Si i komandonte nga selia dhe i dolën nga kontrolli manipuluesit e zgjedhjeve parlamentare

0
297

Tatëpjeta e demokracisë shqiptare do të niste pas zgjedhjeve të 26 majit 1996, ditë që është skeduar si simboli i revanshit antidemokratik ndaj zgjedhjeve të lira në një vend pluralist.

Partia Demokratike e presidentit të atëhershëm dhe kryeministrit të sotëm, do të bënte gjithçka antiligjore dhe antidemokratike për të fituar një mandat të dytë qeverisës, paçka se do të binte pas revoltave të dhunshme dhe anarkisë që pllakosi vendin, pas rënies së shtetit në mars 1997.

Dëshmia e gazetarit Mero Baze, vjen nga brenda. Ai është atë ditë aty, në strofkullën politike të presidentit Berisha, i cili komandon fijet e pushtetit për të rrëmbyer fitoren në zgjedhjet parlamentare.
Është njëra prej dëshmive të shumta që bëjnë autopsinë e rënies të pushtetit të presidentit autoritar, pjesë e librit të sapodalë në treg me titull “Viti 1997, prapaskenat e krizës që rrënuan shtetin”.
Berisha është drejtuesi i maskaradës elektorale, e cila i del nga kontrolli, pas largimit të komisionerëve të opozitës së majtë nga zgjedhjet. Dhe pasi gjithçka rrëshqet në totalitarizëm, është vetë Berisha që sajon komplotin e madh të armiqve të brendshëm (socialistëve) dhe atyre të jashtëm amerikanë, grekë, vëzhguesit e ODIHR-it për t’ua faturuar, “fitoren” e shëmtuar prej nga nisi degradimi i shtetit.

 

Duhej të intervistonim Sali Berishën direkt për emisionin e lajmeve të orës 20.30 te “Zëri i Amerikës”. Redaksia nga Uashingtoni ishte në ankth, pasi deri në orën 20.10, linjat ndërkombëtare me Shqipërinë ishin të bllokuara. Një vend që thuajse kishte qenë jashtë vëmendjes së botës, atë pasdite, befas, tërhoqi gjithë vëmendjen me krisjen e fortë që po merrte një proces i shkatërruar zgjedhjesh. Për 10 minuta të ankthshme para emisionit, na u desh që nga dy telefona të transmetonim njëkohësisht të gjitha raportet për zhvillimet e pasdites. Elez Biberaj u lidh direkt me Berishën. Biseda i ngjante një dueli mes dy miqsh të zemëruar me njëritjetrin, por që ende s’kishin shkëmbyer asnjë fjalë për shkakun e vërtetë të zemërimit.

Biberaj ishte një gazetar legjendë në Shqipëri, për shkak të rolit të tij kyç në përmbysjen e komunizmit dhe shpeshherë, pa ndonjë sforcim, ai ia lejonte vetes luksin që ta quanin edhe përkrahës të Sali Berishës.

Por kjo tashmë nuk ishte më luks, por taksë. Në duart e pushtetit të dalë nga rrënojat e komunizmit po plagoseshin rëndë zgjedhjet dhe ky ishte atentati më i madh që mund t’i bëhej një shoqërie që përpiqej të mbijetonte në demokraci, por me kulturën e komunizmit në kokë.

Biberaj përpiqej të ishte i ashpër në pyetje dhe i qetë, ndërsa Berisha protokollar dhe nervoz. Herë-herë ngjante i egërsuar dhe kishte një vendosmëri të dyshimtë në fjalët e tij. Disa herë iu drejtua me “zoti Biberaj”, çka do të thoshte se po bëhej nervoz nga pyetjet. Sidoqoftë, deklarata e tij ishte parimore.

Dënonte bojkotin dhe u bënte thirrje komisionerëve socialistë të rrinin aty për të numëruar votat. Ishte një thirrje që, në ato çaste, nuk kishte më se kush ta dëgjonte. Shumica e komisionerëve kishin braktisur komisionet dhe në qendrat e votimit kishte filluar anarkia.

Pasi përfundoi biseda e Biberajt me Berishën, pasuan tri raporte të tjera dhe në fund m’u desh të lidhesha përsëri direkt për të plotësuar një dyminutësh. Ishte një lidhje nervoze.

Ndihesha i rraskapitur dhe plot pikëpyetje për atë që po ndodhte. Nuk është se nuk e besoja faktin që socialistët ikën për t’ia lënë zgjedhjet si kopilin në derë Berishës. Besoja, po ashtu, se PD-ja mund t’i fitonte ngushtë këto zgjedhje. Skenat e ditës së votimit dhe mënyra se si kishte nisur të degradonte situata, ishin vrastare.

Makthi disamujor, që kish nisur të shfaqej para fushatës dhe gjatë saj e që çoi në pastrimin e fushës nga kundërshtarët realë dhe në bllokimin edhe fizik të fushatës, tashmë po prodhonte frytet e veta. Shihej qartë se rrënojat e asaj që po ndodhte para .syve tanë do të mbeteshin shumë kohë pa u pastruar në politikën shqiptare.

Zgjedhjet po prisheshin si një ndërtesë pa leje, ku askush nuk merr përsipër ta pastrojë territorin, por vetëm të shembë ndërtesën. Berisha kishte muaj që e kishte vizatuar armikun te njerëzit rrotull tij. Në atë vizatim kishte përdorur detaje realiste dhe fakte të pamohueshme, kombinuar me artifica dhe paranoja që ngjiznin idenë e një komploti thuajse

ndërkombëtar. Ai fliste për një komplot që e drejtonte Fatos Nanoja që nga burgu dhe që ishte rekomanduar nga Nikolas Gejxhi, një shkrimtar tejet i njohur në SHBA dhe veprimtar i qarqeve nacionaliste greke, që çmohej sidomos për luftën e tij kundër Berishës.

Vetë Gejxhi bënte kujdes që anti-Berishë të shfaqej vetëm kur ishte mes grekëve, ndërsa në publik bënte kujdes të ishte një shkrimtar i talentuar dhe plot fantazi për Epirin dhe Greqinë, një vend që vazhdon t’i çudisë amerikanët me aftësinë për të prodhuar më shumë “histori për frymë” se të ardhura për frymë.

Pasi mbaroi emisioni, u lidha në telefon me Berishën, që ta pyesja për gjendjen.
– Eja lart, – më tha. – Jam me Gencin. Eja njëherë ta diskutojmë.

Në atë kohë ai rrinte në vilën nr. 4, që ishte në krah të Pallatit të Brigadave, një vilë modeste, që kishte një dhomë dite të bollshme e që ishte gjithmonë e mbushur me gazeta, libra dhe shkresa sipër njëra-tjetrës,

që mund t’i identifikonte vetëm Sali Berisha me sistemin e tij të kontrollit mbi rrëmujën. Ishte një nga aftësitë e tij të veçanta të orientohej mes kaosit që prodhonte vetë, i cili i shërbente njëkohësisht si një pengesë, si një mur ndarës, që askush të mos përfshihej në kaosin e tij.

E gjeta teksa rrinte thuajse pa folur me Genc Pollon. Ky i fundit po rrinte në lidhje të vazhdueshme me Përmetin, në fund të dhomës së ditës, ku ishte telefoni. Fliste vazhdimisht dhe kërkonte gjithmonë një njeri me emrin Dashi.

Fliste dhe herë pas here qeshte me vete. Interesohej për detaje dhe kuti të ardhura nga fshatrat. Ishte ora rreth 21.30, kur ai uli telefonin, buzëqeshi me ndrojtje dhe shqiptoi se kishte fituar në Përmet.

Berisha, që ndërkaq po fliste me mua për gjëra krejt pa rëndësi, rrudhi vetullat.
Ashtu? – ia ktheu sakaq. – Ëhë..! – shtoi pastaj, sikur deshi t’i thoshte “futja kot”.
Ishte një nga ato shprehjet e. pavullnetshme, kur ai ngelet bosh dhe nuk e gjen fjalën e duhur për të shprehur mosmiratimin për diçka.

– Në fakt, u thashë të mos e japin në televizion, se në orën 22.00 mbyllen votimet, – tha Polloja, në përpjekje për t’iu përshtatur mosmiratimit të dukshëm të shefit të tij.
E ku i numëruan ata? – e pyeti Berisha.

Po në Përmet janë mbyllur shpejt, se njerëzit atje votojnë herët dhe ata i kanë hapur kutitë. Ka pasur edhe socialistë. Pastaj, pak vetë e kanë marrë vesh nga socialistët në bazë që janë bojkotuar zgjedhjet. Në shumë fshatra s’e kanë marrë vesh fare.
– Me kë fole ti? – e pyeti sërish Berisha.
– Me atë që është te komisioni…

Berisha mblodhi buzët sërish, tundi kokën në shenjë mosmiratimi dhe u përpoq të vazhdonte bisedën me mua. Ishte aq instinktive kjo, sa harroi ku e lamë bisedën dhe mua m’u desh t’i kujtoja se po flisnim për vëzhguesit ndërkombëtarë.

– Ah, po… mirë, shiko, unë fola me këta të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe ata janë të kënaqur. “Ka pasur zgjedhje korrekte”, më thanë dhe e kanë dënuar bojkotin. Shiko, kanë shumë rëndësi ata… ë? Se ata të ODIHR-it janë ca marksistë të fëlliqur, që i kanë sjellë këtu për me i prishë zgjedhjet.

Polloja, që me sa dukej kishte qenë furnizuesi kryesor me materiale të tilla, vazhdonte të rrinte në fund të dhomës dhe po i ndiqte me indiferentizëm ato që ne po bisedonim, por edhe i gatshëm të merrte pjesë në bisedë.
U vendos një heshtje e sikletshme.

– Nuk e di… ai thotë se mund të shkojë edhe në balotazh… – e theu heshtjen Polloja.
Tonet fillestare, gjysmë entuziaste dhe gjysmë cinike, ndërkaq kishin rënë, por sidoqoftë ndihej i gëzuar.

– Urdhëro? – ia ktheu Berisha, që u duk se u shkund papritur nga pauza që u vendos pas ngecjes së bisedës për vëzhguesit e huaj.

– Me kë fole? – e pyeta unë me zë më të ulët Pollon, për ta lehtësuar me këtë rast edhe kuptimin e fjalës “urdhëro”, që Berisha e kishte instinktive, kur nuk donte të dëgjonte atë që dëgjonte.

Ndonëse Polloja ia dinte mirë këtë zakon, u kap në befasi.
– Me sekretarin e Bertit fola, me Dashin, – u përgjigj. – Vetëm ai ka telefon direkt te Turizmi.

Ndërkaq, në zyrën e Sali Berishës, ditën që zgjedhjet po kurorëzoheshin, Genci po ma kujtonte se kush ishte Dashi. Dhe mua m’u kujtua “pashallëku” i vogël që ata kishin krijuar në Përmet. M’u kujtua flokëgjati, sherret, dhuna.

M’u kujtua Berti, që komandonte gjithçka, si dhe kryetari i PD-së, por edhe një shef komisariati nga Kuçova, që mbante flamurin e PD në makinë… Për një çast mendova se vërtet ata mund të kishin ndihmuar për një fitore thuajse të dhunshme.

Në heshtjen që pasoi mes fjalive të shkëputura të Pollos për fitoren e pritshme në Përmet dhe hezitimeve të Berishës për ta vazhduar atë bisedë që nuk donte ta dëgjonte, pulti i televizorit të tij rikthehej gjithmonë te TVSh-ja.

Dy “yjet” e emisionit të lajmeve, Reiz Çiçoja dhe Vjollca Vokshi, ishin si në ekstazë. Vjollca shpalli fitoren në Skrapar. Ajo tha se sapo kishte pasur një telefonatë nga deputeti i PD-së në Skrapar dhe se ai konfirmonte fitoren e PD-së në bastionin “e kuq”.
Berisha u përmend.

– Në Skrapar? – Mori në dorë telefonin. – Ore zotëri, ç’është ky Skrapar që jepni në televizion? S’kanë mbaruar zgjedhjet akoma. Ç’i keni këto? Nuk fiton PD-ja në Skrapar… Urdhëro? Jo, jo, nuk fiton… jo, shikojeni mirë, mos bëni marrëzi këtu.
E mbylli celularin me nervozizëm.

Duhej të ishte dikush nga TVSH-ja. Ai institucion ishte kthyer papritur në supershtet. Caktonte mandate, hiqte mandate, shpallte rezultate dhe të gjitha pastaj certifikoheshin ashtu siç shqiptoheshin aty.

Biseda ngeci përsëri. Berisha lëvizi me pult disa stacione dhe dëgjonte me nervozizëm. Ilir Meta, i alarmuar ndërkohë, kishte filluar të çonte mesazhe që të mos i prekej mandati. Më ra disa herë telefoni dhe më duhej të dilja jashtë për t’u përgjigjur.

Artur Kopani, një reporter i gazetës Albania, që mbante lidhjet me Ilir Metën, ma konfirmoi i shqetësuar këtë gjë. Thashë të mos bëhej merak se gjithçka ishte në rregull.
Kur u futa sërish në dhomë, heshtja vazhdonte. Berisha ngriti kokën se mos kisha ndonjë lajm, por unë e mbylla me një “asgjë”.
Ilir Meta është shqetësuar, – i thashë pastaj.

Ashtu? Normale që do të shqetësohet. Këta janë të papërmbajtur… domethënë… hëm! – Shfryu dhe nëpër dhëmbë përmendi emrin e Kudret Çelës, kandidat i PD-së në Skrapar. Pastaj, për inerci, u kthye nga Polloja: – Genc, ti nuk ke fituar në Përmet! Nuk besoj… pyet edhe një herë!

Ishte një fjali krejt e papritur dhe e ftohtë.
Ja, të pyes, – tha Genci dhe u ngrit e shkoi përsëri tek telefoni. Përsëri ai Dashi dhe pas pak, Genci erdhi më i skuqur.

Në balotazh, më duket, – tha. – Akoma nuk kanë ardhur disa zona. – U bënë shumë fitore, – i thashë Gencit.
Nuk ka ndonjë gjë. Kur je mbi 50 për qind, ç’bëri 51 për qind, ç’bëri 90 për qind, shumicë je. Nuk prish ndonjë punë.

E tha me qetësi dhe ishte një përpjekje për të më treguar se ai nuk mund të hynte te pjesa që duhej të sakrifikohej. Për të, mbetja jashtë Kuvendit nënkuptonte fundin e karrierës. Ai vuante nga një paranojë se Berisha e kishte çuar në Përmet për ta hequr qafe.

Në fakt, nga kjo paranojë vuante thuajse gjithë pjesa e PD-së që konsiderohej e “largët” me Berishën. Duke qenë shumica jugorë, ata ishin kandiduar në zonat e Jugut, ku PD-ja ishte pakicë. Ata e kishin konsideruar këtë si një përpjekje të Berishës për t’i nxjerrë jashtë loje.

Megjithëse Berisha, për t’i përkëdhelur në sedër, kishte deklaruar se “në zonat më të vështira do të çoj më të mirët”, sërish ata ishin xhindosur më shumë. Agron Musaraj, ministri i Brendshëm, që dukej se kishte distancë nga Berisha, e shprehte hapur këtë në Berat dhe pikërisht në emër të kësaj mërie të heshtur, bëri sa më pak kujdes që ta fshihte manipulimin.

Më vonë, ky ishte një arsyetim i Berishës në rrethe të ngushta, që e fajësonte këtë grup për prishjen e zgjedhjeve në shenjë hakmarrjeje. Por ky argument ishte i dobët, sepse ky grup e drejtonte gishtin mbi dyshen Shehu-Gazidede, që komandonin struktura të paidentifikuara civile ditën e zgjedhjeve, sidomos paradite, që kanosnin dhe bënin presion.

Ra telefoni dhe Berisha përshëndeti në anglisht. Ishte një bisedë miqësore dhe njëkohësisht shumë shpjeguese për situatën. Po fliste me Qemal Dervishin, nëndrejtorin e Bankës Botërore, një mikun e tij të vjetër me origjinë të largët nga oxhaku i Konicës dhe Ali Pashë Tepelenës.

Përpiqej të ishte entuziast, por ndihej një tronditje që i përshkonte tejpërtej emocionet e bisedës. Puna sillej përsëri te bojkoti i opozitës. Këtu Berisha ishte pak skematik në shpjegim. Ishte i detyruar të kishte si argument kryesor mospajtimin e tyre me humbjen dhe braktisjen e fushës së betejës.

Më pas, një telefonatë tjetër. Dhe kjo në anglisht fillimisht, pastaj në shqip. Dukej se ishte një shqiptaro-amerikan. Por nuk e pyeta se kush. Dy telefonatat e kishin sjellë pak në humor. Biseda u hap përsëri dhe ai e pyeti Pollon:

– Hë, ç’ka ndonjë lajm?

– Asgjë, – tha Genci, i cili mendoi se e pyeti për Përmetin. – Ata thonë balotazh.
Kush thotë balotazh?
Ata në Përmet.
Ëhë… jo, unë pyeta për ndonjë gjë tjetër.
– Jo, asgjë.
Ra sërish zilja e telefonit.

– Ashtu? E po, mirë atëherë. Po, po, do të vij. Menjëherë. Ja, u nisa. — Ndërkaq, u kthye nga ne të dy: – Është Tritan Shehu… Janë mbledhur njerëzit te partia dhe duhet të shkoj. Atje po festohet. Ne më duket se kemi humbur lidhjet me njerëzit. Ata e projektojnë këtë si një fitore të madhe, kurse ne rrimë e nxijmë këtu…

U ngritëm. Genci u përpoq sërish të pyeste, këtë herë me celular, nëse kishte dalë rezultati, por Berisha, që ndërkaq kishte ardhur paksa në formë, ia preu:
– Lëre, Genc, se ai rezultat nuk del sot… nesër del.

(Vijon)

Çfarë ndodhi në zgjedhjet e treta parlamentare pas rënies së komunizmit

26 maji si turpi i një vendi “demokratik”

 

Zgjedhjet parlamentare të 26 majit 1996, ishin zgjedhjet e treta parlamentare në vend dhe kanë mbetur si pikë referimi për degradimin e partisë në pushtet, për të mbajtur me çdo çmim pushtetin qendror, edhe në kurriz të fateve të vendit.

PD-ja i humbi zgjedhjet e para parlamentare të 31 marsit 1991, kur Partia e Punës, ish-Partia Komuniste, sërish mbajti kontrollin në Kuvendin Popullor, duke fituar 169 vende nga 250, ndërsa Partia Demokratike fitoi 65 vende.

Në zgjedhjet e dyta parlamentare të 22 marsit 1992, PD-ja arriti të fitojë mbi 67 për qind të vendeve në Kuvendin e ri me 140 deputetë. Por, pas kësaj fitoreje bindëse, pak muaj më vonë, partia e Berishës humbi zgjedhjet vendore, që u fituan nga PS-ja dhe si shkak për votën kundër, u fajësuan reformat e privatizimeve dhe të liberalizimit të tregut, që shkaktuan probleme të mëdha sociale, për një popull që ende mbahej gjallë me ndihmat e qeverisë italiane dhe të vendeve të tjera perëndimore.

Dy vite më vonë Berisha dhe partia e tij morën votë kundër në referendumin për Kushtetutën e re që do të zëvendësonte atë të vitit 1976 dhe kjo u nënkuptua si një test real për popullaritetin që gëzonte PD-ja dhe Presidenti Berisha në popull. Zgjidhja: fitorja me çdo çmim e zgjedhjeve parlamentare, përballë një opozite të çoroditur, në presionin psikologjik, kërcënimin fizik dhe me kryetarin në burg.

Zgjedhjet e turpit u bënë mes votimeve tipike totalitariste ndaj edhe rezultati nuk qe befasues, 122 vende i fitoi PD-ja, 10 PS-ja dhe të tjerat partitë e vogla. Opozita, që kishte bojkotuar komisionet e qendrave të votimit që pasditen e 26 majit 1996, do të çonte deputetët e saj në Kuvendin e dalë nga ato zgjedhje vetëm në 9 prill 1997, kur kishte rënë qeveria e dalë nga ato zgjedhje dhe vendi drejtohej nga Qeveria e Pajtimit Kombëtar.

Dhunimi i votës së 26 majit u pasua nga dhunimi i opozitës më 28 maj, në sheshin “Skënderbe”, ku protestohej për manipulimin flagrant të rezultatit.

Si për ironi të fatit, mëngjesin e 26 majit 1996, Sali Berisha, President i asaj kohe, e quante atë ditë “historike”, ndërsa kishte votuar që në orën 09.30 në qendrën e votimit nr. 5, të zonës elektorale nr. 56, ngritur pranë shkollës “Jeronim De Rada”. Berisha kishte bërë në këmbë ato 40 metra nga banesa te shkolla, i shoqëruar nga bashkëshortja, i rrethuar nga zgjedhësit që kishin ardhur për të votuar, gazetarë dhe vëzhgues.

Pasi voton, Berisha deklaron: “Është një ditë historike për shqiptarët. Është një ditë, që i shkëput ata nga tranzicioni. Është një ditë, në të cilën ata bashkojnë shpirtin, mendjen, energjitë e tyre, për të shtyrë vitet e tyre, për të shtyrë Shqipërinë rreth viteve 2000 në Europën Perëndimore.

Uroj të gjithë shqiptarët në këtë ditë, ata që votojnë për herë të parë, të cilët firmosin me Shqipërinë kontratën me demokracinë shqiptare”. Ai kishte bërë një fushatë të gjatë nën parullën “Vizion 2000”, duke sulmuar ashpër opozitën e majtë dhe duke premtuar se do të bënte shumë më tepër se gjatë mandatit të parë.

PD-ja, që në muajin shkurt 1996, ishte mundur që të përgatiste opinionin për manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve. Përmendej një sondazh i organizuar nga Instituti Ndërkombëtar Republikan Amerikan, që, sipas selisë blu, i jepte PS-së, partisë më të madhe e opozitës, 19 për qind të votave, apo 8 për qind më pak se rezultati i saj në zgjedhjet e 22 marsit 1992.

Festimi për fitoren e PD-së në zgjedhje, nisi ende pa u mbyllur qendrat e votimit dhe i shoqëruar me breshëri armësh nëpër rruagët e qyteteve dhe të fshatrave, ndërsa arkat me fishekë dilnin nga magazinat e komisariateve të policisë. Një ditë më vonë, Berisha del në ballkonin e selisë së PD-së dhe përshëndet fitoren ndaj të “kuqve”, ndërsa më pas, në një intervistë për TVSH-në, shprehet:

“Unë shfrytëzoj këtë rast për t’i shprehur nderimin tim të thellë elektoratit shqiptar, i cili me votën e tij të lirë, i dha verdiktin më të merituar komunizmit, në një nga momentet historike të kombit shqiptar. Kam qenë gjithnjë i bindur se kjo ditë ndan historinë. Shqiptarët ndanë historinë. Zoti e bekoftë votën e tyre.

Të gjithë ata që votuan kundër PD-së, dua t’i siguroj se do të jenë të fituar, sepse kam bindjen time më të thellë se ata nuk kanë asgjë të përbashkët me ato principe, të cilat u krijuan shqiptarëve dramën e madhe të këtij shekulli, tërë dramat më të mëdha të historisë së tyre. Dua t’i garantoj ata se vota e tyre do të respektohet, do të nderohen dhe se unë do ta lexoj mirë votën e tyre”.

Sa për sy e faqe, KQZ-ja evidentoi disa zona me “parregullsi serioze” dhe vendosi të bëjë rivotime në 2 dhe 16 qershor 1996. Pas përfundimit të votimeve dhe rezultatit të zgjedhjeve të raundit të parë e të dytë në 98 zona elektorale, si dhe të rezultatit të zgjedhjeve në 17 zona elektorale, ku u përsëritën votimet e raundit, PD-ja kishte “marrë” 105 deputetë, PS-ja 5 deputetë, dhe disa të tjerë partitë e vogla.

Nga ndarja e mandateve shtesë për partitë, Kuvendi i dalë nga zgjedhjet e 26 majit 1996, do të kishte 122 deputetë të PD-së, 10 deputetë të PS-së, 3 nga PR-ja dhe nga PBDNJ-ja dhe 3 nga PBK-ja.

Me këtë përbërje, shumica ishte vetë zot e vetë shkop në Kuvendin që e pati jetën e shkurtër, sepse ai u shkri pak para zgjedhjeve të parakohshme të 29 qershorit 1997, pas të cilave PD-ja do të dilte për tetë vjet.

Masakrimi i votës popullore të 26 majit dhe më pas masakrimi i protestuesve të majtë dy ditë më pas, në sheshin “Skënderbe”, do të alarmonin Komunitetin Ndërkombëtar, i cili vërejti me shqetësim degjenerimin e partisë së parë të pluralizmit në Shqipëri, në një llum totalitarizmi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu