Sheshit

0
141

Gjatë jetës time ilegale, gjysmë ilegale (gjatë pajtimit të gjaqeve dhe në UNIKOMB) dhe asaj legale, në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës (si zëvendës Ministër i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale), deri më 02.04.2000, kur kam dhënë dorëheqje nga të gjitha struktura e UNIKOMB- it, me motiv se po “nëpërkëmbën njerëzit që e kanë bërë historinë” jam munduar të japi kontributin tim në përvijimin e filozofisë politike kombëtare për 35 vjet. Këtë mision që ia kisha kushtuar vetës që në rini, po mundohem ta mbaj edhe sot, pra pas asaj date të dorëheqjes.

Në biseda, debate dhe veprime konkrete me bashkëveprimtarët e mi kemi ndihmuar në themelimin e UÇK- së dhe në rritën e luftën e saj. Ky kontribut nuk ka munguar as në organizimin e Lëvizjes studenteske dhe organizimin e demonstratave të 01 Tetorit 1007, por edhe në demonstratat e mëvonshme për UÇK- në.

Gjatë kësaj periudhe të veprimit ka pasur rënie e ngritje të figurave politike, rënie e ngritje të kërkesave kombëtare, rënie e ngritje të veprimtarëve dhe veprimeve politike e ushtarake. Kanë shkuar emra me turp nga skena politike, janë ngritur emra të rinj në skenën politike, janë rehabilituar kolaboricionistër e tradhtarët, janë përçmuar në skajshmëri veprimtarët dhe askush nuk ngiti zërin për t’i thënë mjaftë kësaj loje të pistë. Gjatë kësaj kohe kanë lindur rrahagjoksë duke u munduar ta rishkruajnë historinë, mësim i huazuar nga nomenklatura e historianëve politikanëve në të kaluarën, por duke mos analizuar e përllogaritur se historia është sajuar nga datat dhe bëmat e akëcilit individ e grup veprimtarësh, të cilën askush nuk mundët për t’i shlyer.

Kur pata dhënë dorëheqje me atë motiv, disa shok më shikonin me habi, disave u mbarohej qejfi, se ishte larguar një kundërshtar politik, mirëpo kur e shikojë nga kjo distancë kohore, shoh se kam pasur të drejtë, edhe pse atëbotë nuk kam dyshuar fare, por e sotmja e argumenton bindjen e atëhershme, që më dukej se vetëm unë e kisha nuhatur atë fenomen.

Këtyre dymbëdhjetë viteve gjërat filluan të dalin në shesh më të theksuara. Edhe më herët kam shkruar se ne jemi i vetmi komb që i duartrokasim tradhtisë, shembull për këtë kemi veprimet e Sali Berishës që kur erdhi në skenë politike shqiptare, me bëmat e të cilit nuk jam pajtuar që në fillim, për këtë janë dëshmitë me shkrim të kohëve nëpër të cilat kaloi kombi ynë. Të gjitha ato, dita ditës vijnë duke u vlerësuar me argumente të plotfuqishme, por ne ende pajtohemi me lojën që bënë Ai me suitën e tij, ku ka edhe grek, serb, malazez e maqedon dhe fill të tjerë. Ne i duartrokitëm e i duartrokasim edhe Ibrahim Rugovës dhe e rehabilituam gjer në masën e pranimit të tij si “president historik” dhe “vizionar i shtetësisë së Kosovës”, duke i harruar të gjitha lojërat e pista që luante kundër kombit, me misionarët serb e ndërkombëtare dhe në kohën e Tij kemi shumë të burgosur, të vrarë e të mos flasim për largimin e rinisë tonë nëpër rrugët e perëndimit dhe perceptimin se UÇK ka qenë gjenocidiale, pasojat e të cilës po i vuajnë ish ushtarakët e asaj ushtrie të lavdishme në procese gjyqësore në Hagë e Kosovë .

Sot kemi të njëjtin avaz.

Kurrë nuk është shkruar në mënyrën më përbuzëse e përçmuese se këto njëzet e dy viteve të fundit kundër Enver Hoxhës dhe po t’i mbledhësh shkrimet, autorët dhe personalitetet politike të gjithë botës, që kur kanë filluar të merren me këtë personalitet, nuk janë një e njëqinda nga ajo që kanë shkruar shqiptarët këto vitet e “demokracisë”. U ka dali rendi të shkruajnë e flasin edhe ata të cilët, kohët kanë dëshmuar, se kanë qenë kundër kombit haptas, duke vepruar në taborin e akëcilit armik. Unë nuk befasohem nga disa mjeranë, por mua më brengosë kur dëgjojë e lexojë nga tabori tjetër që e madhonin personalitetin e Tij në kohët shumë të vështira. Çka i shtynë ata të dalin në këtë tabor?!

Ajo që edhe më tepër më irriton kohëve të fundit është, vërsulja kundër SHIK- ut, ndërsa heshtet UDB- ja dhe kreatyra e saj “Siguria e atdheut”. Pse askush nuk doli dhe të thotë dy fjalë për ato, por gjithë goja e politikanëve e deputetëve është e mbushur me “bëmat e SHIK- ut”, aq më tepër kur dëgjon edhe ata nën komandën e të cilëve është themeluar e ka vepruar ai mekanizëm. Le të bëjmë një krahasim në mes proceseve gjyqësore të Hagës dhe atyre që janë zhvilluar e zhvillohen në Kosovë dhe do të dali sheshit i njëjti skenar, mirëpo këtu, në rastin e fundit, kemi Bllacën “SHIK- as” dhe tash le të përdhoset lufta e UÇK- së!!!

Pse jemi mësuar dhe nga kush, që gjërat t’i shohin në distancë kohore pa vrarë mendjen e ndërgjegjen për të bërë analiza, kohën e veprimit dhe mundësit e veprimit?!

Kjo po shihet në të gjitha planet e jetës dhe nga të gjithë. Me rehabilitime kemi për ta mbushur regjistrin e veteranëve të luftës së UÇK- së, edhe më tepër se sa janë sot, sepse dikush po kujdeset për të fshirë të kaluarën, pra para themelimit të kësaj ushtrie të lavdishme. Ka dal sheshit etja për pushtetit, duke menduar se do tu kalojë koha për të qenë burrështetas, duke u munduar të rikthehet në pushtet, sepse lakmia e kolltukut nuk po e lë të qetë, duke u munduar që edhe me dhëmbë të mbaj karrigen, sepse etja e pushtetit nuk e lë të ketë akt moral dhe të sheh realitetin me sy.

Pothuaj në çdo seancë parlamentar kemi shprehjen “Kosovë dhe Metohia”, cili nga kuvendarët e ngriti zërin për këtë fyerje me paramendim, e cila na kthen para vitit 1968?! Çfarë duhet të thuhet tjetër në Kuvend, por të qenë kuvendarët shqiptarë të bashkuar dhe të ndërpresin fenomenet e tilla?!

Çdo kuvendar duhet ta dijë misionin e vet. Duhet të jetë në nivel detyre dhe jo për teke të largohet nga karrigia  e  kuvendarit për të pirë e kafe e për të bërë shaka duke u krekosur me “e pe si ia bëra?” Ai duhet të qëndrojë aty dhe të përballet me të gjitha sa thuhen dhe nëse është e nevojshme të thotë mendimin e vet edhe në kundërvënie (replikë) të referuesit. Misioni i tij nuk përfundon vetëm në shprehje të mendimit. Kuvendari duhet të rrijë dhe të arsyetojë mosvotimin e akëcilit akt apo ligj dhe qytetari le ta kuptojë në esencë pse po ndodh kjo gjë, e jo pastaj në ndeja e fushata elektorale të jep një mijë e një arsye për këtë gjë.

Ajo që duhet të na brengos të gjithëve është etja për pasuri duke mos zgjedhur mjete, mënyra e njerëz për t’u pasuruar. Nuk do të më befasonin ata të cilët dikur luanin lojën e pistë edhe me tregti njerëzish si në kohën e skllavërisë, se kush më tepër e zbrazte Kosovën, nuk do të më befasojnë ata të cilët kishin pranuar lojën e të qenit kolonialist, nuk do të më befasonin ata të cilët një jetë kishin kaluar në tregti me serbet, malazezët e maqedonët, duke përdhosur mundin e djersën e fshatarëve tanë. Mua më brengos fakti se tash në ballë të gjithë kësaj të keqeje janë ata që edhe armën e rrokën për të larguar kolonizatorët, për të futur nën sundimin e vet bashkëfshatarë e bashkëluftëtarët. Dhe sipas një analize, gjithë loja politike sot nuk ka karakter kombëtar, por bëhet lojë për të ardhur e mbajtur pushtet për të qenë edhe ai nesër pas nesër milioner dhe përsëri e njëjta lojë me qytetarin që dje e përdorte për luftë çlirimtare e sot për luftë pushtetari, që në ndërdyje ka vetëm përfitimin.

Gjon Rid thoshte “Lufta është profit”, e po ta zbërthesh këtë me gjuhën e sotme, lufta për pushtet bëhet për të përfituar, pra duhet nxjerr profitin për kohën e humbur dhe për mjetet e shpenzuara deri në marrjen e pushtetit.

E kombi, ani pse është në rrezik, le të kujdesen idealistët!!!

 

Prishtinë, 22.04.2012

 

Nga, Afrim Morina

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu