Rinia kosovare dhe integrimi i saj brenda rinisë evropiane

0
176

(Intervistë me Luljeta Fana- Long, psikologe kosovare që jeton dhe vepron në Salzburg, Austri)

Intervistoi:Jehona Berisha

Luljeta Fana-Long u lind në Prishtinë, Kosovë, më 3 dhjetor të vitit 1975. Shkollimin fillor e ka përfunduar në SHF “Hasan Prishtina” (1982-1989), ndërsa atë të mesën në gjimnazin “Ivo Llolla Ribar” (1990-1994) në Prishtinë.

E rritur në Prishtinë, Kosovë, ajo mësoi nga prindërit e saj se si t’u ndihmojë të tjerëve. Nëna e saj punoi për 40 vite si motër medicinale, ndërsa babai ishte arsimtar. Ky koncept e ka përcjellë edhe atë në jetën e saj profesionale.

Luljeta mbaroi studimet në psikologji në Universitetin e Salzburgut në vitin 2010, dhe filloi punën e parë profesionale si praktikante në një qendër për femra. Aty ajo mblodhi shumë përvojë duke punuar me klientë nga të gjitha kulturat, duke e shfrytëzuar këtë përvojë edhe për t’u dhënë mbështetje familjeve të traumatizuara nga lufta e fundit në Kosovë të cilët jetonin në Austri.

“Shumë gra nuk ishin në gjendje mentale të vijojnë kurset e gjuhëve, apo nuk kishin koncentrim të mësojnë gjuhën e re. Shumë shpesh e luaja edhe rolin e mësueses, gjë që nuk ishte në kompetencat e mija profesionale”, kujton Luljeta disa nga angazhimet e saj dhe punën me gratë kosovare.

“Sidoqoftë, e ndjeja veten si të obliguar të ndohmoj aty ku ka nevojë. Shumë shpesh i takoj të njëjtat gra dhe vajza në rrugët e qytetit ku jetoj, dhe shoh se ato tashmë kanë arritur të integrohen dhe të fillojnë një jetë të re këtu në Austri”.

Luljeta aktualisht është e angazhuar në një projekt që quhet “Jugendcoaching“, e që do të thotë “konsultim dhe mbështetje për të rinjtë”. Projekti ka për qëllim të ndihmojë të rinjtë të cilët ende nuk e kanë gjetur veten në sfera profesionale, apo edhe t’i ndihmojë ata të orientohen në një punë apo shkollim të ri.

“Gjatë punës me ta, shumë shpesh hapen edhe tema të tjera, si adoleshenca, varësia nga mediat, problemet familjare e të tjera. Të gjitha këto tema ne i përpunojmë së bashku, ashtu që i riu apo e reja ta ketë më të lehtë të arrijë qellimet e veta profesionale”, shpjegon Luljeta detajet e aktiviteteve të saj.

Vizitat e saj të shpeshta në Kosovë e bëjnë atë gjithnjë e më të vetëdijshme se sa shumë do të përfitonin të rinjtë kosovarë poqese projekte të tilla do të kishte edhe për ta.

“Shumë te rinj te ne nuk e kanë mbeshtetjen e duhur familjare, apo atë institutionale. Ata nuk kanë mundësi t’i shprehin aftësitë e tyre, ata nuk e kanë mundësinë të flasin për problemet e tyre”.

“Të tilla projekte nuk janë mbështetje vetëm për të rinjtë, por edhe për prindërit e tyre. Temat si edukata seksuale apo tema të tjera tabu në shoqërinë tonë, do të mund të përpunoheshin nëpërmjet projekteve të tilla shtetërore”.

Temat si këto, të cilat e përcjellin punën e Luljetës, dhe tema të tjerat si interkulturaliteti dhe bikulturaliteti, shumëgjuhësia dhe identiteti, adaptimi dhe assimilimi, janë baza e intervistës së mëposhtme.

Kosova dita-ditës po ndryshon, përkundër shumë problemeve, e mes tjerash edhe vetëdijsimi dhe nevoja për një qasje ndryshe ndaj problemeve të ndryshme, veçmas adoleshentëve dhe të rinjve. Duke pasur një përvojë edhe jashtë Kosovës, a mund të flisni për rëndësinë dhe qasjen që u bëhet të rinjve atje në krahasim me atë tek ne?

Duke filluar nga një dallim i madh tek prindërit, këtu ku jetoj prindërit flasin hapur dhe me shumë respekt me fëmijët dhe adoleshentët. Për fëmijët dhe adoleshentët, sado problemi të jetë i vogil, për ta është realitet dhe ju duhet mbeshtetja e prindit. Po edhe në shkolla ka mundësi të flasësh me një nga mësuesit apo arsimtarët rreth asaj që të mundon. Perveç shkollës, ka mundësi tjera që të rinjtë të flasin me psikolog apo psikiatër rreth problemeve të veta. Deri në moshën 18-vjeçare paguhet Tarifa e Psikologut nga Sigurimi Shëndetësor. Shumë shpesh në moshën adoleshente, të rinjtë nuk flasin edhe shumë me prindërit, andaj mundësia që ata të kenë dikë të jashtëm për të biseduar, është më se e rëndësishme.

Meqë gjatë bisedës me ju më folët edhe për temën e identitetit dhe adaptimit. Fatmirësisht, shumë kosovarë të lindur atje me prindër nga Kosova, kanë arritur suksese, duket se gjërat atje po ndryshojnë dita-ditës. Cili është mendimi juaj për ruajtjen e identitetit dhe gjuhës, nga të rinjtë me prindër nga Kosova, dhe a keni pasur ndonjë rast të tillë me të cilin jeni ballafaquar?

Po. Njoh shumë të rinj që kanë arritur të integrohen mirë, por ka edhe raste ku nuk arrijnë të adaptohen mirë. Sa më herët që fëmijët të ballafaqohen me kulturen e re, ata e kanë me lehtë të bëhen pjesë e vendit ku jetojnë. Ata zhvillojnë dy identitete; njërin kosovar dhe tjetrin të vendit ku jetojnë. Kjo gjë funksionon pa problem, përderisa kjo mënyrë edhe praktikohet dhe akzeptohet nga ana e prindërve dhe gjithë familjes. Gjë që e kemi parë tek shumë të rinj sportistë të cilët luajnë për shtetet ku jetojnë, mirëpo zemra u rrah edhe për Kosovë.

Në Kosovë, që nga paslufta, nga të rinjtë ka pasur një përpjekje për të absorbuar trendet e reja që janë në Evropë. Këto trende nganjëherë janë dukur tepër të ngutshme dhe vendi jonë, i dalë nga një sistem represional dhe me kulturë më konservatore, mezi i ka përballuar. Cili është mendimi juaj për këtë?

Luljeta Fana Long : Mediat si Facebook-u dhe TV-kanalet kanë ndikim të madh në këto zhvillime. Unë habitna kur degjoj për trende në Kosove që ende si kam parë në Austri, ndonëse e shoh me një pozitivizëm që rinia jonë ka stil dhe percjell modën… Mendoj që pamundësia të udhëtojnë jashtë vendit e bën që rinia jonë të ndjekë (nga larg) trendet e modës nga Evropa e me gjerë. Trendet janë diçka motivuese për të rinjtë dhe i mbështes nëse ato janë në balans me prioritetet tjera jetësore si puna, shkolla apo aktivetitet tjera të jetës.

Gjatë bisedës me ju, keni përmendur se merreni edhe me temën e edukatës seksuale. Ka pasur një debat edhe tek ne për futjen e kësaj lënde në shkolla?

Baza e edukimit seksual bëhet si gjithkund në orën e biologjisë. Futja e edukimit seksual pranohet me skepticizëm edhe në Evropë. Nga njëra anë prindërit kanë frikën t’i ballafaqojnë fëmijët me edukim seksual shumë herët, por në anën tjetër fëmijët po informohen vetë nëpërmjet kompjuterit apo shokëve për shumë gjëra… Kështu që mbetet dilemë se në çfarë shkalle futja e edukimit seksual në shkolla do të mund ta ndihmonte një zhvillim seksual adekuat tek fëmijët dhe të rinjtë. Unë personalisht mendoj që prindërit duhet të trajnohen se si të ballafaqohen me temat dhe pyetjet e fëmijeve rreth zhvillimit seksual. Në Austri ka workshope dhe trajnime të ndryshme ku prindërit marrin pjesë. Mentorët e këtyre seminareve janë specialistë dhe kanë përvojë shumëvjeçare me fëmijët në shkolla – ata mbajnë seminare të ndryshme me temat si “trupi im”, apo edhe “puthja e parë”.

Një temë mjaft aktuale dhe që lidhet me problemet e papunësisë, shpeshherë ka bazë problemet identitare tek të rinjtë. Ata edhe pas shkollimit hasin në vështirësi për të gjetur vetveten. Pse ndodh kjo dhe a mund të na bëni një krahasim me vendin ku ju jetoni dhe punoni?

Ky është një problem multifaktorial. Këtu përfshihen:

• Fakulteti si qëllim i prindërve
• Pak zanate dhe mosvlerësimi i zanateve
• Ndihma institucionale
• Pamundësia e gjetjes së punës
• Motivimi i dobët për të punuar (etika e punës).

Këto ditë ka pasur edhe një protestë për çështjen e rolit të femrave. Në shoqërinë tonë ekziston ende një perceptim se nuk është bërë sa duhet për barazinë gjinore. Si e shihni ju këtë çështje?

Kësaj pyetje dua t’i përgjigjem me një kundërpyetje time! Çka bën gjinia mashkullore për t’ju falenderuar femrës kosovare, që me aftësi të ndryshme profesionale po e prezanton me shumë dinjitet Kosovën brenda dhe jashtë saj. Ato janë nëna të mira, mësuese, gjyshe , gra të sjellshme e femra dinjitoze. Mirënjohje u jipet baballarëve kur ata kujdesen mirë për fëmijët, ndërsa që nënat të jenë të kujdeshshme, kjo duket se është krejtësisht normale. Është koha për një ndryshim në mendjet tona.

Po problemi i divorceve? Ky problem tek ne po merr përmasa shqetësuese, për faktin se është një dukuri e re, për shoqërinë tonë?

Ky është një problem psikosocial. Shoqëria kosovare po përjeton një transformim e me të edhe familjet dhe strukturat e tyre, e me gjithë këtë po shfaqen sfida të reja për tu përballuar. Të gjitha këto jane transformime normale, ndonëse çdo gjë e re i duhet kohë dhe mbështetje. Edhe këtu një mbështetje e mirë profesionale do t’u ndihmonte çifteve të tejkalojnë sfidat martesore para se të vendosin të divorcohen. Në raste divorcimi në Austri ekziston Këshillimi për divorcet (shkurorëzimet konsensuale). Ky këshillim për prindërit mbështetet në paragrafin “§ 95 Abs. 1a AußStrG” mbi nevojat specifike të fëmijëve të tyre të mitur si pasojë e ndarjes (divorcit). Me këtë ligj, prindërit duhet të informohen jashtë gjykate “mbi nevojat specifike të fëmijëve të tyre të mitur që rezultojnë nga divorci/shkurorëzimi”. Kjo do të thotë se të gjitha çiftet në Austri, të cilat kërkojnë shkurorëzim konsensual (me marrëveshje), janë ligjërisht të obliguar të këshillohen rreth pasojave të divorcit te fëmijët e tyre të mitur dhe të paraqesin dokument duke vërtetuar se e kanë kryer këtë detyrim para gjyqit. Me këtë ligj mundësohet që kujdesi prindëror të fokusohet te nevojat e fëmijës si dhe që interesi dhe mirëqenia e fëmijës të jetë në plan të parë, në rastet e Kujdestarisë dhe Konflikteve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu