Rrëfen Hubert Vedrine: Kur dështuam të bindnim Millosheviçin!

0
100

Rambue

Hubert Vedrine është një ndër ministrat e jashtëm më jetëgjatë të Francës, në dy dekadat e fundit. Socialist, 68 vjeç, bashkëpunëtor i ngushtë i ish-Presidentit François Mitterrand, Vedrine shërbeu për pesë vjet rresht (1997-202), si ministër i jashtëm i kabinetit Zhospen.

Me emrin e Hubert Vedrine lidhet një ndër periudhat më të trazuara në diplomacinë franceze dhe atë perëndimore, pas rënies së komunizmit.

Shpërbërja e ish-Jugosllavisë prodhoi në fundin e viteve ’90 tragjedinë e saj të fundit, me luftën në Kosovë.

Vedrine ishte njëri aktorët kryesorë të diplomacisë së aleancës perëndimore, që u përpoq të menaxhojë dhe të shmangë më të keqen, e më pas, pas nisjes dhe mbarimit të luftës, të negociojë vendosjen e paqes.

Hubert Vedrine ka qëndruar para disa ditësh në Tiranë. Ai ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës.

Gjashtëmbëdhjetë vjet më parë në Ballkan ndodhi një luftë e përgjakshme e cila përfundoi me ribërjen, për herë të fundit, të kufijve të rajonit. Lindi një realitet i ri, Kosova. Ç’ju vjen ndër mend, kur i kujtoni ato ngjarje ?

Më kujtohet energjia e madhe që unë, Madeleine Albright, Joshka Fischer, Robin Cook, Lamberto Dini, Igor Ivanov dhe Javier Solana, shpenzuam për më shumë se një vit, në gjirin e «Grupit të Kontaktit», për të gjetur një zgjidhje politike të pranueshme nga të gjithë, në lidhje me problemin e Kosovës. Për fat të keq, pa sukses.

Shqipëria u gjend në pozitë të vështirë gjatë luftës në Kosovë, me rreth një milion refugjatë kosovarë në qytetet dhe fshatrat e saj. Ç’mendim keni sot për sa i përket vendimit të NATO-s për të sulmuar regjimin e Millosheviçit ?

NATO është një aleancë ushtarake që nuk vendos e vetme. Ky vendim u mor nga qeveritë e Grupit të Kontaktit, me përjashtim të Rusisë, si vendimi më i mirë i mundshëm, i miratuar nga të gjitha vendet europiane, anëtare të NATO-s apo jo.

Millosheviçi mund ta kishte ndalur këtë proces të paralajmëruar. Ai pati disa mundësi, sidomos gjatë konferencës së Rambujesë, e cila u organizua për këtë arsye. Kompromisi i përgatitur parashikonte autonominë substanciale të Kosovës, jo pavarësinë, e cila u vendos vetëm disa vite më pas.

Në Rambuje, delegacioni serb ishte gati të pranonte, por Millosheviçi jo. Ai u shërbeu shumë keq interesave legjitime të Serbisë.

Si e gjykoni gjendjen në Ballkan, 15 vjet pas kësaj lufte ? Si ka shkuar procesi i integrimit europian të këtij rajoni ?

Situata ballkanike ka shumë kontraste. Në disa vende modernizimi po shkon mirë, ndërkohë që në vende të tjera ka vështirësi të panumërta, e madje edhe hapa prapa. «Europianizimi» është duke u kryer falë lidhjeve dhe programeve të shumta, por integrimi nuk mund të jetë i menjëhershëm, pasi Bashkimi Europian nuk është në gjendje, për momentin, që të garantojë zgjerime të tjera. Çdo lloj bashkëpunimi rajonal, në infrastrukturë apo fusha të tjera në këtë rajon të Europës, do të ketë një ndikim pozitiv më pas.

Sot bota po përballet me disa sfida, si vala e refugjatëve të luftës nga Afrika e Veriut dhe Siria. Si duhet të sillet Europa për t’i bërë ballë kësaj situate?

Në fakt, kjo është një sfidë që i përket gjithë botës dhe jo vetëm Europës. Duhet që të gjitha qeveritë dhe institucionet europiane të kenë një qasje të përbashkët, duke i kushtuar vëmendje emergjencës, por edhe duke e trajtuar të keqen që në rrënjë, duke bërë dallimin ndërmjet azilit dhe emigracionit, duke kombinuar masat e pritjes, të azilit, të ndëshkimit dhe të shpërbërjes (së rrjeteve të trafikantëve) dhe duke përfshirë të gjitha shtetet e prekura (nisja, tranziti dhe mbërritja).

Organizata terroriste « Shteti Islamik » paraqet gjithashtu një kërcënim kompleks për botën perëndimore. Çfarë qëndrimi duhet të mbajnë vendet demokratike, kundrejt rritjes së kësaj organizate terroriste?

Kjo nuk ka të bëjë vetëm me vendet demokratike, por me të gjitha vendet e Lindjes së Mesme, direkt të kërcënuara, si edhe me të gjithë ata që i druhen krijimit të një baze gjigande, me prapavijë terroriste.

Koalicioni duhet të zgjerohet dhe të forcohet, pa përjashtuar askënd, jo vetëm për ta bllokuar DAESH-in, por për ta zhdukur atë nga rrënjët, duke rivendosur në Irak dhe Siri regjime të pranueshme nga të gjithë elementët e shoqërisë, gjë që do të kërkojë, një mirëkuptim minimal nga ana e Iranin dhe Rusisë, edhe pse një gjë e tillë duket e vështirë. /javanews.al/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu