Rifreskojnë dështimet!

0
308

Hapje të vendeve të reja të punës, punësim të shtatë-tetë mijë vetave, ndërtim të spitaleve regjionale, eliminim të ujërave të zeza nga rrugët dhe hapësirat publike.

Këto janë vetëm disa nga premtimet që para katër vjetëve i kanë dhënë kryetarët aktualë të komunave teksa e kanë kërkuar votën nga qytetarët.

Por, pak a shumë siç pritej, shumica e premtimeve nuk janë realizuar gjatë mandatit që po përfundon, ndërkaq, në ditën kur zyrtarisht fillon fushata parazgjedhore për zgjedhjet lokale 2013, në shumicën e komunave votën e kërkojnë po këta kandidatë që për katër vjet s’kanë qenë në gjendje t’i realizojnë premtimet mbi bazën e të cilave janë votuar nga elektorati në ato komuna.

Gazeta “Zëri” ka bërë një hulumtim për premtimet e disa kryetarëve të komunave gjatë fushatës parazgjedhore të vitit 2009, ndërkaq, Instituti për Studime të Avancuara (GAP) kaherë i monitoron premtimet e të gjithë kryetarëve të komunave dhe realizimin apo mosrealizimin e tyre.

Si përfundim, kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, kryetari i Komunës së Gjakovës, Palë Lekaj, dhe kryetari i Komunës së Pejës, Ali Berisha, i prijnë listës së kryetarëve që gjatë fushatës paraprake kanë dhënë qindra premtime, të cilat asnjëherë s’e kanë “parë dritën” e realizimit.

Për më tepër, ironia e këtij tregimi është te fakti se janë pikërisht këta kandidatë që nga sot për një muaj rresht do të kërkojnë votën e qytetarit për të udhëhequr edhe një mandat komunat.

Premtimet e harruara

Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, mbahet mend si njëri prej kandidatëve që ka premtuar më së shumti gjatë fushatës së kaluar parazgjedhore, dhe që gjithashtu ka dështuar në jetësimin e tyre.

Kur po rikandidohej për mandatin e dytë, përveç tjerash, ai pati premtuar se shuma e përgjithshme e investimeve kapitale gjatë katër viteve të ardhshme do të arrijë në vlerë prej 700 milionë euro, dhe se do të investohet në pyllëzimin e sipërfaqeve të zhveshura dhe në mirëmbajtjen e ruajtjen e tyre.

Mustafa pati thënë po ashtu se do ta bëjë promovimin e studio-banesave si alternativë shtesë e banimit për studentë, si projekte në partneritet publiko-privat.

Një premtim tjetër i tij ka qenë ndërtimi i qendrës së banimit dhe biznesit përballë Kuvendit të Kosovës, pastaj, përkrahje për rregullimin dhe gjelbërimin e hapësirave të Universitetit të Prishtinës, rritje të organizuar të parkingjeve në gjithë qytetin dhe garazhe përkuese, si dhe bërjen e ambulancave mobile për pensionistët dhe personat që nuk mund të vizitohen në Qendrat e Mjekësisë Familjare.

Premtim “grandioz” i tij ka qenë edhe ngritja e Spitalit të Qytetit, krijimi i zonave të lira të internetit, duke filluar me Parkun e Qytetit, shfrytëzimin e hekurudhës nga Fushë Kosova deri në fshatin Bardhosh, si linjë e trafikut urban dhe suburban.

Kryetari Mustafa pati premtuar gjithashtu se do të ndërtojë parqe të reja në “Kodrën e Trimave” në “Fushën e Pajtimit”, në qendër të qytetit dhe tek Fabrika e Tjegullave. Ai gjithashtu nuk e ka realizuar premtimin për ndërtimin e kompleksit të fushave sportive në “Fushën e Pajtimit”.

Mustafa ka premtuar po ashtu se pas rizgjedhjes do të ngrejë fabrikën për pastrimin e ujërave të zeza, e cila, siç pati thënë ai, do të bëhet në partneritet me komunën e Podujevës, Obiliqit dhe Fushë Kosovës.

Një premtim tjetër i tij ka qenë ndarja e bursave për nxënës dhe studentë duke filluar nga viti 2011, sigurimi i ujit të pijshëm 24 orë për katër vitet e ardhshme, përcaktimin e mjekut familjar sipas zonave, si dhe themelimi i Policisë Ndërtimore.

Mijëra vende pune

Hiç më pak premtime se Mustafa nuk ka bërë as kryetari i Gjakovës, Palë Lekaj, i cili sërish garon në emër të AAK-së për t’u rizgjedhur kryetar.

Ai gjatë fushatës parazgjedhore pati premtuar se do të krijojë 7000- 8000 vende të reja të punës gjatë periudhës katërvjeçare, se do të ofrojë kredi të volitshme në bankat e Kosovës dhe ato perëndimore për afaristët që do të investojnë në Komunë të Gjakovës, se do ta përmirësojë pozitën e pensionistëve, ofrimin e ndihmës financiare ndaj bizneseve të reja dhe rritjen e numrit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në 6000.

Lekaj pati deklaruar para elektoratit se ndarjen e një buxheti prej dyqind mijë eurove për zhvillimin e ekonomisë familjare dhe formimin e një grupi koordinues që do t’i identifikojë ekonomitë familjare që nuk janë të regjistruara, se do ta formojë zyrën për investime të huaja, si dhe ndërtimin e një qendre të zhvillimit të biznesit dhe një thertoreje të shpezëve, ku do të punësohen të rinjtë.

Premtime që kurrë nuk janë realizuar pati dhënë kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja. Madje, njëri nga premtimet që ishte dhënë nga kryetari i partisë së tij, Hashim Thaçi, por që ishte “vulosur” nga Muja, ka qenë ai se gjatë katër viteve të ardhshme në Prizren do të investohen 170 milionë euro, 62 prej të cilave do të jenë për investime kapitale.

Ai pati premtuar gjithashtu se do t’i lirojë nga taksat komunale bizneset dhe investitorët të cilat do ta ulin papunësinë, do ta rregullojë shtratin e lumit të Lumbardhit, dhe se do të sigurojë furnizim me ujë të pijshëm nga malet e Sharrit për të gjithë qytetarët e Prizrenit.

Njësoj pati vepruar edhe bashkëpartiaku i tij. Anëtari i PDK-së, Qemajl Mustafa, pati thënë se pasi të bëhet kryetar do t’i krijojë katërmijë vende të punës, si dhe punësimin e më shumë se njëmijë personave në çdo vit, ndërtimin e parkut industrial prej dhjetëra hektarëve, ku do të kenë mundësi të investojnë investitorët e brendshëm dhe ata të jashtëm, si dhe do të ndërtojë ndërtesën e re të Qendrës së Mjekësisë Familjare.

Dështojnë me premtime, sërish kërkojnë votën

Në listën e kryetarëve që katër vjet më parë kanë dhënë dhjetëra premtime, por që shumë prej tyre nuk i ka realizuar është ai i Pejës, Ali Berisha.

Anëtari i AAK-së pati premtuar se do t’i rregullojë dhe mirëmbajë të gjitha rrugët në rajonin e Rugovës, se do ta rregullojë rrugën në relacionin e fshatrave Malaj – Pepa, si dhe se do t’i punësojë 3500 qytetarë nëpërmjet projekteve komunale dhe atyre të donatorëve.

Berisha pati thënë gjithashtu se do t’i zgjidhë problemet që kanë qytetarët nga ujërat e zeza dhe mbeturinat, si dhe se do ta ndërtojë një impiant për ujërat e zeza, madje në bashkëpunim me Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë.
Edhe kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati, para katër viteve ka bërë një “potpuri” premtimesh, të cilat, asnjëherë nuk janë realizuar.

Ai pati thënë se gjatë mandatit të tij në Mitrovicë do të ndërtohet një universitet evropian, ku do të hapen disa drejtime të kërkuara nga të rinjtë kosovarë, siç është Mjekësia dhe Edukimi.

Kastrati pati thënë po ashtu se do të krijojë kushte më të mira për pensionistë, ndërsa “kryevepra” ka qenë lirimi i banesave të shqiptarëve që janë të uzurpuara në veri të Mitrovicës.

Demi: Qindra premtime të harruara nga kryetarët

Drejtori i Institutit GAP, Agron Demi, organizata e të cilit për dy mandate rresht i ka përcjellë premtimet e kryetarëve gjatë fushatave, dhe ka bërë raporte për realizimin apo mosrealizimin e tyre, thotë se ka me qindra premtime që janë dhënë nga kandidatët për kryetar të komunave dhe të cilat asnjëherë nuk janë realizuar.

Ai thekson se arsyeja kryesore pse kandidatët për kryetarë të komunave është se pakkush i evidenton premtimet e tyre, dhe më pas ua rikujton kur ata nuk i realizojnë.

“Qytetarët nuk i dinë kompetencat e komunës, nuk arrijnë të bëjnë dallimin në mes të kompetencës së nivelit lokal dhe të atij qendror, dhe te ta shitet gjithçka. Këtë e vërteton edhe pyetësori i Agim Çekut, ku flitet edhe për rrymë 24 orë, e Agim Çeku nuk mund ta zgjidhë problemin e rrymës sepse nuk është kompetencë e kryetarit të Komunës”, thotë ai.

Demi nënvizon se kryetarët e komunave gjatë fushatës parazgjedhore ofertën e tyre e kanë koncentruar te punësimi, duke prekur “aty ku dhemb”, pavarësisht, se fuqia e tyre nuk është që t’ua imponojë bizneseve rritjen e punëtorëve, apo punësimin e qytetarëve të një rajoni.

“Premtim që nuk i ka takuar kryetarit është për shembull premtimi i kryetarit të Drenasit, që ka thënë se do t’i punësojë pesëqind veta në Parkun e Biznesit në Drenas. Por, dihet se krejt çka mund të bëjë komuna është që ta japë lokacionin dhe të shpresoj që ato biznese që do të vijnë do t’i marrin ata njerëz që janë më afër”, thotë ai.

Pushtetarët: S’ka premtim që s’është realizuar!

“Zëri” është përpjekur të mërkurën të kontaktojë me disa nga kandidatët për kryetarë të komunave, por asnjëri nga ta nuk është paraqitur në telefon.

Sidoqoftë, zëdhënësit e komunave insistojnë se nuk ka premtim që është thënë nga “shefat” e tyre para katër vjetëve dhe që nuk është realizuar.

Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Asdren Osaj, nuk ka dashur ta komentojë dështimin e premtimeve të Isa Mustafës, ngase, sipas tij, para se të japë mendim për këtë duhet të shohë nëse ka ndonjë premtim që nuk është realizuar ose jo.

“Nuk mund të përgjigjem tani për premtimet që i ka dhënë Mustafa, sepse fillimisht duhet të vërtetohen se a i ka dhënë vërtet këto premtime, e pastaj duhet të analizohet projektet e realizuara. Prandaj më nevojitet kohë për t’ju dhënë përgjigje. Unë mund të jap ndonjë deklaratë por mund të dal qesharak së pari unë e pastaj edhe ju si gazetë”, ka thënë ai nëpërmjet telefonit.

Ndërsa, zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha, ka thënë se premtimet e kryetarit Ramadan Muja janë realizuar në tërësi, madje, sipas tij, ato janë tejkaluar.

“Investimet kapitale në Komunën e Prizrenit e kanë kaluar shumë prej 170 milionë euro të premtuar para zgjedhjeve të vitit 2009. I vetmi projekt i papërfunduar e që është premtuar është rregullimi i shtratit të Lumbardhit, ku një pjesë e shtratit të këtij lumi nuk ka mundur të rregullohet për shkak të mungesës së përkrahjes. Të gjitha premtimet tjera janë realizuar, madje i kemi tejkaluar edhe premtimet”, ka thënë ai.

 

Nga: Jeton Llapashtica & Albert Ahmeti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu