Rritet akciza në duhan e alkool, hiqet kufizimi i vjetërsisë së veturave

0
271

Alkooli

Me urgjencë, Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa ka aprovuar vendimet e Qeverisë që kanë të bëjnë me rritjen e akcizës në duhan, pije alkoolike dhe vendimet për ulje të akcizës në veturat e importuara sipas viteve të amortizimit dhe fuqisë motorike, vajra për ngrohje.

Komisioni për Buxhet ka mbajtur një mbledhje urgjente me qëllim që të aprovojë vendimet e fundit të Qeverisë që kanë të bëjnë me financat.

Këto vendime të qeverisë i ka arsyetuar para komisionit, ministri i Financave, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se vendimet janë të përafërta me direktivat e Bashkimit Evropian.

“Direktiva e BE-së kërkon që minimumi i akcizës së aplikueshme që aplikohen nga viti 2014 të jetë 90 euro për 1 mijë copë, ndërkohë që ne e kemi 32 euro. Tash po planifikojmë ta çojmë në 35 euro. Normalisht për shkak të dallimeve që i kemi në standardin e jetës në të ardhura, ne jemi larg arritjes së kësaj vlere të akcizës”, ka thënë Hoti.

Po ashtu, ai ka thënë se me ketë vendim është propozuar heqja e normës së akcizës në alkoolin medicinal për të cilin është krijuar kod i veçantë doganor me të cilin do të merret Dogana.

“Tek akciza në vetura, propozojmë që të hiqet vjetërsia, kufizimi në vjetërsi që ka qenë më herët deri në 30 vjet duke i rishikuar edhe normat përkatëse sipas vjetërsisë dhe me arsyetimin që Qendrat e Kontrollit Teknik të veturave do të sigurojnë gjithmonë që me rastin e importit të veturave, të sigurohemi që çështjet e emetimit të gazërve tjera të janë në përputhje me direktivat evropiane”, ka thënë Hoti, raporton kp.

Ai ka shtuar se është studiuar tregu dhe është parë që edhe në vendet e Bashkimit Evropian lejohet të operojnë vetura më të vjetra se 30 vite. Po ashtu ai ka bërë të ditur edhe për vendimin për vajin për ngrohje që kanë vendosur që të sigurohen që të zvogëlohet informaliteti në këtë fushë.

Lulzim Rafuna, drejtor i Doganës, ka treguar kategoritë e liruara për import të vetura pa dogana.

“Ka vetura që janë të liruara prej doganës që janë për kategori të caktuara, për shembull, misionet diplomatike, kategoria e invalidëve të luftës, personat me nevoja të veçanta, ta quaj kështu, pastaj janë organizatat joqeveritare”, ka thënë Rafuna.

Besa Gaxherri, anëtare e Komisionit për buxhet dhe financa, ka thënë se Kosova është e mbushur me automjete të vjetra mirëpo, sipas saj, Kosova është vend i varfër dhe i duhen ato.

“Sa i përket veturave, është e vërtet që ne jemi stërmbushur me vjetërsira nëpër të gjitha rrugët tona, por është e vërtetë që populli jonë është i varfër dhe ka nevojë të importojë vetura të vjetra. Vetura tashmë është mjet i punës, është mjet themelor. Ne nuk duhet të kemi barriera që të kemi vetura edhe më të vjetra se 13 vjet, por ne duhet t’i forcojmë mekanizmat të cilët, për shembull, sidomos shikimet teknike që tek ne ende shkojnë veç hyn aty dhe nuk bëhen kontrollet”, ka thënë Gaxherri.

Po ashtu Komisioni nuk e ka miratuar kërkesën e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me peticionin kundër shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike.

Naser Osmani, kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, ka thënë se komisioni jep rekomandime vetëm për çështjen që i takon këtij komisioni.

“Me ligjin e buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2015 janë ndarë 4.5 milionë euro për mbulim të shpenzimeve të energjisë elektrike për përfituesit e familjeve në rastet sociale dhe në rishikimin e buxhetit për vitin 2015 nuk mund të ndahen mjete shtesë buxhetore për këtë qëllim”, ka thënë Osmani.

Po ashtu Osmani ka thënë se qeveria duhet sa më shpejtë të procedojë në Kuvend projektligjin për ndryshimin edhe plotësimin e ligjit për Tatimin në Vlerën e Shtuar dhe të propozohet zbritja e TVSH-së në konsumin e energjisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu