Selim Muça: Vendimi është i jashtëligjshëm

0
516

 

Kreu i Komunitetit Mysliman akuzon grupet destruktive brenda institucionit për veprimtari të jashtëligjshme

“Një palë ekstremiste dhe një palë tjetër hajdutë të pronave janë njerëzit që përbëjnë sot kryesinë e Komunitetit Mysliman në Shqipëri”.

Këto janë akuzat që herë pas herë drejtojnë të dy krahët kundërshtarë brenda komunitetit më të madh fetar në vend, ku së fundi konflikti ka mbërritur në pezullimin nga detyra të kreut të këtij komuniteti, Selim Muça.

Të paktën kështu është bërë me dije nga kryesia e Komunitetit Mysliman Shqiptar, ndërkohë që Selim Muça i ka konsideruar anëtarët e saj, destruktiv dhe njerëz që veprojnë në kundërshtim të plotë me ligjin dhe moralin islam.

Akuza e kreut të Komunitetit Mysliman ndaj njerëzve që guxuan të “ngrijnë” pozicionin e tij janë bërë dje për gazetën “Shekulli”, ku në një intervistë Selim Muça ka shpjeguar arsyet e vendimit të marrë për pezullimin e tij nga detyra që, sipas tij, është krejtësisht i jashtëligjshëm.

Z. Muça, a jeni në dijeni të një vendimi të marrë për pezullimin tuaj nga detyra dhe përse ka ndodhur kjo?

Jam vënë në dijeni nga media apo më mirë të themi nga disa zëra që qarkullonin në kryesi, por ky është një vendim krejtësisht i jashtëligjshëm, të cilin unë nuk kam ndërmend ta respektoj. Ky vendim është marrë nga një grup destruktiv që për interesa të caktuara kërkojnë të shkaktojnë zullume në strukturat drejtuese të Komunitetit Mysliman.

Z. Muça, a keni qenë ju në dijeni të mbledhjes së kryesisë së Komunitetit Mysliman të zhvilluar të mërkurën në ambientet që ju drejtoni?

Jo. Megjithëse statuti e përmban që kreu i KMSH-së duhet të jetë i pranishëm në këtë mbledhje. Unë nuk janë lajmëruar, madje nuk ka pas asnjë rend dite diskutimi për këtë çështje. Këto njerëz destruktiv janë mbledhur në një zyrë të selisë së komunitetit dhe aty kanë diskutuar për rreth tre orë. Unë nuk dua të futem në bisedat e tyre, por po them se ky vendim është krejt i jashtëligjshëm.

Z. Muça, përse një vendim që bën fjalë për pezullimin tuaj nga detyra qenka i jashtëligjshëm?

Sepse, për shkarkimin apo për pezullimin nga detyra të Kryetarit të Komunitetit Mysliman bëhet vetëm nga Komiteti i Përgjithshëm Drejtues i dhe jo nga kryesia e Komunitetit Mysliman. Kryesia mund të propozojë mbledhjen e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues dhe më pas aty votohet shkarkimi apo emërimi i kryetarit, ndaj dhe ky vendim është i jashtëligjshëm dhe në kundërshtim mbi çdo normë që funksionon sot Komiteti Mysliman i Shqipërisë.

Z. Muça, ju thoni se janë njerëz destruktiv që kanë marrë këtë vendim, a mund të na thoni kush janë këta njerëz?

Ky grup kryesohet nga sekretari i Përgjithshëm, Betim Truçi, myftiu i Durrësit, Ilir Vokshi, Bujar Topçiu, myftiu i Kukësit, Ali Hallaçi, dhe disa persona të tjerë destruktivë që deri më tani kanë organizuar këtë kaos në institucion. Këta individë, vazhdimisht ushtrojnë presion në mënyra të ndryshme mbi instancat e institucionit tonë, duke paralizuar dhe penguar me të gjitha mënyrat mbarëvajtjen e funksionimit të Komunitetit Mysliman.

Z. Muça, një nga akuzat që ky grup ka ngritur ndaj jush është ajo e abuzimit me pronat të komitetit Mysliman. Sa e vërtetë është kjo?

Unë jua thashë që këta janë njerëz destruktiv dhe, në fakt, sa herë duan të bëjnë zhurmë ngrihen këto akuza që janë krejtësisht të pasakta. Pronat në Shqipëri as nuk i merr dhe as nuk i jep Selim Muça, por Komisioni i Kthimit të Pronave që ne prej vitesh po ndjekim procedurat ligjore. Këto janë vetëm shpifje që ky grup justifikon veprimtarinë e tyre.

Z. Muça, a do ta zbatoni ju këtë vendim të kryesisë?

Jo. Deri sa vendimi është i jashtëligjshëm dhe në kundërshtim në statutin e Komitetit Mysliman unë nuk jam i detyruar të respektoj asnjë vendim. Sot do të jetë një ditë normale punë për mua, ku, sigurisht, për këtë që ka ndodhur, do të diskutohet në strukturat bazë të Komitetit Mysliman të Shqipërisë.

 

Përplasje brenda kryesisë së komunitetit mysliman, shkarkohet myftiu i Durrësit, Ilir Vokshi, dhe sekretari i Përgjithshëm, Betim Truçi

KMSH: Autorët e kërcënimeve, vrasës të Salih Tivarit

Konfliktet brenda komunitetit mysliman hapin plagët e vjetra, atë të ekzekutimit të ish-sekretarit të Përgjithshëm, Sali Tivari. Ngjarja e ndodhur 7 vjet më parë, dhe ende e pazbardhur, është rihapur nga vetë drejtuesit e Komunitetit Mysliman, në zyrat e të cilit u ekzekutua Tivari.

Në një deklaratë publike, kreu i këtij Institucionit ka aluduar që njerëzit që përpiqeshin të largonin atë nga detyra janë dhe ekzekutorët e Tivarit. Ndërkohë që interesat mbi pronat e komunitetit më të madh fetar në vend, duket se është bërë edhe kësaj radhë molla e sherrit ndërmjet drejtuesve të këtij institucioni.

Konflikti

Një vendim për pezullimin nga detyra e kryetarit Selim Muça i ka kushtuar shtrenjtë, myftiut të Durrësit, Ilir Vokshi, dhe sekretarit të Përgjithshëm, Betim Truçi. Ngjarjet e djeshme kanë qenë aq të shpeshta në komunitetin më të madh mysliman, saqë brenda orëve janë shkarkuar nga detyra disa drejtues kryesorë të këtij institucioni.

Nëse gjatë paradites se djeshme një pjesë e kryesisë së Komunitetit Mysliman, të udhëhequr nga myftiu i Durrësit, Ilir Vokshi vendosi pezullimin nga detyra të kryetarit Muça. Ndërkohë që pak orë më vonë, në një mbledhje që ka zgjatur deri në orët e vona të mbrëmjes kryesia e Komunitetit ka vendosur shkarkimin nga të gjitha funksionet të Ilir Vokshit. Por ndërsa vendimet bien rrëzonin njëri-tjetrin, më të renda kanë qenë akuzat që të dy palët kanë lëshuar ndaj njëra-tjetrës.

Myftiu i Durrësit e ka akuzuar kreun e komunitetit Mysliman për abuzime me pronat, ndërkohë që i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryesisë së këtij institucioni. Në deklaratat publike, Selim Muça jo vetëm që i ka quajtur njerëz destruktivë, por ka aluduar që pikërisht ata që po kërkonin shkarkimin e tij kanë lidhje dhe me ekzekutimin e Sali Tivarit, 7 vjet më parë, në zyrat e këtij institucioni.

“Fatkeqësisht, forca të errëta, pasi patën larguar ish-kryetarin pak vite më parë në rrethana misterioze realizuan vrasjen në zyrë të ish-sekretarit të Përgjithshëm të ndjerit Salih Tivari, tani po mundohen të largojnë me dhunë dhe kërcënime Kryetarin legjitim të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë”, – ka deklaruar dje kryesia e komunitetit mysliman.

Sipas këtij sqarimi, thuhej se ky grup kryesohet nga sekretari i Përgjithshëm, Betim Truçi, myftiu i Durrësit, Ilir Vokshi, Bujar Topçiu, myftiu i Kukësit, Ali Hallaçi, dhe disa persona të tjerë destruktivë.

Sipas drejtuesve të Komunitetit Mysliman, kanë qenë pikërisht këto persona që ditën e djeshme janë mbledhur në mënyrë të paligjshme dhe ilegale, sipas tyre, kanë marrë disa vendime antistatuore dhe antiligjore, duke tejkaluar çdo normë institucionale, morale dhe islame.

Ndryshimet e miratuara në kryesinë e Komunitetit Mysliman

Kryesia e Komunitetit Mysliman nuk është mjaftuar dje vetëm me vendimin për pezullimin nga detyra të kryetarit Selim Muça. Në mbledhjen e djeshme, në emër të mbarëvajtjes së punëve në institucion janë miratuar dhe disa ndryshime të tjera struktura drejtuese të këtij komuniteti.

Kështu KMSH-së vendosi që z. Bujar Spahiu të lirohet nga detyra e Drejtorit të Arsimit, por ai vazhdon detyrën e nënkryetarit të KMSH-së. Institucioni që drejton fenë islame në vend vendosi të emërojë në detyrën e Drejtorit të Arsimit, z. Altin Shima, i cili deri tani ka qenë Drejtor i Medresesë së Korçës dhe Myfti i Rrethit Kolonjë, Ersekë. Ai ka një përvojë disa vjeçare në fushën e arsimit, si arsimtar dhe drejtues i lartë, si dhe është i pajisur me kualifikimin fetar dhe laik.

Sakaq, Ilir Vokshi lirohet nga detyra e myftiut të Tiranës dhe vazhdon detyrën si myfti i Rrethit Durrës, e cila është një myftinj e madhe me problematika të shumta. Kurse Hafiz Shaban Saliaj rikonfirmohet myfti i Rrethit Tiranë dhe Bilal Teqja emërohet ndihmësmyfti i Tiranës.

Duke u bazuar në nenin 25 të Statutit të KMSH-së dhe Rregulloren e Brendshme të saj, si dhe duke ndjekur zhvillimet e kohës dhe duke pare rëndësinë e medias dhe marrëdhëniet me publikun, KMSH vendosi të krijojë Drejtorinë e Marrëdhënieve me Publikun dhe Median. Me këtë rast, KMSH vendosi dhe që të emërohet në detyrën e Drejtorit të Marrëdhënieve me Publikun dhe Median z. Agron Hoxha.

Kronologjia e sulmeve personale ndaj pasuesit të Sabri Koçit, pas zgjedhjes në krye të KMSH-së në mars 2004

Pronat dhe radikalët, akuzat 6-vjeçare ndaj Selim Muçës

 

Që prej zgjedhjes së tij në krye të Komunitetit Mysliman në mars 2004-ës, emri i Selim Muçës është përfolur vazhdimisht për abuzime dhe shpërdorim të detyrës nga kundërshtarët e linjës së ashpër në institucionin e fesë islame.

Pak më tepër se një vit pas zgjedhjes një grup besimtarësh të Tiranës dolën publikisht hapur kundër Muçës, duke i kërkuar kryetarit të Komitetit Shtetëror të Kulteve, ndërhyrjen e shtetit për të ndaluar keqfunksionimin e Komunitetit Mysliman.

Sipas besimtarëve të Tiranës, pas ardhjes së Selim Muçës në krye të Komunitetit Mysliman ishin krijuar situata të rënda nga drejtuesit, ndaj kërkonin ndërmjetësimin e kryetarit të Komitetit Shtetëror të Kulteve të asaj kohe, Ilir Kulla për të përmirësuar këtë situatë.

Sipas imamëve dhe besimtarëve të Tiranës, kryetari i Komunitetit Mysliman, Selim Muca dhe ish-myftiu i Tiranës, Bledar Myftari, me lojëra hipokrite po përdhosnin vlerat e besimit islam e të myslimanëve.

Muça u ishte përgjigjur akuzave sit ë bëra nga njerëz të papunë dhe se në Komunitetin Mysliman ishin vendosur njerëz, me arsimimin e duhur dhe besueshmëri, ndërsa ata që akuzonin i cilësonte njerëz që duhej të lëviznin nga postet që kishin, sepse, nuk kishin punë tjetër veçse të merreshin me llafe dhe shpifje.

Por, një muaj më pas, në shtator 2005, nënkryetari i KMSH-së, Bledar Myftari dha dorëheqjen nga Komuniteti Mysliman, duke akuzuar drejtuesit për keqmenaxhim të pronave, meskinitet dhe nepotizëm.

Sipas tij, disa drejtues të Komunitetit Mysliman nuk përfaqësonin interesat reale të bashkësisë së besimtarëve myslimanë, por vetëm interesat meskine e personale të tyre, se KMSH kishte dëmtuar interesat e arsimit fetar, si të vetmet institucione ku në Shqipëri mësohej besimi islam sipas një programi mësimor të pranuar edhe nga Ministria e Arsimit, pas nënshkrimit të një kontrate 30-vjeçare për kalimin e medreseve nën administrim, sipas programeve të kolegjeve turke, duke cenuar programet fetare të këtyre shkollave, që konsiderohej nga Myftari si mbyllje e Medresesë së Tiranës.

Pika më e nxehtë e akuzave të myftarit ishte ajo e pronave, sepse ,sipas tij, Komuniteti ka adoptuar skemën më të korruptuar të menaxhimit të pronave të trashëguara të bashkësisë së besimtarëve.

Muça kundërpërgjigjej se në vendimet për pronat, ishte marrë edhe mendimi i Myftarit, duke renditur edhe reagimet e tij për disa kontrata ndërtimi, jo të favorshme për Komunitetin Mysliman si te trualli i “Namazgjasë” në Elbasan, trualli tek “ish-Dhoma e tregtisë” në Tiranë, trualli tek “ish-Medreseja e vjetër”, pranë kinema “Partizanit”, etj., për të cilat çështja kishte shkuar edhe në Gjykatë. Nga ana tjetër, sipas Muçës, në shumicën e rasteve, në mbledhjet për pronat kishte marrë pjesë edhe vetë ish-nënkryetari, sidomos në raste tenderësh.

Në mars 2009, Selim Muça do të rikandidonte sërish për kreun e Komunitetit Mysliman Shqiptar, duke marrë 69 vota nga 83 anëtarët e pranishëm në procesin e votimit.

Gjatë mbledhjes së radhës për rizgjedhjen e udhëheqësit të besimit fetar mysliman, të zhvilluar në medresenë e Kavajës u bënë debate të ashpra midis përfaqësuesve të dy grupimeve, atyre pro Muçës dhe kundërshtarëve të tij, të cilët kërkonin largimin e Muçës nga podiumi i mbledhjes, duke thënë që ai nuk është më në postin e kryetarit, pasi i kishte mbaruar mandati që me 17 Mars 2009.

Sipas imamit të Kavajës, Muça kishte abuzuar me pronat e komunitetit dhe kishte paguar nga 50 euro anëtarët me të drejtë vote, që t’ia japin sërish mandatin e kryetarit.
Në fund të tetorit 2009, Këshilli i Komunitetit Mysliman vendosi shkarkimin nga detyra të nënkryetarit Saimir Rysheku, dhe imamit të Tiranës, Shaban Saliu.

Rysheku sërish akuzoi Selim Muçën për përfshirje të dyshimtë në biznesin e shitjes së trojeve.

Një muaj më pas, kur akuzat u shtuan, Selim Muça kundërpërgjigjet duke thënë se Komuniteti Mysliman i Shqipërisë e ka pasur gjithmonë në qendër të vëmendjes problemin e pronave, njohjen, kthimin e kompensimin si dhe menaxhimin e vënien në efiçencë të tyre dhe se veprimtaria e KMSH-së në qendër e në rrethe realizohet sipas statutit dhe akteve ligjore e nënligjore në fuqi dhe jo nëpërmjet individëve të veçantë.

Sipas tij çdo veprim që ka të bëjë me zhvillimin dhe vënien në efiçencë të pronave realizohet sipas procedurave korrekte, të cilat miratohen nga forumet vendimmarrëse të tij, që janë: Kryesia dhe Këshilli i Përgjithshëm.

Sipas Muçës, KMSH-ja ka qenë dhe mbetej garant i trashëgimisë tradicionale fetare në Shqipëri dhe është e vendosur në këtë rrugë dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejojë prishjen e saj nga frymëzime të errëta, të cilat kërkojnë uzurpimin e KMSH-së dhe Institucioneve të tij, përdorimin e tij më pas jashtë funksionit fetar.

Jetëshkrimi i liderit të dytë të KMSH-së, të diplomuar si inxhinier në Çeki

KMSH: Muça nxori nga arkivi 1000 dokumente pronash

Haxhi Selim Muça rrjedh nga një familje me tradita islame. Babai i tij ka qenë Imam deri në momentin e ndërrimit jetë në fshatin e lindjes. Ai kreu medresenë e Tiranës dhe shkollën e mesme të përgjithshme në kryeqytet. Më pas Muça ka vazhdoi studimet universitare në degën e Inxhinierisë Gjeodezi-Hartografi në Çeki.

Me profesionin e Inxhinierit Gjeodezi-topografi-hartografi ai punoi në shumë rrethe të vendit, derisa në Shqipëri u rihapën vendet e kultit. Në vitet1992-1994, ishte inspektor Arsimi në Komunitetin Mysliman, pastaj 4 muaj Myfti i Elbasanit, deri në 1995 në dispozicion të Myftinisë Lezhë dhe Vlorë, ndërsa deri në Mars 2004 Shef personeli në KMSH, ku do të zgjidhej më pas

Si Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Në mars 2009 u rizgjodh me shumicë votash për një mandat të dytë. Haxhi Selim Muça ishte lideri i dytë i myslimanëve shqiptarë në periudhën e demokracisë, duke zëvendësuar në këtë post Haxhi Hafiz Sabri Koçin.

Sipas Komunitetit Musliman gjatë kohës kur Muça drejtoi KMSH-në ka pasur trajtim me përparësi për përgatitjen e dosjeve dhe hapjes se proceseve gjyqësore për raste e veçanta për pronat e KMSH-së. Kështu është bërë evidentimi i pronave në shifrën 90%. Nën drejtimin e z. Muça janë nxjerrë nga arkivi mbi 1000 dokumente pronash. Gjatë kësaj periudhe të mandatit 5-vjeçar, janë futur për legalizim gjithashtu edhe rreth 550 xhami.

KMSH, 19 vite jetë

Kongresi i parë i myslimanëve i zhvilloi punimet nga 24 shkurti deri më 12 mars të vitit 1923, duke zgjedhur si kryetar të bashkësisë Kryemyftiun e deriatëhershëm Haxhi Vehbi Dibrën. Kongresi hyri në histori për vendimet e rëndësishme teologjike me kahe kombëtare, sepse shpalli mëvetësinë e “Xhamisë Shqiptare” duke prerë të gjitha lidhjet me Kalifatin, themeloi Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, i cili do të interpretonte dhe menaxhonte në të ardhmen gjithçka që kishte lidhje me fenë myslimane në Shqipëri, zgjodhi Këshillin e Lartë të Sheriatit, ku kryetari i tij përfaqëson Komunitetin Mysliman me titull Myfti i Përgjithshëm.

Kongresi hartoi Statutin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, mbi të cilin do të mbështetej e gjithë veprimtaria e Komunitetit Mysliman. Rihapja e aktivitetit fetar islam pas sistemit komunist në Shqipëri, u bë më 16 nëntor 1990 në Xhaminë e Plumbit në Shkodër.

Institucionalizimi i funksionimit zyrtar i Komunitetit Mysliman u bë në vitin 1991. Me vendosjen e demokracisë Komuniteti u drejtua nga Haxhi Hafiz Sabri Koçi dhe pas vdekjes së tij, nga marsi 2004 e në vazhdim nga Haxhi Selim Muça.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu