Si mund të ulim nivelin e ankthit?

0
277

Problemet e ankthit çdo ditë e më shumë po vihen në fokus të studimeve dhe diskutimeve mes profesionistësh dhe personash të prekur me këtë çrregullim, më shumë për t’u përpjekur për të menagjuar problemet e tilla tek individët sesa ndoshta për t’i dhënë një shpjegim të plotë konceptit të ankthit.

Kjo për shkakun se nuk ekziston një përkufizim i plotë rreth ankthit, pos asaj që dihet se ankthi ka të bëjë me ndjenjën e frikës dhe ndjenjave jonormale për veten dhe të ardhmen, një ndjenjë që e përcjellë vazhdimisht individin dhe e kufizon atë në aktivitetet normale të jetës së përditshme,  pra dihet që ankthi përmban tri komponente, atë kognitive, fiziologjike dhe emocionale, ndërkohë që i pason sjellja e caktuar.

Për fat të mirë, sot ka mjaft mënyra efektive se si të menagjojmë ose ndihmojmë personat me ankth.

Puna e parë që duhet bërë është që të inkurajojmë personin me këtë çrregullim, të flasë dhe të shprehet për ndjejnjat e tij. Ndërkaq, duke pasur parasysh kohën dhe dinamikën në të cilën jetojmë, le të japim disa këshilla të vlefshme se si ta ulim nivelin e ankthit në periudhën në të cilën jetojmë:

Reduktoni sa më shumë rrjetet sociale

 Personat me ankth duhet sa më shumë t’i reduktojnë rrjetet sociale, pasi  rrjetet sociale mund ta përkeqësojnë gjendjen e ankthit. Largohuni sa më shumë nga rrjetet sociale sepse situatat e antkhit janë periudha të hipërndjeshmërisë, dhe në rrjetet sociale paraqiten gjëra që mund të mos na pelqejnë dhe na bëjnë të krahasojmë veten tonë me të tjerët dhe kjo na bën të ndihemi keq. Natyrisht që pjesa virtuale e përditshmërisë sonë është pjesë reale e jetës dhe punës sonë, por sa herë që është e mundur rekomandohet ta shmangim aktivizimin tonë në rrjete sociale.

Të dini të thoni JO

Personat që përjetojnë ankth duhet të mësohen të thonë JO, pasi ata e kanë të vështirë të thonë JO dhe përpiqen të jenë shumë të sjellshëm me të tjerët dhe duke mos mundur të thonë JO edhe në situatat kur atyre nuk u përshtatatet, i bën që të pranojnë gjëra që janë të dëmshme për ta. Pra, duhet të mësoheni të thoni jo, por jo edhe ndoshta, si ta zëmë me rastin e ftesës së dikujt për ndonjë kafe, sepse kjo ndoshta mbetet në mendjen tuaj dhe mund t’ju bëjë të ndjeheni fajtor nëse nuk realizioni premtimin që keni bërë me NDOSHTA.

Mbajeni telefonin në vibrim

Personat me ankth, sa herë u cingëron telefoni, krijon tek ta një lloj frike pasi personat që përballen me ankth vazhdimisht janë hipervigjilent dhe parashikojnë në mënyrë katastrofike dhe tejet negative të ardhmen, e për të shmangur këtë, rekomandohet që telefonat të lihen në vibrim, duke e reduktuar tej mase shqetësimin e personave të prekur nga ankthi.

Bëni sa më shumë ushtrime fizike

Për të ulur nivelin e ankthit, rekomandohet sa më shumë aktivitete fizike, qoftë fitnes, sport, vrapim apo aktivitet tjetër fizik, për të cilën  tashmë është e gjithëditur që aktivitetet fizike mundësojnë edhe një lloj shkarkimi të emocioneve negative që i karakterizon njerëzit që kanë ankth.

Mos u jepni hapësirë personave me qëndrime negative

Personat që kanë ankth, nuk duhet t’u japin hapësirë njerëzve që u helmojnë jetën, pasi njerëzit në jetën e përditshme ankohen, duke treguar për hallet dhe problemet e veta dhe kjo ndikon negativisht tek personat e prekur nga ankthi, prandaj rekomandohet që sa më shumë t’i shmangni takimet me njerëz të tillë.

Planifikoni jetën dhe mbajeni një listë me aktivitete

Duke planifikuar dhe duke mbajtur një listë me aktivitete, jeta e atyre që kanë ankth merr një strukturë dhe kjo i jep atyre ndjenjën e sigurisë dhe kontrollit mbi jetën e tyre pasi që ata vazhdimisht kanë ndjesinë se jeta u ka rrëshqitur nga duart.

 Orar të gjumit dhe të ushqimit

Rekomandohet që të ketë një rutinë edhe të orarit të gjumit edhe të ushqimit, sepse personat që kanë ankth hanë pa një orar apo edhe nuk hanë fare, por edhe kur hanë më shumë e bëjnë “sa për të kryer një punë” dhe si përpjekje për të ulur ankthin, duke shmangur vëmendjen në mënyrë të qëllimshme.

Të merreni me vetveten

 Merruni me veten tuaj, jepni kohë vetes posa të zgjoheni në mëngjes, në vend që të filloni menjëherë me aktivitet dhe punët që keni. Njerëzit që përballen me ankth zakonisht i bëjnë punët me nxitim dhe gjatë tërë kohës merren me shumë me të tjerët se sa me veten, dhe është shumë e shpeshtë që ata të provojnë të ndihmojnë njerëzit tjerë në përpjekje për të ulur ankthin e tyre, natyrisht kjo nuk bëhet në mënyrë të vetëdijshme.

Të mbani  ditar

Preferohet që personat me ankth të mbajnë shenime, përkatësisht të mbajnë një lloj ditari, pra t’i shkruani në mbrëmje aktivitet tuaja që keni bërë gjatë ditës, pasi evidentimi i këtyre aktivitete do të ndihmojë në uljen e ankthit. Kjo funksionin duke vënë në pah tek këta njerëz suksesin dhe të qënit të dobishëm, gjë që ata nuk e shohin fare nga emocionet tejet intenzive që ia jep ankthi.

Largimi nga kofeina, duhani dhe alkooli

Largimi nga kofeina, duhani dhe alkooli ndihmon në uljen e ankthit, prandaj rerkomandohet që personat me çrregullime të ankthit të shmangin sa të mundin përdorimin e këtyre substancave, edhe pse në shumë raste ata mendojnë që substanca të këtilla mund t’u ndihmojnë.

 Pranimi vetes ashtu siç jemi

Ta pranoni vetën ashtu siç jeni dhe të vlerësoni atë që keni, është një tjetër rekomandim për personat me ankth. Personat e tillë  shqetësohen për gjendjen e tyre dhe vazhdimisht përjetojnë një lloj faji për gjendjen e tyre, shqetësohen dhe kanë vazhdimisht pyetje për ankthin, se sa do të gjasë, a është i shërueshëm apo jo, etj, prandaj, pranimi i gjendjes së tyre do të ishte hapi i parë i nevojshëm drejt lehtësimit të ankthit dhe do të ndihmonte që të ulnin ndjenjën  e fajit që  kanë.

Të jeni falenderues dhe mirënjohës

Të jesh mirënojës dhe falenderues ndaj gjërave që ke, ndaj mundësive që të jepen dhe ndaj aftësive, ndihmon në uljen e ankthit, pasi që promovon vënien në pah të shumë gjërave pozitive që njerëzit kanë në jetën e tyre por që nuk i shohin për shkak të eklipsimit të tyre nga një gjendje ankthioze.

Të meditoni

Një lloj meditimi jo i thellë që njihet me termin Mindfulnes, rekomandohet për personat që kanë ankth. Ky lloj meditimi, mundëson që ata të jenë të vetëdijshëm për veten e tyre dhe ndjësitë që kanë në mënyrë vetëm observuese dhe tërësisht joparagjykuese, të jenë prezent në të tanishmën, pasi dihet se personat që përballen me një çrregullim ikin ose në të kaluarën e  cila mund të jetë e trishtueshme për ta ose në të ardhmen e cila është e panjohur dhe ju sjell edhe më shumë ankth. Ndërkaq ankorimi në të tashmën u ndihmon atyre në uljen e ankthit.

Shkruan: Latif Hoxha, Psikolog Klinik-Specialist

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu