Shënimet e pabotuara të Enver Hoxhës për Konferencën e Pezës

0
292

Sot në orën 10 të mëngjesit shkuam në Pezën e Madhe, ku u bë manifestimi për 35-vjetorin e Konferencës historike që u mblodh këtu. Siç dihet, Konferenca është bërë më 16 shtator, kurse ne festën e bëmë më 18, ditën e dielë. Për fat të keq koha ishte e keqe dhe tërë natën deri në mëngjes ra shumë shi, por kur mbërritëm në Pezë, ai pushoi, kështu që gjithë ceremonia u zhvillua pa shi. Qe mbledhur popull i madh, kishin ardhur njerëz nga gjithë krahina e Pezës dhe nga qyteti i Tiranës dhe mund të ishin 25 mijë a 30 mijë vetë. Atje na prisnin shokët pezakë. Më parë vizituam varrezat e shokëve partizanë që ranë në fushën e nderit duke luftuar. Dëshmorët e Pezës janë afro 150 vetë. Varrezat i kanë bërë shumë bukur, arkitektja që ka bërë projektin është për t’u lavdëruar. Në krye të varrezave është një bazoreliev i bukur në formë konkave, ku janë pasqyruar partizanët dhe populli. Varret janë rreshtuar në një varg me radhë njëri pas tjetrit. Pas ekzekutimit të hymnit kombëtar zbritëm për të nderuar shokët tanë të shtrenjtë që ranë për lirinë e atdheut. Mbasi vura kurorën time, pastaj edhe shokët e tjerë, nderuan kujtimin e të rënëve. Atje lexonim emrat e shokëve. Më të shumtët prej tyre i kisha njohur. Disave, si dhe partizanit të panjohur, me dhëmshuri e respekt u përkëdhela kokën e varrit.

Në varreza ishin grumbulluar partizanë të vjetër, shokë të Pezës, plaka që na kishin mbajtur nëpër shtëpi si djemtë e tyre, nëna e motra dëshmorësh. U përqafova e u putha me to, u shtrëngova duart Musa Hakramës, Shabë Rexhës, Salës, Cenit e shumë të tjerëve. Pastaj zbritëm dhe u futëm në dhomën e muzeut, ku na priste i dashuri dhe i shtrenjti Babë Myslimi, me të cilin kemi kaluar kohët e vështira të luftës e që ka luajtur një rol të rëndësishëm në Luftën Nacionalçlirimtare, në organizimin e masave të popullit të Pezës dhe në organizimin e Partisë. Ai, i shkreti, nuk sheh nga sytë. E mora nga krahu dhe, të shoqëruar nga të gjithë shokët e Byrosë Politike dhe nga shokë të vjetër të çetës së Pezës, u ngjitëm me Babë Myslimin në tribunë, nderuam popullin, i cili brohoriste për Partinë e Punës të Shqipërisë, për veprën e saj të pavdekshme. Në popull kishte një entuziazëm të papërshkruar. Mbajti fjalimin sekretari i parë i Komitetit të Partisë të rrethit të Tiranës, Qirjako Mihali, pastaj e mori fjalën sekretari i Komitetit Qendror, Prokop Murra. Të dy folën mbi rëndësinë e ditës së 16 shtatorit. Në fund u aprovua një telegram që i dërgohej nga mitingu i madh i masave të gjera të popullit, që ndodheshin në sheshin përballë obeliskut, Komitetit Qendror të Partisë. Të gjithë shokët e vjetër të Pezës, ishin jashtëzakonisht të gëzuar, bisedoja me ta për kohët heroike, kur së toku ngjiteshim në Grorë, në Dorake, në Maçalle etj, ku fshiheshim nëpër male nga elementët që Qazim Mulleti dër-gonte për të zbuluar bazat tona. Folëm për kasollen e vjetër që u dogj, ku kishim teknikën e Partisë e ku shtypëm traktin e parë të Konferencës së Pezës. Më kujtohet që kur u ktheva në Tiranë, mora një thes me trakte me vete, të cilin e futëm në një han d he me biçikleta rendëm e u larguam pse mend na rrethoi milicia italiane, e cila e kishte në sy qendrën tonë.

Takova me Bije Vokshin, Bijen e vjetër, të fortë e të çeliktë, me dashuri të madhe në zemër për Partinë, për ne që na ka mbajtur, na ka mbrojtur e na ka ushqyer në kohën e luftës. Ajo digjet ta shohë Kosovën e lirë. “Bije – i thashë – do të ketë Diell edhe për Kosovën, do të lindë edhe atje Dielli i lirisë, kjo është çështje kohe”. “Aman, të lumtë goja – tha Bija – populli i Kosovës do liri, do bashkim me Shqipërinë”. Pastaj u përqafuam me të gjithë, edhe me Babë Myslimin, të cilit i urova jetë të gjatë, dhe i thashë se, do të vijmë përsëri e çdo vit këtu në Pezën heroike, më 16 shtator dhe Baba do të shikojë, do t’i vijnë sytë. Do të bëjmë përpjekje që të shohë diçka, të mos jetë fare pa dritë. “Shikova për ty – i thashë Babës – i nderova për ty e për Partinë dhe në emrin tim shokët tanë të rënë që janë radhitur atje lart në bregore. Partia u ka bërë varreza të bukura, është ngritur dhe një bazoreliev që më pëlqeu shumë, Babë Myslim. Partizanët e Pezës të armatosur dhe populli i gjithë në këmbë janë gdhendur në bazoreliev”. “Faleminderit shumë Partisë që nuk i harron bijtë e saj” – tha Myslimi. Kur po fliste Prokopi, shikoja kodrat e dashura të Pezës, që i kam shëtitur me pushkë në krahë me automatik, pëllëmbë për pëllëmbë. Shtëpia ku kam punuar për referatin dhe për rezolutën është prishur dhe është hapur vendi, se në atë anë janë bërë varrezat; më kujtohet se pak më tutje, ngakrahu i djathtë, shkonte një vijë uji, të cilën në kohën e luftës e kapërcenim me Nexhmijen dhe me shokë të tjerë e pastaj vendosnim shenja e qëllonim. Nexhmija njëherë që lloi më mirë nga ne të gjithë. Ishin kohë të vështira, por të lavdishme, ishin kohë heroike plot punë, plot përpjekje. Tek arra e madhe, që nuk e pashë, dikur rrinim afër e afër me Baba Fajën e me Myslimin dhe u flisja atyre si e mendonte Partia këtë luftë, si e mendonte Partia pas çlirimit pushtetin e popullit, si mendonte Partia që fshatarët të bëheshin zotër të tokave dhe të mos kishin mbi kokën e tyre askënd përveç atyre vetë, se si klasa punëtore dhe fshatarësia të merrnin fuqinë nën udhëheqjen e klasës punëtore dhe Partia t’i çonte përpara, në fitore. “Duhet të luftojmë – i thosha Babë Myslimit e Baba Fajës – do të derdhim edhe gjak e mund edhe të vritemi, dikush do të dalë nga lufta e dikush jo.” “Për atdheun jeta kurban të bëhet” – thoshte Baba Faja, duke fërkuar mjekrën e tij të zezë.

Kur u bë konferenca më 16 shtator 1942, atje erdhën edhe element nacionalistë si Çoba, Kamber Qafmolla, më vonë erdhi edhe Azis Çami kur kishim mbaruar mbledhjen. Me disa njihesha, me disa jo. Bazi i Canës natyrisht kish ardhur më përpara, Mustafa Gjinishi ishte atje, me doktor Dishnicën u takuam para se të venim në mbledhje. Atje ku sot është lapidari, ishte një shesh ku kishte disa pemë të egra po me hije. Te ky vend kishim nxjerrë disa karrike e ndenjëm; u njohëm me Bazin e Canës, me Çobën, biseduam me ta për çështjen e luftës kundër pushtuesit. Ata rezervoheshin dhe ne e dinim një gjë të tillë, megjithatë përpiqeshim t’i afronim dhe t’u shpjegonim rëndësinë e situatave dhe vështirësitë, të cilat, siç ua shpjegonim, duhej t’i kapërcenim dhe t’i kapërcenim me sakrifica, por për këtë duhej që i tërë populli të ngrihej në këmbë, ndryshe nuk mund t’i bëhej ballë rrebeshit të madh që na kishte pllakosur, nuk mund të mposhtej Italia fashiste me atë ushtri të madhe dhe me tradhtarët që kishte grumbulluar rreth e rrotull. Kur flisja për tradhtarët nën ato hijet e pemëve, Bazi i Canës fërkonte leshrat që i kishte si të rrjepura e fije-fije, dhe fytyra e tij në ato çaste i ngjante një miu të djallëzuar. Megjithatë ne silleshim korrekt me të, ndonëse e dinim kushishte, ç’përfaqësonte e ç’qëllime kishte ai.

Në këto mbledhje ne bënim sikur nuk i dinim, nuk e preknim të kaluarën e hidhur e të tmerrshme për popullin tonë; do të vinte koha dhe ishim të bindur për atë që popullit do t’ia rivinim në dukje tmerret e regjimit të Zogut, por në atë kohë kur po bënim Konferencën e Pezës duhej edhe politikë, dhe politika konsistonte në atë që të grumbullonim rreth Partisë gjithë popullin, pavarësisht nga mendimet e idetë e ndryshme politike, përveç atyre fashiste e përveç kolaboracionistëve; të grumbullonim të gjithë njerëzit, pavarësisht nga besimet fetare, të bënim unifikimin e popullit të krahinave, të ngjallnim dashurinë në mes tyre dhe besimin në unitetin e atdheut. Kjo ishte politika e madhe që na kishte mësuar Partia dhe Komiteti Qendror që ta zhvillonim në atë konferencë, e cila do të kryente një detyrë kolosale gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, detyrë që do ta vazhdonte edhe pas çlirimit, në ndërtimin e socializmit. 35 vjet! Shumë kohë kanë kaluar që nga ajo konferencë, por, kur po flisnin shokët në këtë miting përkujtimor, më dukej sikur kjo ngjarje ishte zhvilluar dje. 34 vjeç isha në atë kohë, por edhe tash pas 35 vjetëve e ndjej veten të ri si ngahera. “Bie shi” – më thanë shokët. “Le të bjerë” – u thashë. “Po fryn erë shumë”. “Le të fryjë”, u thashë, si në luftë, le të vemi të marrim pjesë në atë gëzim të madh që krijuam me luftë e me gjak. Do të vete të nderoj shokët, do të vete të nderoj partizanët e gjallë, nënat plaka që na kanë dhënë shëllirë, që na kanë ngrohur në vatrat e tyre, që na kanë tharë rrobet, çorapet, që na kanë ngrohur këmbët nga të ftohtit me ato duart e tyre me kallo, me fytyrat e tyre të dashura, por të thara nga mjerimi, ato nëna që na jepnin krodhen e bukës e disa kokrra ullinj që u gjendeshin në ndonjë poçe në tavan. Atje mora forca të reja, u thashë shokëve dhe ngjarjet e këtyre ditëve të shënuara më gjallërojnë.

Pezë, Pezë, vend i shenjtë për të gjithë, por për mua veçanërisht. Sa kujtime më dalin përpara; nën hijen e atyre pemëve rrija kokë më kokë me Kajo Karafilin, i cili më kërkonte t’i shpjegoja ku ndodheshin vendet e botës që kishin hyrë në luftë. Më kujtohet, se kishte një atlas të vjetër, unë ia hapja atë dhe i tregoja Rusinë e madhe të Stalinit, i tregoja Gjermaninë e Hitlerit, Italinë e fashistit të poshtër, Musolinit dhe sytë e Kajo Karafilit ndrisnin. “Kajo – i thosha – duhet të mësosh”. “Mësomë të shkruaj, jam gati – më thosh – gjithë kohën kur pushojmë, kur s’jemi në luftë, më thuaj mua diçka”. Dhe unë i thosha Kajos njëçikë histori, njëçikë gjeografi, njëçikë ekonomi e ai sikur ngrohej, i ndrisnin sytë, bëhej më i gjallë, kishte etje ai trim për dituri dhe mua më nxiste t’i tregoja, t’ia bëja të qartë se kohë nuk kishim shumë, se ishim të zënë me punë e me luftë. Ishin djem të zotë Kajo Karafili, Lam Shkurti, Faje Hakrama e shokë të tjerë. Kalova afër varrit të Rrem Hakramës, i fërkova kokën Rremës së dashur, djalit të ri, Lam Shkurtit. Do të jetë një kujtim i paharruar për mua 35-vjetori i Konferencës historike të Pezës.

Përgatiti Teuta Hoxha

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu