Raporti i FBI-së: Si dhe kur u fshinë nga serveri filmimet e 21 janarit

0
108

TIRANË- Pamjet filmike të regjistruara gjatë protestës së 21 janarit nga kamerat e sigurisë të kryeministrisë janë kopjuar dhe fshirë gjatë natës mes 21 dhe 22 janarit. Një person i specializuar ka nisur procesin e kopjimit dhe fshirjes në orën 01:00 dhe ka vazhduar deri në mëngjes. Në këtë përfundim kanë arritur ekspertët e Byrojsë Federale e Hetimit (FBI) pas këqyrjes dhe ekspertimit të serverit qendror të kamerave të sigurisë të vendosura në vende të ndryshme të ndërtesës së Këshillit të Ministrave. Prokuroria dyshon se këto kamera kanë filmuar gardistët duke qëlluar me armë drejt protestuesve.

Sipas raportit të firmosur nga ekspertët e FBI-së, i cili po përkthehet në zyrat e Prokurorisë së Përgjithshme, në serverin qendror ka ndërhyrje dhe dëmtime sipas gjuhës së ekspertëve të informatikës. “Nga këqyrja e serverit qendror dhe ekspertimit të tij, është konstatuar se pamjet filmike të regjistruara gjatë 21 Janarit 2011 fillimisht janë kopjuar dhe më pas janë fshirë. Fshirja rezulton se është bërë në orën 01:00 të datës 22 Janar 2011, në momentin e riformatimit të serverit qendror. Dyshojmë, se ky veprim është kryer nga një ekspert i fushës së teknologjisë kompjuterike, inxhinier i IT-së”,- thuhet ndër të tjera nga burimet pranë organit qendror të akuzës, duke iu referuar raportit të ekspertëve të FBI-së.

Sipas këtyre burimeve, gjithmonë bazuar nga raporti i FBI-së, në kohën kur hetuesit dhe prokurorët e çështjes, po bënin këqyrjen e oborrit të Këshillit të Ministrave, në kërkim të gëzhojave të plumbave, një zyrtar i kryeministrisë i shoqëruar nga inxhinieri i IT-së ka ndërhyrë në serverin qendror të regjistrimit të kamerave të sigurisë që ndodhen në kryeministri. Për këtë fakt, hetues të Task-Forcës kanë marrë në pyetje tashmë dy inxhinierët e IT-së, njëri punonjës pranë kryeministrisë dhe tjetri i Gardës së Republikës. Të dy këta persona kanë mohuar se kanë ndërhyrë në serverin e kamerave të sigurisë. “Duke iu referuar raportit të FBI-së për orën e fshirjes së materialeve filmike nga serveri qendror që ndodhej në zyrën e vrojtimit të kamerave të sigurisë, konstatojmë se në këtë kohë prokurorët dhe hetuesit ndodheshin në oborrin e kryeministrisë në mbledhje të provave. Në këtë kohë, është kontaktuar me Komandantin e Njësisë II që kishte për detyrë sigurimin e ndërtesës së kryeministrisë që t’i vini në dispozicion prokurorisë regjistrimet e kamerave të sigurisë. Përveç këtij Komandanti, prokurorët dhe hetuesit kanë kontaktuar edhe Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Gjergj Lezhja duke i kërkuar që të vërë në dispozicion të hetimit pamjet filmike. Gjatë kohës së mbledhjes së provave, është përsëritur kërkesa për pamjet filmike dhe zyrtar të kryeministrisë janë shprehur se nuk punojnë prej kohësh kamerat”,- thuhet nga prokuroria.

Për këtë pretendim, prokurorët kanë kërkuar me shkrim përgjigjen, ku sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave me shkresën e dërguar në prokurori është shprehur se “nuk punon serveri i kamerave të sigurisë”. Tre muaj pas kësaj shkrese, ishte prokurori amerikan ai që arriti të bind zyrtarët e kryeministrisë që t’i vihet në dispozicion hetimeve edhe serverin qendror i kamerave të sigurisë, server ky që u dërgua në SHBA për të kryer ekspertimin. Pas kryerjes së këtij ekspertimi, u konstatua se jo vetëm që nuk ishte i prishur ky server, por ai kishte regjistruar prokurorët një ditë pas demonstratës, konkretisht më datë 22 Janar (ditën) duke mbledhur prova në oborrin e kryeministrisë dhe para kësaj ndërtese.

AKUZAT

Neni 248

Shpërdorim i detyrës

Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjell atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jo materiale të padrejta, a kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridik, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga 300 deri në 1 milion lekë të reja.

 

Neni 301

Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës

Kryerja e veprimeve për të ndryshuar vendimin e kryerjes së veprës penale duke prishur, ndryshuar apo fshirë gjurmët e saj ose duke lëvizur fshehur, asgjësuar, vjedhur, falsifikuar një send apo një dokument me qëllim për të vështirësuar dhe penguar zbulimin e veprës penale dhe të autorit të saj, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

 

 

Prokuroria i zgjat afatet hetimore për të dyshuarit

Grupi hetimor i prokurorisë së kryeqytetit që po heton pasojat e demonstratës së 21 janarit 2011 i ka komunikuar të gjithë efektivëve të Gardës së Republikës që ndodhen në hetim për këtë ngjarje zgjatjen e afateve hetimore edhe për tre muaj të tjerë. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të institucionit të akuzës në kryeqytet, sipas të cilëve hetuesit e çështjes brenda qelisë së paraburgimit “Jordan Misja” i kanë komunikuar zgjatjen e hetimit edhe “autorit” të vrasjes së demonstruesit Ziver Veizi. Përveç këtij të fundit, hetuesit i kanë komunikuar zgjatjen e afatit hetimor edhe për tre muaj të tjera të 10 efektivëve të tjerë të Gardës, mes tyre edhe vetë komandantit të këtij institucioni gjeneral Ndrea Prendi. “Disa nga 10 të hetuarit në gjendje të lirë janë paraqitur vetë në prokurori, disa të tjerë nuk kanë preferuar të paraqiten, duke ia dhënë këtë të drejtë avokatëve të tyre mbrojtës, të cilët kanë firmosur zgjatjen e hetimit edhe për tre muaj”,- thanë burimet e prokurorisë. Arsyet e kësaj zgjatjes, sipas të dhënave zyrtare, është bërë për faktin se një sërë veprimesh procedurale nuk kanë përfunduar ende, jo për fajin e hetuesve të çështjes. “Jemi në pritje të përfundimit të akt-ekspertimit balistik e krahasues të armëve dhe predhave që janë dërguar në SHBA”,- thanë zyrtarët e Prokurorisë së Përgjithshme. F.Vezaj

 

 

Armët dhe personat që kanë qëlluar

Me ndihmën e Laboratorit të Policisë Shkencore, prokuroria tashmë ka identifikuar personat që ditën e demonstratës së 21 janarit kanë qëlluar me plumba luftarakë, drejt turmës apo edhe në ajër, siç pretendojnë vetë efektivët e Gardës së Republikës. Sipas të dhënave hetimore, deri tani janë identifikuar armët e shtetasit Agim Llupo që ndodhet nën masën e sigurisë “arrest me burg” dhe personave që po hetohen në gjendje të lirë Gazmend Ahmetaj, Mark Nikolli, Sadik Çelaj dhe Ilir Duraku. Të pesë këta të efektivë të Gardës së Republikës dyshohen se kanë shkrepur 118 herë armët e tyre drejt ajrit apo drejt turmës së demonstruesve. Ndërsa, laboratori ka identifikuar edhe një gardistë tjetër që ka qëlluar 9 plumba luftarakë me pistoletën e punës të kalibrit 9 mm. Si dhe një person tjetër ende nuk është identifikuar që ka qëlluar tre herë me pistoletën e tij personale të llojit “Makarov”. Në total, prokuroria ka gjetur dhe sekuestruar 132 gëzhoja plumbash në oborrin e Këshillit të Ministrave, konkretisht në pjesën veriore të kryeministrisë.

 

PREDHAT

TË IDENTIFIKUESHME

Predha që ndodhej në trupin e Faik Myrtës

Predha që ndodhej në trupin e Ziver Veizit

Predha që ndodhej në pemë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

 

TË PA IDENTIFIKUESHME

Predha e gjetur në trupin e Aleks Nikajt

2 predhat e gjetura në zyrat e UNHCR-së

Predha e gjetur në kangjellat e kryeministrisë

Predha e gjetur në bankën që ndodhet tek kullat binjake

 

Personat nën hetim

Ndrea Prendi, Komandant i Gardës së Republikës, nën hetim

Alfred Ahmetcenaj, Komandant i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës, nën hetim

Dashamir Shehi, Komandant i Njësisë nr.2 të Gardës së Republikës, nën hetim

Aleksandër Dede, Komandant njësie në Gardën e Republikës, nën hetim

Altin Kollçinaku, Komandant njësie në Gardën e Republikës, nën hetim

Fatos Bushati, Komandant njësie në Gardën e Republikës, nën hetim

Agron Malaj, efektivë i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës, nën hetim

Sadik Çelaj, efektivë i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës, nën hetim

Mark Nikolli, efektivë i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës, nën hetim

Gazmend Ahmetaj, efektivë i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës, nën hetim

Agim Llupo, efektivë i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës, i arrestuar

 

 

* * *

 

FBI kthen serverin e Kryeministrisë: Filmimet në 21 janar, të zhdukura!

TIRANË- Zyrtarët e kryeministrisë kanë fshirë filmimet e kamerave ditën e protestës së opozitës më 21 janar dhe për këtë arsye janë marrë nën hetim nga prokuroria. Ata akuzohen për fshehje dhe fshirje të pamjeve filmike të regjistruara nga serveri qendror i kamerave të sigurisë. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të organit qendror të akuzës, sipas të cilëve, njësia e përbashkët hetimore ka regjistruar procedimin penal pa autor, por për dyshimin e kryerjes së dy veprave penale atë të “shpërdorimit të detyrës” dhe “Veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës” në bashkëpunim.

Sipas këtyre të dhënave mësohet se hetimi ka nisur pas konstatimit të kryer nga ekspertët e Byrosë Federale të Hetimit (FBI-së) se në serverin qendror të kamerave të sigurisë ka pas ndërhyrje më datën 21 janar. Kjo ndërhyrje, sipas tyre, konsiston në faktin se janë kopjuar materialet e filmuar ditën e demonstratës dhe më pas janë fshirë nga memoria e këtij serveri të gjitha filmimet. Prokuroria dyshon se në këto pamje tregohen efektivët e Gardës së Republikës duke qëlluar me armë në drejtim të turmës së demonstruesve. Sipas prokurorisë, dyshohet se me fshirjen e këtyre pamjeve hetuesit e çështjes, nuk mund të identifikojnë me pamje filmike personat që qëllonin me armë luftarake në drejtim të demonstruesve të opozitës të mbledhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para ndërtesës së Këshillit të Ministrave.

“Vetëm pak kohë më parë, pranë Prokurorisë së Tiranës ka ardhur serveri fizik i dërguar nga organi i akuzës pranë zyrave të FBI-së, ndërsa raporti i akt-ekspertimit të tij ende nuk ka mbërritur. Në këtë raport, pritet që ekspertët të FBI-së t’i janë përgjigjur pyetjeve të prokurorisë, nëse ky server është funksional, sa është koha e memories së filmimeve, a ndodhen brenda tij filmimet e ngjarjes së 21 Janarit dhe ekzistojnë gjurmë se është ndërhyrë në këtë server, duke fshirë dhe riformatuar më pas këtë kompjuter. Për të gjitha këto e të tjera pyetje, pritet që ekspertët të jenë përgjigjur në raportin që së shpejti do t’i dorëzohet hetuesve të çështjes”,- thuhet nga prokuroria.

Por, ajo që sipas hetuesve tashmë është konfirmuar, është fakti se në atë server kanë qenë pamjet filmike të regjistruara të demonstratës së 21 Janarit, por, ata janë kopjuar dhe më pas fshirë nga memoria (hard-disku). “Shekulli” në prill të 2011 publikoi lajmin e fshehjes së provave nga zyrtar të kryeministrisë, pas dorëzimit dhe sekuestrimit të këtij serveri në atë kohë me ndërhyrjen e prokurorit amerikanë, i cili i ishte bashkangjitur hetuesve për zbulimin e autorëve të vrasjeve në demonstratën e 21 Janarit. Sipas të dhënave të prokurorisë, mësohet se serveri qendror i kamerave të sigurisë që ndodhej në ndërtesën e kryeministrisë, kishte të programuar kapacitetin e ruajtjes së pamjeve filmike vetëm brenda 48 orëve, më pas ata fshihen automatikisht por që ruheshin në memorien qendrore.

 

 

Fshehja e provave, merret në pyetje Gjergj Lezhja

TIRANË- Kopjimi dhe fshirja e pamjeve filmike nga serveri qendror i kamerave të sigurisë, ka shtyrë prokurorët që të marrin në pyetje Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, z.Gjergj Lezhja, punonjës të tjerë të këtij institucioni dhe të Gardës. Thirrja dhe marrja e tyre në pyetje është bërë me cilësinë e personave që kanë dijeni për çështjen. “Për llogari të procedimit penal të regjistruar nga Task-Forca, për dyshimin e kryerjes së veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës” në bashkëpunim nga zyrtar të Këshillit të Ministrave, të cilët dyshohet se kanë kopjuar dhe më pas fshirë pamje filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë ditën e demonstratës së 21 Janarit, hetuesit kanë marr në pyetje pesë persona.

I pari që është pyetur për këtë fakt ka qenë Gjergj Lezhja me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i kryeministrisë, tre punonjës të Gardës së Republikës që ditën e demonstratës ishin të vendosur me detyrë pranë zyrës së vrojtimit ku ndodhej serveri qendror i kamerave të sigurisë dhe dy inxhinierët e IT-së, njëri punonjës i kryeministrisë dhe tjetri i Gardës së Republikës. Të gjithë këta janë marrë në pyetje me cilësinë e personave që kanë dijeni për çështjen”-thanë zyrtarët e prokurorisë. Këta të fundit, nuk përjashtuan faktin se në përfundim të hetimeve, për ndonjërin nga këto persona që janë marrë në pyetje do të ngrihet akuzë konkrete, pasi janë të vetmit persona që kishin akses në zyrën e vrojtimit të kamerave të sigurisë ditën e demonstratës së 21 Janarit 2011.

Sipas këtyre burimeve, asnjëri nga të pyeturit nuk ka pranuar faktin se ka ndërhyrë në kopjimin apo fshirjen e pamjeve filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë. “Nuk kam dhënë urdhër për kopjim apo fshirje të pamjeve filmike të kamerave të sigurisë ditën e demonstratës së 21 janarit. Serveri nuk punonte prej kohësh”,- mësohet se ka thënë ndër të tjera Lezhja. Ndërkaq, edhe të pyeturit e tjerë, nuk kanë pranuar se kanë ndërhyrë apo fshirë pamjet filmike në server, duke shprehur edhe mos dijeninë e tyre për një veprim të tillë nga ndonjë punonjës i kryeministrisë.

 

Shkruan: Flamur Vezaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu