Sarajet e Vlorajve, shkruhet historia e shtëpisë ku u mbrujt Pavarësia

0
156

Darling Ismail Vlora pinjolli i Ismail Qemalit dhe prof.dr.Eqrem Zenelaj prej kohësh kanë nisur punën për botimin e një libri me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Në të pritet të ketë dokumente e fotografi të padala më herët përmes të cilave do të shpaloset historia e Vlorajve, familjes që i dha vendit tonë Pavarësinë 100 vite më parë. Prezantimi i një lloj peme gjenealogjike që prej viteve të mesjetës së vonë e deri më sot, emrat e bejlerëve e pashallarëve që në gen ishin Vloraj, do t’i bëhen me dije publikut në një punim të veçantë. Historia nis aty nga fundi i shek.XV, kur Sinan Pasha Vlora ndërtoi sarajet e tij brenda mureve të Kalasë së Kaninës, në krah të majtë, pasi hyje nga “Dera e Beut”. Fillimisht ndesheshe me ndërtesën e “haremeve”, e cila ishte “një shtëpi e madhe me 4 kulla të tipit të shtëpive të forta të Labërisë” dhe pas tyre vinte “selamllëku”, i cili shtrihej në një shesh më të lartë rreth “Kullës së Agajt”. Nga libri i pabotuar ende kemi shkëputur pak rrëfime, copëza kujtimesh të emrave të njohur përgjatë historisë. Duke falenderuar Darling Vlorën që na i mundësoi, botojmë më poshtë disa prej tyre.
Sarajet
Pasardhësit e Sinan Pashës (të cilët drejtuan thuajse pa ndërprerje Sanxhakun e Vlorës), kanë jetuar për një kohë të gjatë në sarajet e Kalasë. “Sipas një raporti zyrtar që Kapllan Pasha Vlora (Sanxhakbeu i Vlorës), i dërgoj Portës së Lartë, mësojmë se pikërisht gjatë sulmit venecian vëllai i tij, Murat Çelebi hoqi nga Kanina aktet zyrtare dhe pasurinë dhe i çoi në Berat. Pavarësisht se pas një viti Kapllan Pasha bashkë me ushtrinë Perandorake e pushtoi përsëri Vlorën dhe Kaninën, që nga ajo kohë, si qendër e Sanxhakut të Vlorës, u caktua Berati, ku edhe Sanxhakbeu vendosi rezidencën e tij”, – shkruhet në dorëshkrimet e librit mbi Vlorajt. Më tej, aty shënohet se gjatë sulmit për të çliruar Kalanë e Kaninës nga venecianët “Sarajet e Vlorajve” u dëmtuan rëndë. Zenel Pasha Vlora (emëruar Sanxhakbej më 1700) i restauroi dhe aty vazhduan të qëndrojnë pasardhësit deri në vitin 1809 kur trupat e Ali Pashë Tepelenës pushtuan Vlorën dhe Kaninën. Por sarajet u dëmtuan sërish. Rreth 1821-it, meqë u pa si më e arsyeshme ndërtimi i një kompleksi të ri sesa restaurimi i sarajeve të Kalasë së Kaninës, dy vëllezërit vendosën të spostonin rezidencën e tyre familjare nga Kanina në Vlorë.
Në qendër të qytetit, rrethuar nga një park prej mbi 4ha, dy vëllezërit Vlora, Ismail Bej dhe Beqir Bej, filluan ndërtimin e një kompleksi sarajesh të përbërë nga dy ndërtesa të mëdha: “Selamllëku” (ndërtesa e burrave) dhe “Haremllëku” (ndërtesa familjare). Ato qëndronin paralel me njëra-tjetrën, e ndërsa “Selamllëku” qe dy katëshe me një gjatësi 70m, “Haremllëku” ishte tri katëshe, madhështore, e gjatë 85m. “Përveç dhomave të mëdha, në qendër të ‘Haremllëkut’, në çdo kat, kishte një sallon të madh tridhjetë metër të gjatë, dymbëdhjetë të gjerë dhe gjashtë të lartë. Salloni i katit të tretë ishte më i veçanti. Ai mbahej nga dymbëdhjetë kolona të bardha dhe me një tavan të praruar druri. Në fund të tij hapej një paradhomë e gjerë ku ishte salla e festave”, – shkruhet në dorëshkrimet e librit mbi Vlorajt.
Sipas tregimeve popullore Mahmud Bej Vlora kishte marrë nga Janina ustallarë gollobordas për t’i gdhendur mbi portën e hyrjes kryesore dy shqiponja dykrenare.
Shtëpia e patriotëve
Në këto saraje, në ndërtesën “Selamllëk”, gjatë vitit 1828, nën kryesinë e Ismail Bej Vlorës, u zhvilluan mjaft takime midis krerëve shqiptarë si Zylyftar Poda, Çelo Picari, Tafil Buzi, Shahin Delvina, etj., për t’ju kundërvënë politikës që Porta e Lartë filloi të ndiqte ndaj Shqipërisë. Vite më pas, po aty burrat e Labërisë do mblidheshin në kuvende të shumta për të organizuar “kryengritjen popullore kundër reformave të Tanzimatit”, gjatë viteve 1847-48, ku Mahmud Bej Vlora dhe Selim Pasha Vlora ishin ndër udhëheqësit e shquar të saj, bashkë me Rrapo Hekalin, Zenel Gjolekën, etj. Pas shtypjes së kryengritjes Mahmud Bej Vlora dhe Selim Pasha Vlora u arrestuan dhe u internuan në Konia të Azisë së Vogël, ndërsa familjet e tyre u internuan në Selanik.
Vizitat
Më 1853 “Sarajet e Vlorajve” do të kujtohen edhe për vizitën që bëri Arkiduka i Austrisë, Ferdinand Maximilian, vëlla i Frac Jozef-it, Perandorit të Austro-Hungarisë. “Arkiduka Maximilian, i cili më vonë do bëhej Perandor i Meksikës, e vizitoi Shqipërinë në gusht 1853 duke e mbyllur udhëtimin e tij me vizitën në Vlorë gjatë paradites së 23 gushtit. Shënimet që ai do linte më pas në ‘Kujtimet’ e tij janë mjaft interesante dhe na lënë një përshkrim mjaft të bukur mbi ‘Sarajet e Vlorajve”, – thuhet në dorëshkrime. Në libër vihet re se të shumtë kanë qenë personalitetet e shquar që kanë vizituar “Sarajet e Vlorajve”. “Burra si Graset, Bertrand, Hecquard, etj. shpesh ishin miq në shtëpinë tonë”, kujton Ismail Qemali për vitet e fëmijërisë së tij. Ndërsa Eqrem Bej Vlora, i cili lindi thuajse 30 vite më pas, në “Kujtimet” e tij shkruan: “Në shtëpinë tonë nuk kanë munguar kurrë vizitat e personaliteteve të rëndësishme. Gjatë vitit 1878 në aty do zhvilloheshin takimet e Degës së Vlorës për ‘Lidhjen Shqiptare të Prizrenit’, Kryetar i së cilës ishte zgjedhur Mustafa Pasha Vlora, njëkohësisht edhe Anëtar i Kryesisë së Lidhjes dhe në tetor të vitit 1878, gjatë veprimtarisë së tij në Jug të Shqipërisë, në ato saraje do qëndronte edhe rilindasi i madh Abdyl Bej Frashëri”. Midis tyre mund të përmendim Markezin Di San Giuliano (më vonë ministër i Jashtëm i Italisë), i cili e vizitoi Vlorën më 1901; Amelie Von Godin, e cila e vizitoi Vlorën për herë të parë më 1908; Gueltiero Castellini, i cili qëndroi për një kohë të gjatë në Vlorë, gjatë vitit 1913; D.Heaton Armstrong, i cili shoqëroi Princ Wied-in gjatë vizitës së tij në Vlorë, më 27 korrik 1914, ku për nder të çiftit mbretëror Eqrem Bej Vlora do shtronte një drekë madhështore në sallonin e madh të ndërtesës “Haremllëk”, oborri i së cilës ishte mbushur nga mijëra e mijëra njerëz, etj.
Edhe “theatro”
Një ndër veprimtaritë e klubit atdhetar “Labëria” ishte edhe krijimi i “Teatrit Kombiar në Vlorë”. Shfaqja e parë që organizoi Teatri ishte drama “Vdekja e Pirros”, përgatitur nga Mihal Grameno. Premiera e dramës u shfaq më 14 shkurt 1909, pikërisht në “sallonin e teatrit” të “Sarajeve të Vlorajve”, nën kujdesin e Thanas Floqit, ku midis 200 të pranishmëve ishin edhe konsujt e shteteve të ndryshme të akredituar në Vlorë. Gjatë shfaqjes “në momentin kur kryepriftëresha e Orikumit i zgjat Pirros, që po nisej në Itali, një flamur, dhe me një ton patetik e duke shkëmbyer legjendën e Konstandinit, i thotë “Me këtë shenjë ti do të fitosh”, Eqrem Bej Vlora do valëviste para publikut flamurin shqiptar. Megjithatë ishte viti 1912 ai që shënoi edhe ngjarjen më madhore, ngjarje e cila bëri që “Sarajet e Vlorajve” të mbeten përjetë në Historinë tonë Kombëtare. Në atë nëntor të largët, tashmë 100-vjeçar, “Sarajet e Vlorajve”, që gjithmonë i kishin mbajtur dyert e hapura për këdo, këtë radhë do t’i hapnin për gjithë Shqipërinë. Më 28 nëntor 1912, nën kryesinë e Ismail Qemal Bej Vlorës në “sallën e pritjes”, në katin e dytë të “Selamllëkut”, në një sallon të madh, pajisur me mobilie të bukura të stilit “beidermeier”, do zhvillonte punimet Kuvendi Kombëtar, i cili Shpalli Pavarësinë e Shqipërisë.

 

Nga fatmira Nikolli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu