Shpëtoi nga atentati me mina, Haklaj kthehet në mit

0
754
Fatmir Haklaj, Jaho Mulosmani dhe Feriz Kerrnaja
Fatmir Haklaj, Jaho Mulosmani dhe Feriz Kerrnaja

Pas atentatit të 4 gushtit 1999, Fatmir Haklaj u transportua me helikopterë drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës. Njeriu më i fuqishëm i Tropojës i kishte mbijetuar dhe një herë tjetër vdekjes edhe pse këtë radhë iu afrua më shumë se kurrë.

Ai nuk vdiq edhe pse i minuan gati një kilometër rrugë, duke u kthyer në një patate të nxehtë në duart e pushtetarëve të majtë. Sapo mori ndihmën e parë mjekësore, forcat speciale rrethuan Spitalin Ushtarak dhe kryen arrestimin e tij. Ministri i Brendshëm Spartak Poçi qëndroi për 48 orë pas arrestimit të Haklajt, jashtë Tiranës, në jug të vendit. Ai u tha të afërmve të Haklajt se nuk e dinte kush kishte urdhëruar arrestimin e Fatmirit. Pavarsisht se ishte i akuzuari kryesor për vrasjen e Azem Hajdarit dhe deri mëngjesin e 4 gushtit, kishte qenë oficer i policisë, për Fatmir Haklajn u gjet si shkak një urdhër arresti i lëshuar nga prokuroria e Mirditës dhe i miratuar nga gjykata e ketij rrethi, në lidhje me vrasjen e Shaqir Hoxhës më 9 janar 1998.
Lirimi
Qeveritarëve të majtë në Tiranë u kishte mbetur dopio gjashta në dorë dhe nuk dinin çfarë të bënin me të. Nëse Fatmir Haklaj mbetej në burg, telashet ishin të mëdha. Mjekët e Spitalit Ushtarak paraqitën një kartelë shëndetësore ku thuhej se plagët që kishte marrë Haklaj në kokë mund të kuroheshin vetëm jashtë vendit, në të kundërt jeta e tij nuk kishte shpëtim. Autoritetet italiane u treguan të gatëshme për të marrë përsipër transportin dhe kurimin e tij përtej detit. Por kokat e shtetit në Tiranë nuk donin që Haklaj të largohej jashtë vendit dhe tu hapte serish telashe. Ministri Poçi deklaroi se kishte biseduar që Haklaj të çohej në Turqi, por disa ditë më vonë kjo mundësi rezultoi një bllof për të penguar largimin e Fatmirit drejt Italisë. Më pas ishin diplomatët gjermanë që ofruan një mundësi mjekimi të Haklajt në vendin e tyre. Në këto kushte, pas 44 ditësh qëndrimi në arrest, Fatmir Haklaj u la i lirë, gjatë një seance të pazakontë të zhvilluar në ambjentet e Spitalit të Burgut, duke vënë si garanci pasurore kullën e fortifikuar në Kërnajë. Opozita sapo mësoi për lirimin e Haklajt, u hodh dhe një herë në sulm duke akuzuar socialistët se kishin liruar nga burgu vrasësin e Azem Hajdarit. Berisha akuzoi shefin e SHIK-ut Fatos Klosi dhe Prokurorin e Përgjithshëm Arben Rakipi se kishin realizuar rikthimin e Haklajt në liri. Në të vërtetë Fatmir Haklaj u lirua për tu eleminuar përfundimisht. Me vdekjen e tij shpëtonin nga sikleti jo vetëm politikanët e majtë që ishin në pushtet, por dhe ata të djathtë, për të cilët Tropoja ishte kthyer në një makth.
Miti
Fatmir Haklaj dhe Jaho Mulosmani ishin jashtë radhëve të policisë. Lëvizjet e tyre u kthyen në gjysmëilegale pasi i ruheshin jo vetëm atyre që u ishin betuar për ti ekzekutuar, por dhe arrestimit nga policia. Pavarsisht se Fatmir Haklaj nuk shfaqej më lirisht rrugëve të Bajram Currit, askush në Tropojë nuk guxonte tia përmente emrin, qoftë dhe me zë të ulët. Ai nuk ishte më në policinë e Tropojës, por fakti që u kishte shpëtuar gjashtë atentateve radhazi, tre prej të cilëve me mina të telekomanduara, e kishte kthyer gati në një mit. Hija e Fatmir Haklajt ishte dhe më e frikshme se prezenca publike e tij në rrugët e Bajram Currit. Ai nisi menjëherë hetimet për të zbuluar kush qëndronte pas atentatit me mina të telekomanduara ku mbetën të vrarë i vëllai Halili dhe Feriz Kërnaja. Vrasja në mes të Bajram Currit e Bislim Hykës, edhe pse krejt i pafajshëm në atë që po ndodhte, ishte një mesazh i qartë, se kush fshihej pas minave. Rivali kryesor i Haklajt dhe Mulosmanit, drejtori i Policisë së Kukësit Jonuz Hyka, ishte larguar nga detyra pas ngjarjes së 4 gushtit. Ai u emërua shef kuadri në repartin special “Brisku” në kryeqytet. Por transferimi i Hykës nga Kukësi në Tiranë nuk i kishte dhënë fund historisë. Gjatë kohës që Haklaj dergjej në spitalin e burgut në kryeqytet, ndodhi një tjetër atentat, ku për fat të mirë ish-shefi i komisariatit të Tropojës në momentin që u vra Azem Hajdari, Fatmir Meta, mbeti i plagosur. Policia e Tiranës e drejtoi gishtin te Jaho Mulosmani. Motivi ishte fakti që Fatmir Meta raportoi te Ministri i Brendshëm Perikli Teta, se më 12 shtator Jaho ishte në Tiranë dhe kishte shumë mundësi që pikërisht ai ta kishte vrarë deputetin Hajdari. Ish-komisari Meta e deklaroi dhe në procesin “Hajdari”, se mbante në
trup plumbat e vrasësve të deputetit demokrat.
Hyka
Më 11 tetor 1999, kolonel Jonuz Hyka shkon në Bajram Curri për të transferuar familjen e tij drejt Tiranës. Ai u kontaktua nga komisar Gani Malushi, i cili e paralajmëroi të largohej nga Tropoja, pasi ishte në rrezik serioz për jetën. Malushi i tha Hykës se nëse lëviste lirisht nëpër rrugët e Bajram Currit, ai nuk kishte asnjë mundësi ta mbronte prej plumbave të atyre që ishin betuar për ta vrarë. Komisari i Tropojës i premtoi Hykës se transferimin e familjes do tia bënte ai me mjetet e policisë, në këmbim të largimit të tij sa më parë nga Bajram Curri. Hyka nuk ia vuri veshin këshillës së Kolonel Malushit dhe qëndroi për dy ditë të tjera në Tropojë duke u ekspozuar në qytet. Kjo moskokçarje e ish-drejtorit të Kukësit rezultoi fatale. Mbrëmjen e 13 tetorit rreth orës 19.20, Hyka po shkonte në banesën e tij në lagjen „Partizani” i shoqëruar nga daja, Muzi Qokaj. Ata nuk arritën të hynin në pallat. Një breshëri automatiku i la të dy të vdekur në vend. Kjo vrasje e dyfishtë ishte një goditje e rëndë jo vetëm për familjen e Hykës, por dhe për autoritetin që shteti po përpiqej të vendoste në Tropojë. Përveçse një titullarë i lartë i policisë, Jonuz Hyka, ishte vëllai i sekretarit të prefekturës së Tiranës dhe i përkiste një familje të lidhur fortë me të majtën.
Të dyshuarit

http://www.youtube.com/watch?v=9sG43WjkJZ8&feature=related
Policia e Tropojës akuzoi menjëherë për ngjarjen, Fatmir Haklajn dhe Jaho Mulosmanin, që ishin ndihmuar sipas saj dhe nga një person i tretë. Dyshimet e policisë u mbështetën dhe në faktin që të nesërmen e kësaj ngjarje, shoferi i SHIK-ut të Tropojës, Sali Mulosmani, babai i Jahos, i shpëtoi një atentati të organizuar ndaj tij. Në mëngjesin e 14 tetorit ai po udhëtonte nga banesa e vet në Bujan, drejt Bajram Currit për të shkuar në punë, kur në dalje të fshatit u bë objektiv i një atentati me minë të telekomanduar. Për fat të mirë Mulosmani shpëtoi vetëm me një plagosje të lehtë, por kjo ngjarje e orientoi policinë drejt djalit të tij, Jahos, i akuzuar për vrasjen e Jonuz Hykës. Vrasja e dyfishtë e 13 tetorit 1999 nuk është provuar kurrë nga drejtësia shqiptare nëse është kryer prej Haklajt dhe Mulosmanit. Madje dosja e saj është arshivuar për mungesë autorësh.
Letra
Duke e ndjerë lakun që i ishte ngushtuar sëtepërmi Fatmir Haklaj boton në një të përditshme një letër të hapur për akuzat e bëra ndaj tij nga opozita dhe lideri i saj Berisha. Haklaj fajësoi Berishën se ishte urdhëruesi i atentateve ndaj tij dhe vëllezërve të vrarë. Ai e akuzoi ish-presidentin se ishte përgjegjës dhe për vrasjen e Azem Hajdarit. Prova ku Fatmir Haklaj mbështeste akuzat e tij ishte një kasetë e rregjistruar gjatë mitingut të PD-së më 22 qershor 1997 në Bajram Curri. Një ditë para këtij mitingu mbeti i vrarë ndihmësgjyqtari Sokol Haklaj, djali i xhaxhait i Fatmirit. Përpara se të niste mitingu në sheshin „Kosova” të Bajram Currit, ku pritej prezantimi i dy kandidatëve të PD-së për Tropojën, liderit të dhjetorit Azem Hajdari dhe Xhevdet Mehmetit, ndodhi një incident që e acaroi sëtepërmi situatën. Vëllai i vogël Haklajve, Ylli, qëlloi me kallashnikov impiantin e fonisë nga ku do të fliste presidenti Berisha, duke e nxjerrë atë krejtësisht jashtë përdorimit. Presidenti Berisha hyri në Bajram Curri me masa të rrepta sigurie, i shoqëruar nga dhjetëra trupa të Garëds dhe mbështetës të PD-së.
Kaseta
Gjatë fjalimit të tij pati një tjetër incident, këtë radhë me Shkëlqim Haklajn, i cili lëshoi drejt Berishës sharje dhe fyerje personale. Gjatë këtyre momenteve fjala e Berishës është ndërprerë disa herë dhe në kasetën e rregjistruar dëgjohet biseda e tij me shoqëruesit. Presidenti është irrituar sëtepërmi kur ka parë një reagim të tillë ndaj vizitës së tij pikërisht në vendlindje, në Tropojë. Këtë kasetë, Fatmir Haklaj e ka shtënë në dorë nga persona të stafit të presidencës gjatë kohës që erdhën në pushtet socialistët. Fatmiri bëri lidhjen mes fjalëve të Berishës në mitingun e 22 qershorit 1997, ku dëgjohet që ai kërkon patjetër arrestimin e Shkëlqim Haklajt nga Garda e Republikës si dhe vrasjes së 5 janarit 1998, në Qafë Luzhës, ku mbeti i vrarë në pritë, pikërisht Shkëlqimi. Kjo kasetë i është dorëzuar Prokurorisë së Përgjithshme nga plaku i Haklajve, Muharrem Haklaj. Madje një kopje të saj e ka marrë dhe prokurorja norvegjeze e çështjes „Hajdari”, Siri Frigard. Prokuroria nuk ka hetuar kurrë nëse kjo kasetë përbën një provë ligjore apo nëse biseda që dëgjohet në të, shërbeu më pas si zanafilla e asaj që sot quhet „Dosja Tropoja”.

Artan Hoxha

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu