Lufta për fron, Veseli vs. Thaçi

0
296

Kadri_Veseli_-Bajrami

I bardhi (Hashim Thaçi) dhe i ziu (Kadri Veseli) kanë nisur “luftën” brenda Partisë Demokratike të Kosovës se kush do t’i mbajë “frenat” e partisë. Këto dy epitete (i ziu dhe i bardhi) për dy njerëzit kryesorë të partisë, i deklaroi vetë Kadri Veseli, i cili po synon ta marrë drejtimin e PDK-së në vitin 2016 me shkuarjen e Hashim Thaçit në postin e presidentit të vendit. “Fronti” në mes dy figurave kryesore, ndonëse i ditur, megjithatë u nxjerr në sipërfaqe nga bashkëpartiaku i tyre, ish-kryeministri dhe ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi.

Ky i fundit ka shpërthyer me akuza ndaj ish-shefit të SHIK-ut, Kadri Veselit për kapje të PDK-së dhe institucioneve të Kosovës, duke thënë se ardhja e tij si zëvendëskryetar ka qenë e keqja më e madhe që i ka ndodhur partisë. Këtyre deklarimeve i është kundërpërgjigjur Veseli në formë ironizuese, duke thënë se nuk ka karamele për Rexhepin. “Në qoftë se jam i ziu, i bardhi kur dëshiron mundet me ba ministër, realisht siç i ka bërë të tjerët”, tha Veseli, duke aluduar haptas në kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçin. Një ditë pas kësaj deklarate ka ardhur kundërpërgjigja tjetër e ish-kryeministrit Rexhepi. Ai tha se as në kohën e fëmijërisë së tij nuk i ka pasur në qejf karamelet, e sidomos ata të bardhë me të zezë. “Karamelet e bardhë, e të zi, nuk i kam hëngër asnjëherë, as kur kam qenë fëmijë, e lëre më tash. E bajaderat (çokollatat) i pëlqej”, ka thënë Rexhepi me cinizëm në lidhje me karamelet e Veselit. Ai tha edhe një herë se nëse i dyti i PDK-së e merr udhëheqjen e partisë, atëherë ai do të shkojë në shtëpi. “Po Kadriu po pretendon dhe po ka qejf me u ba kryetar. Por nëse ai vjen në krye të PDK-së, unë shkoj në shpi”, tha Rexhepi për gazetën “Zëri”. Derisa theksoi se nuk dëshiron të bjerë në nivelin e Veselit, ripërsëriti se pakënaqësitë brenda PDK-së janë të padiskutueshme. “Nuk i di raportet e Thaçit me Veselin, por di se ka pakënaqësi”, tha ish-kryeministri nga PDK-ja. Mst: Zgjedhjet e kaluara nuk ishin “OK” Përplasjet brenda PDK-së i ka konfirmuar edhe ish-kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa. Sipas tij, PDK-ja për fat të keq deri këtu ka qenë pronë e një grupi të ngushtë të njerëzve. “PDK-ja përbëhet prej pronarëve në majë të saj dhe prej argatëve teposhtë në strukturë. Dikush e ndan profitin e madh prej të qenit në politikë, dikush ka marrë vetëm “mëditje” të shkreta, e shumëkush as mëditje”, ka thënë Mustafa. Ky i fundit përmendi faktin se PDK-ja duhet të shndërrohet në parti të qytetarëve, nëse dëshiron të mbijetojë situatën në të cilën gjendet sot. “Është kjo pak e dhimbshme për pronarët e saj të tashëm, po tepër e dobishme për anëtarësinë e saj dhe për qytetarët e Kosovës”, ka thënë ish-kryetari i Gjilanit. Mustafa, ndërkaq, rikujtoi se zgjedhjet e fundit në PDK, të cilat u mbajtën në vitin 2013 në kohën kur Veseli ngjitet në pozitën e të dytit të partisë, nuk kanë qenë të rregullta. ”Nga nëndega e katundit të tij me vetëm për dy vjet erdhi në pozitën e të dytit të PDK-së. Pra, kemi të bëjmë me ndërrime tezash për kohë të shkurtër. Kishte manipulime që nga nëndegët, degët e deri në qendër”, ka deklaruar Qemajl Mustafa i Gjilanit. Ndërkaq, Shukri Buja, ish-kryetar i Lipjanit, konsideron se PDK-së i nevojiten reformat,derisa pranon se ka pakënaqësi, por të cilat i quajti individuale. “Me repozicionet në pushtet sigurisht se ka pakënaqësi, por ato janë individuale. Ka frustrime për shkak se njerëzit nuk janë pozicioni aty kanë shpresuar, prandaj, edhe ka pakënaqësi individuale”, tha Buja. Sipas tij, nëse dyshi i PDK-së pretendon të mbetet në politikë, sigurisht se përgatitet për postet më të larta, edhe në parti. Pavarësisht këtyre deklarimeve askush nga zyrtarët e PDK-së nuk ka dashur të flasë rreth raporteve të kryetarit të partisë (Hashim Thaçit) dhe zëvendëskryetarit të tij, (Kadri Veselit). mst: Kadri Veseli po sillet si lider partie Megjithatë, analisti politik, Alber Krasniqi, nga Demokracia në Veprim, thotë se në rast se marrëveshja në mes të PDK-së dhe LDK-së për postin e presidentit realizohet ashtu siç është paraparë, atëherë pozitën e kryetarit të partisë do ta trashëgojë Veseli, jo për shkak të pozitës aktuale si zëvendëskryetar i parë, por për shkak të kontrollit dhe pushtetin që ushtron aty që nga themelimi. “Sjelljet e fundit të Veselit që nga zgjedhja në krye të Kuvendit, më shumë janë përpjekje për të pastruar imazhin nga e kaluara e tij dhe ndërtimit të një imazhi të ri si udhëheqës i partisë”, ka thënë ai. Krasniqi konsideron se edhe zgjedhjet e ardhshme në PDK-së do ta legjitimojnë Veselin si kryetar të partisë, sesa që do të matet vullneti i anëtarësisë. “Nëse anëtarësia e gjerë e PDK-së dhe struktura udhëheqëse që dëshirojnë të kenë zgjedhje reale, tani kanë mundësinë e fundit që të reagojnë, në të kundërtën do të jetë shumë vonë pasi që zërat e pakënaqur do të amortizohen, qoftë përmes “karameleve” apo përmes kufizimit të hapësirës që imponon largimin nga partia”, ka deklaruar Alber Krasniqi. Por që të lejohen fraksione të brendshme partiake është pothuajse e pamundur të ndodhë. Ndryshe, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka deklaruar në mënyrë të hapur se është i gatshëm që ta marrë udhëheqjen e PDK-së, pas kalimit të Thaçit si president i Kosovës.

Nga: Lumturie Blakaj

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu