Rexhep Qosja: Berisha i lë kosovarët jashtë Shqipërisë etnike

0
92

“Shakaja e tij më e madhe”. Kështu e konsideron akademiku Rexhep Qosja deklaratën e kryeministrit Berisha për Shqipërinë etnike nga Preveza në Preshevë. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ai vlerëson festimet e Pavarësisë në Vlorë, ndërsa shigjeton kryeparlamentaren Topalli dhe shefin e ekzekutivit kur thotë se “aty ku janë kryeministri i sotëm i Shqipërisë, Sali Berisha, dhe kryetarja e sotme e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, aty gjithnjë do të ketë ndarje mes politikanëve shqiptarë”. Përpos kësaj, akademiku i mirënjohur, teksa flet për protokollin e shtetit dhe zbatimin e tij nga kryeministri, presidenti e kryeparlamentarja, vëren se nëse shihet “se kë ftuan në darka e në dreka, në përkujtime e në përurime, në çmime e në dekorime e do të shihni se ç’rol katastrofal të madh kanë shpërfytyrimi, tejçmimi a nënçmimi, mosdurimi a urrejtja njëpartiake në qëndrimin e tyre ndaj personazheve të protokollit shtetëror”. Për profesorin, mendja partiake, në të vërtetë njëpartiake, ishte mendja që e përcaktoi në pjesën më të madhe të rasteve sjelljen e tyre ndaj protokollit të shtetit. “Thash mendja partiake, në të vërtetë njëpartiake, e do të mund të thosha mendja, ‘berishiane!”, thekson Qosja. Si akademik, dhe emër i ndritur i letrave e shkencës, profesori, nuk lë jashtë vëmendjes as përplasjen mes Akademisë së Shkencave dhe Qendrës së Studimeve Albanologjike, në rastin e konferencave për Pavarësinë. Sipas tij, janë sërish dasitë politike që triumfojnë. Akademiku i mirënjohur Rexhep Qosja i thotë të gjitha në këtë intervistë duke folur me zemër se sa real është bashkimi i Shqipërive…
Profesor, pas shumë vitesh mungese erdhët në Shqipëri. Ishte festa e 100 – vjetorit që ju bindi?
Udhëtoj shumë rrallë. Nuk i dua udhëtimet. Ndodh që gjatë një viti vetëm njëherë, gjatë verës, të dal prej Prishtinës. Në Shqipëri nuk isha mbi tetë vjet edhe për disa arsye politike; dhe prodhues i këtyre arsyeve politike për mua ishte regjimi i Sali Berishës. Njëqindvjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë bëri që t’i “harroj” ato arsye politike, që më pengonin të vi sa dëshiroja të vi në Shqipëri. Megjithatë unë me mendje e me zemër gjithë kohën isha në Shqipëri. Televizionet shqiptare, në mënyrë të veçantë televizionin Top Channel, si televizioni pa dyshim më i mirë shqiptar dhe mund të jetë njëri prej më të mirëve në rajon, televizionin Top News, televizionin News 24 dhe disa televizione të tjera i shikoj gati rregullisht. I lexoj edhe gazetat e Tiranës, që më vijnë kohë pas kohe në Prishtinë. Edhe kur nuk vij në Shqipëri, për Shqipërinë di sa për Kosovën ku jetoj.
Në këndvështrimin tuaj a qenë të mirorganizuara festimet?
Për festimet e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë unë isha vetëm në Vlorë, kurse festimet në Tiranë i kam shikuar në televizione, më së shumti në Top Chanel. Kremtimet, përkujtimet, përurimet e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, që ishin me të vërtetë të shumëllojshme në Vlorë, ishin për mrekulli të organizuara. Njëqindvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, sipas mendimit tim, Vlora e shënoi me dinjitetin më të lartë: me dinjitetin më të lartë që treguan institucionet bashkiake të Vlorës, që treguan vlonjatët dhe që treguan gjithë shqiptarët prej ngado kishin ardhur në Vlorë. Më 27, 28 e 29 nëntor, babanë e Shqipërisë, Ismail Qemalin, Kuvendin e 28 nëntorit 1912, firmëtarët e aktit të Pavarësisë, Vlora i vuri në vendin më të lartë të historisë kombëtare shqiptare. I vuri në më të lartin vend të historisë kombëtare dhe diti si t’i vinte. Nuk mund të mos e theksoj rolin që në gjithë këto festime, përkujtime dhe përurime në Vlorë pati kryetari i Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika. Dhuntia e tij prej organizuesi të jashtëzakonshëm, dhuntia e tij prej gojëtari të jashtëzakonshëm, bujaria dhe mikpritja e tij u shquan kudo në kremtime, në përurime dhe në përkujtime. Aty ku ishte ai me bashkëpunëtorët e tij aty nuk mund të ndodhnin lëshime e gabime, nuk mund të cenohej dinjiteti i Ditës më të Madhe në gjithë historinë shqiptare – i 28 nëntorit 1912.
Ka pasur një ndarje Vlorë – Tiranë mes politikanëve. Si e keni pritur ju këtë?
Aty ku janë kryeministri i sotëm i Shqipërisë, Sali Berisha, dhe kryetarja e sotme e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, aty gjithnjë do të ketë ndarje midis politikanëve shqiptarë. Nuk isha në manifestimin që në Vlorë organizoi kryetari i Shqipërisë, Bujar Nishani, as në darkën që në Vlorë shtroi kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, por dëgjova dhe mësova nga mediat se në to kishte pasur ndarje Vlorë-Tiranë. Kam qenë dhe jam e do të jem kundër ndarjeve të tilla, pra, të tilla, në politikën shqiptare qoftë në Shqipërinë shtetërore, qoftë në Kosovë. Jam i vetëdijshëm për dëmin që i kanë sjellë, po i sjellin dhe do t’i sjellin popullit shqiptar ato. Jam i bindur se ndarjet e tilla, në thelbin e vet patriarkal, në të vërtetë primitive, do të tejkalohen atë ditë kur prej politikës shqiptare të “sikteriset” garnitura berishiane e politikanëve.
Çfarë mendoni për zbatimin e protokollit të shtetit nga ana e presidentit Bujar Nishani në këto festime?
Kryetarin e tanishëm të Shqipërisë, Bujar Nishani, e kam perceptuar përpara, kur ishte ministër i rendit publik a i çkajes ishte dhe e perceptoj edhe tani kur është kryetar, si njeri politik paqësor, sado s’e përjashtoj mundësinë që ta kem gabim. Por, në vendin e kryetarit të Shqipërisë ai nuk është përzgjedhur prej Sali Berishës për shkak të virtytit të tij të përmendur, por për shkak të një cilësie tjetër jo të dëshiruar për një kryetar shteti: është përzgjedhur prej tij, pra, prej Sali Berishës për shkak të prirjes që të jetë i nënshtruar ndaj kryetari të Partisë në të cilën bënte pjesë dhe, besoj, do të bëjë pjesë prapë mbasi t’i kalojë a t’i ndërpritet mandati i kryetarit të shtetit. Prej se u bë kryetar i Shqipërisë, Bujar Nishani disa herë e dëshmoi qartë, plotësisht, poltronizimin e tij ndaj kryeministrit Sali Berisha. Këtë e tregoi, qartë, edhe në zbatimin e protokollit të shtetit gjatë festimeve shtetërore të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë!
Po aq qartë sa kryetari i shtetit, protokollin e shtetit e shkeli edhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli. Mendja partiake, në të vërtetë njëpartiake, ishte mendja që e përcaktoi në pjesën më të madhe të rasteve sjelljen e tyre ndaj protokollit të shtetit. Thashë mendja partiake, në të vërtetë njëpartiake, e do të mund të thosha mendja, “berishiane! Mendoni se kë krejt ftuan në darka e në dreka, në përkujtime e në përurime, në çmime e në dekorime e do të shihni se ç’rol katastrofal të madh kanë shpërfytyrimi, tejçmimi a nënçmimi, mosdurimi a urrejtja njëpartiake në qëndrimin e tyre ndaj personazheve të protokollit shtetëror. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, madje, edhe një numër të të vdekurve i “shpërbleu” a “çshpërbleu” duke pasur parasysh partishmërinë e tyre të kohës së Luftës së Dytë Botërore, të kohës së komunizmit dhe të kohës së tanishme paskomuniste! Po, i tillë shpesh është protokolli i kryetares së sotme të Kuvendit të Shqipërisë: protokoll herë i bërë në zyra staliniste e herë i bërë në zyra musoliniste.
Në përgjithësi shikuar dy institucione pothuajse dështuan në shënimin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë: institucioni i kryetarit të shtetit, i cili do të duhej të kishte krijuar organin qendror të kremtimit prej të cilit do të varej plotësisht pjesa zyrtareve e festimeve dhe institucioni i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Kryetari i opozitës, Edi Rama, e akuzoi publikisht presidentin se nuk është mbi palët…
E akuzoi me të drejtë. E thashë më sipër, ndërkaq, se kryetari Bujar Nishani nuk është përzgjedhur prej kryeministrit Sali Berisha për të qenë mbi palët. Jo. Ai është përzgjedhur prej tij për të qenë kudo e kurdo vetëm i njërës palë. Dhe, këtë rreshtim të tij të njëpalshëm ai po e dëshmon pangurrueshëm dhe, si duket, pa brejtje të ndërgjegjes. A do t’i tejmbushet kupa dhe a do të bëjë kthesë një ditë siç bëri ish-kryetari Bamir Topi ndaj përzgjedhësit Sali Berisha nuk mund të dihet. Ish-kryetari Bamir Topi ka rezerva të integritetit intelektual dhe politik që tani për tani nuk duket se ka kryetari i tanishëm Bujar Nishani. Mjerisht.
Pse mendoni se nuk u dëgjuan sa duhet e si duhet Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Kosovës në kremtimin e 100 – vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë?
Sipas të gjitha gjasave Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ia zuri frymën përkushtimi, të mos them poltronizmi, politik dhe intelektual i kryetarit të saj ndaj qeverisë, në mënyrë të veçantë ndaj kryeministrit. E shikuat si përfundoi e ashtuquajtura Konferencë solemne shkencore kushtuar 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë? Mjerueshëm! Sa dëgjova në media: përfundoi me 11 kumtesa! Për më keq, në të njëjtën ditë kur u mbajt kjo Konferencë, e quajtur solemne, e Akademisë, u mbajt edhe një Konferencë shkencore tjetër – konferenca shkencore e organizuar nga Qendra Albanologjike, që i kushtohej po ashtu 100-vjetorit të pavarësisë. Kryeministri e tradhtoi dhe e ofendoi Akademinë! Po, e tillë është ontologjia e tij politike!
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, ndërkaq, nuk ka dhe nuk do të ketë edhe një kohë, së paku edhe katër-pesë vjet, fuqi intelektuale për shënimin e dinjitetshëm të asnjë përvjetori të rëndësishëm të historisë shqiptare. Në të tani e njëzet vjet vazhdon të sundojë një Klan i mëhallës dhe i një partie, e i cili çdo anëtar të pranuar në Akademi e vlerëson me kriterin përkatës: me kriterin e mëhallës dhe të Partisë – të Lidhjes së quajtur Lidhja Demokratike e Kosovës, në të vërtetë ish-Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë në Kosovë!
Keni shkruar për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, a është e mundshme kjo dhe a do ta lejonte faktori ndërkombëtar një gjë të tillë?
Siç kam folur dhe siç kam shkruar dikur se është dëshirë e popullit shqiptar dhe logjikë e historisë që Kosova të çlirohet prej pushtimit serb dhe jugosllav ashtu po shkruaj edhe sot se Shqipëria shtetërore dhe Kosova do të bashkohen. Nuk mund ta di as atë ditë, as atë vit, sepse nuk jam profet, por mendja ime historike e thotë se kjo pashmangshëm do të ndodhë. Dhe, është në interesin jetësor dhe historik të shqiptarëve që ky bashkim të bëhet dhe është më e lehtë, më e pranueshme edhe për fqinjët ballkanikë, përpos për serbët, që kjo të ndodhë dhe, të ndodhë, madje, sa më parë. Është gjithnjë e më i dukshëm numri i intelektualëve, madje, edhe i disa ish-diplomatëve në botë që thonë se Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen. Më në fund, Shqipëria dhe Kosova janë shtete të pavarura dhe, si shtete të pavarura e të mëvetësishme, e kanë të drejtën të vendosin vetë në referendum për bashkimin e tyre. Faktorët ndërkombëtarë mund të jenë kundër, por nuk mund ta ndalojnë atë referendum. Po, sipas të gjitha gjasave, nuk janë vetëm Kosova e Shqipëria që do të bashkohen: janë edhe disa popuj në Evropë që do të pavarësohen. Kufijtë në Evropë, e thonë disa studiues të çështjeve gjeostrategjike, janë të pandryshueshëm derisa të mos ndryshohen. Dhe, kjo është një e vërtetë e dëshmuar shumë e shumë herë gjatë historisë.
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka folur për Shqipërinë etnike nga Preveza në Preshevë. Deklarata e tij erdhi para festimeve dhe irritoi Athinën zyrtare. Pse tani kjo deklaratë?
E di një gjë sigurt: fjalimet në përgjithësi, kurse fjalimet patriotike në veçanti, të ish kryetarit të dikurshëm dhe të kryeministrit të tanishëm të Shqipërisë, Sali Berisha, një ditë do të studiohen me të njëjtin seriozitet shkencor me të cilin studiohen komeditë e Molierit, të Gogolit dhe të Kristo Floqit tonë. Nuk ka shumë kohë që ky njeri i sulmonte gojavetë dhe me njerëzit e kabinetit të tij të gjithë ata intelektualë që flisnin për pavarësinë e Kosovës, dhe të gjithë ata që flisnin për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë e lëre më për ata që flisnin për Çamërinë si tokë shqiptare. Tani ky njeri nga pozita e kryeministrit shqiptar, që ka në dorë qeverinë shqiptare, që ka në dorë diplomacinë shqiptare, që ka në dorë policinë shqiptare, që ka në dorë edhe ushtrinë shqiptare flet për Shqipërinë etnike që do të shtrihet prej Preveze e deri në Preshevë dhe prej Shkupit e deri në Podgoricë. Mbetet të presim kur do të urdhërojë që qeveria e tij, diplomacia e tij, policia e tij dhe ushtria e tij të vihen në gjendje gatishmërie për ta realizuar planin e tij të Shqipërisë etnike prej Preveze e deri në Preshevë dhe prej Shkupit e deri në Podgoricë! Lexojini kujdesshëm deklaratat “superpatriotike”, në të vërtetë kiç patriotike, të këtij njeriu politik! Jashtë Shqipërisë së tij etnike që do të shtrihej prej Preveze e deri në Preshevë e prej Shkupit e deri në Podgoricë, përpos të tjerash, ai lë Kosovën! Pse? Pse i dëshpëron aq shumë ky njeri politik shqiptarët e Kosovës që për babanë e Shqipërisë, Ismail Qemalin dhe për firmëtarët e tjerë të aktit të Pavarësisë ishte zemra e Shqipërisë “më vehte, të lirë dhe të mosvarme”. Ju jeni gazetare dhe keni të drejtë të kërkoni prej tij që të përgjigjet në këtë pyetje. Është e vërtetë se kryeministri i Shqipërisë rren shumë, gjithnjë shumë, por kësaj here ndoshta do t’ua thotë një pjesë të së vërtetës pse po i dëshpëron aq shumë shqiptarët e Kosovës që i lë jashtë Shqipërisë së tij etnike që do të shtrihej prej Preveze e deri në Preshevë dhe prej Shkupit e deri në Podgoricë e për të cilën do të luftojë me politikën, diplomacinë, policinë, ushtrinë dhe ekonominë e tij, që thonë ai me kryetaren e Kuvendit, po rritet me përqindje më të larta se ekonomia gjermane, franceze dhe angleze!
Shakaja e tij më e madhe!

 

(Vijon nesër)

Nga Fatmira Nikolli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu