Shteti dhe shokët harruan Mujën

0
309

Janë përjetësuar në histori. Asnjëri nga ta nuk kishte mbi të 30-tat: ishin student dhe pothuajse të gjithë ende nuk i kishin të krijuara familjet e tyre. Megjithëkëtë, ata vendosën së pari të krijojnë familjen e madhe të Kosovës- shtetin. Celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u vendosën nga ta. Tani 36 dëshmorë të Kosovës që ishin të parët që filluan të sjellin armë nga shteti shqiptar për në Kosovë pushojnë në varrezat e fshatit Polac.

Nuk është problem vetëm dimri, bora ajo e cila të pengon të identifikosh varrin e ndonjërit nga ta, (emrat e tyre kanë mbetur ende të shënuar në dërrasë, diku edhe të fshirë fare, ndërkohë që pjesa e varrit është e rrafshuar dhe janë të ngjitura me njëri-tjetrin) dhe kjo e vështiron identifikimin e varrit të komandantit Mujë Krasniqit, i njohur si “Kapuçi”.

Gjithë kjo, ndodh për shkak të pakujdesjes institucionale të nivelit lokal dhe qendror për këto varreza, të cilat “dora” e shtetit nuk i preku kurrë. Madje, ata u harruan edhe nga vetë shokët e luftës. Kjo i ka bërë të ndjehen të zhgënjyer familjarët e komandant “Kapuçit” si dhe thuajse gjithë bashkëluftëtarët e tij. Për herë të parë që nga rënia e Mujë Krasniqit në natën e ftohtë kur po gdhinte 14 dhjetori i vitit 1998, para 14 vjetësh, familja e komandant “Kapuçit” ka vendosur ta thyejë heshtjen. Kjo për faktin se nëse vazhdon kjo pakujdesje, varri i Mujës, i vëllait të tij Aliut, dhëndrit të tij, Beqir Gashit, (Beqa i Sefë Mleçanit) dhe të tjerëve, do të humbin.

Familja e Mujës thyen heshtjen

Për gazetën “Zëri”, anëtarët e kësaj familjeje kanë rrëfyer një pjesë të historisë së Mujës, për të cilin ndjehen shumë krenarë, por edhe për dëshpërimin për shpërfillje që ia bëjnë institucionet, për ndërtimin e të cilave dha edhe jetën. Të harruar pas këtyre viteve, familjarët e Krasniqit kanë shkuar deri atje saqë janë duke menduar që ta zhvarrosin trupin e komandantit dhe ta sjellin në varrezat e fshatit Qabiq, aty ku u lind.

Avni Krasniqi, vëllai i Mujës, thotë se heshtjes i ka ardhur fundi. “Njerëzit në pushtet dhe disa nga bashkëluftëtarët e tij e kanë harruar sakrificën e Mujës, dhe shokëve të tij që ranë për lirinë e Kosovës”, kështu nis rrëfimin e tij dëshpërues ushtari i UÇK që është vëllai i komandant “Kapuçit.

I shprehur në vaj, ai thotë se janë harruar të gjallët dhe të vdekurit. “Për ata që ranë në beteja të luftës çlirimtare nuk ka kujdesje as më të vogël për ndërtimin e varrezave të tyre, ndërsa për ata ushtarë që sakrifikuan jetën e tyre dhe shumë nga ta dhanë edhe gjymtyrët e trupit nuk përkujdeset askush”, shprehet Avniu.

I zhgënjyer nga harresa që i bëhet familjes së tij dhe ushtarëve të Brigadës 113 të komandant Mujë Krasniqit, ai nuk kursen kritika as për ata që ishin krahë “Kapuçit” dhe që janë edhe familjarët e tij.

“Jemi të zhgënjyer me Rexhep Selimin dhe Sylejman Selimin. Të dy këta i kemi dajë. Kanë qenë bashkëluftëtarë të Mujës, ndërsa sot derisa gëzojnë pushtet kanë harruar gjithë atë sakrificë të përbashkët. Ata për vete sot janë bërë milionerë, ndërsa ne ndjehemi keq që vizitorëve të shumtë nuk kemi mundësi t’iu servojmë as nga një kafe”, vazhdon rrëfimin e tij Avniu.

Ndjehem shumë keq, thotë ai kur takoj ushtarët e Mujës dhe më tregojnë për 100 hallet e tyre, të cilët shprehin ankesat e tyre për pakujdesjen e institucioneve dhe shokëve të luftës. “Madje, nëna Shehide shpesh thotë se kur i shoh shokët e Mujës më duket sikur është ngjallë Muja. Por, fatkeqësisht nuk ka rastin që t’i shoh shpesh, pasi që ata nuk vijnë për ta vizituar familjen tonë”, tregon Avniu.

Megjithatë, ai thekson se fatmirësisht shumë lapidare dhe përmendore në përvjetorë mbulohen nga lulet, e shumicës së tyre iu bëhen edhe homazhe, sidomos nga krerët më të lartë të vendit, përfshirë president, kryeministra, ministra…etj, por komandanti Mujë Krasniqi dhe bashkëluftëtarët e tij vazhdojnë të mbesin refrene në fjalime të këtyre udhëheqësve sidomos gjatë fushatave elektorale, e datave tjera të rëndësishme.

E fatkeqësisht ky grup i cili u vra në malet e Gorozhubit të Hasit, pas kalimit të kufirit që ndan Shqipërinë dhe Kosovën, për dallim nga dëshmorët tjerë vazhdon të injorohet. “Kjo harresë nuk ndodhë me dëshmorëve tjerë, të cilëve iu ngritën memoriale e lapidare, si në Dukagjin që kujdesët Daut Haradinaj, në pjesën tjetër të Drenicës kujdeset Sami Lushtaku, në Malishevë gjithashtu Fatmir Limaj, në Llap Rrustem Mustafa…etj. Ne na gëzon ky fakt, por do të dëshironim që ne Familja e Mujës ta kishim të njëjtën përkujdesje, sepse të gjithë dëshmorët e kombit ranë për lirinë e këtij vendit”, sqaron Avniu.

Për vota po luhet me emrin e Mujë Krasniqit

Familja e Mujës ka vazhduar tregim e dhimbshëm edhe për gjendjen e tmerrshme që gjendet Kulla, e cila kishte filluar të ndërtohet në oborrin e vendlindjes së Kapuçit në fshatin Qabiq, e cila ka mbetur e papërfunduar. Avniu, vëllai i Mujë Krasniqit, thotë se para shtatë vitesh, në kohën e ish-kryeministrit Ramush Haradinajt janë vënë themelet për ndërtimin e Kullës.

Madje, në vënien e gurëthemelit kishin marrë pjesë, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Hashim Thaçi, tani kryeministër, Agim Çeku, dhe Ali Ahmeti nga Maqedonia. Por nga ajo kohë, ai tregon se kulla ka mbetur në gjysmë. Me projektin e ndërtimit të kësaj kulle nuk ka informacion se çfarë ka ndodhur, përveç se e ka mbuluar pluhuri i harresës. Interesimi i familjes Krasniqi pat marrë një përgjigje nga kryetari aktual i Klinës, Sokol Bashota, përmbante këtë premtim: “Kulla do të përfundohet, është projekt prioritet i komunës, si dhe do të ndahen troje për familjet e dëshmorëve”, kujton Avniu këtë premtim zyrtar gjatë fushatës zgjedhore.

Por, asnjëra dhe as tjera asnjëherë nuk u realizuan. “Sokol Bashota dhe të gjithë drejtuesit e institucioneve në pushtet kanë luajtur me figurën dhe emrin e Mujës vetëm për të përfituar vota dhe ardhur në pushtet. Që nga vitit 2009 kur Bashota mori qeverisjen e Komunës së Klinës nuk e realizojë premtimin që e kishte dhënë, por as nuk e bëri më të voglën përpjekje që të paktën të organizojë akademi përkujtimore apo vizitojë familjen e Mujë Krasniqit në kohë përvjetorësh”, rrëfen Avniu, vëllai i Mujë Krasniqit.

Gazeta ka bërë përpjekje që të kontaktojë me Sokol Bashotën dhe Rexhep Selimin, por kjo ka qenë e pamundur. E pikërisht me rastin e katërmbëdhjetëvjetorit të rënies së komandantit Mujë Krasniqit dhe dëshmorëve të tjerë të Brigadës “113”, organizatat e dala nga lufta, kanë planifikuar që të premten të mbajnë një akademi përkujtime.

Mujë Krasniqi, Komandant “Kapuçi”, lindi në vitin 1967 në fshatin Qabiq, i cili është protagonisti i bërjes së historisë së luftës çlirimtare. Ishte njëri nga bartësit kryesor të luftës e themelimit të UÇK-së, i cili ishte plagosur tri herë gjatë betejave të ndryshme çlirimtare. Madje, komandant Mujë Krasniqi përbeënte treshen e UÇK-së që dolën për herë të parë para popullit më 28 nëntor 1997 në fshatin Llaush të Drenicës, me rastin e varrimit të mësuesit Halit Geci, bashkë me dy bashkëluftëtarët e tij, Rexhep Selimin “Dhjetëshi“ dhe Daut Haradinajn “Davidi“.

Derisa Dauti dhe Muja ishin pa maska, Rexhep Selimi ishte me maskë në kokë dhe me këtë rast ai mbajti një fjalim, i cili u mirëprit nga populli me duartrokitje dhe ovacione „UÇK“, „UÇK“!

 

Nga Lumturie Blakaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu