QKUK: Vetura e drejtorit Nijazi Gashi u ble 59 mijë euro!

0
241

(E plotësuar) Zyra për media dhe marrëdhënie me publikun e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pas shkrimit të plasuar nga Indeksonline, për blerjen e veturës zyrtare të drejtorit ekzekutiv Nijazi Gashi, sqaron se, ajo nuk është blerë 70.000 euro siç shkruhet, por 59.000 euro.

“Vetura është blerë pas rishikimit buxhetor të bërë për kategorinë e investimeve kapitale, me miratim të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave dhe Ministrisë së Shëndetësisë”, thuhet ndër të tjera në sqarimin e QKUK-së.

Lidhur me ndërlidhjen që bëhet se ka mungesë të barnave dhe materialit shpenzues dhe se me to do të mund të bliheshin barna, QKUK sqaron publikisht se barnat dhe materiali shpenzues blihen nga kategori tjetër buxhetore dhe buxheti i përcaktuar për investime kapitale nuk mund të përdoret për blerje të tyre.

“Kërkojmë nga portalet dhe disa media tjera që para se të plasojnë informata të tilla të marrin burimin zyrtar nga QKUK, e jo të dalin me informata anonime, meqë QKUK ka qenë dhe do të jetë transparente”, thuhet në fund të reagimit./Indeksonline/

—–

Drejtori Gashi bleu veturë 70 mijë euro!

Në kohën kur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) mungojnë barërat esenciale, madje edhe ato që “super-esenciale”, dhe kushtet nëpër klinika nuk janë as për së afërmi si duhet të jenë, drejtori i këtij institucioni, Njazi Gashi, ka vendosur ta rrisë luksin në maksimum.

Gashi duket se është mërzitur nga vetura zyrtare “Shkoda Oktavia”, prandaj, ka vendosur që veten ta qorras me një veturë super luksoze, të tipit “Volkswagen Touareg”, e cila QKUK-së i ka kushtuar hiq më pas se shtatëdhjetëmijë euro.
Burime të Indeksonline kanë treguar se për shkak të disa problemeve me Ministrinë e Financave, vetura nuk iu ka paguar ende servisin e autorizuar të Wolkswagen-it, “Porche Kosova”, nga e cila është blerë.

“Drejtori e ka marrë veturën por është duke e mbajte fshehtë, pasi që ende nuk është paguar. Po përpiqet që kështu ta mbajë sa më tinës blerjen”, ka thënë burimi.

Rritjen e luksit i pari i QKUK-së e ka bërë në kohën kur kryetari i ri i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka paralajmëruar se do ta shes veturën zyrtare të ish-kryetarit, Isa Mustafa, ngase, konsideron se ajo paraqet luks të tepërt për një kryetar Prishtine.
Ndërkaq, dy krerët e shtetit, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, sikurse edhe presidentja e shtetit, ka kohë që vozitën me të njëjtat vetura, duke i ikur secilës mundësi që të blejnë ndonjë veturë luksoze./Indeksonline/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu