Shqiptaro-amerikanët protestojnë për të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi (Foto-Video)

0
319

Vizita e kryeministrit të Malit të Zi në Shtetet e Bashkuara, Milo Gjukanoviq, është pritur me protesta paqësore nga qindra shqiptarë me origjinë nga Mali i Zi, me veprimtari në SHBA.

Gazetarja zërit, Besiana Xharra direkt nga vendi i ngjarjes, raporton se dhjetëra shoqata shqiptare që përfaqësojnë shqiptarët e Malit të Zi në shtetet e ndryshme të SHBA-së, janë bashkuar para Shtëpisë së Bardhë në Washington D.C, si shenjë pakënaqësie për shkeljet që u bëhen bashkatdhetarëve të tyre në Mal të Zi.

Me moto, “Racizmi ndan Malin e Zi’, ‘Gjukanoviq ky kriminel lufte”, “të drejta të barabarta për shqiptarët”, të përcjellur me këngë e me himnin kombëtarë, mijëra prej tyre qëndruan për disa orë para Shtëpisë së Bardhë, derisa brenda saj kryeministri Malazez Gjukanoviq zhvillonte takimin me zëvendëspresidentin amerikan Joseph Biden.

“Qëllimi i këtij organizimi është që definitivisht edhe shqiptarët në Mal të Zi, të kenë të gjitha drejtat sikurse edhe minoritetet tjera në Ballkan”, tha për “Zërin”, Pashko Gjokaj, përfaqësues i shoqatës “Malësia e madhe” nga Detroit. Sipas tij, rast konkret duhet të merren serbët në Kosovë të cilët kanë të drejta edhe më shumë se gjithë popujt tjerë në rajon e Ballkan.

“Edhe shqiptarët në Mal të Zi, duhet të kenë bashkësi të komunave shqiptare, autonomi politike si kretirium për mbrojtjen e identitetit tonë kombëtarë”, tha Gjokaj.

Protestës i është bashkangjitur edhe shqiptari i parë që fitoj zgjedhjet për anëtarë të asamblesë së New Yorkut, Mark Gjonaj. Ai dha mbështetje të lartë për shqiptarët gjithandej në Shtetet e Bashkuara, ndërsa tha se ndjehet jashtëzakonisht i lumtur kur sheh shqiptarët e gjitha trojeve të bashkuar si sot.

“Jam më tepër se i lumtur i nderuar të jem mesin tuaj, jam jashtëzakonisht i lumtur kur shoh që shqiptarët jo vetëm të një vendi, por gjithandej nga Kosova, Shqipëria, Mali Zi, bëhen bashkë në kërkim të të drejtave të tyre”, tha Gjonaj.

Sot jemi mbledhur jo vetëm për një çështje por, për çështje kombëtare, dhe ju jeni zëri i këtyre çështjeve që do të dëgjohet gjithandej, shtojë ai.

Ndryshe shoqatat shqiptare të malit të zi, kanë ardhur sot në Washington D.C. nga Nju Jorku, Detroit, Chikago dhe disa vende tjera, ndërsa atyre iu kanë bashkangjitur edhe shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu