Si e kundërshtoi ‘Vatra’ Zogun për marrëveshjen e Shën Naumit

0
276

Rënia e qeverisë Noli dhe riardhja e Zogut në pushtet shkaktoi fillimisht një tërmet në gjirin e vatranëve, shoqëruar me një zhgënjim të thellë dhe me një preokupacion të madh për të ardhmen e Shqipërisë. Më shumë se kudo në diasporën shqiptare, në gjirin e “Vatrës” u zhvillua një polemikë e ashpër politike, gati spektakolare. Kjo për faktin se, “Vatra” kishte mbështetur parimet liberal-demokrate si model qeverisjeje në Shqipëri, nën ndikimin e demokracisë amerikane; grupimin e quajtur liberal-demokrat në Shqipëri dhe vetë opozitën e qeverisjen Noli. Mbështetja kishte qenë shumëplanëshe: morale, politike dhe deri financiare.
Situatat u ndërlikuan, për shkak të autoritetit të madh që gëzonin Noli e Konica, të kthyer gati në mit në komunitetin shqiptar të Amerikës, tashmë të polarizuar në kahe të kundërta politike. Por, edhe në vorbullën e ndikimeve të emigracionit politik kundërzogist dhe të kundërveprimit të shpejtë dhe efikas të qeverisë së Zogut, për neutralizimin e këtij faktori.
Ky proces ka disa faza në zhvillimet e veta. Faza e parë, që nuk zgjati asnjë vit, mund ta quajmë të paanshmërisë. Janë të njohura reagimet e menjëhershme të F.Konicës dhe të Komisionit të “Vatrës” në dhjetor 1924; thirrja e tyre drejtuar të dy palëve për pajtim kombëtar, për të arritur një kompromis të mundshëm, duke ngritur një komision të përbashkët dhe organizimin e zgjedhjeve të reja në vend.
Në 11 janar 1925 Konica do të zhvillonte një konferencë të posaçme në Boston me tematikë: “Një studim i vërejtur historik dhe psikologjik të problemeve të Shqipërisë”. Ai aty do të pohonte se Noli mund të kishte bërë gabime, por qëllimet e tij kishin qenë të kthjellta, por se ata dëshironin një gjë: “të mos derdhej më kot gjaku i popullit” që të konsolidohej shteti i ri shqiptar dhe prosperitetin e tij. Kuvendi i 14 i “Vatrës”, i përshëndetur edhe nga Noli u hap më 12 korrik 1925. Ai zyrtarizoi tashmë politikën e paanshmërisë dhe të pajtimit kombëtar, por duke i lënë hapësirë kryesisë” që në raste të veçanta të gjykonte si më mirë”.
Politika e paanshmërisë, si një rrymë mbizotëruese në këtë Kuvend u përball me dy rryma të tjera: për një kundërshtim të qeverisë Zogu pa asnjë kompromis dhe tjetra për përkrahjen e regjimit të ri në Shqipëri, por jo me metodat e diskriminimit dhe të denigrimit të atyre, që mendonin a vepronin ndryshe.
Ndërkohë “Vatra” dhe “Dielli” mbajtën qëndrim ndaj veprimeve të dhunshme ndaj forcave civile dhe xhandarmërisë në vend, në kuadrin e gjendjes së jashtëzakonshme. U kërkua “heqja dorë nga gjakmarrja ndaj kundërshtarëve politikë, një amnisti e përgjithshme, një kabinet koalicioni” etj.
“Vatra” u shpreh fillimisht që nuk do të merrte pjesë zyrtarisht në protestat dhe mitingjet që po organizonin shqiptarët e Amerikës kundër marrëveshjeve për Shën Naumin dhe Vermoshin dhe koncesionit të naftës për Shoqërinë Anglo-Persiane. Por Komisioni drejtues në një mbledhje të posaçme vendosi, “që t’u japë shqiptarëve lehtësirat e duhura për të mbajtur një miting të tillë”. “Dielli” shkruajti se mitingu i Bostonit me një pjesëmarrje prej 600 vetësh, u mbajt jo prej “Vatrës”, por si grup shqiptar, “si pjesë e opinionit publik të lirë”.
Por në fillim të majit 1925 në përgjigje të ashpër drejtuar Zyrës së Shtypit Shqiptar rreth këtij mitingu, “Vatra” vinte në dukje se në Shqipëri nuk ishte garantuar liria e fjalës dhe e shtypit, se burgjet ishin mbushur me njerëz, për vrasje pa urdhër e gjykata të kundërshtarëve, për Shën Naumin, etj.
Ajo përsëriste qëndrimin e njohur tashmë të saj, se ishte armike e një kryengritjeje të re, se dëshironte që qeveria të forcohej “por jo me padrejtësira, me vrasje, me kleçka dhe intriga për të huajt”. “Mund të forcohet, – shtonte ajo, – vetëm me një marrëveshje me të gjitha partitë, në bazë të amnistisë pa prapamendim dhe të lirisë së vërtetë”. Në këtë kontekst “Vatra” krahas hapjes së një fushate ndihmëse për të mërguarit politik, dërgoi një protestë për Shën Naumin në Tiranë, në Lidhjen e Kombeve dhe pranë Konferencës së Ambasadorëve në Paris.
Në vjeshtën e vitit 1925, “Vatra” nga pozita e paanshmërisë kaloi në një fazë tjetër, në një angazhim aktiv politik, në mbështetje të qeverisë së Zogut. Duket se dërgimi i Fazlli Frashërit nga Zogu në Amerikë, në pranverë 1925 dhe bisedimet e tij me “Vatrën” dhe personalisht me Faik Konicën, kryetarin e saj, ia arriti qëllimit. Por këtu ndikoi dhe hapja e një debati të fortë mes të mërguarve politikë Qazim Kuculi, Sotir Peci, Ali Këlcyra, Fan Noli etj., me Faik Konicën dhe mbështetësit e tij. Por dhe largimi i shumë vatranëve, kundërshtarë të vijës së paanshmërisë, ngritja e klubit politik në Ëorcester pranë gazetës Imigranti” në shtator 1925 dhe më pas e Federatës “Bijtë e Shqipërisë” me organin e vet “Idealisti”, që të gjithë këta në sulme të ashpra ndaj tij. Në një artikull të tij në tetor 1925, Konica e quajti Revolucionin e Qershorit një kryengritje ushtarake dhe një grusht shteti, duke insistuar “që të fshihen të shkuarat dhe të niset një jetë e re politike”. Por ai kaloi në caqe të pashkelura më parë nga “Vatra”, duke i akuzuar kundërshtarët politikë, të etiketuar sipas përkatësisë fetare, çka u pasua nga shkrime të tjera të kësaj natyre në faqet e “Diellit”. Në një letër të hapur dërguar Konicës në tetor 1925, botuar te “Dielli” me miratimin e këtij të fundit, autori e akuzonte atë se, kishte shkelur politikën e paanshmërisë, duke mbajtur hapur politikën e një partie, që më parë e kishte stigmatizuar; se goditi pa mëshirë Luigj Gurakuqin kur ai u vra; se shkrimet e tij nuk mund të njollosnin Nolin dhe se dhelpra dinake Zogu e shtiu edhe atë në grackë”. Të tjerë, shprehën dizaprovimin e tyre për paragjykimet dhe diskriminimin ndaj atyre që mendonin ndryshe. “Ju, – i drejtohej një letërshkrues, – si kryefolës i kësaj shoqërie, detyroheni të mos diskriminoni një grup njerëzish, kur ne kemi dashur ta eliminojmë fenë nga çështja”.
Kuvendi i 16, në qershor 1926, zgjodhi si kryetar Arqile Tasen dhe kryetar nderi Faik Konicën, tashmë ministër i Jashtëm i Shqipërisë në Uashington. Aty u miratua pas debateve të shumta një kanunore apo rregullore e re, e cila vulosi politikën e re të “Vatrës”. Sipas nyjeve 6,7, 8 dhe 9 u vendos të përjashtoheshin ata që besonin në përmbysjen e guvernës me mjete revolucionare apo të pakanunshme, që kishin marrëdhënie me revolucionarët, ose që i përkrahnin ata; ata që kishin zakon të kundërshtonin ose që grindeshin, që shanin zyrtarët e “Vatrës” etj.
Që këtu nisi faza e monopolizimit të “Vatrës” nga krerët, ku ndikimi i trupit diplomatik shqiptar u rrit së tepërmi, ku mendimi ndryshe megjithëse gjeti gjithnjë vend në faqet e “Diellit”, u quajt herezi dhe kundërshtarët politikë u etiketuan “antivatranë dhe armiq të atdheut”. Ky kurs çoi në prishjen e shumë degëve dhe largimin e një pjese jo të vogël të vatranëve, apo përjashtimin e tyre. Rregullorja e re që u dërgua për diskutim e miratim në degët e “Vatrës”, u miratua në tetor 1926 nga 18 degë, çka fliste për kundërshtimet, për abstenimet, apo prishjen e shumë degëve, kur “Vatra” në dhjetor 1924 kishte pasur 83 degë dhe me qindra anëtarë.
Kundërshtarët e Rregullores së re theksuan se, ajo shkelte mendimet e lira dhe principet demokratike mbi të cilat “Vatra” ishte themeluar. Peter Kolonja në një letër drejtuar Mit’hat Frashërit në dhjetor 1927 për situatën në Amerikë e informonte se: “gjendja e shqiptarëve në gjirin e shqiptarëve të Amerikës është shumë e keqe …, një ftohtësi dhe përçarje mbretëron. Jemi përpjekur kohët e fundit të …. sjellim një bashkim, por është shumë e zorshme”.
Si fazë të tretë të luftës politike në gjirin e “Vatrës” do të përkufizonim vitet 1928-1936, që karakterizohen sa nga politikat ekstreme ndaj kundërshtarëve, aq edhe nga përpjekjet e mëdha për bashkim. Thirrjet e vatranëve në gazetën “Dielli” janë të shumta, me plot nostalgji për të kaluarën e “Vatrës”. Kuvendi i 17-të i “Vatrës” në korrik 1928 u quajt kuvendi i bashkimit. Pas një diskutimi të gjatë u mor vendimi i rëndësishëm, që të pranoheshin përsëri ish-anëtarët e larguar a të përjashtuar, por vetëm ata “që sot janë penduar dhe binden në kanunore të “Vatrës”. Por, kjo vetëm se uli disi tonet në debatet politike, kur me shpalljen e Monarkisë në Shqipëri lindën probleme të reja nga elementët me parime republikane. Ata nuk pranuan qëndrimin e “Vatrës”, e cila quajti të rregullt shndërrimin e regjimit, në mënyrë konstitucionale, dhe e quajti kundërshtimin të paarsyeshëm dhe të dëmshëm. Pikërisht në këtë klimë u shtuan zërat e vatranëve, që “Vatra” të kthehej thjesht në një organ arsimor, apo tregtar, por që nuk gjetën terren.
Megjithëse “Vatra” po tkurrej gjithnjë, të ardhurat e saj po pakësoheshin në mënyrë drastike dhe ajo ishte futur në borxhe, bashkimi i duhur nuk po arrihej. Madje, në shënimet editoriale të “Diellit” u dukën dhe nota kërcënuese, ndaj atyre që mendonin a vepronin ndryshe. U bënë thirrje, që të mos u jepeshin pasaporta këtyre elementëve në Zyrën e Kosnullatës, apo iu bë thirrje qeverisë shqiptare që t’ua priste bursat të dy motrave të Kostandin Tashkos, që studionin në Paris.
Kjo politikë shqetësoi Tiranën zyrtare, që kishte vendosur tashmë raporte të qeta me Fan Nolin, që nga fillimi i vitit 1934. Në Tiranë ishin bërë disa amnisti ndaj kundërshtarëve politikë dhe në Amerikë kishin shkrirë akujt në mes Nolit dhe Konicës. Shumë shkrime, fakte, kujtime, flasin për rolin negativ të konsullit Georg Prifti. Por nuk është shumë bindës as roli i Faik Konicës në këto rrjedha, i cili për shkaqe personale, kishte kërkuar disa herë zyrtarisht pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme që të mbaheshin qëndrime ndaj të afërmve të kundërshtarëve politikë në Amerikë.
Në qershor 1935 Kuvendi i 20-të i “Vatrës” vendosi të shpallte një amnisti të përgjithshme me disa përjashtime dhe të ftohej Noli të vinte në Kuvend, i cili “për arsye të qëndrimeve të tij neutrale” nuk vajti. Por, rënia e “Vatrës” vazhdoi. Në nëntor 1935 “Dielli” shkruante: “Besojmë se tani e kuptuam të gjithë se kurdoherë përçarjet janë të dëmshme për mbarëvajtjen e vendit dhe të lëvizjes shoqërore”. Bëhej thirrje për të harruar mëritë, “zihjet e shkuara politike” për t’u mbledhur tok nën hijen e “Vatrës”.
Më 14 janar 1936, kreditori i “Vatrës” konsulli G.Prifti, i mbylli dyert e “Vatrës” për shkak të mospagimit të borxheve, e hodhi në gjyq atë dhe mori në dorë arshivat, koleksionin e “Diellit”, shtypshkronjën dhe bondet e huasë shtetërore. “Jemi të bindur, – shkruante “Dielli”, – se ky lajm do të bjerë si bombë mes vatranëve …. Sot “Vatra” po pret me minutë shpëtimin e saj. Mos e lini të mbyllet”. Ishin vatranët e Detroidit dhe të degëve të tjera që e shpëtuan “Vatrën” nga borxhet dhe Kuvendi i 21, i mbajtur ndërkohë, vendosi që “Vatra” të largohej në Detroit me kryetar Andrea Elia. Ata shpëtuan dhe arshivën dhe koleksionin e “Diellit” dhe deri në prill 1939 funksionuan paralelisht dy “Vatra” dhe dy gazeta “Dielli’, në Detroit dhe tjetra në Boston e riorganizuar më pas, ku secila emërtohej si trashëgimtare e vërtetë e “Vatrës”. “Vatra” e Detroidit arriti në konkluzionin se “Vatra” nuk u pengua nga kriza ekonomike se sa nga ajo politike, se përçarjet dhe grindjet nuk kishin qenë veçse ndryshime mendimesh politike, se përçarjet ishin të dëmshme për mbarëvajtjen e vendit dhe lëvizjen shoqërore dhe se “Vatra” ishte bërë viktimë e politikave personale. Konsiderata këto, me të cilat jemi plotësisht dakord.
Në mars 1937, qeveria shqiptare dërgoi pranë shqiptarëve të Amerikës Aqif pashë Përmetin dhe Kristo Kirkën, ish-vatranë të njohur tashmë në Shqipëri, me mesazhin e bashkimit. Në mars 1938 në Ritz Carlton Hotel, në pritjen e dhënë për nder të princeshave Zogu, morën pjesë dhe delegatë nga Detroidi dhe Bostoni. Njeriu më pranë Zogut, Abdurrahman Krosi shprehu edhe një herë dëshirën që të dy “Vatrat” të bashkoheshim me qendër në Boston. Por kjo do të arrihej vetëm me pushtimin e Shqipërisë.
Por, megjithatë ky institucion i famshëm i shqiptarëve të Amerikës dhe i mbarë diasporës shqiptare, mbijetoi dhe megjithë këto andralla ia doli të mbajë gjallë gazetën “Dielli”, të zhvillojë një aktivitet të larmishëm shumëplanësh dhe të kontribuojë në forcimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptar. Ajo mbeti një vatër e vërtetë kombëtare, si një gjymtyrë organike e atdheut, duke përjetuar të gjitha stuhitë politike që e përshkuan atë.
Titulli në origjinal ishte: “Debati politik në gjirin e ‘Vatrës’ në vitet 1925-1939”

 

Nga Fatmira Rama

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu