Qeveritarët mbushin xhepat me avanse

0
228

Më shumë se 355 mijë euro janë shpenzuar në tre muajt e parë të këtij viti në emër të avanseve nga zyrtarët e institucioneve shtetërore, me një rritje prej 236 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas raportit tre mujor të buxhetit 2013, vitin e kaluar ishin shpenzuar 105 mijë euro avanse, ndërsa sivjet shpenzimet e tilla janë rritur për 250 mijë euro.
Sipas ligjeve në fuqi, avanset mund të merren gjatë udhëtimeve zyrtare dhe koha e mbylljes se avanseve prej momentit kur kryhet udhëtimi zyrtar është 15 ditë.

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, në raportin e vitit të kaluar për Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, kishte gjetur se avanset e pambyllura në fundvit ishin në vlerë prej 82.010 eurove. Nga kjo 78.230 euro i takonin Zyrës së Kryeministrit dhe 3.780 euro agjencive vartëse të saj. Në këtë raport përmendet një vizitë e zyrtarëve të Kryeministrisë në Shqipëri në vlerë 2 mijë euro. Pastaj vizitë tjetër në Bruksel në vlerë 15,000 euro, vizitë zyrtare në Kroaci në vlerë 7.500 euro dhe vizitë tjetër e delegacionit të ZKM-së në Zvicër në vlerë 5,000 euro.

“Konkludojmë se ZKM nuk ka zhvilluar kontrolle të duhura për sa i përket mbylljes së avanseve për udhëtime zyrtare. Rekomandojmë Kryeministrinë të shtojë masat e mbikëqyrjes për të garantuar mbylljen e avanseve për udhëtime zyrtare brenda 15 ditëve pas kthimit nga udhëtimi”, ishte rekomandimi i auditorit për Kryeministrinë.

Në lidhje me shpenzimet e avanseve nga nëpunësit e sektorit publik dhe kontrollit të këtyre shpenzimeve, gazeta “Zëri” i ka dërguar pyetje zyrtarëve të Ministrisë së Financave(MF), mirëpo këta të fundit nuk janë përgjigjur gjatë ditës së martë.Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë thonë se rritja e shpenzimeve nga avanset flet për keqpërdorim të parasë publike.”Vet rritja enorme e avanseve pa ndonjë justifikim në vendet normale do të kualifikohej si keqpërdorim i parasë publike”, thotë për “Zërin” Fidan Kalaja nga Lëvizja “Fol”.

Sipas tij, rritja kaq e madhe e këtyre shpenzimeve këtë vit tregon se në institucionet publike ekziston logjika e përdorimit të mirës publike për qëllime personale.Ai ka shtuar se për të evituar këtë situatë, këto institucione do të duhej të rrisnin përgjegjësinë ndaj qytetarëve të Kosovës, duke ju raportuar dhe informuar ata se si shpenzohen paratë publike e që njëherësh janë edhe para të taksapaguesve kosovarë. Kalaja ka bërë të ditur se ekzistojnë organizata të shoqërisë civile që monitorojnë sektorë të ndryshëm me anën e të cilëve institucionet shpenzojnë paranë publike.

”Edhe në rastin e avanseve ka pasur monitorim të këtyre shpenzimeve dhe para tre viteve për shkak të publikimit të një rasti abuziv me avanse nga një zyrtarë i lartë publik dhe avokimit të fuqishëm nga mediet dhe organizatat e shoqërisë civile është bërë e mundur që ky zyrtarë të shkarkohet”, ka potencuar Kalaja, duke shtuar se ky rast ka shërbyer vetëm si hedhje e pluhurit syve tek qytetarët nga ana e Qeverisë duke krijuar mundësi “abuzuesve publik” të shfrytëzojnë hendekun e mungesës së transparencës së shpenzimit të parave publike të keqpërdorin avanset”.

 

Nga: Lavdim Hamidi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu