Shpëlahen miliona euro

0
246

(E plotësuar) Dhjetëra miliona euro të fituara në mënyrë të paligjshme brenda dhe jashtë vendit po legalizohen në forma të ndryshme në ekonominë e Kosovës.

Ky është alarmi që jepet nga ekspertët e ekonomisë, sipas të cilëve, informaliteti ka arritur majat dhe institucionet kompetente duhet të angazhohen më shumë në luftimin e kësaj dukurive negative.

Shpëlarja e parave përmendet edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2011, ku mes tjerash thuhet se vendi ka pasur përparim të kufizuar në adresimin e krimit ekonomik / financiar dhe shpëlarjes së parave.

Dëmi 27 milionë euro

“Në vitin 2010, Drejtoria kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit ka hetuar mbi 700 raste, nga të cilat rreth 500 me kryerës të njohur të veprës janë dërguar në prokurori. Mbi 170 të dyshuar janë arrestuar. Dëmi i vlerësuar është rreth 27 milionë euro”, thuhet mes tjerash në Raportin e Progresit.

Agjencia për menaxhimin e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara, e themeluar në vitin 2010, sipas këtij raporti, është pothuajse e plotësuar me personel, i cili ka zhvilluar trajnime.

“EULEX-i gjithashtu ka trajnuar gjyqtarë dhe prokurorë për zbatimin e legjislacionit ekzistues për konfiskimin e aseteve, ndërsa shumë pak asete janë konfiskuar deri më tani”, potencon raporti.

Sipas Komisionit Evropian, konfiskimi i pasurive në rastet e shpëlarjes së parave dhe krimit ekonomik duhet të forcohet dhe adresohet në një fazë më të hershme të hetimit.

“Shuma të mëdha parash vazhdojnë të investohen në pasuri të patundshme, restorante dhe kazino pa mbikëqyrje adekuate. Transaksionet financiare të ndërlidhura me bizneset në xhirollogari private dhe një numër i madh i subjekteve që bëjnë biznes pa qenë të regjistruara vazhdojnë të jenë të përhapura”.

Në Raportin e Progresit të vitit 2011 për Kosovën përmendet edhe operacioni që filloi në vitin 2010, me qëllim të identifikimit të aktivitetit të paligjshëm lidhur me importin dhe eksportin e sasive të mëdha të parave në Aeroportin e Kosovës, i cili, siç thuhet në Raport, ka mbetur ad-hok.

“Kjo nuk është përfshirë në punën rutinore të Doganave. Prokurorëve dhe gjyqtarëve u mungon përvoja dhe specializimi në këtë fushë. Ka vështirësi të mëdha për të identifikuar, monitoruar dhe konfiskuar të ardhurat nga krimi i lidhur me grupe të organizuara”, thuhet ndër të tjera në raport.

Mbi 1 milion euro të padeklaruara

Nga ana tjetër, sipas statistikave të Doganave të Kosovës, lidhur me konfiskimet e parave e padeklaruara, gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti, oficerët doganorë kanë zbuluar rreth 360 mijë euro të padeklaruara, shumica prej tyre janë gjetur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, pikën doganore Hani i Elezit, Mitrovicë, Vërmicë, Dheu i Bardhë dhe Mitrovicë.

“Nga këto mjete, si pasojë e mosdeklarimit, Doganat i kanë konfiskuar rreth 91 mijë euro”, ka bërë të ditur zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci.

Sipas tij, vitin e kaluar Doganat kanë zbuluar rreth 875 mijë euro dhe për shkak të mosdeklarimit janë konfiskuar 25 për qind e tyre, përkatësisht rreth 220 mijë euro.

Edhe vitin e kaluar pjesa më e madhe e këtyre mjeteve janë zbuluar në Aeroport. Vetëm në një rast në hyrje të pikës kufitare në Kullë, Doganat kanë zbuluar vitin e kaluar 215 mijë euro të padeklaruara.

Zyrtari për Informim në Policinë e Kosovës, Brahim Sadriu, ka thënë për gazetën “Zëri” se nuk janë të shpeshta rastet e zbulimit të parave nga Policia.

Sipas tij, zakonisht para të gatshme(cash) zbulohen tek rastet e aktiviteteve me lëndë narkotike.

“E kemi pasur një rast tjetër, kur janë zbuluar pasaporta të falsifikuara, me ç’rast janë gjetur para tek trafikantët, të cilët i kanë marrë nga personat që u kanë dhënë pasaportat e falsifikuara”, ka pohuar Sadriu.

Më 8 shtator 2012 hetuesit gjatë një operacioni policor në rajonin e Gjilanit dhe të Prishtinës kishin arrestuar 5 persona, të cilave u janë konfiskuar si provë materiale rreth 1 milion dollarë amerikan, që, sipas Policisë, dyshohet se janë të falsifikuara.

Mirëpo, javën e kaluar mediet kanë raportuar se këto para janë origjinal, e jo të falsifikuara, mirëpo kjo nuk është konfirmuar ende nga Policia.

Gazeta “Zëri” po ashtu ka provuar përgjatë një jave të marrë informata nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë rreth lëndëve që kanë të bëjnë me pastrimin e parave, mirëpo asnjëri nga gjykatësit nuk është shprehur i gatshëm të jep informata lidhur me këto raste me arsyetimin se “kjo gjë iu merr shumë kohë, pasi që duhet shikuar rastet një nga një”.

Pastrimi i parave në patundshmëri

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë se sektorët më atraktivë në ekonominë e vendit për pastrim parash janë patundshmëritë dhe sektori i ndërtimtarisë në përgjithësi.

Sipas tij, vet fakti që Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në raporte të ndryshme bëjnë të ditur se informaliteti në Kosovë kalon shifrën prej 1 miliardë euro, atëherë ky fakt flet shumë.

Gërxhaliu bënë të ditur se ekzistojnë dy forma të pastrimit të parave në vend: Forma interne, ku paratë e fituara në mënyrë joligjore brenda vendit tentohet që në forma të ndryshme të legalizohen, ku mjetet që vijnë nga jashtë legalizohen brenda territorit të Kosovës.

”Bëhet fjalë për mjete të fituara në mënyrë joligjore, me ç’rast tentohet të gjinden forma të ndryshme të legalizimit”, pohon numri një i Odës Ekonomike të Kosovës.

“Në përgjithësi, sundimi i dobët i ligjit, korrupsioni, niveli i lartë i veprimtarisë joformale, si dhe politikat ad hok kanë rritur pasigurinë ekonomike, derisa problemet e thella strukturore kanë vazhduar të pengojnë ekonominë”, nënvizon Raporti i Progresit për Kosovën.

Bizneset deklarojnë më së shumti Dinarë të Serbisë

Për dallim nga mjetet që nuk deklarohen dhe tentohet të fshihen në forma të ndryshme, sipas statistikave të Doganave të Kosovës, vitin e kaluar nga deklarimet e bizneseve në hyrje prijnë dinarët e Serbisë, ku gjatë vitit të kaluar janë deklaruar mbi 3.5 miliardë dinarë, apo rreth 31 milionë euro, 17.5 milionë euro, mbi 4 milionë dollarë amerikan, 1.9 milionë franka zvicerane, etj.

Ndërsa në dalje, janë deklaruar rreth 520 milionë euro, 271 milionë franka zvicerane, 20 milionë dollarë amerikan, 5.4 milionë funte angleze, 30.4 milionë dinar(270 mijë euro), etj.

Gjatë vitit 2010, në hyrje të vendit bizneset po ashtu kanë deklaruar rreth 3 miliardë dinarë të Serbisë, rreth 30 milionë euro, 23.8 milionë euro, 4.1 milionë franka zvicerane dhe 345 mijë dollarë amerikan.

Ndërsa në dalje të Kosovës janë deklaruar 347 milionë euro, 266 milionë franka zvicerane, 27 milionë dollarë amerikan, 5.1 milionë funte, etj.

Në anën tjetër, nga personat fizik në hyrje të vendit gjatë vitit 2011 janë deklaruar 7.5 milionë euro, 6.5 milionë franka zvicerane dhe rreth 300 mijë dollarë amerikan, ndërsa në dalje personat fizik kanë deklaruar 4.7 milionë euro, 435 mijë dollarë amerikan dhe 193 mijë franka zvicerane.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu