Sali Berishën nuk e shpëtojnë dot rrugët dhe tunelet

0
317

EDITORIAL

Sali Berisha, i gërryer nga tetë vjetët në krye të pushtetit ekzekutiv dhe me një skuadër qeveritare gati të shpartalluar, është kapur pas rrugëve, me shpresën se do të mbetet në pushtet edhe për një mandat tjetër. Përtej kulturës së opozitës për mohimin e gjithçkaje, ne duhet të pranojmë pa më të voglën mëdyshje se, nëse ka një punë për të cilën kjo qeveri dhe vetë Sali Berisha do të mbahen mend, do të jetë pikërisht infrastruktura. Sistemi rrugor është përmirësuar në përmasa historike, duke iu referuar gjendjes dhe mundësisë ekonomike të vendit. Por a mjafton kjo, pra a mjafton ndërtimi i infrastrukturës që Sali Berisha të qëndrojë në pushtet? A do ta shpëtojnë atë tunelet, qoftë edhe ata që e zvogëlojnë akoma më shumë Shqipërinë në aspektin e komunikimit mes qyteteve? Padyshim që jo! Sali Berisha nuk do të qëndrojë dot në pushtet, sado të përurojë tunele dhe rrugë, anembanë vendit. Padyshim që shqiptarët janë sot më komodë në udhëtimin e tyre, kursejnë kohë dhe fitojnë më shumë para duke lëvizur mallrat e tyre drejt tregjeve më kosto më të ulët. Por sërish shqiptarët nuk do t’ia besojnë drejtimin e vendit për një mandat tjetër. Jo se do të mbështesin ndonjë program të opozitës si më të mirë, por thjeshtë ata do të votojnë kundër Sali Berishës. Dhe, kur ne ulemi të analizojmë arsyet se përse duhet të fitojë njëra palë apo tjetra, padyshim që duhet të parashtrojmë fakte, se përse duhet të ndodhë apo se përse do të ndodhë kështu. Duhet të pranojmë se nuk është opozita që po e rrëzon Berishën, por është ai vetë dhe e gjithë ushtria e tij e politikanëve dhe zyrtarëve, kontribuuesit më të mëdhenj të kalimit të Partisë Demokratike në opozitë. Sado tunele të përurojë Berisha, qytetarët do të derdhen me votë kundër tij, sepse ajo do të jetë votë mllefi kundër shpërdorimit skandaloz të pushtetit, si nga vetë Berisha ashtu edhe nga tërë taborët e zyrtarëve partiakë lokalë. Por çfarë mllefi kanë njerëzit e thjeshtë, ata që kanë në dorë votën? Ky mllef buron së pari nga privatizimi i pushtetit dhe instalimi i kulturës së abuzimit në çdo qelizë të ushtrimit të pushtetit. Berisha duhet ta dijë se deputetët dhe kryetarët lokalë të Partisë Demokratike janë bërë si pashallarët e qyteteve që kanë zëvendësuar të gjithë pushtetet dhe funksionarët. Ai duhet ta dijë se sot në qytetet e vendit askush nuk mund të fillojë punë si mësues, infermier, e madje deri edhe roje i portës së shkollës, nëse nuk e aprovon këtë kryetari lokal i Partisë Demokratike. Dhe kryetari lokal e bën këtë ose nëse ti je militant i devotshëm, ose nëse paguan para në dorë për vendin e punës. Tashmë bursa është legale; 5 mijë euro për mësuesit, 3 mijë për edukatorët…. Ata që kërkojnë punë nuk paraqiten pranë institucioneve ku duan të punojnë, por pranë zyrave të PD-së në qytet apo edhe me keq, tek shtëpitë e deputetëve. Në këtë drejtim PD e ka kaluar edhe Partinë e Punës në kohë të vet. Këta njerëz (zyrtarët partiakë) janë shndërruar në varrmihës të konkurrencës, këta kanë vrarë garën mes vlerave dhe e kanë bastarduar politikën e punësimit. Kjo praktikë ka bërë që të rinjtë të mos stimulohen të shkollohen e profilizohen, por të nxitojnë që masterin ta zëvendësojnë me futjen në forumet rinore të partive politike, për të zëvendësuar kështu shkollimin me politikën. Sepse karriera kalon nga partia. Kjo praktikë ka instaluar psikologjinë e servilizmit, të vjedhjes, të blerjes dhe matrapazllëkut si mundësi për të ecur përpara dhe për të mbijetuar në këtë realitet bastard. Kjo ka vrarë ambicien e njerëzve për të punuar me ndershmëri, ka bërë që gjithkush që ka një post në dorë, ta shpërdorojë atë me logjikën se nuk më vjen më në dorë. Kjo praktikë ka shkatërruar hierarkinë shoqërore, ka shkatërruar shtresëzimin intelektual të shoqërisë, pasi brenda natës një njeri që nuk ka arkivuar në jetën e tij asnjë kontribut, zëvendëson dikë që ka punuar e studiuar për vite të tëra. Berisha instaloi sistemin e kontrollit politik në çdo institucion. Partia vendos për mësuesit, për drejtorin e shkollës, për drejtorin e kopshtit, për rektorin e universitetit, për anëtarët e akademisë së shkencave e madje, edhe për skuadrën që do të dalë kampione në futboll. E gjithë kjo ka shkatërruar një nga binarët më të rëndësishëm mbi të cilët mbështetet shoqëria, konkurrencën e ndershme. Shqiptarët nuk kanë më modele, njerëz që t’u referohen, pasi modeli është matrapazi, është batakçiu që futet në politikë dhe bëhet i pasur brenda një viti, krimineli që shoqëron deputetin dhe shkel bashkëqytetarët e tij me makinë. Dhe ky dëm që i ka bërë Berisha këtij vendi nuk riparohet, për fat të keq, me ndërrimin e qeverive, pasi kjo është shndërruar tashmë në sistem. Një tjetër arsye madhore që Berisha nuk do të vazhdojë të jetë kryeministër, është dështimi i tij për të ndërtuar një shtet funksional. Sot, pa asnjë dyshim, ne mund të themi se shteti shqiptar nuk është funksional. Është skandaloze dhe flagrante. Në Shqipëri nuk zbatohen një sërë ligjesh që janë miratuar dhe kjo është e paprecedentë. Dua të sjell një shembull: Në 2012 u miratua një ligj për arsimin parauniversitar. Një ligj shumë i mirë që mori si rrallëherë, votat e të gjithë deputeteve në parlament. Ky ligj parashikon që drejtuesit e shkollave dhe drejtuesit e arsimit në qytete të zgjidhen nga bordet e prindërve, nxënësve dhe komuniteti. Një ligj alla amerikan që u hartua pas një viti të tërë konsultimesh edhe me shoqërinë civile. Por çfarë ndodhi? Largimi i LSI-se nga koalicioni u shoqërua me shkarkime të drejtuesve edhe në arsim. U shpërfill ligji në mënyrë skandaloze dhe drejtorët u shkarkuan me një sms sërish nga partia. Në cilin vend demokratik ligjet do të shkeleshin në këtë mënyrë? Nuk mund të ketë gazetë që të mbajë shembujt e pafund që mund të sjellim për mosfunksionimin e shtetit. Por do të sjell një rast “banal” për Shqipërinë, por skandaloz për çdo vend tjetër. Një burrë është sot në gjendje kome në spital. Ai po udhëtonte natën në rrugën mes Tiranës dhe lagjes Kombinat. Punëtorët e ndërmarrjes së rrugëve kishin hapur një gropë të madhe ditën dhe e kishin lënë ashtu. Asnjë tabelë, asnjë dritë, asnjë shenjë që tregonte se aty kishte një gropë. Edhe pse aty ndodhi një aksident tragjik, sërish gropa vazhdon të jetë e hapur. Udhëtoni jashtë Shqipërisë, jo me larg, por në Kosovë dhe Mal të Zi dhe shikoni sesi për një punim edhe elementar në rrugë vendosen shenja paralajmëruese të paktën 200 metra përpara. Kjo mund t’ju duket banale, por kjo neglizhencë totale e respektimit të rregullave u kushton jetën çdo ditë njerëzve. Ky nuk është një rast i shkëputur, por një mendësi e tërë, është një frymë e mosrespektimit të asgjëje. Nuk dua të përmend më se deri ku janë përfshirë në krime krerët më të lartë të Policisë së Shtetit, as se si gjykatësit shesin drejtësinë si mall në pazar. Jo, po kërkoj më të thjeshtën, një dritë apo një tabelë që të tregojë se në rrugë po bëhen punime që unë të mos lë kokën aty. Sali Berisha nuk bëri dot shtet, por ndërtoi një strukturë që funksionon si gjysmë private. Policia, gjykata, prokuroria e struktura të tjera që u shërbejnë një kategorie të shoqërisë, që është edhe aristokracia e korruptuar e vendit. Pra, ndërtoi një shtet në shërbim të interesave të borgjezisë së re, të përfaqësuar nga njerëzit e pushtetit, të cilët e mendojnë shtetin si vegël të tyre për t’u shërbyer e për të sunduar. Për pasojë, askush nuk mendon se shteti mund të jetë në shërbim të të gjithëve. Kjo është një arsye tjetër e madhe pse Berisha do ta humbë pushtetin, ose të paktën pse duhet ta humbë.

 

Nga: MENTOR KIKIA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu