Ridalja gjeopolitike e Rusisë në Mesdhe

0
81

Rusia organizoi në detin Mesdhe në datat 19-29 janar manovrat më të mëdha ushtarako-detare në gjithë historinë postkomuniste të
saj, që nga shembja e Bashkimit Sovjetik si superfuqi botërore në vitin 1991. Jo vetëm që janë më të mëdhatë, por për herë të parë në detin Mesdhe Rusia zhvillon në mënyrë të përqendruar manovrat ushtarake detare të njëkohshme dhe në të njëjtin pellg detar, të të katër flotave të saj ushtarake, të flotës së Detit të Zi, të flotës së detit Balltik, të flotës së Detit të Veriut dhe të flotës së Oqeanit Paqësor. Për krahasim, po vëmë në dukje se një përqendrim të tillë të përbashkët të disa flotave ushtarake, në të njëjtin rajon detar në Mesdhe, nuk e kanë organizuar asnjëherë as Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët janë në një aleancë ushtarake me gjysmën e shteteve që lagen nga deti Mesdhe. Manovrat ushtarako-detare të katër flotave ruse përmbajnë 60 lloje stërvitjesh ushtarake, që nga ato të aviacionit strategjik të pajisur me raketa bërthamore e deri tek operacionet e zbarkimit masiv ushtarak në brigjet që lagen nga Mesdheu, dhe është hera e parë, që komandën operacionale të drejtimit të manovrave ushtarako-detare e drejton direkt në terren shefi i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura të Rusisë.
Manovrat e mëdha ushtarako-detare, të njëkohshme dhe në të njëjtin vend, të të katër flotave ushtarake, kanë një karakter të hapur ofensiv. Zhvillimi i tyre në një det larg Rusisë dhe me drejtim të qartë desantimi tokësor dhe bombardimi strategjik, e bëjnë të pamundur çdo nivel justifikimi si masë mbrojtëse. Kjo është kaq e vërtetë, sa që edhe Ministria ruse e Mbrojtjes u detyrua të pranojë se manovrat synojnë të forcojnë kontrollin, të sigurojnë bashkëveprimin e shumë llojeve të armëve dhe të flotave ruse në zonat e largëta detare. Gazeta ruse “Njezavisimaja gazeta” shkruante në 21 janar se “ato lidhen me situatat në kufijtë e Rusisë dhe të aleatëve të saj, me situatat në Lindjen e Mesme dhe në Veriun e Afrikës”.
Në detin Mesdhe nuk kemi vetëm një demonstrim muskujsh ushtarakë apo një demonstrim flamuri të flotave ruse. Nuk janë as thjesht një mbështetje për regjimin që po fundoset të Damaskut, ku Rusia ka një bazë detare dhe po përpiqet ta mbajë me çdo kusht në këmbë. Po asistojmë në hapjen e një faze të re, më agresive, në strategjinë detare dhe ndërkombëtare të Rusisë, një ridalje të saj gjeopolitike në detin Mesdhe. Ky është një zhvillim i ri, me qëllime dhe efekte negative, i cili nuk mund të mos mbahet shënim nga të gjitha shtetet që quhen mesdhetare, si dhe nga NATO dhe SHBA.
Deti Mesdhe shfaqet befas si një ambicie e madhe globale e Rusisë, në kuadrin e ridaljes apo ringjalljes së saj në dimensionet e dikurshme ushtarake dhe strategjike të Bashkimit Sovjetik si superfuqi botërore. “Kjo pjesë e oqeanit botëror është shumë e rëndësishme nga pikëpamja e interesave gjeopolitike të Rusisë”, citonte agjencia ruse “Ria Novosti” një përfaqësues të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë ruse me rastin e këtyre manovrave. Si duhet kuptuar kjo ridalje gjeopolitike e Rusisë nëpërmjet këtij demonstrimi të paparë ushtarako-detar të përmasave globale në detin Mesdhe? Në radhë të parë ajo kërkon të vendosë simbolikisht dhe realisht një forcë të madhe ushtarako-detare në detin Mesdhe, si presion për një ekuilibër të ri forcash në arenën ndërkombëtare, me objektivin që prania e saj ushtarake në Mesdhe të marrë jo vetëm përmasat dhe peshën, por edhe domethënien dhe efektin strategjik, që kishte në kohën kur Bashkimi Sovjetik ishte superfuqi. Pretendimi apo ambicia për këtë rol botëror ekskluziv force llogaritet që të materializohet nëpërmjet kontrollit dhe ndarjes së fuqisë dhe të drejtës së kontrollit pikërisht në oqeanin botëror, në oqeanet dhe detet, që konsiderohen më të rëndësishmit në planin ushtarako-strategjik dhe në planin gjeoekonomik dhe gjeoenergjetik. Moska jo rastësisht zgjodhi detin Mesdhe si manifestimin e parë dhe më të rëndësishëm të zbatimit të doktrinës së re ushtarako-detare të përgjithshme. Domethënia e kësaj doktrine dhe veprimi strategjik rus është se Kremlini kërkon dhe synon të imponojë një ekuilibër të ri force apo ndarjeje të fuqisë me Perëndimin, me SHBA-të dhe NATO-n, të cilët janë ndër faktorët kryesorë të mbështetjes së ndryshimeve të mëdha gjeopolitike, që po ndodhin dy vitet e fundit në rajonin e Mesdheut, të Lindjes së Mesme dhe të Afrikës së Veriut.
Rusia ka pësuar një disfatë të madhe strategjike me rreshtimin antihistorik, duke iu kundërvënë vullnetit të popujve dhe valës së revolucioneve popullore dhe demokratike në vendet arabe të Lindjes së Mesme dhe të Afrikës së Veriut gjatë dy viteve të fundit. Moska nuk kuptoi se ku po shkon rryma e historisë dhe zgjodhi të mbështesë autokratët, që i kishte marrë deti, në Egjipt, në Tunizi dhe në Libi, duke humbur jo vetëm imazhin e saj të pretenduar demokratik, por edhe shpresat e një forcimi të pozitave gjeopolitike në rajon. Kur vala a revolucionit demokratik panarab përfshiu edhe regjimin e Sirisë, strategët rusë dëshmuan se nuk kanë mësuar asgjë nga zhvillimet revolucionare dhe demokratike në rajon, dhe u rreshtuan me regjimin autokrat të Damaskut. Llogaria gjeopolitike ruse rezulton tepër sempliste, sepse angazhimi në mbrojtje të Sirisë u formulua si mënyrë e ruajtjes së interesit gjeopolitik rus në detin Mesdhe dhe në Lindjen e Mesme. Duke e konsideruar regjimin e Damaskut një bastion të interesave gjeopolitike, Kremlini po i jep gabimisht Sirisë rolin dhe përmbajtjen e një “beteje të Stalingradit”, e cila duhet ruajtur me çdo kusht. Vetëm një planifikim jorealist gjeostrategjik mund t’i shtyjë planifikuesit politikë dhe strategjikë rusë të fillojnë me veprime, të cilat kanë një kosto kaq të madhe ekonomike, politike, organizative dhe ushtarake, siç është organizimi i manovrave ushtarako-detare të katër flotave ruse në të njëjtën kohë dhe rajon detar. Ajo që humbën me shkurtpamësinë diplomatike, politike dhe strategjike, po kërkohet të rikompensohet me spektakle grandioze ushtarake, si kjo të cilën po analizojmë. Humbjen gjeopolitike në tokë, Rusia po kërkon ta kompensojë me një avancim gjeopolitik në det.
Manovrat e tanishme janë padyshim një sfidë ndaj NATO-s dhe SHBA-ve dhe kërkojnë të ligjërojnë detin Mesdhe si të lidhur me pjesën e sferës ruse të influencës. Kjo do të thotë se Rusia është e përgatitur të ecë në rrugën e ngritjes së tensioneve në këtë rajon, në një përpjekje për të imponuar konsiderimin e saj si faktori i dytë strategjiko-ushtarak në detin Mesdhe.
Dalja në ujërat e ngrohta, dhe sidomos në detin Mesdhe, ka qenë një element kryesor i interesave strategjike të Moskës, dhe gjatë gjithë historisë së saj si fuqi kontinentale dhe botërore, që nga Rusia cariste e deri tek Rusia komuniste, është përpjekur të jetë e pranishme me flotat e saj në detet dhe oqeanet e botës, për të sanksionuar sferën e influencës së saj ndërkombëtare. Këtë strategji ambicioze po lufton ta ringjallë presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i cili në mandatin e tij të tretë, që nisi vitin e kaluar, po ndërmerr një sipërmarrje të madhe të shtrirjes, pranisë dhe patrullimit të flotës detare ruse në gjithë detet e globit. “Flota jonë detare, thekson ai, ka vendosur praninë në zonat strategjike të oqeanit botëror, përfshirë edhe detin Mesdhe. Flamuri rus do të jetë rregullisht kudo”.
Siç e theksuam në fillim të analizës sonë, manovrat ushtarako-detare të katër flotave së bashku, nuk janë thjesht demonstrim i flamurit detar rus, gjë për të cilin mund të mjaftojë edhe një fregatë e vetme. Ato janë përgatitje për operacione ushtarako-detare të përmasave shumë të mëdha, përballë rivalëve virtualë të përmasave globale, të cilët Rusia i klasifikon si kërcënim të interesave të saj strategjike.
Karakteri antiatlantik dhe antiperëndimor i demonstrimeve të përmasave të tilla nga ana e Rusisë mund të lexohet lehtë, sepse Rusia nuk ka zhvilluar kurrë në këto 20 vjet manovra të përbashkëta të të gjithë flotave të saj, as në Detin e Veriut, as në Detin e Zi, as në Oqeanin Indian, as në Oqeanin Paqësor dhe as në Oqeanin Atlantik. Manifestime të tilla të forcave të përbashkëta ushtarako-detare, përveç presionit kontinental dhe rajonal rus, mund të derivojnë edhe në segmente presionesh të veçuara ndaj shteteve mesdhetare, të cilat refuzojnë të ecin në skemat e interesave energjetike apo gjeopolitike ruse. Është vendi për të kujtuar këtu demonstrimet e forcës që bëri flota ruse në detin Adriatik, pranë brigjeve shqiptare në marsin e vitit 1999, kur nisën bombardimet e NATO-s mbi Serbi dhe kur Rusia me luftanijet e saj ndërmori një akt të hapur kërcënues ndaj Shqipërisë dhe Kosovës.
Spektaklet ushtarake të katër flotave detare ruse krijojnë terren të favorshëm për një nxitje tensionesh të reja në rajonin e Mesdheut, ku në pjesën lindore janë grumbulluar plot re tensionesh dhe konfliktesh lokale. Ato janë një mbështetje për regjimin autokrat të Bashar Asadit dhe inkurajojnë politikën e tij të vrasjeve masive, sikundër janë një presion dhe kërcënim për forcat opozitare dhe demokratike siriane. Ato janë një manifestim presioni ndaj aleatëve të rëndësishëm të SHBA në Mesdheun Lindor, si Turqia dhe Izraeli, siç janë presion dhe ndaj shteteve të tjera anëtare të Aleancës Atlantike, të cilat janë rreshtuar në përkrahje të ndryshimeve pozitive strategjike dhe gjeopolitike, që solli pranvera arabe.
Ridalja gjeopolitike e Rusisë në detin Mesdhe është ecje në rrugën e dikurshme të modeleve të ish-superfuqisë sovjetike për forcën si instrument i rolit botëror të Moskës. Rikthimet e perandorive janë historikisht të pamundura, por përpjekjet për ringjalljen e tyre janë burim i ri kërcënimi dhe rreziqesh për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar në detin Mesdhe dhe për shtetet që lagen nga ai det.

 

Nga Shaban MURATI

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu