Shqipëria e 100-vjetëve më parë

0
295
Prince_Wilhelm_of_Albania
Prince_Wilhelm_of_Albania

Zgjedhja e Princ Vidit, mbërritja e tij fiks 100 vjet më parë në tokën shqiptare dhe misioni i tij, përbëjnë një pikë vërtet interesante të historisë së Shqipërisë, ku diskutimet mbi rolin, dështimin, dhe hamendjet mbi trashëgiminë që la pas, vijojnë sot e kësaj dite. Një kontribut për këtë, përveç dokumenteve historike, fotove e dëshmive, ka dhënë vetë Wilhelm zu Wied, ish-sovrani shqiptar, me vëllimin e tij të kujtimeve (shih: “Denkschrift über Albanien”, Wilhelm, Fürst von Albanien, Prinz zu Wied -Glogau & Berlin 1917 ). Përkrah tij veçohen si më të rëndësishme, edhe kujtimet e Ekrem Bej Vlorës (shih: Vlora E. bej, “Kujtime 1885-1925”, Botime “IDK”, 2010), ato të sekretarit të tij, D. Heaton-Armstrong (shih: “Gjashtë muaj mbretëri”, I.Sh.S.N., 2001), të Syrja Bej Vlorës (shih: Syrja bej Vlora, Kujtime, Iceberg, Tiranë 2013) etj. Një vektor tjetër shumë i pavarur dhe informativ në këtë drejtim, mbeten edhe artikujt e revistave e gazetave të huaja, sidomos atyre austro-hungareze, italiane, gjermane, franceze, britanike e amerikane të kohës, të cilët e shoqëruan këtë event historik, shpesh me vërtetësinë e realizmin e duhur, por edhe me doza humori, sarkazme, ironie, dashakeqësie, apo dhe naiviteti, në varësi të interesave dhe njohurive që kishin. 


Vidi, zgjedhja e duhur

Në shumë pika, ata bien shpesh dakord, siç ishin për shembull: Vështirësia për ta përmbushur misionin, rreziku nga fraksionet e brendshme e ato të jashtme, kriza me fqinjët, sfidat ekonomike, por sidoqoftë prevalonte ideja se Princ Vidi tashmë ishte zgjedhja e duhur. Një element vërtet i rëndësishëm për kohën shfaqet vetë përmasa e interesimit të mediave, dmth. e shtypit, për këtë çështje, duke i dhënë asaj – ndryshe nga ç’mund të mendohet sot – një vend të rëndësishëm në raportimet e tyre, të bëra shpesh nga terreni. Raportimet e tyre në shumë raste shfaqeshin në kopertinat e revistave të ilustruara, apo faqet kryesore të gazetave, dhe kjo sigurisht se vinte duke u shtuar ndërsa afrohej data kulmore, pra mbërritja e çiftit princëror në Durrës, më 7 mars 1914, por hasej jo pak edhe para dhe pas mbërritjes së tij. Përshkruajnë me nota shumë entuziaste gjithë organizimin, duke sjellë si risi edhe masat “moderne” për zbukurimin e qytetit, pritjen që i bëri paria shqiptare, populli, përfaqësuesit e huaj, të cilët në atë kohë kishin një rëndësi shumë më të madhe se sa sot, pasi mbartnin praktikisht të gjitha funksionet ekzekutive, të cilat ia dorëzuan më pas Princit. 


Detyra e re: Sfida dhe sakrifica

Zërat për kryengritje të mundshme, të sponzorizuar nga xhonturqit, por edhe kriza në lidhje me “çështjen epirote”, mund t’i gjeje në shtypin e huaj qysh para mbërritjes së Mbretit, sic është një artikull amerikan i datës 28 shkurt 1914 (shih: WILLIAM OF WIED’S TASK IN ALBANIA A HARD ONE, NYT, 01.03.1914, fq. 9), nga i cili mësojmë shumëçka edhe rreth karakterit të Princit dhe Princeshës, sovranëve të rinj të shqiptarëve. Kështu, diku aty theksohet se: Korrespondenti i “New York Tribune”, në një bisedë që pati me njërin prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Mbretit, na tha: Princi i njeh mirë rrethanat dhe kushtet në të cilat ndodhet Shqipëria. Ai i ka studiuar ato me kujdes. Është jashtëzakonisht i kujdesshëm në çdo hap që hedh. Di gjithçka që pritet që ai të përmbushë detyrën e tij si Sovran i Shqipërisë. Dhe megjithatë ai nuk hezitoi të pranonte ofertën e fuqive të mëdha. Pse? Thjesht dhe vetëm sepse ai konsideron këtë si sfidën e tij…në gatishmërinë e tij për të sakrifikuar të ardhmen e tij në ushtrinë gjermane, pozicionin e tij të lartë në Gjykatën Perandorake, dhe komfortin që i ka siguruar vetes me një jetë prej princi në atdheun e tij, Princi Wilhelm Wied me të vërtetë e meriton nofkën që ia ka vënë halla e tij, Mbretëresha Carmen Sylva e Rumanisë, që e përdori për ta përshëndetur atë kur ai u shfaq në uniformën e tij ..në një ballo në Bukuresht. Kjo nofkë është: Lohengrin”.


Shqiptarët e adhurojnë një Princ “trim”

Me këtë fjalë, nënkuptohej një personazh mitik në letërsinë mesjetare gjermane, që personifikonte një kalorës të Gralit të Shenjtë, pra paraqiste një karakter prej fisniku të kulluar e burri të fortë. Më tej, në arsyetimin e tij, artikullshkruesi vërente se: “Lohengrini shqiptar duket nga pamja e jashtme si një Siegfried i kohëve të moçme në legjendat gjermane. Ai duket në çdo inç një kalorës, dhe tregon një moshë më të re se sa ç’është në të vërtetë. Ai është gjashtë këmbë i gjatë dhe të jep përshtypjen e një force fizike imponuese. Tregohen histori ..nga vartësit e tij oficerë në Gardën e Potsdamit, rreth disa vetive të tij prej “herkuli”. Kur ishte i ri, ai ishte shumë krenar që kishte ngritur lart në ajër një shokun e tij me një krah, duke e mbajtur për dhjetë apo pesëmbëdhjetë minuta. Dhe ai nuk është vetëm i fortë fizikisht, por edhe kurajoz e trim. Shqiptarët, thuhet se e adhurojnë trimërinë. Nëse është kështu, Princi Wilhelm i Vidit, duhet vlerësuar si një sovran që do të ketë sukses”. 


Princesha Sofia, një aventuriere moderne

Diku tjetër kuptojmë se Princesha Sofia për shembull, ishte një grua që i pëlqenin shumë aventurat, dhe ky detaj i karakterit të saj nxirrej në mënyrë eksplicite qysh në titullin e një gazete amerikane (shih: “La Pincessa Que Ama Las Aventuras”, EL PASO MORNING TIMES, 17.09.1914) që dilte në spanjisht. Në një gazetë tjetër amerikane, ajo vlerësohej lart për karakterin e saj, duke vlerësuar faktin se do t’i qëndronte në krah të shoqit deri në fund, në çastet më të vështira të tij, kur rebelët e Haxhi Qamilit dhe kundërshtarë të tjerë të pushtetit të Vidit, po përparonin me shpejtësi drejt kryeqytetit të Principatës Shqiptare, Durrësit. Po kështu, në ditët e para pas hyrjes në Pallatin Mbretëror, mbi princeshën Sofia, diku do të shkruhej se: “Ajo është një grua delikate, e mëshirshme, dhe për më shumë, vishet edhe në një mënyrë shumë sharmante. Ajo duket shumë e pështatshme dhe është e përgatitur të jetë një lidere e veprimtarive sociale dhe atyre artistike” (shih: The toughest King Job in The World, The Ohama Sunday Bee Magazine”, 19.04.1914). 


Informacion, ironi dhe sarkazëm therëse

Në po të njëjtin artikull, të përcjellë nga një gazetar amerikan, gjejmë shumëçka të shkruar me nota aq sarkastike e ilustruar me karikatura, të cilat bashkë me përmbajtjen e tekstit, për shumë shqiptarë sot mund të ishin vërtetë ofenduese e të papranueshme, pavarësisht disa të vërtetave që edhe mund të qëndrojnë, duke pasur parasysh prapambetjen e kohës dhe infrastrukturën thuajse inekzistente në Shqipëri e posaçërisht në Durrës. Kështu, përshkruhen kushtet në të cilat do të duhej të jetonte familja mbretërore në Pallat, ku si detyrë primare dilte “gjuajtja e minjve”, apo ku si dhomë matrimoniale gjumi për çiftin, shfaqej një dhomë në kushte ordinere. Nga shumë burime të tjera megjithatë nuk përmendet kund diçka e tillë, pasi Pallati Mbretëror, megjithëse ishte vetëm një restaurim i një objekti ekzistues, siç dihet, iu nështrua një rikonstruksioni kapital, ku çdo pajisje vinte dhe montohej nga jashtë, çka e përshkruan më së miri edhe autori gjerman Peter Marxheimer në një fiction historik me titull “Në Shqipëri, Karl! (Shih: Nach Albanien, Karl, BoD, Norderstedt 2007). Aty nuk mungonin aspak kushtet moderne si kudo në Europë, paçka se populli i thjeshtë jashtë pallatit, sigurisht se jetonte në kushte mizerabël. 

Mbreti i Shqiptarëve duhet të puthë 200 vetë në ditë

Po ashtu, artikulli në fjalë shoqërohet nga një skicë ilustruese që duket se ka qarkulluar rëndom në shtypin e huaj të kohës: bëhet fjalë për një vepër të ilustratorit (anglez) të famshëm të kohës, Caton Woodville, e titulluar “Interesting Dinner Scene in the Albanian Palace”, e cila paraqet shqiptarët që hanë pa rregull e si të babëzitur në sofër, dhe Princeshën në dukje e trembur dhe e habitur nga këto tradita “barbare”. Të thuash “shaka e tepruar”, duket se është e pakët. Mëse ofenduese është edhe një karikaturë tjetër që shoqërohet nën diçiturën: “Të shtënat me pushkë janë një sport i preferuar për shqiptarët, dhe ka çdo gjasë që Mbreti të jetë një target i shpeshtë i tyre”. Po ashtu, sipas saj, kriter kryesor për të vendosur apo për të kënaqur shqiptarët, ishte thjesht gjatësia e Mbretit, shoqëruar kjo nga një foto ilustruese, ku ai dallon dukshëm si i tillë. Ndërkohë “dekori” pasurohet edhe me një zbulim tjetër që ka të bëjë në fakt me një fenomen real e që lidhet shumë me traditën shqiptare: puthja në të dyja faqet me këdo që vinte të takonte Mbretin, duke ia bërë kështu misionin atij edhe më të vështirë. Tituj si: “Mbretit të Shqiptarëve i duhet të puthë 200 vetë në ditë”, hasen rëndom në shtypin britanik e atë amerikan të kohës, duke na bërë jo thjesht të qeshim. 

“Flamuri i ri shqiptar”, kush e dizenjoi?

Një detaj tjetër nga shtypi i kohës (shih: “Albania’s New Flag/Red, Black and White Tricolor, with Skanderbeg Star”, New York Tribune, 01.03.1914, fq. 9) na vjen në lidhje me dizenjimin e flamurit dhe të emblemave princërore të Vidit si Sovran i shqiptarëve, që sipas artikullit i referohej një heraldisti të madh gjerman nga Berlini, Emil Döpler. Në artikull flamuri trajtohet si “trikolor” me yllin pesëcepësh të Skënderbeut, dhe përshkruhen gjithashtu me imtësi edhe elementët e tjerë të tij. 

Në Durrës: Atmosferë e papërshkrueshme

Sidoqoftë, shumica e shtypit të kohës, në unison vlerësonin lart mikpritjen shqiptare, aq sa diku shkruhej se: “Zor se përshkruhet mikpritja që iu rezervua sovranit të ri të Shqipërisë dhe atmosfera festive që mbizotëroi”, duke kaluar më pas në detaje, siç ishin për shembull fishekzjarret që ndizeshin çdo natë gjatë netëve të para pas mbërritjes së çiftit mbretëror, ndriçimi i veçantë që gëzoi qyteti, deri në atë kohë i paparë ndër shqiptarët, pritjet dhe takimet me delegacionet e ndryshme të shqiptarëve brenda e jashtë vendit, ato të huaja, audiencat, vendimet e para etj. Kësisoj është për t’u shënuar se emri i Turhan Pashës, i cili më pas fitoi si kandidatura më e spikatur për postin e Kryeministrit, të paktën në ditën e parë pas mbërritjes së Princit, nuk ishte dizenjuar akoma si i tillë. Gjithashtu, përshkruhet në detaje udhëtimi dhe stacionet diplomatike që regjistroi Princi në Europë, i bëhet jehonë telegrameve të urimeve të shkëmbyera mes liderëve shqiptarë (zakonisht prej Esad Pashë Toptanit, në funksionin e kreut të delegacionit shqiptar që i dorëzoi në Gjermani kurorën e Mbretit, Princit të Vidit) etj. 

Marrja e Fronit të Princit të Shqipërisë

Shqipëria e pavarur që u ngrit si e tillë nën patronazhin e fuqive të mëdha – e para së gjithash nën atë të Austro-Hungarisë dhe Italisë – të shtunën i ka uruar mirëseardhjen sovranit të saj të ri në muret e kryeqytetit të saj me një atmosferë të zjarrtë festive. Në bordin e jahtit ushtarak austro-hungarez TAURUS, Princi Wilhelm ka mbërritur në portin e Durrësit dhe nën shoqërimin e të shtënave përshëndetëse të topave të anijeve luftarake dhe ovacioneve të përzemrta të shtetasve të tij, ai ka vënë këmbën në tokën ku do të duhet të shkruajë historinë e re të një epoke të re. I pajisur me të gjitha nderet, që posti i regjentit kërkon dhe i mbarsur me një fuqi shtesë ekzekutive, siç kërkohet nga raportet e veçanta, në një masë të dyfishtë, Princi Wilhelm është një armë e besueshme për një formësim të lumtur të kësaj historie për këtë vend. Edhe historia e madhe dhe traditat e lavdishme të kësaj familje, nga e cila ai ka dalë, i sigurojnë Shqipërisë një të ardhme frytdhënëse. Është sigurisht e njohur se Princi Wilhelm, në linjë të drejtpërdrejtë rrjedh nga Wilhelmi i Oranieneve, dhe stërnip i Friedrich Wilhelmit III të Prusisë dhe nipi i madh i Kajzerit Wilhelm I, që është edhe kumbar i tij. Tek ky nip në brigjet e Renit, Mbreti Karol i Rumanisë ka shtrirë dorën e tij dhe e ka propozuar atë si njeriun e shqiptarëve, për udhëheqësin e tyre. Dhe Carmen Sylva, Mbretëresha e Rumanisë, një kushërirë e Mbretit aktual të Shqipërisë, i kushtoi atij dhe popullit të tij një përshëndetje dinjitoze në formë artistike: Shqiptarët kanë të drejtën, shkruan ajo, të jenë të lodhur nga luftërat. Sepse, pasi u mbrojtën nga romakët, duke luftuar në malet e tyre, ata i kanë rezistuar me luftëra shekullore turqve dhe ata kurrë nuk mundën dot t’i mposhtnin. Ata janë populli më i vjetër në Europë, pellazgët, gjuha e tyre u ngjason asaj të latinishtes dhe të sllavishtes në disa aspekte, dhe besnikëria e tyre është prej kohësh që s’mbahen mend, e famshme…

Marrë nga “Prager Abendblatt”, 9 mars 1914 – (Revista Klan)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu