“Si e rrahën ambasadorin francez oficerët e sigurimit”

0
262

Pas afro 43 vitesh zbardhet një incident i rëndë i ndodhur me ambasadorin francez në Tiranë. Ish-shefi i sigurisë së ambasadës së këtij vendi tregon në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, sesi më 31 korrik të vitit 1968, oficerët shqiptarë të sigurimit rrahën në tualetin e hotel “Dajtit” ambasadorin francez të asaj kohe në Tiranë. Ai tregon me detaje sesi i vodhën diplomatit listën konfidenciale të miqve frankofonë shqiptarë. Mishel, thotë se oficerët e sigurimit i bënë presion ambasadorit francez, që të bashkëpunonte me ta, në të kundërt kopja e listës së agjenturës shqiptare do t’i dorëzohej një kopje shtetit shqiptar dhe një kopje tjetër shtetit francez. Ndërkohë, Mishel tregon me detaje sesi kryetari i Akademisë së Shqipërisë së asaj kohe u mundësoi një takim me Enver Hoxhën, i cili ndodhej me pushime në Pogradec. Ndërsa, risjell dhe detaje të këtij takimi mes diplomatit francez dhe Hoxhës.
TAKIMI ME MISHEL
NE PARIS
Në hollin e hotelit “Konkord” isha duke punuar në kompjuter, kur befas më ikën sinjali. Po bisedoja me sportelistin, kur pranë më afrohet një burrë me flokë të rëna e flokë thinjoshë me një fytyrë vitaminoze dhe dy sy të mprehtë që lëviznin si zhivë termometri poshtë lenteve të syzave të miopisë. Më afrohet pranë dhe më flet me një shqipe të çalë: Jeni shqiptar? Po i them unë
Çfarë profesioni keni? Jam gazetar. Ai heshti dhe fjollat e cigares që po pinte e mbështollën me një vello misteri. Pastaj psherëtiu thellë. Ah, Tirana. Ah sigurimi i shtetit çfarë na ka punuar dhe i shkreti ambasador. Kërshëria e profesionit më shtyu që t`i marr intervistën e mëposhtme.
Me çfarë detyre keni qenë në Tiranë?
Kisha si detyrë sigurimin e ambasadës franceze.
Cila ka qenë ngjarja që ju ka tronditur kaq shumë në Tiranë?
Ka qenë 31 korriku i vitit 1968, dita e festës kombëtare e Francës. Ne sipas traditës organizuam në hotel “Dajti” një mbrëmje. Ishte një festë intime me trupin diplomatik që shërbente në Tiranë dhe funksionarë të ministrisë së Jashtme të Shqipërisë. Ambasadori francez në atë mbrëmje po e tepronte me pijen duke përzierë “Vins blanës” me “Vinc mousseux”. Desha të theksoj se në rolin e përfaqësuesve të ministrisë së Jashtme, përballë tavolinës sonë ishin dy oficerë të shërbimeve sekrete të Shqipërisë. Gjatë festës, në një moment ambasadori francez ngrihet nga tavolina me vështirësi, gati i dehur dhe shkon drejt tualetit. Kaloj më shumë se 30 minuta dhe ai nuk po vinte, ndaj unë shkova për ta parë, por e gjeta të shembur në tualet dhe të goditur në kokë.
Çfarë kishte ndodhur me ambasadorin?
Dikush e kishte goditur në kokë dhe i kishte marrë portofolin. Rreth orës 9:00 të mëngjesit të datës 1 gusht, ambasadori erdhi në vete dhe kërkoj urgjent çelësat e kasafortës. Fatmirësisht çelësat ishin në xhep dhe ai u rehatua duke ia faturuar ngjarjen ndonjë vjedhësi ordiner. Hapi kasafortën dhe vuri re se lista konfidenciale e miqve frankofonë shqiptarë ishte e palëvizur. Por, pa kaluar një orë dikush nga jashtë ambasadës e mori ambasadorin në telefon.
Kush e kërkonte?
Në gjuhën italiane, ai i tha ambasadorit se dispononte një listë të koduar të miqve frankofonë shqiptarë. Ambasadorin e kapi paniku dhe u zbardh si ato statujat e Greqisë. Personi i panjohur që foli italisht i kërkoj ambasadorit të takoheshin tek hotel “Dajti” në dhomën nr.112 në orën 21:30.
A shkuat në takim?
Padyshim së bashku me ambasadorin. Parkuam makinën tonë para ambasadës dhe pak minuta më pas, përbri makinës sonë u parkua një “Polska Fiat” i policisë së fshehtë shqiptare. Sapo u futëm në hollin e hotel “Dajtit” vumë re që nuk kishte këmbë njeriu, as nga personeli. Ballë përballë na del një punonjës që u prezantua si i ministrisë së Jashtme dhe së bashku shkuam tek dhoma nr. 112. Ai na foli me një frëngjishte të pastër duke thënë se i vinte keq për incidentin dhe se policia e kishte zbuluar hajdutin ordiner. Më pas na dorëzoi portofolin, i cili dukej që nuk ishte prekur. Por, pasi qëndroj një hop, ai na tha se policia krahas portofolit, këtij hajdutit ordiner i kishte gjetur një listë të agjenturës franceze të deshifruar dhe identifikuar pothuajse të gjithë.
Po më pas?
Oficeri i sigurimit na bëri një propozim konkret që ambasadori të vihej në shërbim të sigurimit të shtetit, në të kundërt kopja e agjenturës shqiptare do ti dorëzohej një kopje shtetit shqiptar dhe një kopje tjetër shtetit francez.
E firmosi ambasadori?
Ambasadori kishte marrë një vendim që të firmoste çdo kërkesë të policisë sekrete shqiptare, pasi se qëllimi i tij ishte të fitonte kohë. U kthyem në ambasadën tonë dhe nga një dalje e fshehtë, nga një telefon civil, i kërkoi ndihmë mikut të tij, kryetarit të Akademisë së Shqipërisë të asaj kohe që t’i realizonte një takim me Enver Hoxhën.
E takuat Enver Hoxhën?
Enveri ishte në Pogradec me pushime. Gjatë gjithë rrugës për në Pogradec, ambasadori kishte besim se do të gjente një zgjidhje tek Enver Hoxha. Kjo për vetë faktin se Enveri kishte një kulturë franceze dhe e fliste mirë gjuhën frënge. Në orën 18:00 na priste Enveri. Ai shëtiste buzë liqenit kur shkuam ne. Bisedën e zhvilloj vetëm me ambasadorin, u ulën poshtë një mështekne. Enveri e çliroi nga emocionet më pas e dëgjoi me vëmendje ambasadorin dhe dukej i çuditur nga rrëfenja e ambasadorit.
Çfarë i tha Enveri ambasadorit?
Enveri u shpreh bindshëm se një pjesë e shokëve tanë të shërbimeve sekrete kanë studiuar në Bashkimin Sovjetik dhe kanë marrë metodat e KGB-së, CIA-s apo të UDB-së jugosllave. Nga ana tjetër Enveri premtoi se do të marrë masa të zbulojë shkaktarët e këtij incidenti të rëndë. U ndamë miqësisht dhe gjithçka ngeli tek ajo bisedë me Enverin askush nuk na ngacmoj më deri sa u transferuam nga Tirana.

Bardhyl Berberi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu