Rrjeti i spiunazhit gjerman hyn në Ballkan

0
248

Në shkrimin e sotëm jemi mundur të sjellim disa aspekte të reja nga Dosjet e Shërbimit Sekret Britanik S.O.E dhe pikërisht faktin e ekzistencës së një rrjeti të gjerë të disa prej organeve të Zbulimit Gjerman që operonin në Ballkan. Britanikët ishin mjaft të shqetësuar për rrjetin e spiunazhit gjerman që operonte në Ballkan dhe janë përpjekur mjaft për ta neutralizuar apo edhe sabotuar ekzistencën e këtij rrjeti të fuqishëm informacioni. Interesante është se nga dosjet e S.O.E vijnë edhe një mori dokumentesh, të cilat kanë dëshmitë e agjentëve gjermanë të kapur nga Zbulimi ushtarak Amerikan pas luftës. Nga këto dëshmi del qartë se britanikët kanë pasur arsye të fortë për të pasur një përplasje sa më të ashpër me Zbulimet Inteligjente Gjermane, të cilat operonin në këtë pjesë të teatrit ushtarak të luftës. Nga dosjet e rrjetit të spiunazhit gjerman po japim disa emra, të cilët ishin prezent edhe në Shqipëri, duke vazhduar me listat e tjera të agjenturës gjermane në numrat që do të vijnë. Ekzistenca e Zbulimit Gjerman në Ballkan dhe në Shqipëri në fakt është mjaft e hershme dhe lidhet me influencën e austro-hungarezëve në viset ballkanike. Në listat e SOE dhe Zbulimit Amerikan të pasluftës dalin një mori shtetasish gjermanë të vendosur që në vitet 1930 Shqipëri, Greqi dhe Jugosllavi, të cilët operonin rrjete spiunazhi të pavarura në vartësi të degëve të Zbulimit Gjerman, por në veçanti shquhet Zbulimi Ushtarak ABWER, por edhe SD, apo Shërbimi Sekret i Partisë naziste, një prej institucioneve më të frikshme në Gjermani, e cila informonte në përgjithësi mbi ushtarakët gjermanë. Po kështu, seksioni i zbulimit të Marinës kishe degën e vet që operonte nga Athina, por që mbulonte edhe Shqipërinë.
Nga dokumenti i parë që do të botojmë sot, shikohet se Shërbimet e Inteligjencës Gjermane i kishin dhënë një rëndësi të madhe Ballkanit duke hapur Zyra operacionale në të gjitha qytetet e rëndësishme ballkanike, duke përfshirë edhe Tiranën. Megjithëse gjermanët në planet e tyre për supremacinë europiane nuk kishin parashikuar një ndërhyrje në Ballkan, ata u detyruan pas lëvizjeve të pavarura të Musolinit të angazhoheshin në okupimin e Europës Juglindore. Në Dosjet e S.O.E ka një numër dokumentesh dhe urdhrash operacionale që janë kapur pas pushtimit të Berlinit, të cilat flasin mbi Ballkanin. Këto dokumente të cilat shoqërohen edhe me dëshmitë e disa prej liderëve gjermanë të bëra pas kapitullimit të Gjermanisë, të japin të kuptosh se Hitleri e ka kundërshtuar me forcë çdo aventurë italiane në Ballkan dhe në veçanti në Shqipëri dhe Greqi. Ky kundërshtim vinte pasi një ndërhyrje gjermane në Ballkan do të dëmtonte planet e tij për zgjerimin në Lindje dhe në veçanti në Bashkimin Sovjetik. Në shkrimet e ardhshme do të botojmë edhe disa dokumente që vijnë nga dosjet e Hitlerit, të cilat flasin më gjerë dhe me detaje mbi kundërshtimin e tij ndaj pushtimit të Ballkanit nga italianët. Megjithatë, nëse kemi parasysh shtrirjen e gjerë të zbulimit gjerman në Ballkan, mund të themi pa frikë se ky zbulim ka qenë mjaft aktiv, jo vetëm në mbledhjen e informacionit, por edhe në krijimin e një fryme pro gjermane në disa prej vendeve ballkanike dhe në veçanti në Bosnjë dhe Shqipëri, duke stimuluar një përkrahje të popullsive myslimane si një aleate potenciale ndaj vendeve ortodokse, të cilat ishin më të prirura të influencoheshin nga politika pro ruse.

Agjentura gjermane në Shqipëri dhe në Ballkan
KONFIDENCIALE
Shtabi Qendror
Forcat Ushtarake Amerikane Teatri Europian
Qendra e Shërbimit të Zbulimit Ushtarak Amerikan
No. 757
1. Schaefer
Nga vera e 1943 deri në 1944 Schaefer (emri i koduar Schreider) ka qenë i atashuar pranë I/Lë në Berlin dhe gjatë kësaj kohe ka bërë një sërë udhëtimesh në Bukuresht dhe Sofie. Shpesh ai ka frekuentuar VESTVAR në Vienë gjatë udhëtimeve për të siguruar dokumentet e udhëtimit por nuk ka treguar asnjëherë mbi qëllimin e udhëtimit të tij. Gjatë 1941 dhe 1942 ai ka ndërmarrë një sërë udhëtimesh në Ballkan. VESTVAR beson se ai ka kontakte të shumta me rumunët të cilët e kanë ndihmuar për të krijuar një rrjet spiunazhi në Turqi dhe Bashkimin Sovjetik por ky aktivitet ka qenë i pavarur nga aktiviteti i iniciuar nga I/Lë, Ast Viena. Në 1943 Schaefer vizitoi Dr. Wagner in KO/Bullgari për të ndihmuar në operacionet e DOEGGLER në Sofie.
Në Gusht në 1944, Schaefer u transferua në Ast Viena për të zëvendësuar VESTVAR ku dhe ka vazhduar të përdorë DIETZE në Turqi, RANALLI në Itali dhe MARIO në Shqipëri. Schaefer nuk iu besonte robërve rus në çështjet e inteligjencës dhe për këtë arsye i ndërpreu dërgimet e agjentëve V-Lente në Bashkimin Sovjetik. Ndryshime të tjera të iniciuara nga Schaefer nuk njihen nga VESTVAR.
* MUETZE
Emri i koduar Malik, toger pjesëtar i FAT Nendor 1944, ka jetuar në Berlin i lindur në 1910, i gjatë 1.70 i hajthëm, me flokë të zeza dhe komleks djallëzor, sy kafe dhe me mustaqe.
Kariera: në verën e 1942 i caktuar në Athinë si pjesëtar i ABWER (Shërbimi I Zbulimit Ushtarak Gjerman) më vonë Shef Operacionesh në Turqi sektori arab. Në Athinë ka qenë asistent iI Drejtorit të ABËER, po kështu në Beograd si dhe në Tiranë me të njëjtën detyrë.
I martuar me një fëmijë. Gruaja jeton në Berlin, ka shumë mundësi që të ketë dezertuar nga ushtria në Shqipëri dhe të ketë qëndruar atje. Flet anglisht, frëngjisht dhe arabisht.
* Horst Von Salomon
Ka punuar direkt me GROSKOFP dhe SCHADE. Frekuentonte Ballkanin dhe Turqinë, ku rekrutonte personel për rrjetin e tij të spiunazhit kundër Anglisë dhe Francës. Në 1942 ka pasur lidhje direkt me VESTVAR, si dhe me vëllain e sekretarit të Mbretit të Bullgarisë por kjo lidhje nuk ka qenë rezultative për spiunazh.
* SCHMID agjent i SD (Shërbimi i inteligjencës së Gestapos)
Udhëtonte shumë në Ballkan në lidhje me firmat e siguracioneve të HOMMAN. Është përpjekur të përdorte të njëjtat firma për aktivitet spiunazhi kundër Bashkimit Sovjetik. Ka vizituar I/Lë në 1942, kur VESTVAR i ka dhënë konsulencë teknike mbi operacionet e zbulimit.

 

Auron Tare

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu