Rexhep Qosja: Nuk respektohet kryeministri, që iu thotë zyrtareve lavire

0
393

(Vijon nga numri i djeshëm)

Nënshtetësia për gjithë shqiptarët, nxit spastrimin etnik”. Deklarata vjen nga akademiku i mirënjohur Rexhep Qosja, në vjen në pjesën e dytë të intervistës dhënë për “Gazeta Shqiptare”. Në një analizë që profesori i bën situatës aktuale politike shqiptare dhe deklaratave të fundme me sfond patriotik, ai vëren se politika jo vetëm e muajve të fundit e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, i ka sjellë dhe vazhdon t’i sjellë dëme të mëdha Shqipërisë dhe prestigjit të saj politik, shtetëror dhe shoqëror në Evropë dhe në botë. Nga ana tjetër, Akademiku e kritikon ashpër kryeministrin shqiptar sa i takon gjuhës politike që përdor, duke lënë të kuptohet se nuk meriton respekt ai që i quan motrat e gratë e deputetëve kurva, apo ai që i quan zyrtare të larta me dinjitet të dalluar, kombëtarisht të nderuar, lavire të bulevardeve. Pse asnjë shtet nuk e respektoi Berishën në 100-vjetorin e Pavarësisë? Pse nuk kanë rëndësi qëndrimet e Greqisë e Maqedonisë? Si do të ndikojë ligji për nënshtetësinë shqiptare dhe si do të përdoret ai në zgjedhjet e 2013-ës? Ku kanë gabuar kryeministri e kryeparlamentarja në gjuhën politike? Akademiku Rexhep Qosja analizon situatën aktuale duke rrëfyer pse e ‘mbron’ Enver Hoxhën dhe kush është diktatori…
Incidenti i fundit me kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski çoi në mungesën e presidentit Gjorgj Ivanov në festime. Ndërkohë deklarata e Berishës bëri që të anulohej vizita e ministrit të Jashtëm grek, Dimitris Avramopoulos. Këto reagime të dy vendeve fqinje, a do të ndikojnë sipas jush në vendimin për statusin që Shqipëria pret nga BE-ja?
Nuk mund të them se këto reagime të dy vendeve fqinje do të ndikojnë në vendimin e Bashkimit Evropian për statusin e Shqipërisë. Ato janë dy vende, vetëm dy vende, që nuk mund ta përcaktojnë politikën e BE-së ndaj ndonjë vendi tjetër, kurse Maqedonia edhe më hiç se Greqia. Por, politika jo vetëm e muajve të fundit e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, i ka sjellë dhe vazhdon t’i sjellë dëme të mëdha Shqipërisë dhe prestigjit të saj politik, shtetëror dhe shoqëror në Evropë dhe në botë. Besoj se shumë shqiptarëve do t’u ketë rënë në sy, por nuk ua qet goja fjalën, siç nuk po ma qet as mua lehtë, se në shënimin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, Shqipëria nuk u denjësua as përafërsisht sa do të duhej e sa pritej prej shteteve të Evropës a të ndonjë kontinenti tjetër. Përpos dy-tre kryetarëve e kryeministrave të dy-tri vendeve të vogla ballkanike në këtë 100 vjetor më të rëndësishëm për qenien e popullit e të shtetit shqiptar nuk erdhi kush tjetër!

Po të flasim hapur, njëri-tjetrit do t’i themi: na shpërfillën! Si të mos na shpërfillnin?

Cili shtet serioz në këtë botë do të nderojë shtetin kryeministri i të cilit nuk flet, nuk diskuton, nuk mban fjalime parlamentare a qeveritare, por ulurin, duke shkelë Kushtetutë e ligje, duke mos pranuar pavarësi të institucioneve të pavarura në demokraci, duke i quajtur motrat e gratë e deputetëve kurva, duke quajtur zyrtare të larta me dinjitet të dalluar, kombëtarisht të nderuar, lavire të bulevardeve, duke falsifikuar statistika e të dhëna që japin institucionet ndërkombëtare për Shqipërinë, duke shpallur kuislingët, bashkëpunëtorët e fashizmit dhe të nazizmit, figura të mëdha kombëtare? Asnjë shtet. Cili shtet serioz në këtë botë do të nderojë shtetin kryetarja e Kuvendit të të cilit fton rojat e Kuvendit që ta nxjerrin përjashta deputetin “leckë”, që ka zgjedhur populli që ta përfaqësojë në atë Kuvend, vetëm pse nuk pajtohet me disa sjellje të saj? Asnjë shtet. Cili shtet do të nderojë shtetin kryeministri i të cilit dhe kryetarja e Kuvendit të të cilit i hedhin në plehurina monumentet e dëshmorëve që kanë dhënë jetën në luftë kundër fashizmit e nazizmit dhe u ngrenë përmendore e muze tradhtarëve të Kombit, bashkëpunëtorëve të fashizmit e të nazizmit? Asnjë shtet.
Kjo situatë sa do të ndikojë në jetën e shqiptarëve që jetojnë në Greqi dhe në Maqedoni?
Sa do të ndikojë nuk mund ta di, por se do të ndikojë është e padyshimtë. Dhe, ky ndikim mund të sendërtohet në mënyra të ndryshme, me mjete të dukshme dhe të padukshme.
Politikës shqiptare duket se i janë zgjuar gjenet e patriotizmit, çka po konsiderohet edhe një lloj fushate politike për 2013-ën. Ju si e shihni këtë?
Nuk mund të thuhet se në këtë rast kemi të bëjmë me atdhetarizëm po me popullizëm! Atdhetarizmi gjithmonë është përkushtim pas të cilit qëndrojnë veprime, sakrifica, të bëra, vepra konkrete. Retorika populliste, si as retorika e kafeneve, nuk janë atdhetarizëm. Kemi të bëjmë me të njëjtit njerëz të cilët deri dje flisnin ndryshe: flisnin mondializueshëm, internacionalizueshëm, flisnin shumë zjarrtë kundër “Shqipërisë së Madhe”, kundër pajtimit kombëtar, kurse tani përnjëherë flasin “patriotizueshëm”. Jo, këtu nuk kemi të bëjmë me atdhetarizëm: këtu kemi të bëjmë me të ashtuquajturin kiç patriotizëm, i cili, si çdo kiç, po përdoret për sendërtim të disa leverdive të çastshme, në këtë mes politike elektorale. Prodhuesit e këtij kiçi patriotik e dinë mirë se kiçi është karrem që pëlqehet prej shumë njerëzve, në të cilin ngjiten shumë njerëz, prandaj edhe po ua qesin përpara me bollëk, por me aspak mendje të vërtetë larghedhëse politike. Me këtë kiç patriotik Sali Berisha me disa pulenë të tij, po përpiqet t’ia marrë përmbajtjen atdhetare Aleancës Kuqezi e cila, ç’është e vërteta, e riktheu idenë kombëtare në politikën partiake në Shqipëri, dhe të mashtrojë kënd mund të mashtrojë në këta muajt para zgjedhjeve të qershorit 2013? Besoj se ky kiç patriotik i Sali Berishës do të zgjasë deri në çastin kur ndonjëri nga përfaqësuesit politik a diplomatik evropian a amerikan ta kapë për veshi dhe t’i thotë ule pak atë ulërimë “patriotike”! Pasi të kapet për veshi a për hunde ai do ta kyçë kiç gojën e tij patriotike për kohë më të gjatë. Mësimet që vijnë prej sovranëve të jashtëm të Shqipërisë, Sali Berisha i dëgjon kujdesshëm dhe i mëson mirë sado kohë pas kohe i harron shumë pendueshëm! Në të vërtetë, si po marr vesh, ai tashmë hoqi dorë prej Shqipërisë etnike e iu kthye prapë politikës bashkim-vëllazëruese ballkanike. Asgjë e çuditshme! Jetëshkrimin politik të Sali Berishës e karakterizojnë akrobacitë theqafëse patriotike e kundërpatriotike, demokratike e staliniste, nacional-çlirimtare komuniste e pushtuese fashiste, zogiste e antizogiste! E të tjera të ngjashme. Ai do të thotë ulurishëm e do të bëjë gjithëfuqishëm krejt çka ia merr mendja se i shërben regjimit të tij në një çast dhe do të heqë dorë prej asaj të thënme dhe prej asaj të bëre posa të shohë apo t’i thuhet prej sovranëve të jashtëm se ato në vend të dobisë i sjellin dëm. Pse akrobacitë e tilla retorike dhe vepruese në gjuhën serioze e të dinjitetshme shtetërore quhen shfytyrime politike, që fyejnë shtetin, Sali Berisha s’mërzitet aspak! Por a duhet të mërzitet populli – sovrani i shtetit e kjo është çështje tjetër.
Deklarata juaj sa i takon figurës së Enver Hoxhës është ripërsëritur nga kreu i LSI-së, Ilir Meta, i cili ka kërkuar rishikimin e figurës së tij, meqenëse është riparë ajo e Ahmet Zogut…
Kjo kërkesë e Ilir Metës është e arsyeshme. Sipas mendimeve të mia, historia shqiptare ndaj Ahmet Zogut dhe tradhtive të tij ndaj interesave kombëtare do të jetë gjithnjë e më zhvlerësuese e kjo më zhvlerësuese do të thotë se do të jetë më shkencore. Historia shqiptare ndaj Enver Hoxhës, ndërkaq, do të jetë gjithnjë e më vlerësuese dhe kjo do të thotë se do të jetë më shkencore. Historianët tanë, që duan të jenë historianë të vërtetë e jo propagandistë politikë a partiakë, çfarë po janë disa, do ta mësojnë mësimin e historiografisë moderne: në sistemet e quajtura diktatura totalitare nuk ka vetëm një diktator: ka një diktator i madh dhe shumë diktatorë mesatarë e të vegjël. Nuk e thotë pa shumë arsye filozofi i njohur spanjoll, Ortega Y Gaset: “Nuk qëndron problemi te Cezari që sundon po te të tjerët që sundojnë me emrin e Cezarit në gojë”. Shumë çka që po hidhet sot në shpinën e Enver Hoxhës, që është një prej figurave me përkushtimin më të madh atdhetar në historinë shqiptare, në të vërtetë është bërë prej atyre diktatorëve të mesëm e të vegjël rreth e qark tij. Kështu, fjala vjen, censurat, ndalesat, akuzat, shpifjet, denoncimet, në fushën e krijimtarisë letrare, artistike, shkencore, në përgjithësi kulturore, nuk janë bërë prej Enver Hoxhës, por prej diktatorëve të vegjël në institucionet kulturore, shkencore, arsimore, shtetërore apo, madje, edhe jashtë tyre. Këta ish-diktatorë të vegjël, që po na terrorizojnë me shpifjet e tyre edhe sot, tani hedhin gurë e drunj mbi Enver Hoxhën për të shfajësuar veten. Dhe, shpesh po shfajësohen! Por, përkohësisht dhe vetëm në sytë e bashkëfajtorëve.
Aleanca Kuqezi dhe Fryma e Re Demokratike janë dy partitë më të reja në Shqipëri. Cilës parti mendoni se do t’i merrnin elektorat ato dhe ç’lloj elektorati?
Sipas bindjes sime, këto dy parti të reja, të nevojshme e të dobishme për proceset demokratike në Shqipëri, më së shumti elektorat do t’i marrin Partisë Demokratike, të cilën e kanë dëmtuar dhe vazhdojnë ta dëmtojnë shumë kryeministri dhe kryetarja e Kuvendit. Aleancën Kuqezi mendoj se do ta votojnë më shumë të rinjtë, të rinjtë që merren me sporte, me veprimtari të ndryshme të lira, të rinjtë që janë të papunësuar. Për Frymën e Re Demokratike besoj se më së shumti do të votojnë pjesëtarët e shtresës qytetare. Kjo parti ka një Kryesi përshtypjebërëse që do të përvetësojë, ma thotë mendja, sidomos elementin qytetar.
Kryeministri ka folur për dhënien e pasaportave të gjithë shqiptarëve. Nga ana tjetër akuzat ndaj tij kanë qenë se kjo do të nxisë spastrimin etnik të shqiptarëve. Si do të ndikojë kjo në fakt?
Në qoftë se pasaportat u jepen edhe qytetarëve që nuk kanë nënshtetësinë, atëherë kjo domethënë se kryeministri Sali Berisha u ka premtuar nënshtetësinë të gjithë shqiptarëve kudo qofshin ata sot.

Çka mund të thuhet për këtë premtim të kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha se, së shpejti, do t’ua japë nënshtetësinë të gjithë shqiptarëve kudo qofshin e kudo jetofshin ata sot?

Çka mund të thuhet për një deklaratë sipas së cilës kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka vendosur, vetë ai, që t’ua japë nënshtetësinë shqiptare domethënë nënshtetësinë e Shqipërisë shtetërore shqiptarëve të Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Luginës së Preshevës, të Sllovenisë, të Kroacisë, të Bosnjë e Hercegovinës, të Greqisë, të Turqisë, të Italisë – se edhe arbëreshët shqiptarë janë, shqiptarëve të Sirisë e të Egjiptit, të Rumanisë, të shteteve evropiane, të SHBA-ve, të Kanadasë, të Australisë, të Zelandës së Re e të kontinenteve e vendeve të tjera ku jetojnë shqiptarë sot. Dhe, gjithë këta shqiptarë, mbasi t’u jepet nënshtetësia e Sali Berishës, do të kenë të drejtë, vetëm në qoftë se duan ta sendërtojnë, që të shpërngulen në Shqipërinë shtetërore dhe aty, te nëna Shqipëri, të kërkojnë punë, banesë, shkollim, mbrojtje shëndetësore, pensione, të drejta invalidore, të drejtë votimi e pozite e të drejta të tjera që i nënkupton nënshtetësia e bekuar.
Nuk ka dyshim se për këtë deklaratë mund të thuhet shumëçka e mund të mos thuhet asgjë. Njerëz të politikës, intelektualë krijues të shkencave e të arteve, publicistë e gazetarë thanë shumëçka për të: shumëçka që ishte e nevojshme të thuhej.
Duke ju përgjigjur pyetjes Suaj po i them edhe unë pak fjalë për të. E para që po them është: nënshtetësia që Sali Berisha do t’ua jepte të gjithë shqiptarëve kudo qofshin ata sot është një çështje me domethënie e me pasoja aq të mëdha saqë për të do të duhej më parë të bisedohej me të gjitha forcat politike në Shqipëri, e pastaj, me përfaqësuesit e ligjshëm të shqiptarëve në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës dhe, natyrisht, me shqiptarët e diasporës.
E dyta që po them është: premtimi i kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha se duke filluar prej muajit qershor të vitit 2013, domethënë duke filluar prej muajit të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare ai, vetë, Sali Berisha pa pyetur askënd tjetër në Shqipëri a Kosovë do t’ua japë nënshtetësinë të gjithë shqiptarëve kudo qofshin ata sot, tregon se në kokën e tij, pra, në kokën e kryeministrit të Shqipërisë, zotëron tollovi e madhe mendimesh, çmendimesh, nocionesh politike, ideologjike, historike, gjeografike, kombëtare, kurse në natyrën e tij zotëron mungesë e madhe e skrupujve dhe e karakterit. Dhe, kjo tollovi e madhe në kokën e tij dhe në natyrën e tij nuk po tregohet për herë të parë tani, në vitin e kremtimit të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Nuk po tregohet vetëm sivjet dhe nuk po tregohet vetëm në trajtën e deliriumit nacionalist. Jo! Kjo tollovi mendimesh, çmendimesh, nocionesh politike, ideologjike, historike, gjeografike, kombëtare e të tjera në kokën e tij dhe kjo mungesë e tmerrshme e skrupujve dhe e karakterit në natyrën e tij është treguar prej ditës së parë të daljes së tij në skenën politike shqiptare.
Çka të thuhet më tej. Të thuhet e vërteta më e madhe, që është kjo: me tollovinë e mendimeve, të çmendimeve, të nocioneve politike, ideologjike, historike, gjeografike, kombëtare ne kokën e tij dhe me mungesën e tmerrshme të skrupujve dhe të karakterit në natyrën e tij, kryetari e mandej kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, qe më tepër se njëzet vjet po shkakton tollovi të madhe në jetën politike, shoqërore shtetërore, kulturore dhe shkencore shqiptare. Tollovitë në kokën e tij dhe në karakterin e tij më në fund kanë filluar të përshtrihen edhe në Kosovë.
Intelektualë, historianë, publicistë, gazetarë nga Tirana në reagimet e tyre ndaj nënshtetësisë që Sali Berisha doravetë do t’ua jepte shqiptarëve kudo qofshin ata treguan se cilat do të ishin pasojat e tollovisë së fundit që e ka pushtuar kokën e Sali Berishës. Njëra prej atyre pasojave do të ishte spastrimi etnik i pjesëve verilindore shqiptare.

Pse jo? Sali Berisha do t’i “bashkojë” shqiptarët pa trojet e tyre! Ai në të vërtetë ka bërë shaka me shqiptarët dhe me idealin e tyre të bashkimit. Shqiptarët nuk bashkohen duke u dhënë pasaporta. Jo! Shqiptarët bashkohen duke u bërë një shtet me teshë e koteshë, me shtëpi e tokë siç do të bashkohen Shqipëria e Kosova një ditë. Koka e tollovitur e kryeministrit sigurisht nuk ka menduar për të gjitha këto. Ajo kokë, duket, ka menduar vetëm për një gjë: ka menduar që ata që do të marrin pasaportat e të bëhen nënshtetas të Shqipërisë në zgjedhjet e qershorit të vitit 2013 të votojnë për Partinë Demokratike të Shqipërisë, domethënë për Sali Berishën. Kjo ishte kryesorja për të dhe kjo është arsyeja pse ai me premtimin e tij që nuk do ta realizojë ndonjëherë mësa demokracinë në Shqipëri, e shkaktoi këtë tollovi në jetën politike shqiptare.
Por në këtë premtim të Sali Berishës për t’u dhënë nënshtetësinë gjithë shqiptarëve kudo qofshin ata mund të jetë projektuar edhe një mashtrim i madh: mund t’ju premtohet shqiptarëve iluzioni i bashkimit me pasaporta e me nënshtetësi fiktive si ngushëllim për shpërblimin që mund t’i jepet Serbisë në Kosovën veriore! Kush qëndron pas këtij premtimi mashtrues të Sali Berishës – e kjo është çështje edhe më e madhe.
Historia na mëson se njerëz me tollovi mendimesh, çmendimesh, nocionesh politike, ideologjike, historike, gjeografike, kombëtare në kokat e tyre dhe me mungesa të tmerrshme të skrupujve dhe të karakterit në natyrën e tyre kanë arritur të bëhen mbretër, perandorë, kryetarë, kryeministra shtetesh. Por, popujt me përvojë historike, popujt me vendosmëri politike, popujt me tradita shtetërore nuk kanë lejuar të jenë gjatë të përdorur e të shpërdorur, të shfrytëzuar e të fyer prej politikanëve me tollovi mendimesh, çmendimesh, nocionesh në kokat e tyre dhe me mungesa të tmerrshme të skrupujve e të karakterit në natyrën e tyre, por i kanë çuar me kohë atje ku e kanë çuar italianët më në fund Musolinin dhe atje ku e çuan rusët më në fund Jelcinin: në plehun e historisë.

(Titujt e detajet janë të redaksisë)

 

Nga Fatmira Nikolli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu