Revolucioni gjerman, çfar parapriu deri tek rënia e Murit

0
214

Checkpoint Charlie

Ishte një moment madhështor i historisë së Gjermanisë: një formulim i gabuar i anëtarit të byrosë politike të SED-it Schabowski më 9 nëntor 1989 vë në lëvizje masat dhe brenda disa ditësh rrëzimin e një shteti

Se sa shpejt mund të zhvillohet historia e përjetojnë miliona spektatorë vetëm pak ditë pas rënies së Murit. Erich Mielke, shef i Stasti dhe simbol i komunimizmit kokëfortë të qeverisë së Berlinit Lindor, pothuajse lutet për mirëkuptim para deputetëve të Kuvendit Popullor. Ai i do të gjithë njerëzit, u thërret ai shokëve. Por disa refuzojnë që ai t‘i quajë ashtu. Burri i fuqishëm i RDGJ shpotitet, autoriteti i pushtetmbajtësit në vjetshën 1989 ka përfunduar. Revolucioni kishte nisur udhëtimin vetëm muaj më parë me pikat e para kulmore jashtë RDGJ.

Historia që parapriu – Hungaria

Në 2 maj 1989 ushtarët hungarezë fillojnë të prishin në shumë vende gardhin kufitar mes Hungarisë dhe Austrisë. Janë vrimat e para mes Evropës Lindore dhe Perëndimore përgjatë linjës kufitare ideologjike pas fundit të Luftës së Dytë Botërore, një inskenim i vetëdijshëm i qeverisë hungareze. Qindra mijëra qytetarë të RDGJ kalojnë çdo vit pushimet në Hungari. Këtë verë për herë të parë krijohet një e çarë në perden e hekurt. Pak ditë më vonë, në 7 maj, qytetarët e RDGJ zgjedhin parlamentet e tyre komunale. Rezultatet dihen pasi janë të manipuluara. Përsëri pushtetmbajtësit duan të marrin 98 për qind të votave. Por këtë herë opozita mbrohet. Një ditë më vonë demonstruesit dalin në rrugët e Leipzig. Në këtë sfond takohen në korrik shtetet e Paktit të Varshavës në Bukuresht. Atje Mihail Gorbaçovi njofton përfundimin e së ashtuquajturës doktrinë të Brezhnjevit. Kështu del jashtë fuqie e drejta e ndërhyrjes e Bashkimit Sovjetik në vendet socialiste vëllezër. Këtej e tutje aleatët e Moskës duhet të gjejnë vetë zgjidhje për problemet e tyre kombëtare. Një thyerje tabuje. Dhe ndryshimet në skenën e madhe politike dëgjohen dhe kuptohen nga njerëzit. Pushimi tradicional i verës në Hungari do të bëhet këtë vit – 1989 – për mijëra qytetarë të RDGJ pika e kthesës në jetën e tyre. Fjala për gardhin me të çara përgjatë kufirit Austriak është përhapur mes Dresdenit dhe Usedomit. Me valixhe dhe fëmijë, familje të tëra kalojnë duke ecur mbi linjën e gjelbër drejt lirisë. Ushtarët e kufirit kthejnë kokën në anën tjetër.

Pika kulmore emocionale para rënies së Murit – Praga

Tek qytetarët e RDGJ është i preferuar edhe largimi indirekt që bëhet përmes ambasadave të Republikës Federale në Hungari, Poloni dhe Çekosllovaki. Edhe në përfaqësinë e përhershme të Bonit në Berlinin lindor, qytetarë të RDGJ kërkojnë mbrojtje dhe duan të dërgohen në Gjermaninë Perëndimore. Shpejt ndërtesat tejmbushen, kushtet higjenike janë të patolerueshme. Në Pragë në pikën kulmore të valës së eksodit, në kopshtin e Pallatit Loskovitz ishin mbledhur rreth 5000 njerëz që donin të largoheshin në Perëndim. Në Pragë në fund të shtatorit ndodh showdown: më pas Hans-Dietrich Genscher do ta vlerësontë atë moment ngjarjen më të rëndësishme të jetës së tij.

Ministri i Jashtëm gjerman njofton në 30 shtator nga ballkoni i ndërtesës së ambasadës para mijëra qytetarëve të RDGJ se do ata do të largohen menjëherë në Perëndim. Ai nuk arrin ta përfundojë fjalinë pasi ndërpritet nga brohorimat e njerëzve. Ishte momenti kulmor emocional para rënies së vërtetë të Murit. Në vitin e 40-të të ekzistencës së RDGJ populli merr guximin të kundërshtojë. Leipzig bëhet qyteti i protestës së Republikës: të ashtuquajturat demonstrime të së hënës kthehen në ritual të opozitës dhe i mësojnë frikën pushtetmbajtësve në Berlinin Lindor.

Në fund të shtatorit 8000 vetë dalin në rrugë, në mes të shtatorit janë tashmë 70.000 njerëz, në fund të muajit protestojnë 300.000 vetë kundër Honecker & Co. Sllogani i tyre është: „Ne jemi populli!“ Në fillim të tetorit ambasada e Pragës është sërish e tejmbushur. Edhe në përfaqësinë e Republikës Federale në Varshavë hyjnë gjermanolindorë që duan të largohen në Perëndim. Eshtë koha e diplomacisë hektike të heshtur mes Bonit dhe Berlinit Lindor. Në fund nga ambasadat largohen në drejtim të Gjermanisë Perëndimore më shumë se 6000 qytetarë të RDGJ.

RDGJ mbush 40 vjet dhe askush nuk feston

Erozioni i brendshëm i RDGJ shtohet në mënyrë masive në ditët rreth përvjetorit të 40 të themelimit të saj në 7 tetor. Nëse në fillim të protestave kërkoheshin ende reforma nga lëvizje të ndryshme opozitare, në tetor objektivat janë shumë më ambiciozë: zgjedhje të lira, hapje e kufijve, mirëqënie. Por Erich Honecker mbetet kokëfortë. Mihail Gorbaçov përkundrazi i kupton sinjalet e kohës. Honecker, kryetar i shtetit dhe partisë, tregohet deri në fundin e tij politik pa mirëkuptim. Kthesa politike atij i kalon mënjanë pa i vënë vesh.

Në 18 tetor Honeckeri deri atëherë i pakontestuar braktiset nga partia dhe këshilli shtetëror. Në vend të tij vjen Egon Krenz. Ai përpiqet të mbajë gjallë RDGJ me premtime për reforma. Më kot, aparati i vjetër i pushtetit nuk funksionon më. Në fillom të nëntorit, lëvizja e protestës arrin kryeqytetin e shtetit të punëtorëve dhe fshatarëve. Disa qindra mjëra vetë demonstrojnë për reforma dhe kundër qeverisë.

Motoja e tyre: jo dhunë! Ajo është dhe mbetet demonstrata më e madhe në historinë e RDGJ. Demonstrimi në Alexanderplatz transmetohet drejtpërdrejt në televizion. Një sensacion që parathotë pamundësinë për të vepruar të qeverisë së Krenz. Kërkesat e opozitës shkojnë deri në thelb të vetëkuptueshmërinë socialiste: kërkohen liri udhëtimi, shtypi dhe tubimi. Dhe sulmet e Stasit duhet të ndëshkohen.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu