Raporti i KFOR: Takimet e Nanos dhe SHIK-ut në Prishtinë

0
115

Shkruan: Arben Rrozhani

Raporti sekret i inteligjencës amerikane të forcës paqeruajtëse në Kosovë. Si u përgjuan takimet e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti me ish-kryeministrin Nano, zyrtarët e SHIK-ut, ambasadorët dhe dyshimet për përfshirje në “punë të pista”.

 

Në listë edhe Nexhmije Hoxha si mbështetëse e idesë së “Shqipërisë së Madhe”. Akuzat ndaj Halitit dhe Thaçit për vrasjen e gazetarit Ali Ukaj në 1997-ën dhe e vërteta për arrestimin e Hashimit në Tiranë

Inteligjenca amerikane i ka përgjuar të gjithë: kush është takuar me nënkryetarin aktual të Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, në vitet 2000 deri në 2004-ën, është pjesë e asaj që komentohet mafie në të dy anët e kufirit, përgjegjëse për trafik armësh, lëndësh narkotike, shantazhe dhe vënie pasurish me anë të krimit.

Në raportin e hartuar nga KFOR në 2004-ën, të cilin e publikoi pak ditë më parë edhe gazeta franceze “Le Monde”, prej 47 faqesh, e që mund të gjendet në linkun mafialand.de/Members/juergen/pdf/kosovo%20-%20Haliti%20Xhavit.pdf., emri i Fatos Nanos përmendet disa herë duke u akuzuar si pjesëmarrës në destabilizimin e Kosovës dhe më pas në trafikun e armëve nga Shqipëria në Kosovë.

Në përgjimet e KFOR-it jepen me data edhe takimet me Halitit me zyrtarë të SHIK-ut nga Shqipëria ose me ish-ambasadorin tonë të ndjerë në Maqedoni, Vladimir Prela. Në pikën 5.2 me titull “Krime”, të raportit të inteligjencës amerikane që është marrë nga gazeta autoritare “Le Monde”, ish-kryeministri i Shqipërisë thuhet se ishte përfshirë në trafik armësh me Halitin.

Haliti shërbeu si përfaqësues i Zyrës së Përfaqësisë së Kosovës në Tiranë, por sipas raportit kohën më të shumtë e kalonte në Prishtinë, ndërsa bënte edhe udhëtime për në Tiranë, që nga qershori 1999, kur forcat e NATO-s hynë në Kosovën e çliruar prej armatës serbe.

Ai kishte një kohë të gjatë që rrinte në Shqipëri, qysh nga koha e formimit të UÇK-së, ku ishte shef i logjistikës, me qëllim dërgimin e armëve dhe të parave nga Shqipëria në adresë të njësive të UÇK-së në terrenin kosovar. Në pikën 6 të raportit përshkruhen “Krimet dhe ngjarjet më të rëndësishme”.

Pika 8, që është “përmbledhja e raporteve” nis me takimin Xhavit Haliti-Fatos Nano.
8 mars 2004:

Gjatë mbrëmjes së të hënës në 1 mars 2004, Xhavit Haliti qëndronte në Grand Hotel, Prishtinë. Kryeministri shqiptar Fatos Nano, oficeri shqiptar i ndërlidhjes për Zyrën e Kosovës, B. M. dhe disa anëtarë të SHIK-ut nga Shqipëria e shoqëruan Halitin.

Koment për kontaktin: Posti i M., si anëtar i zyrës së Shqipërisë për ndërlidhje në Kosovë, është padyshim mbulesë e punës së tij si oficer i SHIK-ut.
6 shkurt 2004:

Xhavit Haliti ka një pasaportë diplomatike shqiptare me emër tjetër, regjistruar në emër të Xhavit Hajdaraj. Ai e përdor këtë kur udhëton për në vende të tjera, nga Tirana. Kjo për arsye se Haliti është në listën e zezë të shumë vendeve perëndimore, si p.sh. në SHBA.

Koment i KFOR: Është për t’u besuar se Haliti ka pasaportë shqiptare dhe të UNMIK-ut, me emrin e tij të vërtetë. Ai përdor pasaportën shqiptare për të hyrë më lehtë në Shqipëri dhe atë të UNMIK-ut për t’u kthyer në Kosovë.

26 mars 2003:

Nis në Tiranë gjyqi ndaj E. N., i akuzuar për trafik armësh në 1998.
Detaje: Gjyqi për E. N., i ngarkuar me akuzën e trafikimit të armëve, nisi në Tiranë. Zyrtari I Partisë Demokratike të Kosovës Xhavit Haliti ka mësuar për gjyqin dhe lidhjen e N., me trafikimin e pushkëve snajper në adresë së Halitit në atë kohë.

19 qershor 2002:

Haliti, i njohur me pseudonimin “Zeka” është njëri prej drejtuesve të PDK-së dhe anëtar i Parlamentit të Kosovës, figurë kyçe e krimit të organizuar dhe i lidhur me Shërbimin Informativ Kombëtar, dhe/ose anëtar i SHIK-ut të Kosovës.

Bashkimi Europian e ka futur në listën e zezë si i lidhur me Lëvizjen për Çlirimin Kombëtar.
25 tetor 2001:

FNU PERLEA është një anëtar i lartë i SHIK-ut në Prishtinë. Perlea përshkruhet si 52-53 vjeç, i shëndoshë, peshon rreth 100 kile, lëkurë të errët, i gjatë 168-170 cm, me flokë të zeza të prera shkurt.

Komente: Kërkimet tregojnë se FNU PERLEA ka shumë mundësi të jetë Vladimit Prela, i lidhur me Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë. PERLEA është shok i ngushtë me Xhavit Halitin dhe rregullisht takohet me zyrtarë të PDK-së dhe anëtarë të lartë të Shërbimit Inteligjent të Kosovës (KSHIK), përfshirë Latif Gashi dhe Kadri Veseli. Perlea dihet se punon për Zyrën e Qeverisë Shqiptare.

Koment i kontaktit: Perlea duket se po kontrollon ndonjë vizitë zyrtare në Kosovë nga Shqipëria, veçanërisht atyre vizitorëve që mbështesin PDK-në. Unë besoj se Perlea është një përfaqësues i lartë i Zyrës së Shqipërisë në Kosovë. (Bëhet fjalë për të ndjerin Vladimit Prela, ish-ambasador i Shqipërisë në Maqedoni-shënimi i redaksisë).

22 korrik 2001

Përveç mbështetjes që ka në Kosovë, Haliti ka mbështetje në nivele të larta të Shqipërisë. Fatos Nano, kryetari i Partisë Socialiste në pushtet është shumë i afërt me Halitin. Haliti ka bërë marrëveshje edhe me drejtues të SHIK-ut në Shqipëri, për të bërë trajnime të përbashkëta të personelit të SHIK-ut të Kosovës, në Kosovë.

6 qershor 2001

Në orën 11.15 Xhavit Haliti eci nga zona e zyrave të PDK-së për në hotelin Grand në Prishtinë. Haliti eci në një zonë të hapur ku bisedoi me ambasadorin shqiptar “Prela” për rreth 20 minuta. Më pas ai lëvizi në një tavolinë të veçuar, ku foli me katër burra të panjohur, që besohet se janë anëtarë të SHIK-ut.

Rreth orës 12.00, Haliti hyri në hotel dhe u ngjit lart. Agron Haradinaj, që ishte në një kënd të vogël mori një telefonatë, pas ikjes së Halitit dhe gjithashtu shkoi sipër. Menjëherë, duke ndjekur ngjitjen lart të Haradinajt, katër anëtarët e SHIK-ut lanë tavolinën e tyre dhe bënë të njëjtën rrugë si dhe Haliti. Të gjithë besohet se shkuan në katin e dytë ku Haliti ka disa dhoma.
31 mars 2000

Xhavit Haliti, Nexhmije Hoxha dhe Hysni Milloshi janë identifikuar si mbështetës aktivë të Partisë së Punës së Shqipërisë në Kosovë. Kjo parti po mbështet idenë që Kosova të bëhet pjesë e Shqipërisë së Madhe.

Nexhmija është vejusha e Enver Hoxhës dhe figura e saj nuk është e lidhur me asnjë aktivitet ilegal. Hysniu besohet se është i lidhur me disa grupe të krimit të organizuar, por nuk ka të dhëna për këto. Ky grup është shumë i vogël në Kosovë.

Xhavit është i njohur me nofkën “Ozekao”. Emri i tij është i lidhur me të paktën dy vdekje, vdekjen e Ilir Kunosheti në 1998 dhe vdekjen e Ali Uka në 1997-ën. Iliri ishte shefi i logjistikës për UÇK-në dhe për një kohë të shkurtër udhëheqës i zonës operative “Llapi”.

Xhavit dhe Iliri ishin në garë për të qenë udhëheqës të zonës operative, kur Iliri bëri gjashtë faqe raport për aktivitetet ilegale që Xhaviti kishte kryer. Drejtuesit e UÇK-së e gjetën Halitin të paaftë dhe ai u përzu nga UÇK-ja. Mbas gati një muaji, Iliri u gjet i vdekur afër kufirit me Kosovën.

Gazetari nga Kosova që jetonte në Tiranë, në një apartament me Hashim Thaçin u vra me shishe dhe kaçavidë në vitin 1997

Vrasja e gazetarit Ali Ukaj, akuza Xhavit Halitit

Dokumentat sekrete të NATO-s, që citohen nga gazeta “The Guardian” e konsiderojnë Hashim Thaçin si protagonist të botës së krimit në Kosovë dhe Xhavit Halitin si të lidhur me vrasjen e gazetarit të “Gazetës Shqiptare”, Ali Uka në 1997-ën në Tiranë.

Dokumentet që janë zbardhur nga gazeta, kanë etiketën “USA KFOR” dhe përmbajnë detaje të rrjeteve të krimit të organizuar. Duke cituar shërbimin sekret amerikan dhe atë të NATO-s, Xhavit Haliti përshkruhet si i lidhur me një masakër të frikshme.

“Ali Uka, një gazetar kosovar me qendër në Tiranë që e mbështeste lëvizjen për pavarësi, por e kritikonte atë në shtypin e shkruar, u masakrua me një shishe dhe një kaçavidë në vitin 1997. Shoku i tij i dhomës në atë kohë ishte Hashim Thaçi”,-thekson dokumenti. Ali Uka ishte gazetar i “Gazetës Shqiptare” dhe vrasja e tij shkaktoi jehonë të gjerë në shtypin shqiptar të asaj kohe.

Në dokumenta, Thaçi identifikohet si një “peshk i madh” i krimit të organizuar në Kosovë. Po kështu edhe Xhavit Haliti, një ish-shef i logjistikës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që është tashmë aleat i kryeministrit dhe një deputet i ri i PDK.

Duke e përshkruar atë si një fuqi pas Hashim Thaçit, raporti thekson se Haliti ka lidhje të forta me mafian shqiptare dhe shërbimit sekrete kosovar, të njohur si KShiK. Dokumenti thekson se Haliti është i përfshirë në prostitucion, trafikun e armëve dhe të drogës dhe se përdorte një hotel në Prishtinë si bazën operacione të tij.

Haliti është gjithashtu këshilltar politik dhe financiar i kryeministrit, por sipas dokumentave, ai është bosi i vërtetë i lidhjes. Ai lidhet edhe me frikësimin e kundërshtarëve politikë në Kosovë dhe dy vrasje që datojnë në fund të viteve ’90, kur UÇK thuhet se ka kryer shumë vrasje.

Një prej tyre ka qenë një politikan kundërshtar që u gjend i vdekur në afërsi të kufirit me Kosovën, me sa duket pas një konflikti me Halitin. Ndërkohë, përshkrimi i një tjetër vrasjeje e lidh Halitin me masakrën e një gazetari të ri në Tiranë, Ali Uka që punonte për “Gazetën Shqiptare”.

Duke iu përgjigjur dyshimeve lidhur me raportin që doli të hënën, një zëdhënës i qeverisë së Kosovës tha se këto akuza që kanë qarkulluar që prej një dekade janë ricikluar së fundmi në raportin “Marty”. Ato skanë fakte dhe dëshmi bazë dhe janë të punuara mbi informatat e shërbimit inteligjent serb.

(Marrë nga “Koha Ditore”)

Thaçi u arrestua një ditë para vrasjes së gazetarit për dy pako me armë

Lidhja e Hashim Thaçit me vrasjen e gazetarit Ukaj

Sipas mediave kosovare, Hashim Thaçi ka qenë në Shqipëri kur u vra gazetari Ukaj. Mirëpo një ditë para se të vritej Ali Ukaj, më 28 korrik 1997, Hashim Thaçi së bashku me Bashkim Thaçin burgosen nga policia shqiptare në një post bllok në dalje të Tiranës.

Ata, ishin në një veturë “Taxi”. Shkaku i këtij arrestimi ishte se në veturën që udhëtonin ishin gjetur dy pako me armë. Këto armë, Hashim Thaçi dhe Bashkim Thaçi i kishin marrë në një dyqan të argjendarisë ku punonte Gani Veseli nga Klina. Armët i kishte sjellë nga Zvicra një i njohur i Thaçit dhe ishin të dedikuara për UÇK-në.

Ndërkohë, Gani Veseli e thërret në telefon Xhavit Halitin në Zvicër dhe i tregon për rastin e arrestimit të Hashim dhe Bashkim Thaçit. Xhavit Haliti, menjëherë ndërhyn te Gjeneral Adem Çopani, duke i garantuar fuqishëm se ato armë nuk ishin përdorur kurrë për ndonjë akt kriminal, por ishin të dedikuara për UÇK-në.

Pas dy ditësh pasi vjen raporti zyrtar nga laboratori i kriminalistikës se armët nuk ishin të përdorura kurrë, Hashim Thaçi dhe Bashkim Thaçi lirohen nga burgu. Hashim Thaçi vetëm pas lirimit kishte dëgjuar për vrasjen e Ali Ukajt. Raportet mes Hashim Thaçit dhe Ali Ukajt ishin të mira edhe pse nuk kanë pasur ndonjë shoqëri të madhe.

DOKUMENTI

VENDIMI I GJYKATËS TIRANË PËR ÇËSHTJEN ALI UKAJ.

GJYKATA E RRETHIT TIRANË E PËRBËR PREJ :
Artan ZENELI / Gjyqtar
Medi BICI / Gjyqtar
Sokol ÇOMO / Gjyqtar

asistuar nga sekretarja Ikbale Luka, me pjesmarrjen e prokurorit Dritan Ribaj, në Tiranë, më 27. 04. 1998, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore me dyer të hapura çështjen penale që i përket :
TË PANDEHURIT : Selman Ukaj, i biri i Bajramit dhe Tixhes, 1951, lindur në Lumbardhë, Komuna Deçan Kosovë dhe banues në Zvicër, i martuar me arsim 8 vjeçar, me kombësi shqiptare, mbrojtur nga av. Hysni Beti.

A K U Z U A R : Për veprën penale të vrasjes me dashje të parashikuar nga neni 76 i K. Penal.
Në përfundim të gjykimit gjykata pasi dëgjoi prokurorin që kërkoi: Caktimin si masë mjeksore për të pandehurin Selman Ukaj atë të mjekimit të detyruar në një spital psikiatrik, dëgjoi avokatin mbrojtës të pandehurit

që kërkoi të caktohet si masë mjeksore ajo e mjekimit të detyruar ambulator.
V ËREN

Se i pandehuri Selman Ukaj është akuzuar për veprën penale të vrasjes me dashje parashikuar nga neni 76 i K. Penal në rrethanat si më poshtë : në datë 29. 7. 1997 rreth orës 0. 30 i pandehuri Selman sapo ishte kthyer me viktimën Ali në banesën e këtij të fundit. Kanë vënë re se banesa ishte bërë rrëmujë dhe orenditë, sendet e shtëpisë nga vjedhesit. Midis të pandehurit dhe viktimës ka filluar një konflikt për shkak të pasaportave personale të tij dhe të afërmve të të pandehurit Selman të cilat nuk po i gjenin.

Në grindje e sipër i pandehuri Selman ka goditur viktimën me sende të forta ku sipas aktit mjeko-ligjor i është shkaktuar vdekja. Pas momentit të goditjes, i pandehuri ka filluar të bërtasë duke e mbajtur për shumë kohë viktimën në prehër. I pandehuri nuk ka lëvizur nga banesa deri kur është lajmëruar policia dhe e kanë arrestuar.

Në kushtet e mësipërme i pandehuri i është nënshtruar një ekzaminimi të gjatë spitalor psikiatrik duke u kryer akte ekspertimi nga një grup i gjerë ekspertësh psikiatër nga ku ka rezultuar se i pandehuri Selman Ukaj ka paraqitur çrregullime të stresit postraumatik dhe se veprën penale për të cilën ai akuzohet e ka kryer në kushtet e afektit patologjik ku errësimi i vetëdijes me axhitim psikomotor ka çuar në prishjen tërësisht të ekujlibrit të tij mendor dhe për pasojë nuk ka qenë në gjendje të kontrollojë veprimet e tij.

Sa më sipër ekspertët kanë arritur në konkluzionin se i pandehuri nuk është i përgjegjshëm për veprën penale të kryer.

Në këto kushte gjykata duke parë rrezikshmërinë e madhe të veprës së kryer dhe të vetë personit çmon se ndaj tij duhet të merret një masë mjeksore ajo e mjekimit të detyruar në një institucion psikiatrik.

PËR KËTO ARSYE :
Gjykata bazuar në nenin 46/2 të K. Pr. Penale
V E N D O S I
Pranimin e kërkesës.
Caktimin e masës mjeksore mjekimin e detyruar duke e shtruar të
pandehurin në një institucion psikiatrik.
Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit Tiranë brenda 10 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e shpalljes së vendimit.
U shpall në Tiranë , më 27. 04. 1998
G J Y Q T A R
ARTAN ZENELI
S E K R E T A R E
IKBALE LUKA

Babai i gazetarit të vrarë takoi edhe Berishën tre ditë para se të dilte në opozitë

Babai Aliut: “Kërkoj drejtësi për vrasjen e djalit”

Familja e gazetarit Ali Ukaj, nga Lumbardhi i Deçanit, i cili u vra më 1997-ën në Tiranë kërkon drejtësi.

KTV-ja raportoi se familjarët kërkojnë nga autoritetet e Kosovës dhe të Shqipërisë që të zbardhet më shpejt ky rast. Në këtë familje vrasja u përjetua edhe një herë pas përmendjes së këtij krimi në raportin e para dy ditëve të gazetës britanike ‘The Guardian’, i cili lidh emrat e Xhavit Halitit dhe Hashim Thaçit me këtë vrasje.

Ali Ukaj, i cili punonte për ‘Gazetën Shqiptare’, shoqërohej me Bashkim Thaçin dhe Kadri Veselin dhe në atë kohë kishte njoftuar edhe Hashim Thaçin, i cili jetonte në Zvicër, por vinte kohë pas kohe në Shqipëri.

Për vrasjen e tij ishte dënuar kushëriri i tij, Selman Ukaj, por i cili vuajti rreth 18 muaj burgim dhe u lirua si i sëmurë psikik, për t’u larguar më pas në Zvicër e që nuk u kthye më kurrë, raportoi KTV.

Babai i gazetarit të vrarë, thotë se Hashimi dhe Xhaviti e dinë kush e ka vrarë djalin e tij. Ishte raportuar se Hashim Thaçi dhe Bashkim Thaçi ishin mbajtur 48 orë në burgun e Tiranës, por më vonë kjo ishte arsyetuar se ata u mbajtën për armëmbajtje pa leje dhe u liruan pasi intervenoi Xhavit Haliti, me arsyetimin se ato ishin armë për UÇK-në.

Ali Ukaj në Shqipëri njihej si ‘zëdhënësi’ i UÇK-së, pasi ishte gazetari i parë që kishte zbuluar emblemën e kësaj ushtrie dhe vazhdimisht shkruante për këtë lëvizje. Për të hetuar rrethanat e vrasjes ishte krijuar edhe një komision hetimor, por nuk kishte treguar kurrë rezultate konkrete.

Babai i të ndjerit ishte takuar edhe me Sali Berishën, i cili doli në opozitë tri ditë pas vrasjes së birit të tij.

Xhavit Haliti, i ka thënë KTV-së me telefon se për këto akuza kishte dëgjuar qysh prej 99-ës, por nuk ka të bëjë asgjë me to, se atë kohë ishte në Zvicër. Raporti i ‘The Guardian’, ku ndër të tjera flet edhe për këtë vrasje, del në ditët kur janë nxjerrë një varg raportesh për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë e në Shqipëri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu