Regjistrimi në Etni dhe Fe, në SHBA i papranueshem

0
102
Ilir Rozhani

“Censusi i vitit 2010 në SHBA nuk përmbante pyetje që lidheshin me besimin fetar apo grupin etnik e të intervistuarit. Për amerikanët pyetje të kësaj natyre do të ishin të papranueshme. Ndarja e fesë nga shteti e përcaktuar me ligj nuk lë vend për ekuivoke në këtë pike”. Ilir Hysa, pedagog në Nju Jork, ish- punonjës në Departamentin e Tregtisë, Byroja e Censusit 2010 në SHBA, duke sjellë përvojën e vet me rregjistrimin e popullsisë në SHBA, e sheh të papranueshëm faktin që qeveria shqiptare ka vendosur që në rregjistrimin e popullsisë 2011 të deklarohet edhe feja dhe etnia.

“Nga përvoja ime si punonjës në Departamentin e Tregtisë, Byroja e Censusit në Shtetet e Bashkuara kam konstatuar se problemeve të lartpërmendura u është mbyllur dera një herë e përgjithmonë”-u shpreh z.Hysa.

Z.Hysa, me dijeninë tuaj çfarë përfaqëson rregjistrimi popullsisë i inicuar nga qeveria e Shqipërisë?

Së pari, më lejoni t’ju falenderoj për mundësinë që më keni dhënë për të bashkëbiseduar me ju për këtë çështje të rëndësishme. Fakti që në këtë diskutim ka një përfshirje të gjërë të shoqërisë shqiptare flet për seriozitetin, gravitetin dhe implikimet e rezultateve të Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave (REPOBA) në të ardhmen e secilit prej nesh. Ky rregjistrim është i rëndësishëm për rikonfirmimin e vlerave dhe kapaciteteve të institucioneve tona për të ndërmarrë projekte me peshë, por mbi të gjitha një udhëzues me vlerë për qeverinë shqiptare, organizata të ndryshme joqeveritare dhe institucione kërkimore në 10 vitet që vijnë.

Organizmat ndërkombëtare si OSBE-ja e kuptojnë shumë mirë rëndësinë e kësaj ndërmarrjeje monumentale dhe prandaj e mbështesin këtë proces. Shqiptarët i janë mirënjohës organizmave ndërkombëtare për mbështetjen e pakursyer gjatë këtyre 20 viteve të fundit kur vendi ka bërë përpjekje të mëdha për t’iu bashkuar familjes Europiane dhe për të përqafuar vlerat perëndimore. Megjithatë, dua të ndalem në thelbin e pyetjes suaj se çfarë përfaqëson Regjistrimi i Popullsisë dhe Banesave (REPOBA)? Regjistrimi përfaqëson një portret në një moment në kohë (snapshot) të Shqipërisë dhe asgjë më shumë. Ky portret i ri do të na tregonte se sa ka ndryshuar Shqipëria që nga portreti i saj i fundit i vitit 2001.

Në momente të caktuara të këtij debati është krijuar përshtypja se regjistrimi është një nga kërkesat e institucioneve europiane. Ka rëndësi të theksohet se regjistrimi duhet bërë sepse i duhet Shqipërisë dhe i shërben nevojave tona të përditshme në vendimmarrje por jo ngaqë e ka kërkuar Europa. Shumë çështje teknike të regjistrimit lidhen me këtë perceptim të gabuar, madje ne këtë keqinformim janë përfshirë edhe njerëz të edukuar. Për më tej, kjo çështje është politizuar shumë dhe është për të ardhur keq.

Nga përvoja juaj në ketë fushe, cili do të ishte rezultati në shifra nëse rregjistrimi kryhet sipas normave të vendosura?

Sipas informacionit që kam unë, përgatitjet për regjistrimin ngjallen debate në dy pikëpamje: 1. Koha kur do të mbahej dhe 2. Përfshirja në pyetësor e pyetjeve që lidhen me kombësinë dhe besimin fetar. Pas ankesave nga organizata dhe individë të shqetësuar qeveria vendosi shtyrjen e procesit të regjistrimit për më vonë dhe ky vendim është mirëpritur dhe përshëndetur. Nëse shtyrja nuk do të kishte ndodhur Shqipëria jonë do t’i ngjasonte një shtëpie së cilës stuhia sapo i ka prishur çatinë por banorët e saj vazhdojnë festën mbrenda saj duke menduar se humbja e çatisë nuk është ndonjë gjë e madhe.

Kriza politike që ka mbërthyer vendin e gërshetuar me mungesën e dialogut politik dhe përgatitjet për zgjedhjet për pushtetin vendor të 8 Majit e bëjnë të pamundur mbajtjen e regjistrimit nëse duam rezultate objektive për këtë regjistrim. Ndërsa, çështja e dytë është ende më e ndërlikuar. Përfshirja e pyetjeve sensitive në pyetësor gjithmonë përbën një problem serioz dhe rasti ynë nuk përbën ndonjë përjashtim. Edhe pse kushtetueshmëria ose jokushtetueshmëria e përfshirjes së besimit fetar dhe origjinës etnike në pyetësor mund të argumentohet më mirë nga një jurist i specializuar në çështjet kushtetuese, jam i bindur se e drejta e qytetarit shqiptar për të mos iu përgjigjur pyetjeve të tilla është po aq legjitime sa edhe ajri që ai thith.

Nga ana statistikore, nëse qytëtarët do të zgjidhnin të mos i përgjigjeshin pyetjeve të caktuara, vlera e regjistrimit dhe gjithë shpenzimet e bëra për ketë proces do të ishin të diskutueshme. Prandaj, vendet e zhvilluara përfshijnë në pyetësorët e regjistrimit ato pyetje që nuk bëhen objekt debati dhe sigurohen që përgjigjet mbeten konfidenciale. Pyetjet e diskutueshme bëhen objekt i programeve (anketave) të tjera që sipas rastit intervistojnë 3-10% të popullsisë sipas nje zgjedhjeje të rastësishme (random sampling) dhe fondeve në dispozicion (intërvistimi i një përqindjeje më të lartë kërkon më shumë fonde). Shembuj të tillë në SH.B.A. janë Anketa Komunitare Amerikane (American Community Survey (ACS)), Anketa Amerikane për Strehimin (American Housing Survey (AHS)) etj., që organizohen cdo vit po nga Byroja e Censusit.

Anketat drejtojnë pyetje që amerikanët nuk duan tu përgjigjen siç janë të ardhurat vjetore, lloji i banesës etj. Por ata mund të vendosin të mos i pergjigjen anketës dhe nuk përballen me sanksione ligjore. Ndërsa po të mos i përgjigjen censusit ata ndeshen me $5 mijë gjobë, pavarësisht se ndëshkimi nuk përdoret shpesh. Po kështu, për të mbledhur të dhëna për besimin fetar ka një anketë tjetër që njihet me emrin American Religious Identification Survey (ARIS) por që organizohet privatisht nga Trinity College në bashkëpunim me institucione të tjera në mënyrë të pavarur nga qeveria.

Tani po kthehemi tek shqetësimi juaj për rezultatet. Rezultatet e sakta nuk i di askush dhe për ketë arsye duhet bërë regjistrimi. Megjithatë, shqiptarët nuk duan surpriza nga pikëpamja demografike sepse ne nuk jemi një ishull i porsa zbuluar. Ne jemi një popull me histori të lashtë dhe e njohim vendin tonë. Shteti Shqiptar ka Regjistrat e Gjendjes Civile që nuk mund të tjetërsohen as për 24 dhe as për 48 orë. Ne kemi rezultatet e Anketave të Matjes së Nivelit të Jetesës (Living Standards Measurement Survey) të viteve 2002 deri 2008 të kryer nga Instituti i Statistikës me mbështetjen e Bankës Botërore.

Edhe pse anketa nuk interviston çdo person, metodat shkencore të zgjedhjes së rastësishme (random sampling), që mbulojnë gjithë territorin e Shqiperisë, rezultojnë të përshkruajnë realitetin me saktësi të admirueshme. Çdo devijim me përmasa të mëdha nga instrumentat e lartpërmendur do të shërbente si këmbanë alarmi që regjistrimi ka patur probleme.

Sa me vend ju duket shqetësimi i ekspertëve apo figurave të shoqërisë civile për përdorim të këtij procesi për qëllime antishqiptare?

Organizma dhe individë shqiptarë të interesuar për mbarëvajtjen e procesit kanë konstatuar një tendencë, të shfaqur sidomos në jug të Shqipërisë, për dorëzimin e shtetësisë shqiptare dhe marrjen e shtetësisë greke nga disa individë. Një gjë e tillë është bërë në shumë raste edhe duke cënuar ligjislacionin shqiptar. Këto fakte janë parashtruar në mediat shqiptare gjatë javëve të fundit. Individë që kanë bërë një konvertim të tillë, për arsye që vetëm ata i dinë, në regjistrimin bazuar në vetëidentifikim mund ta deklarojnë veten etnikisht sipas zgjedhjes se tyre duke harruar faktin se ata kanë ndryshuar vetëm shtetësinë, por jo grupin etnik të cilit i përkasin.

Por meqë regjistrimi bazohet në vetë-identifikim intervistuesi do të pranojë përgjigjet e të intervistuarit edhe kur sipas një llogjike të thjeshtë disa nga përgjigjet nuk kanë kuptim. Gjëra të kësaj natyre do të ishin të mjaftueshme për t’i bërë rezultatet e regjistrimit të pavlefshme. Dhe nëse qëllimi ynë eshtë nxjerrja e të dhënave objektive që pasqyrojnë realitetin shqiptar atëherë një gjë e tillë nuk duhet lejuar.

Për më tepër, nëse nuk do të kishte evidencë të përpjekjeve nga grupe apo individë të caktuar për ta marrë peng procesin dhe të konfirmohej që një regjistrim i tillë nuk cënon Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë atëherë regjistrimi mbi baza të origjinës etnike mund të ishte i pranueshëm. Për t’ju përgjigjur drejpërdrejt pyetjes tuaj, shqetësimin e shprehur e shoh si të ligjshëm dhe marrja e masave për të parandaluar gjëra të pakëndshme do të ishte rruga më e mirë.

Ju keni përvojë nga puna si Specialist Partneriteti në Censusin 2010 në SHBA. Si u bë ky rregjistrim atje?

Të dhënat e grumbulluara nga censuset dhe anketat për mua janë më tepër se shifra. Analiza e tyre përbën në fakt thelbin e profesionit tim. Unë jam kandidat për Ph.D. në fushën e Ekonomisë dhe specializohem mes të tjerash edhe në zhvillimet ekonomike dhe sociale në Shqipëri. Puna me Censusin 2010 ka qënë një dalje nga muret akademike ku përpunohen shifrat për të përjetuar nga afër punën kolosale që duhet për t’i mbledhur ato shifra.

Përvoja ime me Censusin 2010 ka qënë një eksperiencë nga e cila kam mësuar shumë dhe nëse më kërkohet, jam i gatshëm që këtë eksperiencë të fituar ta vë në shërbim për të mirën e vendit ku linda dhe u rrita. Nga përvoja ime si punonjës në Departamentin e Tregtisë, Byroja e Censusit në Shtetet e Bashkuara kam konstatuar se problemeve të lartpërmendura u është mbyllur dera një herë e përgjithmonë. Gjithçka është e përcaktuar fare qartë. Në SHBA mbajtja e censusit parashikohet nga Neni 1, Pika 2 e kushtetutës e cila kërkon rindarje administrative që reflekton konfigurimet e reja demografike me qëllim zgjedhjen e përfaqësueve për në Shtëpinë e Përfaqësueve (House of Representatives), që të mbahet një herë në çdo dhjetë vjet dhe kjo eshtë bërë 23 herë rresht që nga 1790-a.

Çdo census mbledh të dhëna demografike që lejojnë qeverinë federale dhe ato të shteteve dhe lokale të marrin vendime, iniciojnë programe, etj., bazuar në popullsinë e çdo zone. Regjistrimi (censusi) nuk bëhet duke trokitur derë më derë si ai i vitit 2001 në Shqipëri. Çdo adrese në SHBA i dërgohet nëpërmjet postës në një zarf të parapaguar një pyetësor që pasi plotësohet nga familja së cilës i drejtohet kthehet përsëri me postë. Në fund të procesit, personave që nuk e kanë bërë një gjë të tillë, u bëhet vizitë në shtëpi për të plotësuar pyetësorin. Përgjigjet nëpërmjet postës shënuan 72 përqind të pyetësorëve të dërguar me postë në këtë census.

Pjesa tjetër u plotësua pas vizitave në adresat që nuk iu përgjigjën pyetësorit nëpërmjet postës. Kjo ishte pjesa më e shtrenjtë për taksapaguesit amerikanë dhe për ketë arsye qëllimi kryesor në përgatitjen e çdo censusi është ndërgjegjësimi i popullsisë për nevojën e uljes së kostos së projektit, gjë që realizohet me dërgimin me postë të pyetësorit të plotësuar nga gjithësecili. Censusi i vitit 2010 në SHBA nuk përmbante pyetje që lidheshin me besimin fetar apo grupin etnik e të intervistuarit. Për amerikanët pyetje të kësaj natyre do të ishin të papranueshme. Ndarja e fesë nga shteti e përcaktuar me ligj nuk lë vend për ekuivoke në këtë pikë.

Me fjalë të tjera, nuk është puna e shtetit të dijë cilit zot i lutet qytetari amerikan. Praktika e identifikimit të besimit fetar nga censusi ka mbetur vetëm histori në SHBA. Në fakt, hera e fundit që është bërë një gjë e tillë ka qenë para mëse gjashtë dekadash. Për të mbledhur informacion për besimin fetar në ditët tona organizohen anketa në mënyrë të pavarur. Për shembull, një anketë e tillë njihet me emrin American Religious Identification Survey (ARIS), por që organizohet privatisht nga Trinity College në bashkëpunim me institucione të tjera por nuk perfshihet në census. Por, ka edhe anketa të tjera të këtij lloji.

Në lidhje me çështjen e grupimit etnik dua të ndalem pak në evoluimin e kësaj çështjeje në SHBA.. Vendi që gjithmonë ka pritur krahëhapur emigrantë nga gjithë bota ka patur një të drejtë legjitime të pyesë në census se cilit grupim i takon një individ. Kjo duke patur parasysh larminë e etnive që i japin jetë kontinentit të largët. E megjithatë, Censusi 2000 ishte hera e fundit kur një pyetje për origjinën etnike u përfshi në census. Ishte ajo pyetje që lejoi rreth 113 mijë shqiptarë të shprehnin krenarinë kombëtare dhe të deklaronin në strehën e re përtej Atlantikut se vinin nga vendi i shqiponjave. Por për t’iu rikthyer thelbit të çështjes, kur një vend me larmi etnike të pakrahasueshme si SHBA-të e sheh të udhës për të mos drejtuar pyetje rreth origjinës etnike, është po aq e udhës për një vend me popullsi homogjene të mos merret me pyetje të tilla.

Çfarë do të ndodhte në SHBA nëse regjistrimi do të behej siç është planifikuar në Shqipëri?

Amerikanët nuk hezitojnë të thonë hapur atë që mendojnë. Është e vështirë të imagjinosh reagimin e plotë të një shoqërie kaq komplekse, por unë do të mundohem të sjell copëza nga mënyra e të shprehurit të pakënaqësisë në rast të tilla. Pyetësori i Censusit 2010 përmbante 10 pyetje për kryefamiljarin dhe 7 pyetje për çdo person tjetër në familje. Në pyetjen 9 për kryefamiljarin dhe pyetjen 6 për anëtarët e tjerë të familjes ishte e vendosur pyetja rreth racës. Pyetjes “Cila është raca juaj?” disa qytetarë i janë përgjigjur duke anashkaluar opsionet e dhëna dhe duke shkruajtur “Human (Njeri)” në shprehje të pakënaqësisë për natyrën e perceptuar si përçarëse të pyetjes.

Ajo është mënyra për të shprehur protestën e individit në një shoqëri që ka bërë një rrugë të gjatë për të mbyllur plagët e konfliktëve ndërracore. Disa të tjerë e kanë shprehur të njëjtin sentiment duke shkruajtuar në pyetësor “None of your business (Nuk ka ç’ju duhet)” dhe sa e sa mënyra të tjera. Rastet që përmenda nuk hasen shpesh. Si rrjedhojë, nga ana statistikore nga censusi autoritetet janë në gjendje të nxjerrin konkluzione të vlefshme.

Nëse pyetjet e drejtuara do të ishin provokative apo kontraversiale, sikurse janë disa nga pyetjet e diskutuara në REPOBA, revolta do të ishte më e pranishme dhe rezultatet do të ishin të pavlefshme. Po ashtu, suksesi i regjistrimit ne Shqipëri do të varet nga thjeshtësia e pyetësorit që do të mbetet përfundimisht në fuqi. Sllogani i Censusit 2010 në SHBA. ishte “It’s easy. It’s important. It’s safe. (Është i lehtë, i rëndësishëm, i sigurtë)” Qytetarët shqiptarë meritojnë jo më pak se një regjistrim të lehtë dhe të sigurtë ku konfidencialiteti i të dhënave të jetë i garantuar dhe këto garanci do të krijonin klimën e bashkëpunimit dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi rëndësinë e procesit.

Dhe për ta mbyllur, ne duhet të mësojmë nga praktikat e vendeve të zhvilluara. Këto praktika sugjerojnë se Shqipërisë nuk i duhet një regjistrim i popullsisë mbi baza etnie dhe fetare kur Shqipëria nuk ka përjetuar dyndje të huajsh dhe është shembull i harmonisë fetare në rajon dhe më gjërë.

Përballja e dy formularëve

Shpjegimi për REPOB-AL 2011 është një kopjim fjalë për fjalë i shpjegimit të REPOB-AL 2001, ku thuhej se regjistrimi i Përgjithshëm i Popullsisë dhe Banesave është numërimi i plotë i të gjithë individëve, njësive Ekonomike Familjare dhe Banesave, destinacioni i të cilave është banimi, për të dhënë një panoramë aktuale dhe të saktë të realitetit demografik, ekonomik dhe social në vend. Objekti i regjistrimit janë njësitë ekonomike familjare, individët, bashkëjetesat kolektive, banesat (të banuara ose jo), dhe tipe të tjera si dhe të huajt (prezentë në momentin e regjistrimit). Ndryshon vetëm formulari individual. Nëse ai I vitit 2001 kishte vetëm dy fletë, ky I 10 viteve më vonë ka 12 fletë dhe në të, përveç hollësive të tjera, është shtuar edhe feja dhe kombësia.

 

Pollo në 2010

Regjistrimi mbi baza etnike dhe fetare

Në 2010 ish-ministri i shtetit Genc pollo ishte shprehur se popullsia shqiptare për herë të parë do të regjistrohej mbi baza etnike dhe fetare. “Ky proces do të kryhet në mënyrë shumë profesionale, nga INSTAT dhe me një mbështetje të madhe ekspertësh nga BE-ja dhe agjenci të tjera ndërkombëtare. Është një operacion që vërtet kushton shumë financiarisht, por na jep një bazë të dhënash deri tani të padisponueshme dhe të domosdoshme për të ecur përpara”, – ishte shprehur Pollo.

Sipas Komisionit Qendror për Regjistrimin e Popullsisë dhe Banesave, një nga synimet kryesore të regjistrimit të popullsisë, duke u bazuar në elementët e sipërpërmendur, është edhe krijimi i një realiteti demografik, ekonomik dhe social të saktë. Projekti për regjistrimin e popullsisë dhe banesave në bazë të përkatësisë etnike dhe fetare, financohet nga qeveria shqiptare si edhe nga disa donatorë të ndryshëm siç janë Komisioni Evropian nëpërmjet IPA, UNFPA, UNDP dhe Statistikat Suedeze etj, me buxhet afro 15 milion euro.

Nënkryetari i KLD

Rreth 4 mijë qytetarë kanë ndryshuar kombësinë

Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, i ka propozuar Drejtorisë së përgjithshme të gjendjes civile që të kryejë kontrollet e saj, pasi nga verifikimet në gjyqësor rezulton se ka shkelje të rënda. “Numri i qytetarëve që kanë ndryshuar kombësinë me procese gjyqësore është 3900, afër 4 mijë. Por nga informacionet që kemi nga gjyqësori kjo mund të jetë maja e ajsbergut pasi ndryshimet mund të jenë bërë në mënyrë administrative. Kërkojmë nga gjëndja civile që të bëjë verifikime”, deklaroi Spahiu dje.

Numri dy i KLD së deklaron se, duhet të përfitohet nga shtyrja e përkohshme e rregjistrimit të popullsisë. “Të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për kushtetueshmërinë e ligjit të gjendjes civile, të bëhën ndryshime në ligjin për regjistrimin e popullsisë dhe një verifikim i falsifikimeve dhe abuzimeve në regjistrat e gjendjes civile”, ka theksuar Spahiu.

Ilir Hysa

Ilir Hysa, 39 vjeç është diplomuar për Fizikë. Në vitin 2000 fillon studimet në Hunter College, Nju Jork për plotësimin e kritereve që më vonë do ta lejonin të pranohej si student në Programin MA (Master of Art) në Ekonomi. Titullin MA e merr në vitin 2003, me temën: “Emigracioni, Papunësia dhe rritja ekonomike e ish-vendeve komuniste, 1989-2001”. Në vitin 2004 fillon studimet për titullin “Doktor Filozofie në Shkencat e Ekonomisë”. Fiton të drejtën e titullit “Graduate Teaching Fellow” (GTF), duke mos u shkëputur nga Hunter College. Ka qenë lector për lëndë si: Bazat e Mikroekonomisë, Bazat e Makroekonomisë, Paraja, Bankat dhe Tregti Financiare, Teknikat e Analizës ekonomike, Mikroekonomi e ndërmjetme, Makroekonomi e ndërmjetme, Analiza Statistikore e të dhënave dhe Tregti Ndërkombëtare.
Nga viti 2004 punon edhe pedagog në Globe Institute of Technology. Është Kandidat për Ph.D. në Ekonomi City University of New York, Nju York dhe ishte Specialist Partneriteti në Departamentin e Tregtisë, Byroja e Censusit në SHBA.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu