Reagim – OVL – UÇK

0
63

Me shqetësim të thellë, ne kemi përcjellur të gjitha arrestimet e bashkëluftëtarëve tonë, që i konsiderojmë si gjykime politike. Ne e kemi kundërshtuar vendosjen e misionit të EULEX-it që nga fillimi, e kohë pas kohe kemi kërkuar heqjen e kompetencave ekzekutive të këtij misioni, si dhe kemi reaguar për moskryerjen e detyrave të tij si mision. Mirëpo, kërkesat tona hasën në vesh të shurdhër. Ne edhe njëherë kërkojmë nga institucionet e Kosovës që të shqyrtojnë seriozisht pozicionin e EULEX-it në Kosovë.

Persekutimi i vazhdueshëm i luftëtarëve të lirisë nga EULEX, në fakt ka argumentuar se këta kanë vetëm një detyrë në Kosovë: njollosjen e luftës çlirimtare të kombit shqiptar në krye me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Tentimi i vazhdueshëm i tyre për të goditur bartësit e luftës çlirimtare, nxjerr përfituese Serbinë dhe bashkëpuntorët e saj të shumtë në Kosovë. Për këtë arsye, ne kemi argumente të besojmë që strukturat e Serbisë në Kosovë: disa nga mediat që botohen në gjuhën shqipe, segmente e grupe të caktuara aktive në politikë si dhe individë të tjerë që fshihen në petkun e intelektualizmit; janë mobilizuar në luftën e ashpër kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kundër gjakut të mijëra dëshmorëve dhe kundër të gjithë luftëtarëve: nga komandanti e deri te ushtari i zakonshëm. Në këtë përpjekje të tyre të pandalshme, kanë përkrahjen e plotë të EULEX-it, si dhe elementeve të tjerë proserb të diplomacisë evropiane të instaluar në Kosovë.

Rasti i sotëm ku akuzohen Sahit Jashari, Sami Lushtaku, Jahir Demaku, Zeqir Demaku e Hysni Thaçi, që të gjithë luftëtarë të hershëm dhe bashkluftëtarë të Komandantit Legjendar Adem Jashari, njerëz që kontribuan në luftë dhe në paqe, tregon se Serbia përmes mekanizmave të saj, po tenton të godas luftën e UÇK-së që në bërthamat e saj të para, në mënyrë që të arrihet një qëllim: baltosja e të gjitha figurave emblematike të UÇK-së, baltosja e dëshmorëve të kombit dhe luftëtarëve të gjallë. Me këtë veprim, është prekur edhe vet liria, shteti dhe sovraniteti i vendit.

Të përballur me presionin e bashkluftëtarëve, ne jemi duke u munduar që për momentin të mbajmë situatën nën kontroll. Mirëpo, duhet të jetë e qartë, se situata e sigurisë në Kosovë është shumë e brishtë dhe se kjo ngjarje mund të jetë fundi i durimit të familjeve të dëshmorëve dhe luftëtarëve të UÇK-së.

 

Për të gjitha veprimet në vazhdim, do e informojmë opinionin me kohë.

 

Prishtinë 23 maj 2013

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu