Si mbylli Berisha biznesin e nipave të Moisiut

0
77
Arben Rrozhani

Sot pas mëse katër vitesh ajo duket sikur nuk ka ndodhur. Gjykata e ka mbyllur edhe këtë dosje, si mijëra të tjera, duke (mos) dhënë vendimet që duheshin. Në fakt, ka ndodhur si qindra të tjera, ku skenaristi dhe realizuesi është kryeministri Sali Berisha.

Është historia e mbylljes së aktivitetit të kompanisë ajrore “Albatros”, e cila kishte edhe ajo problemet e veta, si çdo biznes shqiptar, por jo aq sa të falimentohej menjëherë. Por kështu ishte plani i qeverisë së z.Berisha. Ose presidenti të firmoste shkarkimin e kryeprokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, i shpallur si armiku i radhës, ose kompania “Albatros”, që menaxhohej nga nipat e ish-presidenti do të falimentohej me “urdhër nga lart”.

Dhe ashtu ndodhi. Drejtoria e Aviacionit Civil, e komanduar nga Gazmend Dibra, vendosi pezullimin, me pretekstin se kjo kompani nuk i ka shlyer detyrimet kocensionarit të Aeroport Tirana dhe se kishte mangësi teknike në sigurinë e fluturimit. Drejtuesit e “Albatros” do të kujtonin bisedat e kryera me “Gazin”, drejtorin, duke e akuzuar për presione politike. Transkripti i bisedave mes nipave të Moisiut dhe Gazit sqaroi gjithçka. Pezullimi i aktivitetit të shoqërisë “Albatros” ishte pjesë e skenarit të kryeministrit Berisha në shenjë presioni ndaj Presidentit të Republikës, Alfred Mosiu, në mënyrë që ky i fundit të firmosë shkarkimin e kryeprokurorit Theodhori Sollaku.

Siç ka ndodhur gjithnjë, PD-ja e hodhi “topin” në fushën kundërshtare, duke akuzuar kompaninë për përfitime të padrejta dhe presidencën se kishte favorizuar biznesin e nipave të presidentit. PD-ja vendosi që të ngrinte edhe një komision hetimor parlamentar për të zbuluar abuzimet e përfolura, ku në shënjestër do të ishte figura e presidentit Moisiu. Ky i fundit do t’i hidhte poshtë si trillime akuzat e PD-së për përftitime të padrejta në favor të nipave të tij. “Deklarata dhe pohime për favorizim të kompanisë “Albatros” nga institucioni i Presidentit, janë të pavërteta, të mbështetura në të dhëna të njëanshme e të interpretuara për qëllime spekulative, duke synuar që të krijojnë një perceptim të rremë publik”-do të shprehej ai për këtë rast. Për të treguar se çfarë kishte ndodhur realisht, sektori i Financës në presidencë ofroi edhe dokumentacionin për shpenzimet siç janë edhe udhëtimet jashtë vendit, që sipas presidencës ishin bërë, duke u bazuar në procedura ligjore, në përdorimin me efektivitet të fondeve buxhetore, dhe duke përzgjedhur ofertën më ekonomike, me një diferencë të dallueshme nga të tjerat. PD-ja nuk denjoi të hetojë asnjë dokument dhe të bënte transparencën e institucionit të presidencës, duke u mjaftuar me akuzat ndaj figurës së kreut të shtetit. Dhe sigurisht falimentimin e biznesit të familjarëve të tij, si masë ndëshkuese e pushtetit të Berishës ndaj kundërshtarëve politikë.

Si të falimentosh biznesin e familjarëve të kundërshtarëve politikë. “Manuali” i preferuar i kryeministrit Berisha, sipas taktikës së “shkopit dhe karrotës”. Një skenar i zbatuar katër vite më parë ndaj familjarëve të ish-presidentit Moisiu. Bisedat e përgjuara mes ish-drejtorit të përgjithshëm të aviacionit civil, Gazmend Dibra dhe nipave të ish-presidentit Moisiu. Pazari i hapur me urdhër të kryeministrit Berisha, që presidenti të firmoste shkarkimin e Theodhori Sollakut, në këmbim të vazhdimit të biznesit të linjës ajrore “Albatros”

Historia e “Albatros”, si i falimenton shteti bizneset

Biseda e parë

(Personazhet: Në bisedë janë Aleksandër Hoxha me emrin Sasha, Valer Hoxha me emrin Valer, që të dy nipat e Presidentit Moisiu dhe Gazmend Dibra me emrin Gazi, drejtor i përgjithshëm i aviacionit civil).
….
Sasha: Tani edhe Benën (Rubena Moisiu, vajza e Presidentit) e kanë thirur. E kanë lënë edhe çështjen e saj varur, kështu lart e poshtë. Bena gjeti mënyrën e komunikimit, mesazhit, se komunikim nuk quhet. Ai (Moisiu) sot është rrugës për në Pogradec, Tani, nëqoftëse ai, se nesër ka një takim, pasnesër do tentojmë të shkojmë. Situata është shumë e rëndë. Janë ato muhabete që ne i kemi bërë. Tani unë do të bëj një pyetje ashtu kot se jemi edhe shokë Gazo jashtë pune folëm dhe biseduam.
Gazi: A i’a keni dhënë dorën?
Sasha: Jo, po mirë, se mos na bën ndonjë gjë tjetër nesër ai.
Valeri: Domethënë kush është, si me thënë garancia, garanci s’mund të thuash, po kush është predispozicioni?
Sasha: Se na del nesër me emëru ndonjë polic, kot po flas.
Gazi: Bëhem unë garanci… se edhe unë me të marrme e kam, se edhe mua ma japin.
Sasha: Se nesër do me emëru ndonjë polic, po flas kot… dhe dalin prapë këto punë e këto muhabete. Se ne z. Alfred shkojmë me ndjenjën e dashamirësit.
Gazi: Sigurisht, kjo duhet të ishte zgjidhur që më përpara, rehat, pa ardhur këto zullume. Ata janë gjelat. Fjala është, ajo që s’është bërë përpara, të bëhet tani, kjo është.
Sasha: Se të thashë, ne gjithmonë mendimin e kemi dhënë kështu.
Gazi: Kjo është, pra, kjo, që po të them unë, atë s’e kam bërë përpara, të mundohet ta bëjë tani. Duhet kuptuar kjo dhe duhet kuptuar tamam. Pse s’e kanë bërë përpara, pse s’e kanë gjetur gjuhën si duhet dhe s’ishte nevoja me u mor ne me atë.
Sasha: Nejse, ai në fakt e ka kërkuar për t’u takuar, po Sala mban gjithmonë qëndrimin e asaj, që është bërë pishman, që…
Gazi: Kështu që ajo që më pyet ti mua është e sigurt që..
Sasha: Po bëjmë muhabete shokësh.
Gazi: Po, po bën muhabet me mua. Po ta thojsha unë personalisht, do të thosha: deri këtu jam
Sasha: Jo se do shkojmë..
Gazi: Jo normale, normale!
Sasha: Do shkoj t’i them atij dhe ai, këtë pyetje do bëjë. Mirë Sasha e mbyllët këtë problem. Nesër… ju bëjnë prapë bllokime?
Gazi: E kam bërë unë përpara këtë punë, e kam bërë unë përpara këtë punë. Unë kam një faqe. Domethënë e lidh me veten time. Se tani ku bëhet problemi im, e kupton.
Sasha: Jo ne në emër tënd kemi folur, të jemi i sinqertë.
Valeri: Duke menduar që, si tha Sasha dhe këtë punën e Benës, këto gjëra po agravohen, mor vëlla, prandaj të thashë, nuk flitet për garanci, po a ke menduar që edhe këtej, jo po të shkurtojmë një vend, jo po t’i bëjmë një…, janë gjëra që…
Gazi: Në këtë kuadër të kësaj, them unë…
Valeri: Pa diskutim po të them, po ti mendon që kjo punë, të mbyllet kjo dhe të rrimë rehat, kjo është gjithë idea.
Sasha: Më vjen për të qeshur. Se mbaron kjo dhe ai vëllai thotë; merre pak këtë thotë, bëje ambasador dhe fillojnë me radhë të gjitha këto. Jo. Tani ku ishim ne, domethënë ne jemi prapë nën stres
Gazi: Tani këtë gjë s’ta ka kërkuar Gazi, unë do të thosha…
Sasha: Qartë, sepse dhe unë duhet të…
Gazi: Kaq, Kuptohet nuk mund ta kërkoj unë këtë.
Sasha: Për mua nuk ka rëndësi fare, Sollakun unë nuk e njof dhe nuk dua a t’ia di fare, unë kam një biznes dhe unë jam dakord që çdo gjë, vëlla i dashur të shkojë siç është më mirë për shtetin, shqip muhabeti. Unë do punoj sot, do punoj nesër, do punoj pasnesër. Jemi vetëm me sikletet që ti i di fare mirë. Kështu që për ne, do bëjmë maksimumin tonë, domethënë e them pa diskutim fare.
Gazi: Po ta kisha ditur që përpara, do të kisha thënë tullë…
Sasha: Për një bythë Sollaku..
Gazi: Dëgjo, u bashkuan në të tilla përmasa, përmasat janë të tilla që për kët bythë ka ngec, domethënë, të tjerat kanë ecur në gjithë në rregull, kjo është e dukshme, problemi është..
Sasha: Problemi është që, nëse i kalojmë këto po-jo, e kështu me radhë, kuptohet ndoshta edhe ai është.. ndoshta është edhe ajo që të thashë atë, domethënë, pse duhemi ne?
Gazi: Ai duhet ta mbyllë sa më shpejt, unë them një gjë, që këto janë nivele jashtëzakonisht mirëkuptimi. Kjo është e gjitha, asnjë gjë tjetër, këtë e kuptoj unë qartë fare.
Sasha: Të paktën ne do na keni të punojmë normalisht?
Gazi: Unë s’mund të gënjej sot.. por megjithëse, ju punoni vetë o burrë.
Sasha: Jo jo, për ty kemi nevojë. Për ty kemi nevojë.
Sasha…Se mos na përdorin nesër me ndonjë gazetë me ndonjë shkrim, ku i merret vesh këtyre.
Gazi-Po jo o burrë.
Sasha: Po na del ndonjëri, që i bënë nipat presion atij, i bënë kështu..
Gazi: Edhe unë do ju thoshja juve të keni kujdes në këtë pjesë.
Sasha:Atij unë këtë ia kam thënë Gazo, fjala jote është fjala e një dashamirësi jo..
Gazi: Realisht dashamirësi.
Sasha: Jo, jo, shqip…
Gazi: Ju nuk e kuptoni dimensionin që mund të kenë.
Sasha: Nuk ia kemi thënë si presion, por i kemi thënë fjalën e një dashamirësi…
Gazi: Ta mbarojmë këtë punë. Unë do t’ju them një gjë o të uruar, ju jeni marrë me langaraqë, me…
Gazi: s’ke nevojë fare, a e kupton. Ti ke hyrë në biznes. Unë jam detyruar të paktën, sigurinë, se ajo është gjithë problemi që e kemi, ti, pa leje, pa mua..kjo na duhet ne, mos them biznesin tënd ti do e ndihmosh, do bëhesh, ti i ke të gjithë, ti nuk ke nevojë të paguash njëri fare, këtu ore dua këtë gjë-hajde merre, ore për këtë gjë kam këtë problem, më duhet një javë kohë, Po ore, një javë ta bëjmë, s’ke nevojë ore, kam tjetër mentalitet unë, nuk kam mentalitet kështu.
Sasha: Qartë.
Gazi: Ç’ke ti? Ti a je në biznes a po punon, çfarë?…Kur ta përfundojmë këtë pjesë, këtë unë e quaj shumë të rëndësishme, po e mbyllëm këtë kapitull..
Sasha: Muhabet burrash domethënë, që neve maksimumin e maksimumeve ne kemi folur dhe do flasim prapë pasnesër a nesër. Ka një finale kjo, apo jo? Finalja është të shkosh në shtëpi të ngrohesh e t’i shohësh kalamajtë në sy. Më bllokoi njëri këtu, më bllokoi njëri atje, i bie më mirë i fut një të mbyllur kësaj pune dhe s’çaj kokë.
Gazi: Po është gjynaf, se është gjithë ajo punë.
Sasha: Kemi bërë gjithë atë investim, dimë që jemi kështu në këto gjëra njeriut në hak s’i kemi hyrë, vetëm na kanë hyrë në hak, me thënë të drejtën, ti e di që ata në hak na kanë hyrë.

Biseda e dytë

(Biseda zhvillohet në një bar-kafe në Tiranë gjatë një takimi kokë më kokë)

Valer Hoxha – Atëherë që të jemi të saktë dhe të mos kemi asnjë lloj keqkuptimi as prej teje dhe as prej nesh. Unë kam marrë përsipër me fol dhe kam fol.. Po ti, ke fol vetë, sy më sy, me atë? (kryeministrin) apo e ke nga të tjerët? Pa u ofenduar, pse ta thashë që në fillim, bëra parantezën, që të mos ketë asnjë lloj keqkuptimi në këtë mes. Sepse, nëqoftëse është me llafet e të tjerëve…
Gazmend Dibra – S’është me llafet e të tjerëve…
Valer Hoxha- E ke takuar?
Gazmend Dibra – Një seancë (kryeministrin).
Valer Hoxha – Dhe ideja e tij e saktë ose kërkesa e tij e saktë fare, kush është?
Gazmend Dibra – Të iki ky. Të japë firmën. Kaq, asgjë tjetër.
Valer Hoxha – Kaq?
Gazmend Dibra – Absolutisht tjetër. Dhe mesazhi është ky: Çdo gjë e kemi në rregull, të gjitha janë bërë, çfarë ishte keq janë bërë, dhe e fundit “kjo” ka ngelur. Vetëm kjo. Tekstualisht. Ta kam thënë unë.
Valer Hoxha – Po nëqoftëse do kërkohet të takohet direkt çfarë të ka thënë, si është shprehur, ka në mend?
Gazmend Dibra – Nuk e di.
Valer Hoxha – Pikërisht për këtë të thashë edhe në fillim, që, niveli im..
Gazmend Dibra – Unë mund ta sygjeroj këtë, nuk është bërë ndonjë muhabet i tillë. Muhabeti ka qenë vetëm kaq. Të mbarojë kjo punë. Të gjitha gjërat tekstualisht: të gjitha gjërat kanë shkuar mirë”..Kështu pra “të bëhet edhe kjo”. Eshtë periudha më adapte për atë, për Presidentin sepse mediat nuk kanë ndonjë…Parlamenti s’është.. mundësisht ta bëjnë sa më shpejt. Kaq.
Valer Hoxha – Ndonjë gjë tjetër apo thjesht koha? Sa më shpejt të realizohet as më mirë është? Kjo është si me thënë thelbi..
Gazmend Dibra – Po po absolutisht.
Valer Hoxha – Atëherë.
Gazmend Dibra – Në këtë kohë krijojmë mundësi që të ndihmohesh sa të mundesh që kompania të mos jetë në vështirësi.
Valer Hoxha – Atëherë Gaz të thashë, muhabetet e tjera të punës i bëjmë si të doni, po unë dua të jem i saktë fare. Unë duhet të shkoj ta takoj nesër sepse nuk mund të them që po shkoj sot dhe mendoj që të shprehem në këtë mënyrë, mesa kuptova, që kërkesa është direkt nga Ai. S’ka asnjë lloj niveli tjetër që të jemi të saktë.
Gazmend Dibra – Dy seancat e tjera kanë qenë me Lulin (Lulëzim Basha) pra një herë kam komunikuar me atë (kryeministrin), hera e parë është me atë.
Valer Hoxha – Ky i dyti.
Aleksandër Hoxha – Ai s’ka pse e mban këtë qëndrim me atë (Presidentin) sepse..
Valer Hoxha – Sasha nuk më kuptove.
Aleksandër Hoxha – Sepse edhe ka dash me fol, por ai (Lulëzim Basha) s’i ka hap telefonin. Jo për punën tonë.
Gazmend Dibra – Do ta mbyll njëherë unë muhabetin. E kuptoni që është në vështirësi kryeministri. Një moment, mosbërja, mosdekretimi po mos’heqja e vë shumë në vështirësi. Sepse ai nuk është njeri që ben deal (marrëveshje). Kaq gjë ju e kapni. Kështu që në këtë sens nuk kam unë ndonjë dyshim. Si ide ka qenë që kjo gjë duhet të ishte bërë që më parë. Domethënë këta dy njerëz duhet të ishin marrë vesh përpara.
Valer Hoxha – Po ky Luli, ky të ka përcjellë prapë fjalët e atij apo po bën edhe ky sikur është i shqetësuar, edhe ky…
Gazmend Dibra – Me Lulin tre herë kam komunikuar, ka qenë si të kapërcehet kjo gjë….

 

Historikisht, që kur ka patur pushtetin për të bërë presione dhe për t’i vënë në jetë ato, Sali Berisha kështu e ka çarë udhën e tij politike duke eliminuar kundërshtarët, për të mos patur asnjë zë kundër. Pjesa e mëposhtme është marrë nga kujtimet e ish-presidentit të republikës Alfred Moisiu (2002-2007). PD-ja kishte ardhur në pushtet në shtator 2005, pas zgjedhjeve të 3 korrikut. Alfred Moisiu kishte vitin e fundit të mandatit në gusht 2006 kur Komisioni Hetimor Parlamentar, i pari, kishte vendosur, me votat e PD-së që prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku të hiqej nga posti, i akuzuar për mosfillim hetimesh dhe zvarritje dosjesh të mëdha korrupsioni.

Moisiu, më vonë do të vendoste mosdekretimin e shkarkimit të prokurorit të Përgjithshëm, duke shënuar ndarjen e fundit me PD-në, e cila e kishte propozuar vetë si kandidat për president, për tu armiqësuar menjëherë, sepse nuk plotësonte dëshirat politike antikushtetuese të Berishës.
PD-ja vendosi të luajë kartën e karrotës, pastaj të shkopit për të arritur një dekretim të shpejtë dhe pa probleme të prokurorit të përgjithshëm nga presidenti Moisiu. Kështu që në lojë u detyrua të futej nipi i presidentit, i cili bashkë me disa të tjerë manaxhonte një linjë ajrore me avionë të marrë me qera. Familjarët e Moisiut ishin vënë para detyrës: ose t’i mbushnin mendjen presidentit që të firmoste shkarkimin e Sollakut, ose të linin biznesin. Moisiu nuk pranoi, sigurisht, dhe Sollaku do të shkarkohej nga presidenti pasardhës, Bamir Topi, pas ngritjes së komisionit të dytë hetimor. Kompania e fluturimeve “Albatros” ku bënin biznes edhe nipat e ish-presidentit Moisiu, falimentoi, sepse në vend të saj, siç thotë ish-kryetari i shtetit lindi dhe u rrit, pa as më të voglën konkurrencë, kompania “Belle Air”, ku, thotë ai, biznes e drejton një njeri i Lulzim Bashës, atëherë ministër Transportesh.

Kujtimet e ish-presidentit për presionet që i bënte PD-ja për të shkarkuar prokurorin e përgjithshëm, Theodhori Sollaku

Alfred Moisiu: Falimentimi i “Albatros”, loja mafioze e Berishës

Por Berisha nuk mendonte ta ndalte hovin e presionit ndaj meje, përkundrazi e shtoi atë së tepërmi, duke iu afruar sa më shumë atyre të tipit mafioz. Konkretisht, aty nga mesi i gushtit, nipave të mi filloi t’u bëhej presion maksimal, për të influencuar tek unë për firmosjen e shkarkimit të kryeprokurorit! Duke qënë mashë e Berishës, Gazmend Dibra, Drejtori i Drejtorisë së Aviacionit Civil, i kish kërkuar në telefon Sashës, nipit tim të madh, që të vinte në Sarandë tek unë, ku ndodhesha me pushime, për të më kërkuar largimin e Sollakut! Kur e mora vesh këtë veprim skandaloz të Drejtorit të Aviacionit, nuk po e besoja! Si ishte e mundur të arrihej deri në presione të shëmtuara tek Kryetari i Shtetit?! Me thënë të drejtën, m’u kujtuan ndodhitë në Republikat e Amerikës Latine, ku komandon Mafia! Pas katër ditëve të telefonatës që kishin marrë nipat e mi, në gazetën “Panorama”, citohej këshilla që kishte dhënë Z. Godo, për firmosjen e shkarkimi të Prokurorit të Përgjithshëm! “Ndryshe do të ndodhte përkeqësimi i marëdhënieve midis Presidentit dhe Kryeministrit”! Mandej duke kaluar pa asnjë ngurim në kërcënimin e pa skrupullt: “Kujdes, mazhoranca i ka 84 votat për Presidentin”! Se për çfarë përkeqësimi të mëtejshëm fliste Godo, kjo u kuptua kur, përveç presioneve të shumta nëpërmjet organeve zyrtare e atyre mediatike, kishte filluar edhe presioni maksimal ndaj familjarëve të mi. Duke parë këto veprime, për ditë e më shumë, po bindesha se Berishës aq i bënte për dëmtimet e padrejta që i shkaktoheshin tjetrit dhe të ardhmes së vendit. E rëndësishme për të përherë ka qënë dhe është mbajtja e pushtetit me çdo kusht dhe përfitimi sa më shumë prej tij. Këtë po e tregojnë më së miri edhe ngjarjet paszgjedhore në vitin 2009, veprime të cilat po e izolojnë Shqipërinë për ditë e më tepër nga Bashkimi Evropian.

Çuditërisht, presioni i Gazmend Dibrës ndaj nipave të mi vazhdonte të rritej në mënyrën më skandaloze! Pas sugjerimit që u bëri për të ardhur tek unë dhe për të më bindur të firmosja shkarkimin e Sollakut, më vonë filloi t’i kërcënonte se do t’u mbyllte biznesin, që faktikisht më pas e bëri! Për momentin mendova se ishte thjesht një nismë militante e Dibrës në shërbim të Doktorit. Ama më pas, u pa qartë se ai vepronte direkt me porosi të Berishës, qëllimshëm për të dëmtuar njerëzit e mi, që të më detyronte për t’u tërhequr nga mbrojtja e Kushtetutës dhe për t’i hapur rrugën dëshirave të tij! Pra e njëjta metodë që përdor mafia në të gjitha vendet ku ajo vepron, e cila në rast se nuk ia arrin dot qëllimit me mënyrat e zakonshme, përdor sekuestrimin e personave të familjes ose shantazhin, për të thyer rezistencën që bëhet kundër arritjes së objektivave të saj! Megjithatë qëndrova indiferent, vazhdoja punën time bazuar në ligjishmërinë kushtetuese, duke mos u marrë me mafiozllëqet që po kryheshin. Aq i përkushtuar ishte Gazmend Dibra sa që nga Varshava, ku kish shkuar me shërbim, në fillim të shtatorit dha urdhër me telefon që të pezullohet aktiviteti i kompanisë ajrore “Albatros”, me pretekstin absurd që ata i kishin borxh një sasi të hollash një institucioni të tretë, problem që ishte dërguar për zgjidhje në gjyq. Kështu, duke shkelur të gjitha rregullat e etikës dhe të drejtësisë, në marrëdhënie me një biznes privat, në mënyrë absolutisht të padrejtë dhe të paligjshme, përdorën në mënyrë tepër abuzive forcën e ekzekutivit, vetëm dhe vetëm për të më detyruar mua që të tërhiqesha nga pozicioni im kushtetues! Sigurisht ky veprim i paskrupullt solli një reagim të furishëm në shtyp dhe në parlament. Por prapë se prapë Kryeministri nuk u tund nga e vetja duke vënë në jetë atë që thuhet: “Jo Ligji, por Maliqi”, deri sa e detyroi “Albatrosin” të falimentonte. Me këtë rast, si pa u ndjerë iu hap rruga kompanisë tjetër ajrore “Bellair”, të operonte suksesshëm e vetme dhe pa konkurrentë, ku një nga pronarët kryesorë është njeriu i Bashës, të lidhur një dreq e di me kë në këtë shoqëri, që më shumë i ngjan një karteli mafioz sesa një shteti ligjor evropian.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu