“Shqipëri-Kosovë”, KQZ: Kërkesa për referendumin, pas zgjedhjeve

0
78

Kërkesa e Aleancës Kuqezi për zhvillimin e referendumit për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën do të shqyrtohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Me anë të një letre zyrtare, me numër protokolli 85/1, drejtuar grupit nismëtar, në datën 25 mars 2013, kryetarja e KQZ, Lefterie Lleshi ka sqaruar se “në mbështetje të nenit 199, pika 2 të ligjit Nr.9087, datë 19.06.2003, ‘Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë’, i ndryshuar, nuk mund të zhvillohet referendum kushtetues ose i përgjithshëm gjatë periudhës nga gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit, deri tre muaj pas mbledhjes së parë të Kuvendit të ri. Për sa më sipër, KQZ nuk mund të marrë në shqyrtim kërkesën tuaj për periudhën e caktuar në dispozitën e sipërpërmendur”, – argumenton Lleshi. Megjithatë ajo shton se “me kalimin e afatit të përcaktuar në nenin 119, pika 2 të ligjit Nr.9087, datë 19.06.2003, KQZ do të shqyrtojë kërkesën tuaj për fillimin e procedurave për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm”. I kontaktuar dje nga “Gazeta Shqiptare”, kryetari i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu deklaroi se “AK e konsideron një vendim juridik i cili i hap dritën jeshile realizimit të referendumit për bashkimin e dy shteteve shqiptare, Shqipëri dhe Kosovë pas zgjedhjeve të 23 qershorit. KQZ ka pasur frikë që të shpall referendumin në këto momente dhe kanë krijuar hapësirën e pritjes për të ardhur në pushtet, legjislativ dhe ekzekutiv, AK si autore e kësaj inisiative. Gjithsesi ky vendim krijon të gjithë procedurat për të realizuar procesin referandar me parlamentin e ri. Presioni i brendshëm dhe ai i jashtëm kanë bërë të mundur që të shtyhet disa muaj por kjo mundëson një moment historik që ne si AK të jemi zbatuesit e referendumit për krijimin e Federatës shqiptare”, – u shpreh Spahiu. Nisma e AK për bashkimin Kosovë-Shqipëri, u publike në 28 nëntor, në Morinë, me rastin e festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Ajo u depozitua pranë KQZ-së, në datën 28 dhjetor 2012. Konkretisht, nisma e AK parashikon që zgjedhësit e të pyeten për t’u përgjigjur me “Po” ose “Jo” nëse janë dakord për bashkimin e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës në një shtet të përbërë federativ.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu