Shtyhet gjykimi i Lirim Jakupit

0
277

Lirim Jakupi

Gjykimi ndaj Lirim Jakupit, ish-luftëtar i dy UÇK-ve dhe i UÇPMB-së, i paraparë që të mbahej ditën e premte në Gjykatën Themelore në Gjilan është shtyrë, ngase në seancën e paraparë kanë munguar dëshmitarët.

Në këtë seancë ishte paraparë që të dëshmohej nëpërmjet paraqitjeve video, por një gjë e tillë nuk është realizuar.

Edhe mbrojtësi i Lirim Jakupit, avokati Ramë Gashi, ka thënë se gjykimi është shtyrë dhe ka paralajmëruar se seanca e radhës është paraparë të mbahet javën e ardhshme.

Ai ka thënë se i mbrojturi i tij është dashur që të paraqitet para Gjykatës, porse në mungesë të incizimeve nga Maqedonia, gjykimi është shtyrë dhe pritet të mbahet javën tjetër.

Lirim Jakupi, pjesëmarrës në luftëra çlirimtare kudo nëpër trojet shqiptare, po gjykohet nga EULEX-i nën akuzën për “Vrasje të rëndë në tentativë gjatë periudhës shtator-dhjetor 2004”. Në seancën e fundit ai kishte mohuar të gjitha pikat e akuzës. Ndërkohë, edhe pala mbrojtëse është duke përgatitur ankesë, ngase pandeh se nuk ka prova të mjaftueshme për ato që ngarkohet i akuzuari.

Jakupi po gjykohet për vepra që pandehet se janë kryer në Maqedoni edhe atë se ka hapur zjarr ndaj zyrtarëve policorë në Shkup dhe në Tetovë, duke u shkaktuar lëndime të rënda nga të shtënat. EULEX-i pretendon se Lirim Jakupi iku nga vendi i krimit. Ai u arrestua në Kosovë në janar të vitit 2014 dhe prej atëherë ka qenë në paraburgim.

Ky ishte një hetim i përbashkët i kryer nga hetuesit e EULEX-it të njësitit të krimit të organizuar së bashku me prokurorët dhe hetuesit nga Republika e Maqedonisë.

Më herët Lirim Jakupi ka pasur një dënim prej gjashtë vjetësh, të cilin e ka përfunduar. Ai në mungesë është dënuar edhe nga Gjykata e Serbisë, e cila e ka dënuar me 15 vjet në mungesë dhe dënimi i është vërtetuar edhe nga Gjykata Supreme e këtij vendi.

Gjatë vuajtjes së dënimit, ai një herë ia kishte dalë të arratiset nga burgu, por ishte kapur dhe ishte kthyer në vuajtje të dënimit. Pasi kishte vuajtur dënimin me burg prej gjashtë vjetësh,  Lirim Jakupi ishte arrestuar nga EULEX-i, ngase autoritetet maqedonase e kishin aktivizuar fletë-arrestin ndaj tij, nën akuzën se ishte pjesëmarrës në grupin e “Kondovës” dhe i përfshirë në përleshjen e armatosur në Brodec më 2007. Ai tashti sërish po rigjykohet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu