Sa herë që Hashim Thaçi bëhet “patriot me bateria” dika kërcet. Për çka të frikësohemi kësaj radhe?

0
107

Collaku

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi na befasoi ditën e djeshme. Dhe atë për dy gjëra.

Fillimisht përmes një shkrimi autorial të botuar në gazetën gjermane “Franfkurter Allgemeine Zeitung”, akuzoi edhe mediet dhe analistët politik për ikjen masive të qytetarëve kosovarë drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Njeri deri dje më i pushtetshëm në Kosovë, duket se harroi që ishte pikërisht qeverisja e tij 7 vjeçare që e rrjepi këtë vend, ku u rritë korrupsioni, u rrit numri i të papunëve, u rrit numri i vrasjeve, i krimit të organizuar, u rrit edhe numri i vetëvrasjeve…

Ish- kryeministri harroi se ishte pikërisht qeverisja e tij dhe sistemi i tij i instaluar i keqqeverisjes, korrupsionit dhe i servilizmit, ai që ua humbi edhe shpresat këtyre qytetarëve, që e lëshuan Kosovën, e të cilën shpresë nuk kishte arritur t’ua humbiste askush.

Megjithatë, nuk duhet t’ia shohim për të madhe, për faktin se ai realisht është i shkëputur nga realiteti në këtë vend, dhe jeton në një “botë” tjetër, i rrethuar me servilë që ia bëjnë rrafsh, dhe me një jetë superluksoze, ku ndjen varfërinë e mëse 90 për qind të familjeve në Kosovë…

Kthehemi tek “befasia” e dytë, dhe shumë interesante që na e bëri Hashim Thaçi.

Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Hashim Thaçi u paraqitë shumë patriotë, sa që entuziazmoi edhe militantët e PDK-së…

Mirëpo, mbetet të shohim se sa do të zgjas ky patriotizëm i Hashim Thaçit.

Me gjasë deri të martën?!

Apo e gjithë kjo “zhurmë” e tij është bërë pikërisht për të martën, ku pritet që ai së bashku me partnerin e koalicionit Isa Mustafa do të takohen me homologët e tyre, Aleksander Vucicin e Ivica Dacicin për Asociacionin e Komunave, i cili siç po paralajmërojnë mediet serbe do të ketë kompetenca ekzekutive, duke e paralizuar kësisoj funksionimin e shtetit të Kosoëvs.

Hashim Thaçi, dhe Isa Mustafa shumë më mirë do të ishte që të bëheshin njëherë në jetën e tyre të sinqertë e të tregojnë të vërtetën se për çka po merren vesh në Bruksel, se sa të mundohen që përmes sulmeve ndaj medieve dhe patriotizmit t’i mbulojnë dështimet dhe dëmet që po ia bëjnë vendit.

Kësaj radhe, duket se Hashim Thaçit i ka ikur rasti që të zbuloj ndonjë temë të re, që t’i iket Asociacionit të Komunave.

Mirëpo, nuk i dihet, deri të martën do të shpiket ndonjë temë e re, ndonjë arrestim për dyshime në lidhje me ISIS-in, apo ndonjë e papritur, që do ta hajë opinioni në këtë vend dhe s’do të merret kush me Asociacionin…

Shkruan: Adrian Çollaku

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu