Rëndësia historike dhe kombëtare e Luftës së Merdarit

0
126

Sipas shënimeve shqiptare, kur shqiptarët e kishin qitur bajrakun e bardhë në “shenjë dorëzimi”, Milani kishte nxituar që të përqafohet me shqiptarë në Merdar dhe pastaj e kishte në plan të sinjalizojë për t’i likuiduar. Por, oficerët shqiptarë duke i njohur dredhitë e tij, kësaj radhe nuk i kishin dhënë asnjë shans të mashtrojë dhe të moralizojë më. Në ato rrethana, duke u afruar Milani në përqafim me shqiptarët, ata e kishin bërë copë e grimë me kacaturra të pushkëve. Në ato momente kishin bërë hyxhym ushtarët e tij (Milanit), gjë që kishte pasuar pastaj likuidimi i tërë njësitit serb. Në rrethana të një lufte taktike, shqiptarët do ta bëjnë Regjimentin 2 serb në tërësi të paaftë për luftë të mëtejmë, sepse shumica e efektivave të tij do të likuidohen dhe do të paralizohen. Lidhur me këtë, pas kësaj beteje shqiptarët do të mbesin në epërsi strategjike dhe psikologjike. Por, komanda serbe që udhëhiqej prej oficerëve rusë, nuk kishte lejuar kurrfarë dekoncentrimi në thellësi të frontit. Komanda serbe e kishte pranuar humbjen, si të fatit ushtarak dhe menjëherë ishte koncentruar në formacion të ri. Lufta e Merdarit, në mbrëmje do të pushojë për pak kohë. Në fakt, Lufta e Merdarit u tregoi shqiptarëve se lufta është në të shumtën e rasteve dramë në TRI AKTE. Taktika pra i thyen të gjitha prangat, filozofia e mund çdo dhunë dhe mençuria e siguron vatanin e çdo fitoreje.

 

Taktikë luftarake e përpiluar mirë

Sipas të dhënave që janë siguruar prej atyre që kanë përjetuar atë betejë, shqiptarët e kishin përpunuar taktikën mjaft mirë prej oficerëve që kishin qenë në shërbim të Armatës së osmanlisë, me nga 20 vjet. Ata kishin planifikuar këtë taktikë.

Taktika 1. Ta lejojnë armikun të afrohet në vijën e frontit, sepse ka përparësi në topa.

Filozofia 2. Të nxitet Milani në përqafim me Nezir Xhakën, duke e qitur zëvendësi i Nezirit bajrakun e bardhë dhe

Mençuria 3. Me hyxhym të likuidohen të gjithë ata serbë që do të ngrihen për sulm në befasi.

Të përfundojmë. Viti 1912 në trojet shqiptare shënon ngjarje dramatike për fatin e kombit. Në Vilajetin e Kosovës, sipas argumenteve shënohen DY ETAPA historike. E para fillon me Kushtrim që lëshohet për Kryengritje ndaj okupimit Turk e që fillon, më 17 shkurt 1912 nga Kuvendi i Bradashit, të cilin e drejtonte Isa Boletini. Meqë në këtë kohë ishte dimër i madh, Kuvendi u mbajt, më 4 prill 1912 dhe pas tri ditësh filloi kryengritja në Kulinë. Etapa e dytë e luftës në këtë Vilajet fillon me Kuvendin e Popovës, më 9 tetor 1912 ku merret vendimi të fillohet me përgatitje për luftë mbrojtëse nga Serbia. Kjo etapë zgjatë deri në fillim të nëntorit.

Çështje tjetër me rëndësi të përmendet ishte se Sulltani, më 4 (9) tetor 1912 e shpalli mobilizimin. Për një kohë përkrahësit e sulltanit i themeluan 20 aradhe të nizamëve dhe 3 divizione të redifëve. Këto njësite i themeluan Xhafer Beu dhe Maxhar Beu me autorizime të sulltanit. Por, të gjitha këto forca ishin të vonuara, sepse më 8 tetor, Mali i Zi i shpall luftë Padishahut. Më 17 tetor, Stambollit i shpallin luftë Bullgaria dhe Greqia. Më 18 tetor në luftë hyn Serbia kundër shqiptarëve, sepse të gjitha repartet turke ishin kthyer në defansivë dhe arratisje kah jugu.

 

Shkrimet e korrespondentëve amerikanë

Për shqiptarë fillon një epokë problematike dhe plot pasiguri. Në lidhje me këtë shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor është shpëtim dhe shpresë për gjithë kombin.

Kush dëshiron ta njohë realitetin dhe pasojat e Luftës Ballkanike 1912, patjetër duhet t’u referohet shkrimeve të korrespodentëve evropianë e sidomos atyre amerikan. Ata në fillim ishin “pro serb”, por më pastaj e kuptuan realitetin që e shihnin me sy dhe filluan ta pasqyrojnë ashtu si ishte. “ Kosova, do të shkruajë Arqibad Rajs, është shndërruar në një kamp krematorium të paparë. Këtu njerëzit vriten vetëm pse nuk janë sllavë. Po, këtu vërehen kufomat e civilëve që me ditë të tëra qëndrojnë pranë rrugëve. Kudo vërehen kufoma të therura me bajoneta, nëpër fshatra dhe qytet. Për çdo ditë vërehen ushtarë zhelanë, duke plaçkitur bagëti e duke i drejtuar ato kah Serbia përtej Perpellacit. Po, kam parë ushtarë duke djegur shtëpia të cilat ishin të mbuluara me kashtë. Në të dy anët e rrugës nga Perpellaci e deri në Shkup asnjë shtëpi nuk ka mbetur e pa dëmtuar. Kudo ajri është i helmatisur–kundërmon nga kufomat që nuk ka kush t’i varrosë. Kam udhëtuar nga Prizreni për në Pejë. Atje është tmerr. Njerëzit e vrarë nëpër rrugë janë dukuri e rëndomtë. Shtëpitë prej guri kanë shpëtuar vetëm si gërmadha, sepse përbrenda çdo gjë është e grabitur dhe e djegur…” Shiko edhe Leo Fraindlling, ‘Golgota Shqiptare’, Vjenë 1913, në gjermanishte.

Më 1921 Arqibad Rajs do ta plasojë në CPB këtë shkrim: “…Kam ardhur në kufirin serbo-turk tre muaj para se të fillonte lufta ballkanike. Me ushtarët serbë jam shoqëruar gjatë gjithë kohës. Në fillim i kam admiruar, por më vonë ata morën urdhra të tjerë. Nuk ishte fjala te çlirimi. Ata nuk më kanë rrëfyer se do të bëjnë plojë mbi popullin. Dhe një gjë çuditem se si instruktorët ushtarakë evropianë ishin fare indiferentë ndaj krimeve që ngjanin në terren. Ata vetëm qeshnin kur i vërenin serbët, duke plaçkitur në qytete dhe lokalitete fshatare. Lufta Ballkanike dhe Lufta e Parë Botërore kanë qenë koloniale. Por, në esencë ka pas dallime të mëdha. Përderisa në Luftën Ballkanike vriteshin civilët shqiptarë, dikur të ishin egërsira në Luftën Botërore aleatët austriakë-gjermanë nuk kam parë ta kenë vrarë dikë pa armë në dorë. Dallimet, pra janë të mëdha”.

 

Krahina e Llapit kurrë nuk ka pasur banorë serbë

Lufta e Merdarit, në tetor të vitit 1912, do t` i tregojë politikës evropiane se deri ku shtrihen kufijtë e Shqipërisë veriore. Lufta e Merdarit dëshmoi se përkrahja që i bënin disa politikanë naivë politikës xhonturke ishte iluzion të mos themi më shumë se tradhtare. (Lexo : Hasan Prishtina, Një shkurtim kujtimesh për Kryengritjen shqiptare). Lufta e Merdarit i dëshmoi botës evropiane që vendoste për fatin e popujve të vegjël se lufta e Serbisë në Jug të Merdarit është luftë imperialiste (okupuese) dhe se ajo luftë është në të vërtetë një kryqëzatë që ka për qëllim shfarosjen e kombit shqiptar ashtu si ishte vepruar me popullsinë shqiptare në Sanxhakun e Nishit, më 1878.

Lufta e Merdarit përmes korrespodentëve të shumtë të luftës dëshmoi para botës se në Krahinën e Llapit nuk ka jetuar kurrë asnjë familje serbe. Këto informata ia prezantojnë opinionit evropian Arqibad Rajs, korrespodent i Luftës Ballkanike për tri gazeta Zvicerane, si dhe Anri Barbys, korrespodent i dy gazetave franceze. Jo vetëm këta gazetarë, por edhe oficerët mercenar francez, rus , zviceran dhe anglezë shkruajnë në ditarët e tyre, se në Krahinën e Llapit, Permalinës dhe Drenicës nuk gjendet asnjë shtëpi serbe. Ndërsa në Rrafshin e Kosovës afër Graçanicës janë 11 shtëpi serbe që quhen rajë. Se populli në përgjithësi në Vilajetin e Kosovës nuk e njeh serbishten. Ndërsa, Nikola Pashiqi në këtë kohë dërgonte telegrame të rrejshme nga Nishi (kinse nga Peja, Gjakova dhe Prizreni) në Londër se ajo “popullsi gjithandej flet serbisht dhe e ndien veten serbe”!!! Këto gënjeshtra Fuqitë e mëdha në Konferencën e Londrës i dinin, por atyre u besuan se kishin programuar për ta shfarosë popullin shqiptar me një prapavijë se po i largojmë osmanlinjtë nga Evropa.

Lufta e Merdarit i tregoi Evropës së shqiptarët janë venë në istikame në kufirin verilindor të Kosovës në NJË FRONT prej 40 kilometrash. Se ata do të qëndrojnë në istikame deri sa të kanë municion. Por, me që armatimi i tyre dihet kanë armë të lehta dhe pak municion, ata në kohë më të gjatë do ta humbin luftën, por jo nderin dhe vendosmërinë që të luftojnë edhe më tej në çeta të vogla, por efektive. Për ndryshe në pjesët tjera të tokës shqiptare, ushtria serbe vetëm ka marshuar. E vërteta disa politikanë shqiptarë i shoqëruan serbët deri në Elbasan, e pastaj shkuan në Vlorë, pas shpalljes së pavarësisë.

FUND

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu