Shkojnë në shtëpi

0
220

Bujar Bukoshi e Astrit Haraqija janë “liruar” nga detyrat qeveritare me shpresë se do të kthehen aty pas disa muajsh, kur t’i sqarojnë punët me drejtësinë. Kryeministri ua aprovoi “lirimin”, derisa Zyra e tij nuk e përmendi termin “dorëheqje” për t’i ruajtur raportet e partneritetit me partinë e Ukë Rugovës. Burime të Expressit thonë se Lista nuk planifikon t’i zëvendësojë Bukoshin e Haraqinë me zyrtarë të tjerë të saj.

Bujar Bukoshi e Astrit Haraqija kanë lënë zyrat e tyre qeveritare, të hënën, me shpresë së do të kthehen sërish ku ishin, diku kah vjeshta e këtij viti.

Zëvendëskryeministri dhe Zëvendësministri i Financave bënë një marrëveshje me Kryeministrin Hashim Thaçi, përpara se Qeveria të lëshojë një komunikatë për media.

Për ta ruajtur koalicionin mes PDK’së dhe Listës Ibrahim Rugova, Zyra e Kryeministrit tha se Bukoshi e Haraqija po lirohen nga detyrat shtetërore, duke i ikur kështu termit “dorëheqje”.

Burime të gazetës Express thanë se Lista nuk do t’i zëvendësojë dy postet e mbetura bosh pas aktit të Bukoshit dhe Haraqisë, me shpresë se ata do të kthehen sërish në punë, posa të lirohen nga akuzat për korrupsion.

“Ata thjesht nuk duan ta pengojnë drejtësinë duke qenë se mbajnë poste të larta. Bukoshi dhe Haraqija u liruan, të bindur se do të kthehen, pasi që akuzat që rëndojnë mbi ta janë politike”, tha një zyrtar i Listës, në kushte anonimiteti për Express.

Zyra e Kryeministrit tha se akti ndodhi me kërkesën e dy zyrtarëve të lartë.

“Zëvendëskryeministri Bukoshi dhe Zëvendësministri Haraqija këtë akt e kanë bërë për hir të respektimit të procedurave ligjore, që po zhvillohen ndaj tyre dhe me qëllim të krijimit të hapësirës për organet e drejtësisë për të kryer misionin e tyre”, thuhet në njoftimin për media të Zyrës së Kryeministrit.

Ndër të tjera, thuhet se që të dy anëtarët e Kabinetit Thaçi janë të bindur në pafajësinë e tyre dhe se pavarësisht lirimit të dy anëtarëve të koalicionit nga Lista Ibrahim Rugova, partneriteti qeverisës do të vazhdojë.

“Po ashtu, ata potencojnë se si përfaqësues të Listës Ibrahim Rugova, do të mbesin partnerë koalicioni në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka treguar mirëkuptim ndaj këtij akti moral dhe juridik të dy zyrtareve. Duke e falënderuar z. Bukoshi dhe z. Haraqija për punën e tyre në Qeveri, Kryeministri Thaçi nga sot i liron ata nga detyrat që i kanë ushtruar deri më tani. Kryeministri Thaçi thekson se partneriteti me Listën Ibrahim Rugova do të vazhdojë si në planin qeverisës, po ashtu edhe në atë politik”, përfundon komunikata e Qeverisë.

Burime të gazetës Express në Zyrën e Kryeministrit, ndërkaq kanë njoftuar se Bukoshi dhe Haraqija nuk do t’i ushtrojnë detyrat e tyre qeveritare vetëm deri në shtator të këtij viti, kur edhe pritet të fillojë procesi gjyqësor.

Të bindur në pafajësinë e tyre, ndërkaq, u shfaqën të hënën edhe Bujar Bukoshi e Astrit Haraqija.

I kontaktuar nga Expressi, Bujar Bukoshi ka mohuar se lirimi i tyre nga detyra ka lidhje me ndonjë dorëheqje eventuale nga postet qeveritare.

“A e keni komunikatën përpara, askund nuk bëhet fjalë për dorëheqje, e keni në komunikatë, aty thuhet lirim nga detyra derisa t’i kryejnë organet e drejtësisë hetimet. Po besoj që tash nuk ka nevojë për komente të tjera”, u shpreh Bukoshi për Express.

Haraqija, ndërkaq, nuk ka dashur të komentojë rreth komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, por ka thënë se është i pafajshëm për akuzat që e rëndojnë.

“Nuk dua të komentoj fare atë që ka dalë nga Zyra e Kryeministrit. Unë besoj në pafajësinë time”, ka thënë Haraqija për Express.

Ndryshe, në prill të këtij viti, burime të Expressit në Prokurorinë e shtetit kishin njoftuar që së paku katër zyrtarëve të lartë të Qeverisë Thaçi pritet t’u vendosen prangat nën dyshime të mëdha për përfshirje në korrupsion dhe shpërdorim të detyrës zyrtare.

“Bëhet fjalë për ministra. Por, së paku njëri nga ta mban post të zëvendëskryeministrit”, pati thënë burimi i gazetës.

Ndërkohë, e ditur është se për akuza të tilla nën hetime aktualisht janë tash Zëvendësministri i Financave, Astrit Haraqija dhe Zëvendëskryeministri Bujar Bukoshi.

Nuk dihet nëse këta dy zyrtarë do të jenë në listën e njerëzve që pritet të arrestohen, mirëpo me lirimin e tyre nga postet qeveritare, bie edhe imuniteti i tyre që ua hap rrugën organeve të drejtësisë edhe për një gjë të tillë.

Gisht kah qeveria, për afera korruptive patën bërë edhe Ambasadori amerikan, Christopher Dell dhe Shefi i ICO’së, Pieter Feith.

“Mendoj se ka njerëz në Qeveri që nuk duan çrrënjosjen e kësaj dukurie (korrupsionit), sepse po përfitojnë shumë nga ajo. Mirëpo, ata njerëz duhet të identifikohen, të nxirren nga institucionet dhe më pas me ta të merren organet ligjore”, ka thënë Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Astrit Haraqija dyshohet se ka shpërdoruar detyrën zyrtare sa ishte Ministër i Kulturës, derisa Bujar Bukoshi për të njëjtën akuzë gjatë kohës kur ushtronte detyrën e Ministrit të Shëndetësisë.

 

Nga Leonora Aliu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu