Si e quante Thaqi Albin Kurtin kur ai paralajmëroi luftë

0
210

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, muaj më parë kishte paralajmëruar tensionim të situatës në vend. Madje, ai kishte paralajmëruar luftë në Kosovë brenda pesë viteve.

Sipas tij, çështja e demarkacionit do të ishte shkak i një lufte të mundshme në vend, shkruan Periskopi.

“Kufiri është çështje e ndarjes së territorit. Nuk kemi tokë për të falur. Në atë tokë është derdhur gjak dhe ne s’kemi gjak për të falur. Thaqi dhe Mustafa të japin dorëheqjen. Në 4-5 vitet e ardhshme ka gjasa të ketë përsëri luftë”, kishte thënë Kurti në Tiranë.

I pari që i nënvlerësoi këto deklarata të Kurti ishte presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Por, pikërisht ai, dje paralajmëroi një situatë të rëndë karshi së cilës tha se duhet që të gjithë të bashkohen, pa dallime politike.

Duke iu kundërpërgjigjur deklaratave të Kurtit për luftë, Thaçi kishte thënë se lufta në Kosovë kishte përfunduar me shpalljen e pavarësisë. Ndërsa për Albin Kurtin kishte thënë se e ka humbur arsyen, andaj u kishte bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e Kurtit.

Por, tensionet e fundit politike mes Kosovës dhe Serbisë, kanë bërë që Thaçi ta humbë arsyen. Së bashku me Mustafën, ai mbrëmë përfaqësoi delegacionin kosovar në Bruksel, për bisedime me palën serbe.

Para se të nisej, Thaçi paralajmëroi një situatë të rëndë. Sipas tij, të gjithë akterët pa dallime politike duhet të bashkohen, për t’u bërë ballë kërcënimeve të Serbisë.

Në prononcime për media, Thaçi disa herë përsëriti frikën e kërcënimeve nga ana e Serbisë, për të cilën tha se po vepron me mentalitet Millosheviçian.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu