Rruga që i çoi në Prokurori

0
256

Fehmi Mujota

Tre zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës, Skënder Gashi, drejtor i Drejtorisë së rrugëve në këtë Ministri, Mal Lokal, kryeinspektor në këtë Ministri, si dhe Agron Beshiri, mbikëqyrës i projektit në ndërtimin e rrugës në fshatin Bervenik të komunës së Podujevës, janë marrë në pyetje të mërkurën nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, si të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ndërkaq, sekretari i ministrit, Besnik Hajdari, do të lajmërohet në Prokurori sapo të kthehet në Kosovë, ngase ai aktualisht është në pushime vjetore jashtë vendit.

Burime të besueshme të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka arritur të sigurojë dëshmi të mjaftueshme se personat në fjalë kanë keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë realizimit të këtij projekti. Por, në anën tjetër, zyrtarë të kësaj Ministrie nuk dëshirojnë të flasim shumë rreth kësaj çështjeje, duke thënë se janë të painformuar. Lah Nitaj, zëdhënës në Ministrinë e Infrastrukturës, ka thënë se nuk është në dijeni për tre zyrtarët e lartë të kësaj Ministrie të cilat janë marrë në pyetje nga Prokuroria në lidhje me keqpërdorim të pozitës zyrtare.

“Nuk dimë asgjë ne, sepse asnjë informacion zyrtar nuk e kemi, vetëm çfarë kemi dëgjuar prej mediave. Kjo është çështje e Prokurorisë dhe ne nuk kemi asnjë shkresë zyrtare, e as njoftim prej tyre”, ka thënë shkurt Nitaj, përmes telefonit. Në anën tjetër, zyrtarë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në lidhje me marrjen në pyetje të tre zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, nuk kanë dhënë ndonjë detaj.

Ekrem Lutfiu, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka thënë se për këtë çështje janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore. “Informata tjera nuk mund të japim pasi që mund të ndikojnë negativisht në fazën e hetimeve”, ka thënë ai shkurt përmes postës elektronike.

Gashi nuk flet

Në anë tjetër, Skënder Gashi, drejtor i Drejtorisë së rrugëve, nuk ka dashur të japë detaje në lidhje me paraqitjen e tij në Prokurorinë Themelore të Prishtinës. Në vend të përgjigjeve, Gashi ka akuzuar mediat, siç ka thënë ai për prezantim të pavërtetë rreth shkuarjes së tij në Prokurori. “Ne nuk kemi qenë të thirrur nga Prokuroria. Mirëpo, kemi qenë në Polici, në lidhje me tenderin për ndërtimin e rrugës në fshatin Bervenik”, ka thënë ai shkurt përmes telefonit. Mirëpo, ai nuk ka dashur të tregojë më shumë në lidhje me këtë, vetëm se ka thënë se nuk do të japë më shumë detaje për gazetën. “Nuk dua të prononcohem më shumë. Unë nuk lejoj që të cenohet integriteti im, kështu që do të ngre padi për të pavërtetat rreth shkuarjes sime në Prokurori”, ka thënë Gashi nëpërmjet telefonit.

Por, në anën tjetër as zyrtarë të Policisë së Kosovës nuk kanë dashur që të japin më shumë të dhëna rreth çështjes në fjalë. Zëdhënësi i Policisë, Brahim Sadriu, ka thënë se policia nuk është në dijeni për marrjen në pyetje të tre zyrtarëve të lartë të kësaj Ministrie. “Ne nuk e dimë se kush është marrë në pyetje”, ka bërë të ditur ai.

Gazeta “Zëri” gjatë ditës së enjte ka bërë përpjekje që të kontaktojë edhe me sekretarin Hajdari, por kontakti me të ka qenë i pamundur. Asistentja e tij përmes numrit të telefonit i ka thënë gazetës se sekretari gjendet në pushim vjetor jashtë vendit.

Nga: Resmije Ballazhi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu