Qosja: Ndihem keq kur ia zgjati dorën deputetëve

0
265

Akademiku Rexhep Qosja vizitoi Tiranën pas 10 viteve duke shkelur një premtim të bërë prej tij se nuk do të shkelte në kryeqytetin e Shqipërisë përsa kohë vendin e drejton Sali Berisha. C’e detyroi akademikun të thyente premtimin e tij? Si e sheh ai situatën e fundit politike në vend? Po për ndryshimet gjuhësore të propozuara, ndër vite dhe ato të propozuara së fundmi?

Këtyre dhe të tjera pyetjeve profesor Rexhep Qosja u dha përgjigje në një intervistë për emisionin “Shqip” të gazetares Rudina Xhunga.

Rudina Xhunga: Kënaqësi që jeni në Tiranë, pas 10 vjetësh. E thyet betimin se nuk do të vinit për sa kohë drejton Sali Berisha?

Rexhep Qosja: Po, e theva. Por ka një arsye pse e theva. Shpresoj se Berisha së shpejti nuk do të jetë më kryeministër i qeverisë së Shqipërisë dhe të shpresojmë se nuk do të jetë as kryetar i Partisë Demokratike, për të mirën e Shqipërisë dhe për të mirën e Partisë Demokratike.

Rudina Xhunga: Në fakt, do kemi kohë të flasim për politikë, por si fillim dua t’ju pyes për librin. Isha në promovimin e librit tuaj dhe ishte një sallë e mbushur plot me njerëz, gjë që e pashë edhe në Vlorë kur ju morët titullin Qytetar Nderi i Vlorës. Ju ndjeheni mirë kur kaq shumë shqiptarë të Shqipërisë ju presin, ju duartrokasin, ju duan?

Rexhep Qosja: Natyrisht, ndjehem shumë mirë. Kjo do të thotë se një numër shqiptarësh më duan sepse i duan veprat e mia, i lexojnë ato. Unë nuk shkruaj për të ndikuar tek njerëzit me shkrimet e mia, unë shkruaj për të thënë të vërtetën dhe të drejtën. Sigurisht kjo gjë iu pëlqen njerëzve, iu pëlqen tyreve që lexojnë dhe prandaj vijnë të dëgjojnë çfarë thonë të tjerët kur bëhet përurimi i veprave të mia dhe vijnë të më shprehin një nderim që mua më sjell gëzim të madh.

Rudina Xhunga: Më ngacmoi diçka në librin tuaj me titullin “Shqipëria dhe Kosova, si janë dhe si duhet të jenë”. Njëra prej shprehjeve që keni zgjedhur për t’i paraprirë librit është nga Alfred de Lamartin, i cili thotë: Nëse arrin që prej një kombi qytetarësh të bëjë një shoqëri të turpshme gënjeshtarësh, nëse e bën atdheun të skuqet për shkak të të këqijave zyrtare, nëse lejon që të fundosemi në tragjedi të vërteta të korrupsionit, nëse lejon që pandershmëria e pushtetit shtetëror të pikëllojë dhe poshtërojë kombin dhe pasardhësit, ky pushtet, të jeni të sigurt që do të përmbyset. Dhe, do të përmbyset jo në gjakun e vet si ai i vitit 1789, por në kurthin e vet. Dhe meqenëse keni pasur revolucionet e lirisë dhe kundër-revolucionet e famës, tani do të keni revolucionin e ndërgjegjes dhe revolucionin e përbuzjes”. Ngjan shumë franceze kjo profesor, jo shqiptare.

Rexhep Qosja: Një krijues i madh, që ishte njëkohësisht edhe politikan, Alfred de Lamartin, e ka njohur mirë realitetin shoqëror, politik kombëtar, kulturor francez dhe ishte shumë i revoltuar nga gjithë ato shpërfytyrime, formime, degjenerime që ndodhën në pushtetin e Francës pas revolucionit të Madh të 1789. nga ajo revoltë, nga ajo pakënaqësi, pikëllim, dëshpërim i tij, ai ka shkruar ato fjali që, po të jem i sinqertë, dhe ta themi të vërtetën, me keqardhje, i përgjigjen plotësisht një mendësie të shqiptarëve sot. Ato fjali mund të shkruhen për pushtetin shqiptar sot dhe për ato që ngjajnë në politikën shqiptare sot dhe për protagonistët e kësaj politike në Shqipëri. Ato të këqija, ato korrupsione, mashtrime, ato gënjeshtra për të cilat flet Lamartini e me të cilat protagonistët e politikës së Francës e mashtruan popullin, e gënjyen, e fyen popullin francez, e cënuan në jetën e tyre, e shpërfytyruan Francën e madhe me kulturë dhe tradita të mëdha, ato fjali mund të shqiptohen edhe këtu. Po ti lexoni shkrimet e mia, në kohë të buta apo të ashpra, janë thënë edhe këto, edhe këtu në librin tim.

Rudina Xhunga: Në parathënien tuaj, kur e mbyllni, ju shpreheni: Mospajtimi im me këtë politikë, ngritja e zërit kundër saj, është jo vetëm çështje e etikës sime intelektuale por njëkohësisht çështje e përkushtimit tim ndaj Shqipërisë dhe Kosovës, domethënë çështje e atdhetarizmit tim. Ky është edhe shpjegimi pse ju flisni, jeni kaq i shpeshte në intervista, shkruani, i jeni kushtuar çështjes shqiptare?

Rexhep Qosja: Unë kam një koncept për demokracinë që e kam krijuar nga letërsia e rilindjes sonë kombëtare që është liri e konceptit demokratik, e formuar mbi traditën pozitive, mbi traditën e virtyteve, dinjitetit, krenarisë së popullit të vet dhe e formuar mbi iluminizmin francez dhe mbi filozofinë e demokracisë franceze, në radhë të parë mbi veprat e Volterit, Diderotit, Zhan Zhak Rusoit, Lamartinit, Shatobrianit dhe filozofëve të tjerë të evropës në atë kohë. Ata kanë ndërtuar filozofinë e demokracisë dhe teorinë e demokracisë dhe ne e dimë qysh nga shkolla fillore e tutje se ata janë shkolluar, pjesa më e madhe e tyre, në gjimnazin Zosimea ku numri më i madh i profesorëve ishin francezë dhe grekë të formuar në kulturën franceze, së cilës shenjën themelore ia kishte vënë iluminizmi me filozofinë e tij demokratike. Ata, po ti lexojmë rilindësit, habitesh sesa të rinj ishin dhe janë me mendimet e tyre demokratike. Jani Vreto, profesor i etikës dhe filozofisë, shkrimtar i etikës dhe filozofisë, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Pashko Vasa le ti lexojmë sot sesi mendonin dhe çfarë donin ata. Ata donin një Shqipëri të lirë prej pushtimit otoman por edhe një Shqipëri me institucione demokratike. Unë jam formuar mbi atë filozofi demokratike, mbi atë krijimtari. Kam mendimin tim se ai regjim, që e cënon këtë koncept, unë nuk mund ta shikoj i paanshëm dhe nuk mund të hesht. Unë nuk pranoj të hesht kur shoh se baza e çdo demokracie, ndarja e pushteteve, pavarësia e pushteteve, të pushtetit ligjvënës, pushtetit zbatimor dhe pushtetit gjyqësor, janë të cënuara, janë të përvetësuara prej qeverisë dhe kryeministrit. Unë nuk mund të hesht kur këto pushtete nuk kanë pavarësi sepse kjo sjell shumë të këqija, e cënon demokracinë rëndë. Unë, nuk mund të hesht kur shoh sa i madh është korrupsioni sepse e di që aty ku ka korrupsion, nuk mund të ketë demokraci, aty ku ka korrupsion nuk mund të ketë barazi e përafërt sociale, një solidarësi sociale, një kujdes për disa njerëz që janë në gjendje të pamundur. Aty ku cënohet barazia e dinjiteteve, nuk mund të ketë demokraci. Aty ku shkelen ligje, shkelet Kushtetuta, siç po shohim se po shkelen në Shqipëri, nuk mund të hesht, nuk mund të shikoj dhe të dëgjoj i paanshëm. Aty ku shkelet pavarësia e medieve, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, sidomos e medieve elektronike. Disa media që lëvrojnë në Shqipëri janë bërë shërbëtorësi, jo shërbëtorë, por shërbëtorësi të qeverisë. Ndërsa disa të tjera që nuk pranojnë ti shërbejnë, shantazhohen, kërcënohen prej qeverisë sepse nuk dëshiron ti shohë mediet të lira dhe të pavarura. Aty ku flitet, ashtu si flitet në institucionet politike në Shqipëri, aty ku kryeministri i Shqipërisë fyen përfaqësues të popullit, duke e bërë fytyrën opingë, duke nxjerrë dhembë e dhëmballë. E tha para disa netësh por nuk e dëgjova shumë mirë megjithatë tha diçka të tipit “ti nxjerr ngjalat prej fyti”. Aty ku kryetarja e qeverisë fyen ashtu siç po i fyen ajo deputetët, burra dhe gra, aty ku kryeministri i Shqipërisë, një përfaqësuese të denjë, të zonjën, i drejtohet me fjalët me të cilat ai iu është drejtuar publikisht në qeveri dhe në parlament, një zonje të Shqipërisë me detyrë të lartë. Aty ku të njëjtën gjë e bën edhe kryetarja e parlamentit, unë nuk mund të shikoj dhe të dëgjoj i heshtur. Si mund të flitet ashtu në një qeveri dhe në një parlament. Qeveria dhe parlamenti janë pasqyra e një vendi, i një populli. Të tjerë do na çmojnë si është parlamenti, si është qeveria, çfarë etike, çfarë morali, çfarë pedagogjie i ofrojnë popullit. Populli mëson edhe prej tyre. Si të shoh unë indiferent siç e shikojnë fatkeqësisht disa intelektualë. Unë nuk mundem. Kjo është çështje e konceptit tim për demokracinë.

Rudina Xhunga: Për këtë doja të pyesja, për intelektualët që janë indiferentë.

Rexhep Qosja: Mjerisht janë disa, për të keqen e tyre dhe të keqen e Shqipërisë.

Rudina Xhunga: Mbase kjo vjen sepse e kanë kuptuar që nuk është koha e idealistëve por e dhunëtarëve, siç do e thoshit ju.

Rexhep Qosja: Po, por duhet ta luftojmë këtë, duhet ta ngremë zërin kundër dhunëtarëve, kundër mashtruesve, kundër gënjeshtarëve dhe duhet ta ngremë jo për veten por për hir të popullit dhe të vendit. Ky vend ka një dinjitet, ka një krenari.

Rudina Xhunga: Ka veshë që dëgjojnë?

Rexhep Qosja: Ata i kanë veshët që të dëgjojnë e sytë që të shohin por nuk duan të reagojnë. Ndoshta, ashtu i leverdis më shumë dhe kështu ata nuk e kryejnë jo rolin por misionin që iu takon si intelektualë. Prej mesjetës e këndej, Evropa i ka quajtur intelektualët koka e popullit. Popullit shqiptar fatkeqësisht i mungon kjo kokë.

Rudina Xhunga: Ka njerëz që ju thonë se ju jeni i Kosovës, pse duhet të flisni dhe të shpreheni kaq shumë për çfarë ndodh në Shqipëri sepse mbase ju nuk e njihni realitetin? Ç’është Shqipëria për ju profesor?

Rexhep Qosja: Së pari, jo unë, por të gjithë kosovarët e kanë quajtur Shqipërinë, nëna Shqipëri. Ne jemi rritur me këtë fjalë, nëna Shqipëri dhe gjithmonë prej së keqes, prej rrezikut kemi shikuar të shpëtojmë në Shqipëri. Unë po ju them juve sonte, diçka që nuk e kam thënë ndonjëherë. E gjithë familja e të parëve të mi ka ikur në verën 1913 dhe ka gjetur shpëtimin në Shqipëri. Aty babës tim i kanë vdekur të gjithë, vetëm një xhaxha i ka mbetur gjallë. Aty i ra tifoja e morrit, kur ishin mërgimtarë dhe ishin të vendosur në Barbullush me çadra. Të gjithë u sëmurën, pjesa më e madhe kanë vdekur ndërsa babai im, një djalë i ri 22 vjeçar, shpëtoi. Pra, ata ikën dhe e gjetën shpëtimin në Shqipëri dhe të gjithë kosovarët e kanë kërkuar shpëtimin në Shqipëri. E gjithë rinia jonë që ka marrë pjesë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, kanë hyrë nëpër burgje duke shqiptuar fjalinë nëna Shqipëri. Shqiptaria ishte atdheu i tyre dhe unë në moshën 15 vjeçare kam shkuar në Prishtinë dhe aty jam rritur, shkolluar, kam kryer fakultetin, jam martuar, kam krijuar familjen time. Por unë them se vendlindjen e kam në një vend por unë jam rritur në Kosovë dhe ajo praktikisht është vendlindja ime por unë them se atdheu im njëkohësisht është Shqipëria. Unë kam atdhe Kosovën por kam atdhe edhe Shqipërinë dhe këto dy atdhe nuk i ndaj, janë një i vetëm për mua dhe prandaj kam përkushtim të njëjtë, dashuri për të dy këto atdhe dhe i shikoj dhe reagoj njësoj ndaj të këqijave që ndodhin atje dhe këtu. Mjerisht, në Shqipëri po ndodhin më shumë të këqija se në Kosovë. Sot, edhe në Kosovë kanë filluar të shtohen të këqijat, të ngjashme me këto në Shqipëri dhe disa gjëra që iu përshtaten kushteve të Kosovës, reagoj ndaj atyre dhe këtyre. Dhe do vazhdoj të reagoj me padurim derisa të ma mbajë penën kjo dorë, domethënë derisa të jem gjallë.

Rudina Xhunga: Po ata shqiptarë të Kosovës të cilët vijnë e votojnë në zgjedhjet tona, për Berishën kryesisht, dhe të cilët do vazhdojnë ta bëjnë edhe në zgjedhjet e tjera, po ata a kanë të njëjtin përkushtim për Shqipërinë si ju?

Rexhep Qosja: Po por përkushtimi i tyre ka pasoja të padëshiruara për Shqipërinë, ka pasoja të këqija, të dëmshme. Është një përkushtim që nuk mund të quhet etnikisht i arsyetuar, as politikisht. Është përkushtim që nuk e arsyeton zhvillimi historik i Shqipërisë.

Rudina Xhunga: A ka diçka personale në marrëdhënien tuaj të shprehur në libra apo intervista, me Sali Berishën, profesor?

Rexhep Qosja: Pse të ketë diçka personale? Njeriu mund të ketë diçka personale 1 minutë, 5 minuta, gjysmë ore, 2 ditë apo tre ditë por nuk mund të ketë me vite. Unë nuk kam asgjë personale kundër Sali Berishës, nuk kam arsye të kem. As kohë nuk kam, me punët që kam, të merrem me gjëra personale kundër tij. Unë kam personale kundër regjimit të Sali Berishës dhe mendoj se ky regjim e ka dëmtuar Shqipërinë, veçanërisht me 1997, po ashtu me 1998 dhe mandej e ka dëmtuar në vazhdimësi, e ka dëmtuar në Gërdec dhe në vrasjen e katër protestuesve. I përmenda këto sepse janë rezultat i një politike të gabuar dhe dëmtuese. Këto janë krime. Populli e ka një fjali të mençur e cila thotë: Nëse shala e vret kalin, fajtor është ai që është në shalë, domethënë i zoti i kalit. Sali Berisha ishte figura kryesore e Shqipërisë kur këto gjëra ndodhën. Epo, nuk mundet të jenë fajtorë figura fare të parëndësishme e të jetë i pafajshëm ai. Epo nuk është e pranueshme që, ajo që ndodhi në Gërdec, të mbajnë përgjegjësi disa njerëz që nuk mund të konsiderohen të rëndësishëm, e të jenë të pafajshëm ata kryesorët që u morën me fatin e armëve, ato që dhanë urdhra se duhej bërë ajo punë, ato që duhej ta dinin sesi mund të zhduken armët disa kilometra larg Tiranës. Epo kjo është e papranueshme sepse në çdo vend tjetër këta njerëz do thërriteshin përpara përgjegjësisë. Nuk mundet të shpallen fajtorë ato që kanë vrarë katër protestuesit, nuk mundet. Një mendje e shëndoshë nuk e lejon këtë. Dikush i vrau këta njerëz, ne duhet ta dimë kush i vrau, si dhe pse i vrau. U vranë katër protestues, në Evropë nuk ndodh diçka e tillë. Ato futen në parlament dhe askush nuk i vret. Ne duhet ta dimë kush i vrau protestuesit dhe ata që dhanë urdhër për vrasjen e protestuesve, dhe duam të dimë ata që politikisht u pajtuan dhe kërkuan që të merren masa të këtilla ndaj protestuesve. Përgjegjësia shkon deri tek qeveria e Shqipërisë në çdo vend normal. Pas vrasjes së katër protestuesve, në Evropë, kryeministri nuk do mund të ishte aty ku është. Pas vrasjes së katër protestuesve dhe mënyrën sesi u vranë në Shqipëri, Ministri i Rendit Publik dhe Shefi i Gardës nuk do mund të ishin aty ku janë. Sikur të ndodhtë 1997 në Evropë dhe të vriteshin gjithë ato njerëz, të bëheshin gjithë ato shkatërrime, dhe ta vazhdonin të ishin deri sot në politikë, ata njerëz që ishin figurat kryesore nuk do ndodhte të ishin në politikë.

Rudina Xhunga: Mos duhet parë edhe ndryshe, që si ka mundësi që ky njeri që ka bërë ’97, 21 janarin dhe Gërdecin, votohet dhe kjo opozitë e cila e sulmon nuk arrin dot ta zëvendësojë në pushtet? Mund ta shohim edhe nga ana tjetër?

Rexhep Qosja: Ka një faktor që i thonë popull. Ka popuj që quhen politikisht të pjekur dhe popuj që duhet të presin të piqen politikisht. Ne duhet të pyesim veten sot a jemi politikisht të pjekur? Po të gjykojmë realisht, objektivisht, me gjithë keqardhjen që kërkon pranimi i të vërtetës, ne duhet të themi se pjekurinë në tërësi si popull, ne nuk e tregojmë. Po ta tregonim ne nuk do të duronim çfarë po durojmë. Më të voglën por që rëndon shumë, që është fyese dhe prish pamjen e popullit shqiptar në botë, nuk do e duronim. Atë gjuhë fyese, banale, antikulturore, shpërfytyruese, cënuese, të dinjitetit, krenarisë, traditave shqiptare, atë gramatikë të urrejtjes të gjuhës politike që gjendet në parlament, në radhë të parë, përmes gojës së kryeministrit dhe kryetares së parlamentit, atë populli nuk do e duronte. Mandej ato gënjeshtra që shqiptohen, ato gënjeshtra të papranueshme, naive mund të them, por mund të jenë edhe përfituese, me idenë se populli nuk kupton dhe se do besoj çfarë të themi, kjo është fyese për popullin. Një popull evropian ta gënjesh kështu me të dhëna të gënjeshtra, siç janë ato të zhvillimit të Shqipërisë, investimet në Shqipëri, të ardhurat në turizëm, shpëtimi i Shqipërisë nga kriza financiare botërore që i ka ndodhur të gjitha shteteve të tjera por vetëm Shqipërisë jo, të gjitha këto gënjeshtra nuk do i duronte populli. Kujt po ia tregon ai këto. Ne çmojmë më shumë trurin tonë, mendjen tonë. Një popull me pjekuri politike këto gjëra nuk do t’i duronte. Gënjeshtra dhe mashtrimi i popullit me të dhëna me të cilat mashtron këta njerëz, ajo është fyerje e popullit dhe te popujt me tradita kulturore, sot në Evropë dhe perëndim, konsiderohet vepër penale. Unë e dëgjova një ditë ministrin Ridvan Bode. Kanë nisur të gënjejnë edhe ministrat si kryeministri i tyre. Ai tha, investimet më të mëdha të huaja që bëhen në rajon janë investimet në Shqipëri. E tha shumë i gëzuar e serioz duke lexuar. Por kjo ishte një gënjeshtër e madhe, tepër e madhe. Unë mund ti jap katër shembuj të katër shteteve në Ballkan ku investimet e të huajve janë 5 herë, 6-7 herë më të larta se në Shqipëri sepse në radhë të parë e kanë zhvillimin më të madh, e dyta janë shtete më të mëdha, e treta kanë lidhje shumë më të madhe, e katërta e kanë gjendjen ekonomike më të zhvilluar, më të përparuar. Kë po gënjen more ministër. Do të doja ti thosha atij ministri, kush jemi ne, edhe ne dimë diçka por ti gjithsesi do të na gënjesh. E dëgjoj kryeministrin kur thotë se në sajë të modelit ekonomik që kemi shpikur ne, Shqipëria nuk ka pësuar krizë financiare si Gjermania, Franca, Anglia, Italia e shtete të tjera të Evropës. Po mirë, një mendje e shëndoshë do thoshte, krizë financiare nuk pësuan as Shqipëria, as Mali i Zi, as Maqedonia e as Kosova. Po pse nuk i kapi? Berisha thotë vetëm Shqipëria sepse ka një model ekonomik që as një ekonomist, as një nobelist i ekonomisë në botë nuk diti ta trillojë, dhe e trilloi atë model ekonomik Sali Berisha me Ridvan Boden. Askush nuk i bën pyetje vetes, si nuk kapi kriza financiare as Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Kosovën? Kjo ka ndodhur sepse nuk kanë prodhim. Çfarë të prodhojnë ata, patate, kastravecë, apo prodhime të tjera si këpucë, çorape, gjilpëra. Po kriza financiare i kapi vendet me zhvillim të lartë si Amerikën, Japoninë, Francën, Anglinë, Gjermaninë etj. po pse kjo? Sepse këto shtete prodhojnë shumë dhe gjithçka. Aftësia blerëse e shumë vendeve ka rënë dhe kështu nuk mund të shesin prodhimet e veta dhe kështu pësojnë një krizë ekonomike dhe financiare. Ai që është i zhvilluar dhe i pasur, ai edhe e pëson krizën. Ai që nuk ka gjë, nuk ka se çfarë të pësojë. Po kë po gënjen kryeministër, mendo pak. Dëgjojmë sot fraza romantike, folklorike. Iu ka kaluar koha. Dhe prapë populli hesht, i gëlltit, i pranon. Kjo është e papranueshme dhe e palejueshme. Populli shqiptar nuk duhet ta lejojë e pranojë këtë. Tradita e popullit shqiptar e bën që të mos pajtohet me të pavërtetën dhe gënjeshtrën.

Rudina Xhunga: Çfarë tradite ka profesor, traditën e një vendi të pushtuar?

Rexhep Qosja: Po, megjithatë ka pasur disa standarde etike që e kanë bërë të mos pajtohet. I pushtuar po por disa vlera i ka ruajtur, i ka ndërtuar mirëpo gënjeshtrën dhe mashtrimin nuk i ka pranuar, ka reaguar ndaj tyre. Hajde pra, reago edhe sot. Ndoshta po ndodh një çudi pikërisht sepse ka qenë i pushtuar. Populli ynë kënaqet me një pushtet i cili nuk e rreh, nuk e fut në burg dhe kjo mjafton. Kjo është e gabuar. Populli duhet të ketë kërkesa, populli duhet të jetë i pakënaqur, populli duhet ti vejë shumë kërkesa njerëzve të pushtetit dhe të mos lejojë çfarë janë duke bërë sot. Ne kemi njerëz të pushtetit që janë pasuruar në mënyrë fantastike. Si është e mundur kjo? Si është e mundur që për pesë vjet, gjate, shtatë apo dhjetë vjet të bëhen milionerë të shumëfishtë? Ne e dimë si kanë qenë të rinj dhe kush janë sot, i dimë si kanë ardhur në qytete, në Tiranë, si kanë ardhur në Prishtinë. Janë bërë milionerë me makina luksoze, me truproja, me përcjellje me shkëlqim. Nuk denjojnë të mbajnë mbledhje në Tiranë apo Prishtinë por shkojnë dhe i mbajnë në vende turistike për të kaluar më mirë. Anëtarët e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Prishtinës vijnë për të mbajtur mbledhje në Durrës për t’u gostitur, për të pushuar dhe ndoshta për t’u larë. Do t’ju tregoj disa shembuj. Këto ditë, dëgjova dhe lexova, se si deputetët e Kuvendit të Kosovës, përveç rrogës që kanë, që nuk dihet sa e kanë, marrin 250 euro për çdo mbledhje. Ajo mbledhje mund të zgjasë 1 orë, 2, 3 apo një ditë dhe për një mbledhje ato marrin 250 euro. Edhe nëse nuk marrin pjesë në mbledhje ato i marrin 250 euro. Përveç këtyre 250 eurove për një mbledhje, këto njerëz marrin edhe nga 100 euro për mbledhje të komisioneve në të cilat ata janë dhe janë në shumë komisione. E dëgjuam në medien e Kosovës prej disa institucioneve. Dëgjuam gjithashtu se si zyrtarë të lartë të Kosovës, deputetë, ministra, zv. Ministra etj., punojnë në pesë vende dhe marrim pesë rroga mes të cilëve edhe Kryetari i Prishtinës dhe Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Një mësues, merr aty afër 250 euro ndërsa deputeti për dy orë në një mbledhje apo një ditë, merr 250 euro. A janë në vete këta njerëz? Ku jetojnë këta njerëz? Kanë vendosur atje, kanë aprovuar ligje dhe rregullore, do kenë pensionin ata që kanë një mandat 4 vjet, do kenë pension 75 përqind të rrogës. E shikoni? Nëse do jenë në dy mandate, do ta kenë edhe më shumë. Nëse këta deputetë do jenë 15 vjet, do ta kenë pensionin aq sa është e gjithë rroga. Po ku jetojnë ata? A e dinë ata që, nuk jam i sigurt 17 përqind apo 25 përqind e kosovarëve, jetojnë në varfëri të skajshme. Si pranojnë ata të sillen kështu? Kush iu thotë të sillen ashtu? A mundet deputeti i Francës, Gjermanisë, Holandës, Belgjikës, Danimarkës, Italisë, Spanjës, Greqisë, Finlandës të kenë këto privilegje? Sigurisht që munden por në Kosovë nuk mundet. A e dini se mua, prej asaj dite që i kam dëgjuar këto të dhëna, që një deputet merr për një mbledhje 250 euro, mua më vjen turp t’iu them mirëdita kur i shoh. Vërtetë turpërohem t’iu them mirëdita. Si mund t’iu them mirëdita kur mendoj kështu siç po mendoj dhe po ju tregoj i padurueshëm për ta? Sepse e kanë sjellë veten në një gjendje shfrytëzuese, gllabëruese të të mirave të Kosovës në dëmin e popullit të Kosovës. Përafërsisht, kështu më thonë se është gjendja edhe në Shqipëri. Mjerisht, fatkeqësisht, populli hesht përpara këtyre gjërave. Mirëpo nuk duhet të heshtë, populli duhet të ngrihet kundër këtyre dhe t’i detyrojë këta njerëz të heqin dorë prej privilegjeve. Unë e dëgjova tani se një djalë i ri në Kosovë, i një partie që nuk shet shumë mend për këto punë, ka bërë shpenzimet më të mëdha me makinën e tij, me naftë e të tjera.

Ata lëvizin me makina të shtetit, të Kuvendit dhe e kanë makinën dhe naftën pa pará dhe e kanë celularin me të cilin flasin, thuhet se deri në 100 euro në muaj. Mund të ndodhë që me shpenzimet e Kuvendit të harxhojnë për veten e tyre. E shikoni, të gjitha i paguan Kosova, celularin, makinën, truprojat. Aman, si mundet të ndodhë kjo në Kosovë e në Shqipëri. Vijnë me pushime në detin e Shqipërisë, shkojnë me pushime në Mal të Zi me makina shtetërore dhe i vozit shoferi shtetëror. E ku ndodh kjo? Ministri gjerman i Mbrojtjes e përdori një automjet a një helikopter shkoi diku me të dhe u quajt si përdorim korruptiv pasi nuk kishte të drejtë ta përdorte dhe për këtë u detyrua të japë dorëheqjen. Dhe kjo ka ndodhur në kohën e luftës në Kosovë. Një deputet i Norvegjisë, ka udhëtuar me aeroplan nga një vend në tjetrin brenda Norvegjisë. I kanë thënë, zotëri, mund të udhëtosh me veturë sepse është më lirë. Ai ka kërkuar falje duke pranuar se kishte bërë gabim dhe ka dhënë dorëheqjen. Epo këta tanët nuk japin dorëheqjen. Këta, duan të shfrytëzojnë sa më shumë. Gjykojnë thjesht me shprehjen “një herë vjen vera nga dera”. Atyre iu ka ardhur vera nga dera dhe duan ta shfrytëzojnë sa më thellë.

Rudina Xhunga: Profesor, kohë të shkuara, kur ju humbët nga zgjedhje, në kohën kur Lidhja Demokratike fitoi, ndërsa pritej fitorja e UÇK-së, ju u larguat nga politika, besoj edhe i zhgënjyer. Tani, do të largoheni përsëri i zhgënjyer nga kauza juaj për të ndihmuar në pjekjen politike të shqiptarëve me qëllim që të mos iu thonë derrit dajë, të mos iu thonë po këtyre shpenzimeve të turpshme të njerëzve që i përfaqësojnë? A do të vazhdoni të flisni, të shpreheni, të ndikoni apo do të vijë momenti që do të zhgënjeheni?

Rexhep Qosja: T’ju them sinqerisht, i zhgënjyer, i dëshpëruara, jam mjaft, shumë, tepër. Nuk e kam menduar në këtë mënyrë as të ardhmen e Kosovës dhe as të ardhmen e Shqipërisë. Kemi ëndërruar për pavarësinë e Kosovës, kemi ëndërruar për marrëdhënie të afërta, vëllazërore me Shqipërinë, të nisem nga Prishtina dhe për tre orë të jem në Tiranë nëpër një rrugë ë mrekullueshme. E kemi ëndërruar këtë. Pavarësia ishte si një dhuratë e Zotit. Por që të ndodhnin të gjitha këto, ku të dilte një klasë, një kastë, një oligarki, që kaq pamëshirshëm do e përvetësonte, do e plaçkiste pasurinë e përgjithshme, këtë nuk e kam pritur. Që ka kaq përdorime, kaq nepotizëm, kaq familjarizëm, kaq shpërdorime të papërgjegjshme, kaq shumë veprime ndëshkuese, penale, shpesh kriminale për të cilat nuk përgjigjet askush, nuk e kam pritur. Jo, nuk e kam menduar kurrë kështu. Unë nuk e kam menduar se dikush do të mund të jepte mësim në mësim, që nuk e di a është tamam i pjekur për të dhënë mësim e për të dalë përpara studentëve, në pesë universitete. Nuk e kam pritur as këtë. Nuk e kam pritur që të ndodhë që një zyrtar i lartë, të marrë rroga në pesë vende. Epo këto gjëra të dëshpërojnë shumë. Dikur, një idealist i Kosovës, i cili ka bërë shumë vite burg, i dëshpëruar në këtë mënyrë iu ka thënë disa kolegëve të vet, “a po më tregoni ku është më së largu që të shkoj atje?” Ai e ka thënë në mënyrë figurative, sepse nuk mund të jetonte aty ku nuk kishte shqiptarë, aty ku bën e vepron. Edhe unë kur dal jashtë Prishtinës, me të gjitha të këqijat që ndodhin në Shqipëri dhe Kosovë, pas 2 javësh apo tre javësh, mua më merr malli, nuk mund të duroj dot dhe dua të kthehem tek këto të këqija. Por po e pranoj se dëshpërimi im, keqardhja, pikëllimi është shumë i madh, pakënaqësia është shumë e madhe dhe shumë shpesh kam dëshirë të jetoj diku tjetër. E di që nuk mundem por e kam këtë dëshirë që më përsëritet shumë shpesh.

Rudina Xhunga: Do të doja së bashku profesor të ndalonim tek një aktualitet politik në Shqipëri i cili ka suprizuar, ka trazuar shqiptarët. Bëhet fjalë për koalicionin midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, koalicionin midis Ramës dhe Metës, bashkimin e së majtës shqiptare në një farë mënyre, të cilën ju në një intervistë për gazetën Shqiptare e quajtët “e padëshiruara e nevojshme”. Mund ta shtjellojmë më shumë këtë për publikun e emisionit “Shqip”, se çfarë do të thotë e padëshiruara e nevojshme për ju dhe pse e pranoni si të tillë këtë koalicion?

Rexhep Qosja: Unë përpara kam shkruar kritikisht ndaj një numri të dukshëm të protagonistëve të politikës shqiptare dhe mund të them se Ilir Meta hyn ndër ata të cilin unë nuk e kam kritikuar. Më kanë thënë lexuesit në Kosovë dhe këtu se pse. Ndoshta një shpjegim shumë racional nuk e kam për këtë por ashtu i kam perceptuar sjelljet e tij, politikën e tij, një ngadalësi të tij në sjellje, një paqe që reflektonte ai të cilën e përhapte me sjelljen e tij, me gjestet, me kondicionin e tij të dukshëm, me atë të folurën e tij të ngadalshme, të qetë, gjithmonë. Por, kur Ilir Meta, para katër vjetësh hyri në koalicion me Sali Berishën, unë u befasova shumë, nuk e prisja, duke ditur së pari çfarë qëndrimi kishte treguar ai përpara dhe sesi ishin shprehur njëri për tjetrin. Kjo më befasoi shumë atëherë, dhe e shkrova se Ilir Meta, duke hyrë në koalicion me Sali Berishën, kjo donte të thoshte se ai e bënte të mundshme që Sali Berisha ta sundonte Shqipërinë për katër vitet e ardhshme ashtu siç po e sundon tani, nuk them dot ta qeverisë sepse këtë nuk po e bën. Ajo ishte një e papritur e rëndë, dëshpëruese dhe shkrova me këtë hap politik që bëri Ilir Meta duke thënë se me këtë ai e ka dëmtuar Shqipërinë dhe mendoj se Ilir Meta me atë koalicion bashkë me Sali Berishën e ka dëmtuar Shqipërinë dhe është bashkëfajtor për disa veprime, disa sjellje që janë bërë këto katër vjet. Aty hyjnë, po marr një prej të fundit, vrasja e katër protestuesve, hyjnë shkeljet dhe cënimet e vazhdueshme të pavarësisë së gjyqësorit, të prokurorit publik, të presidencës, të kryetarit të shtetit, hyn korrupsioni jashtëzakonisht i madh, hyjnë gënjeshtrat, gramatika e gënjeshtrave, mashtrimeve, mosdurimeve që manifeston qeveria pa pushuar, në radhë të parë Kryeministri i Shqipërisë. Hyn ajo gjuha politike edhe pse ai nuk e flet atë gjuhë politike por ai është toleranti i saj, aty pajtohet me frytet e zeza të asaj gjuhe, të asaj politike, hyjnë shumë veprime të tjera, mashtrime të tjera, gënjeshtra të tjera që janë bërë gjatë këtyre katër viteve. Për mua ai është fajtor, Ilir Meta është fajtor ashtu si Sali Berisha, edhe pse jo deri në atë masë, por është fajtor. Tani është bërë koalicioni i Partisë Socialiste dhe Partisë Socialiste për Integrim. Ky koalicion është i padëshiruar, me gjithë këto akrobaci, po ta shohim me kritere etike, intelektuale. Gjykimi etik, intelektual nuk i pranon këta. Gjykimi intelektual ka një parim që nuk tradhtohet lehtë sepse po ta tradhtojë këtë parim, i bie të tradhtojë misionin e vet, atë intelektual. Tani ka një problem me rëndësi të veçantë. Unë konsideroj se çlirimi i Shqipërisë prej pushtetit të Sali Berishës dhe të jushnikës së tij, Jozefina Topalli, është interes kombëtar shqiptar. Jurishnika është një fjalë e Bashkimit Sovjetik që do të thotë se bën çfarë dëshiron dikush, në politikë, në sjelljen politiko-shoqërore. Mendoj se pa ata, më së pari Kuvendi i Shqipërisë, situata do normalizohet, Kuvendi do funksionojë normal, i kulturuar, siç janë Kuvendi grek, malazez, maqedonas, serb, kroat, boshnjak e të mos flasim më pas për ato të Italisë e të tjera. Të gjitha këto janë Kuvende normale, ose disa prej tyre shumë më normale se Kuvendi i Shqipërisë. Mendoj se pa ata, pa Sali Berishën, edhe Partia Demokratike do shërohej dhe do të luante rolin që i takon të luajë në jetën politike shqiptare. Dhe meqenëse ky interes, që Shqipëria të çlirohet prej regjimit të Sali Berishës dhe jurishnikës së tij, Jozefina Topalli, është një interes kombëtar, atëherë unë mendoj se politikisht koalicioni i Partisë Socialiste me Lëvizjen Socialiste për Integrim është i nevojshëm, i dobishëm, i shërben Shqipërisë. E para, se mund të sigurojë një numër më të madh votuesish në dobi të opozitës shqiptare. Dhe e dyta, sepse siguron që spekulimet, keqpërdorimet, falsifikimet, blerjet dhe të këqijat e tjera që mund të ndodhin në procesin e zgjedhjeve, deri tek Këshilli Qendror Zgjedhor, mund të jenë më të pakta në sajë të këtij koalicioni. Nëse interesi pra, kombëtar shqiptar është më i madh me krijimin e këtij koalicioni atëherë unë e quaj një koalicion të padëshiruar por të nevojshëm dhe të dobishëm.

Rudina Xhunga: Por ka votues të majtë shqiptar të cilët nuk e kanë pranuar këtë koalicion, madje kanë qenë shumë. Rrugës, një pjesë e tyre e kanë shpjeguar në mënyrë pragmatike apo në mënyrën që ju e shpjegoni, duke pranuar se do të duhej të bjerë regjimi, një pjesë e tyre mendojnë që tani zgjedhjet janë më të sigurta për opozitën dhe nuk ka pse shkojnë të votojmë. Këtyre njerëzve iu është zbehur emocioni nga ky bashkim aritmetik.

Rexhep Qosja: Nuk e di këtë gjendje, nuk e di a ka të tillë, nuk e di edhe sa ka të tillë. Por unë do të doja që ata të kuptojnë se dalja e tyre sa më masive në zgjedhje dhe ky koalicion, mund t’i shërbejnë të mirës së Shqipërisë dhe ata duhet të bëjnë çfarë varet prej tyre që t’i shërbejnë të mirës së Shqipërisë. Shqipëria do jetë tjetër.

Rudina Xhunga: Si do jetë profesor sepse ju gjithmonë keni folur për Berishën si e keqja e Shqipërisë. Si do të jetë Shqipëria pa Berishën?

Rexhep Qosja: E para, Shqipëria do jetë e qetë. Ai konfrontim i vazhdueshëm, ajo gjendje e vazhdueshme në të cilën mbahet Shqipëria, ta quajmë revolucionare në kuptimin më negativ të fjalës, kjo gjendje e prodhuar prej tij, prej gjuhës dhe sjelljeve të tija, nuk do të jetë më. Unë e dëgjova kur foli në atë tubim që tani e quajnë konventë, as kuvend jo por konventë, se mendon se një fjalë e huazuar do modernizohen. Ajo e folura e tij cënuese nuk është e folur por është ulërimë. Në politikë nuk ulërihet, ajo cënon kulturën politike të popullit shqiptar, ajo fut ndjenja negative kudo, ajo acaron, ashpërson, ngre tensione, është gjuhë deri në fund negative. Nuk flitet ashtu. Politikani duhet të flasë me një gjuhë që qetëson, afron, bashkon, që nuk gënjen. Gënjeshtra, mashtrimi, ulërima, britma, kërcënimi, shantazhi i largon njerëzit, i përçan, fut urrejtje. Shqipëria pa Sali Berishën do jetë pa këtë gjuhë të përçarjes, largimit, urrejtjes, mosdurimit që është me shumë rëndësi. Shumë të këqija në jetët e popujve dhe luftërat së pari fillojnë me gjuhën. Lufta qytetarë apo mes popujve së pari kanë filluar me gjuhën apo me shkrimin, mandej janë bërë me armët e ndryshme. E dyta, Shqipëria, jo vetëm procedura demokratike por edhe praktikën demokratike do ta realizojë. Mendoj se do të kemi një shtet të së drejtës, absolutisht. Fitoi opozita pashmangshëm donte apo nuk donte. Ka një përvojë të shëmtuar dhe të keqe, por do të bëjë të kundërtën, do ndërtojë shtetin e të drejtës pa të cilën nuk ka demokraci. Kjo opozitë, që nuk është as vet e liruar prej korrupsionit, por do të detyrohet ta luftojë korrupsionin sepse nuk do të lejojë të komprometohet edhe përmes korrupsionit. Kjo opozitë, do respektojë procedurat në Kuvend, Kuvendi do funksionojë normalisht, nuk do kemi dikë në krye të Kuvendit që do zgërdhihet orë e çast duke fyer njerëz, duke fyer përfaqësues të popullit, do kemi një figurë në atë karrige të Kryetarit të Kuvendit që do flasë normalisht, që do t’i drejtohet njësoj deputetëve të pozitës dhe opozitës. Ai do jetë kryetari i Kuvendit për të gjithë deputetët e vendit. E shikoni. Do kemi një demokraci që është demokraci e demokracia nuk është veç një procedurë, ku të kemi disa parti që dalin në zgjedhje e njëra prej tyre fiton, me gënjeshtra, pa gënjeshtra, me shantazhe apo pa shantazhe, që më pas hyjnë në parlament. Demokracia është tolerancë, është mirëkuptim, është marrëdhënie midis njerëzve, është marrëdhënie e fisme, është njerzillëk demokracia. Format e tjera janë të tjera ndjenja, të tjera mendime, të tjera veprime. Për demokracinë, këto janë kryesoret, pa këto nuk ka demokraci. Pa Sali Berishën, pushteti qeveritar, institucionet, do ia thonë popullit dhe duhet t’ia thonë atë që është e mirë dhe është e keqe, atë që e kanë realizuar dhe atë që nuk e kanë realizuar. Ata duhet ti thonë popullit se ne nuk i kemi kushtet më të mira në planet për turizëm.

Rudina Xhunga: Po vërtetë ju besoni kaq shumë tek opozita shqiptare?

Rexhep Qosja: Jo, unë mendoj se është i detyruar t’i bëjë të gjitha këto e pashmangshme, sepse duhet të jetë ndryshe nga kjo që është tani. Duhet të tregojë, ndërtojë, realizojë një pushtet tjetër përndryshe shumë shpejt do të komprometohet dhe do të humbë. Unë besoj se ata premtojnë, ata kanë bërë një program të mirë që është programi i rilindjes shqiptare.

Rudina Xhunga: Ju pëlqen sepse kanë zgjedhur emrin Rilindja apo ju pëlqen programi?

Rexhep Qosja: Rilindja në radhë të parë ka kuptim simbolik por ai program ka përmbajtjen e rilindjes, e të rejave që duhet t’i sillen Shqipërisë në sajë të atij programi dhe unë besoj se deshën apo nuk deshën, natyrisht që unë nuk e idealizoj asnjërin prej tyre, sepse janë njerëz dhe janë ndërtuar gjatë një regjimi shumë të keq dhe nuk janë të gjithë që edhe vet nuk janë pjesëmarrës në disa të këqija, absolutisht, por duhet të bëjnë një regjim tjetër, një regjim që të dallohet shumë prej këtij regjimi që është sot. Dhe unë mendoj se është interesi i Shqipërisë një regjim tjetër, një ndërrim i pushtetit. Në fund, nuk duhet të harrojmë që Shqipëria është i vetmi vend në Evropë i cili ka 22 vjet në pushtet një njeri që ishte një nomenklaturë e të kaluarës. Epo nuk duhet të jetë kështu sepse çdo kohë ka njerëzit e vet, nuk mundesh të jesh njeri i asaj kohe dhe i kësaj kohe. Nuk e kanë thënë kot anglezët në 1997 për Kryeministrin Sali Berisha, të cilët thanë se ai është njeri i shekullit të 18 që ka në dorë mjetet e shekullit të 21. Ka kaluar koha e tij, ka ardhur koha që ai të shkojë për të mirën e Shqipërisë. Nuk kam asgjë kundër tij por interesat e Shqipërisë e kërkojnë këtë gjë. Interesat ekonomike, financiare, arsimore, shëndetësore, kulturore, albanologjike apo thjesht qytetare e kërkojnë këtë. E shikoni çfarë po ndodh në Shqipëri? Një terror, një krizë, një krim i vazhdueshëm ku po ndodhin vrasje të përditshme. Unë lexoj me shqetësim shumë të madh shumë vrasje në trafik dhe dëgjoj shkaqet. Pse ndodhin të gjitha këto, cilat janë arsyet? Dhe gjithmonë del shpejtësia përtej normës dhe e dyta, alkooli. Po ku është policia, ku është policia nepotiste që nuk e kryen detyrën. Policia duhet ti ndalojë dhe ndëshkojë ata që kalojnë shpejtësinë dhe policia duhet t’i studiojë pasi ka aparate, ata që kanë përdorur alkool dhe të shpëtojë ata dhe familjet e tyre prej fatkeqësive të tilla. Mandej, ato krimet e shpeshta në familje, apo ato krimet e shpeshta ndaj grave. Pesë gra u vranë në një ditë. Mund të mos jetë e vërtetë. Dy gra me njëzet e ca burra në një traktor po kalonin një lum. Prej të gjithë atyre që ishin në traktor u mbytën vetëm dy gra. Unë nuk e di kush ishin ata por e kam parë me shumë keqardhje dhe pikëllim, mbetën jetimë fëmijët e atyre grave. Unë e shtroj pyetjen, nuk pati asnjë prej atyre burrave guximin të hidhej në ujë të shpëtonte ato gra? Në mos të dyja, njërën prej tyre. Nuk pati asnjë burrë të bënte një sakrificë t’i shpëtonte ato gra, ashtu siç i shpëtuan policët burrë e grua atje në Librazhd, herën e dytë se herën e parë u mbytën dy të tjerë. E shikoni pra, ka shtete që kanë ligje. Nëse dikush është në rrezik dhe ti nuk i ndihmon, të kap ligji, dënohesh për vepër penale sepse nuk i ke ndihmuar të rrezikuarit. A e ka këtë ligj Shqipëria? Epo duhet ta ketë. Nëse është në rrezik dikush dhe nuk i ndihmon, duhet të të kapë ligji. E shikoni pra, u mbytën dy gra. Ku janë tani ata burra? A kanë mundur të flenë rehat ata atë natë? Nuk e di. Janë dhe shumë krime të tjera të llojeve të ndryshme. Pse, si, ku? Shqipëria është shtet ose parashtet, nuk e di si ta quaj, por ky shtet apo parashtet nuk funksionon siç duhet. Absolutisht Shqipëria nuk funksionon ashtu siç duhet. Kam dëgjuar prej televizioneve të Shqipërisë, se një prej organeve përkatëse në Vlorë, a në Durrës, a në Kavajë, a në Lushnjë, merr një vendim. Zbatimin e atij vendimi që e merr gjykata në atë qytet, nuk e lejon dikush nga organi qendror në Tiranë. Po mirë more, ajo gjykatë është e pavarur, vendimin e saj mund ta anulojë vetëm gjykata sipërore që është një shkallë, dy apo tre shkallë më e lartë në Tiranë, por jo organi politik. I kam dëgjuar disa lajme të tilla që i japin këto vendime, domethënë Shqipëria nuk funksionon si shtet, nuk është shtet juridik. Shqipëria nuk funksionon si shtet, është një parashtet.

Rudina Xhunga: Pyetja ime pak më parë kishte të bënte me votuesit dhe emocionet e shqiptarëve të majtë. Tani do të doja t’ju pyesja jo për emocionet por përtej emocioneve të politikanëve, të atyre të cilët garojnë në këto zgjedhje si FRD-ja apo parti të tjera të reja si Aleanca Kuq e Zi apo Partia e çamëve, apo partia e minoriteteve. Ju jeni shprehur për një koalicion anti-regjim, për një bosht partish të gjithë bashkë kundër Berishës. E quani vërtetë të mundur këtë kur në një farë mënyre secili është pragmatik dhe shikon vendin e vet në parlament, shikon të ardhmen e partisë së tij, shikon numrat e tij.

Rexhep Qosja: Nuk e di a është e mundur kjo, nuk jam i sigurt. Unë kam shprehur një dëshirë timen dhe këtë dëshirë e kam shprehur duke pasur parasysh interesin e Shqipërisë, interesin kombëtar që është çlirimi i Shqipërisë prej këtij regjimi që është sot. Duhet të bashkohen të gjitha këto parti që kanë qenë një herë këtej e një herë andej. Duhet të bashkohet edhe Bamir Topi i cili është një politikan i matur, i qëndruar, i cili ka qenë gjatë, mjerisht, një njeri me integritet intelektual dhe moral, por që ka pranuar gjatë të mbetet në hijen e kryeministrit të Shqipërisë, gjë që është e palejueshme dhe e padrejtë. Por Bamir Topi manifeston sjellje, qëndrime, veprime e kritika të drejta, të qëndrueshme, të parimshme dhe me interes për Shqipërinë. Ka një kryesi me njerëz siç janë Daut Gumeni, një figurë shembullore intelektuale e morale e Shqipërisë apo Aleksandër Biberaj apo Gazmend Oketa etj. të cilët integriteti i tyre politik, intelektual, etik nuk do të duhej t’i lejonte të gjendeshin në anën e gabuar të historisë. Ata do të duhet të gjenden në atë anë që të fitojnë zgjedhjet, në anën e opozitës që duhet t’i fitojë zgjedhjet për hir të Shqipërisë. Aleanca Kuq e Zi, është një parti që ka një gjuhë në fillim shumë jo të qëndrueshme, jo të sistemuar por ka ardhur gjithmonë e më shumë duke i sistemuar qëndrimet e veta që tregohet në një drejtim e parimshme, e vendosur. Mund të jetë po ashtu me interes për këtë opozitë. Për mua është shumë normale që këto parti të bëhen bashkë për ti sjellë alternativën e duhur Shqipërisë. E mandej, pasi të bëhet ndërrimi i pushtetit me votën e popullit, atëherë le të merren vesh vet. Mos të flas tani për partinë e Paskal Milos, Petro Kocit, Spartak Ngjelës, Skënder Gjinushit që i konsideroj aty pasi kam lidhje më të vjetra dhe pashmangshëm për mua duhet të jenë doemos aty. Më pas, pasi të merret pushteti, e pushteti është garanci se do të realizojë ato që duhet të realizohen ato ndryshime shumë të rëndësishme për Shqipërinë, dhe afrimin e saj në Bashkimin Evropian, atëherë do merren vesh mes tyre si, ku, çfarë. Me dëshirën time që partia kryesore, Partia Socialiste e Shqipërisë të jetë shumë më zemërmadhe, më zemërgjerë dhe më e kuptueshme për kërkesat dhe dëshirat e tyre që t’iu bëjë të mundshme të marrin pjesë ato në, ta quajmë në ndarjen e pushtetit mes njerëzve të kësaj aleance.

Rudina Xhunga: Vërtetë që të vjen shumë keq të flasësh kaq shumë për politikë kur me ju mund të ndash shumë e shumë të tjera. Mund të ndash shumë dashuri për gjuhën për shembull, për gjuhën shqipe. Por pyetja ime është, pasi edhe gjuha varet nga politika, çfarë po ndodh me gjuhën shqipe profesor?

Rexhep Qosja: Po të shohim çfarë është bërë dhe thënë për gjuhën prej vitit 1991 e këndej do shohim se disa vite, kanë kaluar duke folur fjalët më të rënda dhe cënuese, shpesh më fyese, dhe me të drejtë, për gjuhën standarde si gjuhë që e ka bërë politika, që e ka bërë Enver Hoxha, thonë. Unë kam qenë delegat i Kongresit të Drejtshkrimit në vitin 1972 dhe kam qenë njëkohësisht anëtar i Këshillit Organizues. Kemi qenë nga Kosova Idriz Ajeti dhe unë, ai si gjuhëtar i shquar ndërsa unë si drejtor i Institutit të Albanologjisë dhe i di disa gjëra që kanë ndodhur dhe janë bërë. Kështu, di që gjuhën standarde e kanë bërë gjuhëtarët shqiptarë si Eqrem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj, babai i gjuhës standarde Androkli Kostallari dhe gjenerata e sotme e mesme që janë një varg emrash të njohur sot si Emil Lafe e me të tjerë, shumë të merituar për fjalorin e gjuhës shqipe dhe krijimin e gjuhës standarde shqipe. Gjuhëtarët që kanë bërë studime të historisë, të gramatikës, të fonetikës, morfologjisë së gjuhës shqipe janë gjuhëtarë që janë çmuar kudo, që janë paraqitur me shumë sukses nëpër Republikat e ish Jugosllavisë, në Greqi, Hungari, Rumani, dhe në shtetet e ndryshme të Evropës. Gjuhëtarët shqiptarë dhe historianët shqiptarë ishin gjuhëtarë dhe historinë me autoritet evropian të çmuar, kudo paraqiteshin. Këta njerëz e kanë studiuar mirë gjuhën shqipe dhe pas shumë vitesh kanë organizuar Kongresin e Drejtshkrimit dhe kanë bërë gjuhën standarde duke konsultuar njëkohësisht edhe Kosovën se në Kosovë është mbajtur më parë një Kongres, në vitin 1968 e quajtur Konsulta e Gjuhës Shqipe në të cilën gjuhëtarët e Kosovës dhe populli shqiptar i Kosovës janë deklaruar për gjuhën standarde që të aprovohet në Shqipëri. Pra, gjuha standarde është fryt i përpjekjeve të krijimit të gjuhës standarde prej rilindjes kombëtare e deri sot dhe është fryt i studimeve të gjithanshme diakronike dhe sinkronike që janë bërë në gjuhën shqipe. Gjuhën standarde shqipe nuk e ka krijuar politika, nuk e ka krijuar Enver Hoxha. Po ta kishte krijuar unë do i thosha të lumtë, ke bërë vepër madhështore, veprën më të madhe gjuhësore, kulturore, politike, kombëtare, historike në jetën e popullit shqiptar. Dhe do t’i thosha se Kongresi i Drejtshkrimit është një arritje shumë e madhe. Pas sjelljeve të këtilla shpërfillëse, fyese ndaj gjuhës standarde kanë vazhduar mandej, pas disa viteve me këtë gjuhë për të, kanë vazhduar përpjekjet për krijimin e një gjuhe standarde tjetër, madje përpjekje për ndryshime rrënjësore me këtë gjuhë standarde që do të bënin një gjuhë që dikur i thoshin “një gjuhë si rrobat” që mund ti veshë çdo njeri. Epo është pak e vështirë kjo. Pastaj përpjekjet për të krijuar një gjuhë standarde të Kosovës meqë Kosova do bëhej shtet dhe duhej të kishte gjuhën e vet standarde sepse Kosova do jetë komb i veçantë dhe do ketë gjuhën e vet të veçantë. Kemi ende disa të tillë sot që ashtu mendojnë. Këto përpjekje, bashkë me autorët e tyre, kanë parë se nuk kanë ardhmëri, janë përpjekje të dështuara. Disa prej këtyre përpjekjeve, në disa raste, kanë gëzuar frymëzime edhe prej disa vendeve të tjera por duket sikur kanë hequr dorë prej këtyre përpjekjeve dhe tani disa gjuhëtarë janë përqendruar në disa ndryshime që i quajnë të vogla që duhet të bëhen në drejtshkrimin e gjuhës shqipe dhe në një farë mënyre iu kanë kërcyer në shpinë. Kanë dal për shembull disa që thonë se duhet hequr e-ja me dy pika. Ne duhet ta dimë se edhe ata që kanë bërë gjuhën standarde e kanë hequr e-në pa zë prej fjalëve të gjinisë femërore në fund. Tani këta gjuhëtarë duan ta heqin e-në pa zë si për shembull fjalën “aleancë” e donin pa zë në fund dhe po ta bënim këtë i bie që të thoshim “aleanc” dhe kështu diskutohej për një varg fjalësh të tilla. Mirëpo duhet të shqiptohen. Përjashtimet që i kanë konstatuar ata që kanë bërë gjuhën standarde Androkli, Çabej, Shaban Demiraj e disa gjuhëtarë të tjerë disa duan t’i bëjnë rregulla dhe me ato rregulla realisht duan të cënojë më shumë standardin. Po u cënuan disa rregulla atëherë cënohet standardi dhe kështu i bie të mos kemi gjuhë pra, gjuhën standarde që kemi. Unë për vete jam kundër. Mendoj se cënimi i standardit është një e keqe tepër e madhe për popullin shqiptar. Nuk është thënë kot, një gjuhë, një komb, një gjuhë standarde. Po ta cënojmë këtë standard 40 vjeçar, çfarë do të ndodhë më pas? Çfarë do të ndodhë me kulturën tonë, shkencën tonë, letërsinë tonë, krijimtarinë tonë në përgjithësi, çfarë do të ndodhë me arkivat tona, dokumentacionet tona shtetërore, arsimore, policore, ushtarake, administrative, të Kuvendit, qeverisë etj. Dëmi do të ishte katastrofal. Mendoja e shëndoshë nuk e çon mendjen atje, nuk shkon atje, nuk merret me këto. Mund të bëhet aty-këtu ndonjë korrigjim por jo korrigjime që cënon gjuhën, që cënon standardin e gjuhës. Kemi shumë punë përpara për të bërë. Të arriturën e madhe të popullit shqiptar, të arriturën historike ta duam, ta mbrojmë dhe ta çmojmë. Duhet ta mbrojmë mbi të gjitha prej fjalëve të huaja që janë bërë gjithnjë e më shumë cënuese dhe fyese për gjuhën tonë. Ne kemi fjalët shqipe, ç’duan fjalët e huaja kur ne kemi tonat? Ne kemi fjalën e bukur Kuvend, shumë e bukur, mblidhen burrat dhe kuvendojnë për problemet e popullit. Ndërsa sot quhet parlament. Pastaj kemi fjalën tjetër të bukur, pleqësi, një fjalë e vjetër por shumë e bukur dhe me kuptim. Tani kanë futur edhe në Universitete e shkolla fjalën senat. Pastaj, kemi fjalën kuvend, ndërsa tani e duan konventë, kemi fjalën drejtpërdrejt tani përdorin live. Epo ç’duan këto fjalë të huaja kur ne kemi gjuhën shqipe? Fjalët shqipe tingëllojnë shumë bukur prandaj duhet ta mbrojmë atë prej fjalëve të huaja. Kjo është diçka shumë e rëndësishme. Në shtetet evropiane, për të futur një fjalë të huaj ekzistojnë ligje, duhet të merret leje prej institucioneve më të larta shtetërore. Kështu ligjesh ka Franca, Hungaria, Finlanda etj. Gjuhën duhet ta mbrojmë dhe jo të përpiqemi ta rrënojmë apo të cënojmë standardin e saj. Flitet për fjalët e gegërishtes sikur nuk janë lejuar. Kjo nuk është e vërtetë, kurrkush nuk e ka thënë se fjalët e gegërishtes nuk duhet të përdoren në gjuhën standarde. Unë kam lindur atje ku flitet gegërishtja dhe më thonë se shumë fjalë të gegërishtes i përdor në veprat e mia. Po i përdor dhe kurrkush nuk mi ka fshirë edhe pse botohen këtu në Tiranë. Asnjë lektor nuk i ka hequr. Natyrisht që nuk mund të përdoren fjalë të tilla si kokot që është gjeli pasi është sllavizëm. Ka një varg sllavizmash që nuk mund t’i fusim në gjuhën standarde.

Rudina Xhunga: Ju ndjeheni mirë me gjuhën standarde, ju vet kur flisni profesor, apo ndjeheni ngushtë?

Rexhep Qosja: Jo, ndjehem mirë. Mund të bëj gabime aty-këtu, më shkon gjuha tek fjala gege por ndjehem shumë mirë dhe mund të them se në dallim prej atyre që thonë se të rinjtë nuk i dinë e nuk flasin mirë, kjo nuk është e vërtetë, e flasin mirë, sidomos gjeneratat e shkolluara. Para se të na i rrënonte Serbia universitetet, e flisnin për mrekulli gjuhën. ta dëgjosh të riun, nxënësin dhe ta dëgjosh plakun si e flet gjuhën standarde, do çuditesh, do mrekullohesh me gjuhën që flasin nxënësit dhe të rinjtë. Ndihem mirë dhe ndihem keq kur e shoh që gaboj në përdorimin e gjuhës standarde.

Rudina Xhunga: Kush po vë dorë tek gjuha sipas jush?

Rexhep Qosja: Unë po them se një numër i vogël i njerëzve të cilët kanë disa paragjykime krahinore, lokaliste të cilat nuk na duhen, janë të dëmshme dhe e dyta njerëz të cilët kanë ngarkesa politike. Pra, është faktori politik dhe lokalist që i frymëzon këto përpjekje për të prekur themelet e gjuhës standarde. Shpresoj që këto përpjekje të dështojnë. Rëndësia e gjuhës standarde është më e madhe se të gjitha përpjekjet e tjera për cënimin e saj.

Rudina Xhunga: Profesor, ju keni pasaportë shqiptare. Do vini të votoni më 23 qershor në Shqipëri?

Rexhep Qosja: Pasaportës time shqiptare i ka kaluar afati me kohë, tani nuk e kam pasur në mendje ta rinovoj, por do ta bëj. Por unë kam nënshtetësinë shqiptare e cila më është dhënë në vitin 1999. Nuk kam qenë asnjëherë në votime në Shqipëri. A do të vij në këto votime të 23 qershorit? Do ta mendoj dhe do të marr një vendim.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu