Sekreti i armëve kimike të Irakut

0
162

Amet kimike

Trupat amerikane gjetën armë kimike në Irak pas pushtimit të 2003-shit, por Pentagoni e mbajti të fshehtë.

Arsyeja ishte një e vetme: arsenali nuk justifikonte pretendimet e ish-Presidentit George Bush mbi programin e armëve të shkatërrimit në masë të Sadam Huseinit, i cili iu servir botës si arsye për goditjen e regjimit irakian.

Nga 2004-a deri në 2011-n, forcat amerikane kanë gjetur në këtë vend – sipas gazetës prestigjioze “New York Times” – plot depo sekrete të mbushura me koka raketore, predha e bomba aviacioni. 17 ushtarë janë plagosur, disa rëndë, gjatë zhvendosjes së tyre.

Një pjesë e këtyre armëve ishin aty të fjetura që prej viteve 1980, thotë “New York Times”, një dëshmi e qartë kjo e faktit që arsyetimi i Bushit nuk e përligjte sulmin ndaj Irakut.

Përpara mësymjes së forcave të koalicionit, ish-Presidenti amerikan dhe ish-kryeministrit britanik, Tony Blair, trumpetuan me forcë nevojën e një misioni, i cili “do të çarmatoste Irakun nga armët e shkatërrimit në masë, t’i jepte fund mbështetjes së Sadam Huseinit për terrorizmin, e të çlironte popullin irakian”.

Të gjitha armët e gjetura datonin që përpara viteve ’90. Një pjesë e tyre ishin predha artilerie 155 milimetërshe të mbushura me gaz mustard dhe raketa 122 milimetërshe të prodhuara gjatë Luftës së viteve 1980-1988 mes Irakut dhe Iranit.

Por ka edhe një tjetër arsye, përse kjo çështje u mbajt larg vëmendjes së publikut. Sipas “New York Times”, 5 në 6 armët kimike të zbuluara në Irak ishin prodhim amerikan. Edhe personeli ushtarak, që u mor me zhvendosjen e tyre, nuk ishte informuar se po lëvizte e shkatërronte arsenal kimik. Ushtarët besonin se bëhej fjalë për armatime normale, e predha artilerie të zakonshme.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu