qytetin e protestave. Fal anarkisë në Vlorë, truprojë personale e tij u bë Zani Çaushi. Rai Tre trasmetoi një reportazh të gjatë ku Zani fliste për të ardhmen e Vlorës dhe vizitën e Prodit. Përkthente Dashamir Tahiri, një biznesmen që kishte lidhje të forta me njerëzit e armatosur. Ishte më i prerë dhe më i qartë kundër Berishës se sa Zani Çaushi. Më kujtohet shpesh kjo skenë, kur shikoj tani që ky biznesmen është deputet i kolaicionit të Sali Berishës, dalë nga zgjedhjet e 29 Qershorit 2009.
Kabineti i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, ishte më qesharaku në historinë e Shqipërisë, për sa i përkiste mënyrës se si funksiononte.

Qeveria ishte një grup teknicienësh dhe krah tyre, në çdo mbledhje, rrinin “komisarët” e partive, ata që merrnin vendimin politik dhe parimor për atë çfarë diskutohej në mbledhje. Por kjo nuk e pengonte aspak kryeministrin e ri, me disa vjehrra në shtëpi, që t’ia dilte mbanë… Nervozizmi që ngjallte në shoqëri mungesa e eficiencës së qeverisë dhe vazhdimi i destabilizimit, nuk përjetohej dhe aq keq nga vetë Bashkim Finoja. Shumë bastione të PD-së filluan të ndienin butë-butë humbjen e pushtetit dhe nervozizmi i tyre ndaj kryeministrit që nuk të linte rast ta merrje inat, po rritej.

Më 5 prill, në përpjekje për të shkuar në Shkodër, Bashkim Finoja u ndalua nga një grup militantësh të PD-së, si për t’i treguar se nuk ishte kryeministri i gjithë shqiptarëve. Rreth 50 vetë, në afërsi të Bushatit, i zunë rrugën kryeministrit. Reaksioni ishte i menjëhershëm. Edhe pse partitë u duk sikur e dënuan të gjitha njëzëri, demokratët dyshonin se shkuarja në Shkodër ishte një pretekst që Bashkim Finoja të shkonte më pas dhe të takonte zyrtarisht komitetet në Jug. Zyrtarisht, agresorët e kryeministrit dukej se e kishin gjetur një motiv politik.

Ata thoshin se rreth 120 persona nga Veriu mbaheshin peng në Sarandë, Vlorë dhe Tepelenë nga komitetet e shpëtimit dhe se qeveria nuk kishte bërë asgjë për t’i liruar ata. Në të vërtetë, dukej se luhej me gjysmë të vërtetat. Në Jug ishin keqtrajtuar qytetarë, disa herë deri dhe në masakrim, thjesht se ishin veriorë. Një qytetar të tillë e intervistova vetë, disa muaj më vonë. Bëhej fjalë për një qytetar nga Kukësi, që vinte nga Greqia dhe kishte përfunduar në duart e Komitetit të Shpëtimit në Sarandë, i cili dëshmoi për tortura çnjerëzore, deri në heqje thonjsh. Po ashtu, një oficer i Gardës së Republikës, që shoqëronte Sali Berishën, u mor peng në Tepelenë.

Ndërsa në Vlorë, u mbajt disa ditë dhe u lëshua, me ndërhyrjen e një sekti murgeshash, kufoma e ish inspektorit të SHIK-ut, Lekë Çokut, i vrarë aty gjatë natës së 28 shkurtit. Mund të kishte edhe qytetarë të tjerë që kishin humbur në anarkinë e atyre viseve, por nuk kishte asgjë të organizuar. Pra, nuk kishte ndonjë strategji, ndonjë listë apo ndonjë veprim në bllok kundër veriorëve, edhe pse “kryeveriorin” Sali Berisha e kishin objektiv të tyre. Ndaj, në këtë kontekst, justifikimi i tyre ishte më shumë një përpjekje e PD-së për të përdorur kartën e ndarjes Jug-Veri në ato ditë, se sa si arsyetim për njerëzit që kishin zënë rrugën dhe që, jam i sigurt, nuk kishin qenë ndonjëherë në Jug.

Ndërkaq, pati një reagim të fortë ndërkombëtar, ku u shqua intervista e ashpër e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Nikolas Bërns, i cili e konsideroi incidentin një përpjekje të qëllimshme për të minuar Qeverinë e Pajtimit Kombëtar. Dyshimi më i madh që kishin amerikanët, por dhe perëndimorët e tjerë në atë kohë, ishte se mos Berisha e konsideronte të kryer emergjencën dhe donte të rrëzonte qeverinë. Për këtë arsye, qëndrimi i tyre ishte kategorik pro kryeministrit Bashkim Fino dhe e fajësonin thuajse direkt Berishën për atë që ndodhte. Ministria e Brendshme nisi njëfarë hetimi, që nuk e përfundoi kurrë. Pati edhe një debat në mbledhjen e qeverisë, dy ditë më pas, por pa rezultat.

E vetmja masë ishte shkarkimi i shefit të Komisariatit të Shkodrës dhe zëvendësimi i tij me një tjetër; një ngjarje që u kundërshtua me armë në Shkodër. Një ditë pas ndryshimeve, Komisariati i Shkodrës u sulmua. Një polic mbeti i vrarë, një tjetër u plagos, ndërsa një makinë policie u shkatërrua.

Ndërkohë që këto debate mbushnin ekranet e Shqipërisë dhe Perëndimit, qytetarët shqiptarë, sidomos pensionistët dhe administrata, po kalonin muajin e parë pa rroga, për shkak të shkatërrimit të bankave në Jug dhe djegies së zyrave. Ministri i Financave, Arben Malaj, filloi të shfaqej në ekran për t’i qetësuar njerëzit. Situata ishte ende larg stabilizimit.

Në përpjekje për ta larguar vëmendjen nga “leksioni” ndaj kryeministrit, Sali Berisha përdori mbledhjen e zakonshme të qeverisë, më 7 prill, si dhe rekomandimet e Këshillit të Europës për të diskutuar mbi ligjin e ri elektoral dhe mundësinë e bërjes së vendit me kushtetutë. Kërkesa ishte si një rrufe në qiell të pastër. Në vendin ku rendi kushtetues ishte përmbysur dhe presidentit i kishte ikur kontrolli mbi institucionet, çelja e një debati për Kushtetutën dukej si luks i tepërt.

Bisedova disa herë gjatë asaj dite me Berishën rreth kësaj deklarate, por dukej i vendosur në atë që thoshte.
– E di që është kohë e keqe, – tha, – por kurrë nuk kemi për të qenë në një qeveri dhe nuk ka më mirë se sa tani për ta bërë Kushtetutën.
Herë-herë nuk më dukej arsyetim i keq, por në të vërtetë zotëronte ideja se ndoshta i duhej për të treguar një dimension shtetari, në atë keqkatandisje që kishte imazhi i tij si President ato ditë, një imazh që kish nisur të rrënohej qysh më 1994, pikërisht nga humbja e referendumit për Kushtetutën e vendit.

Rexhep Mejdani dhe Pandeli Majko e hodhën poshtë propozimin për Kushtetutë. Majkoja ishte më racional në arsyetimet e veta. Së pari, ai theksoi se Partia Socialiste mbështet Qeverinë e Pajtimit Kombëtar, e cila nuk ka objektiv Kushtetutën. Së dyti, nga pikëpamja etike, Kushtetuta nuk mund të miratohej me tanke në rrugë.

Berisha nuk e vazhdoi më tej debatin, por nuk harronte ta mbronte këtë tezë, sa herë ia përmendnin. Madje kjo temë u përfshi edhe në rezolutën e Këshillit Kombëtar të PD-së, që u mbajt më 12 prill. Këshilli Kombëtar, që vazhdoi për dy ditë, njohu përgjegjësinë e qeverisë së PD-së për situatën e krijuar dhe pranoi se shteti nuk ishte i përgatitur për një situatë të tillë. Për ta bërë më ilustruese përgjegjësinë e përciptë që kishte PD-ja për rënien e shtetit, rezoluta theksonte se “faji i zjarrvënësit nuk mund të barazohet me përgjegjësit e zjarrfikësit”. Dukej qartë se në fokus nuk ishte përgjegjësia, por pafuqia për të përballuar një rebelimin të armatosur.
vijon

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu