Sigurimi komunist survejonte familjarët e Ahmet Zogut

0
370

 

Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha
Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha

Fakte të pabesueshme dhe të paimagjinueshme. Të njohura, por edhe befasuese deri në çudi. Këto janë konkluzionet e fundit, kur në dorë na mbërrijnë dokumentet e dosjes sekrete të Ministrisë së Punëve të Jashtme e emërtuar “Dosja e Emigracionit Reaksionar në Perëndim”.
Por çfarë shkruajnë ato fletë të zverdhura të ardhura nga të katërta anët e botës në drejtim të dikasterit të diplomacisë së Shqipërisë komuniste, që na shokuan kaq shumë!?
As më pak dhe as më shumë, por teksa shfleton i mbërthyer nga habia, mëson se në Sigurimin komunist paska qenë në survejim dhe në raportim të përditshëm çdo emigrant me aktivitet të konsiderueshëm politik kudo që ndodhej.
Në të katërta anët e botës njerëzit e Enver Hoxhës, të infiltruar brenda grupeve dhe komuniteteve të emigrantëve shqiptarë kudo që ndodheshin në çdo çast njoftonin linjën sekrete në ambasadë, e cila në kohën rrufe faksonte telegramin në drejtim të Ministrisë së Jashtme e mandej mund të përfundonte në tavolinën e vetë Enver Hoxhës.
E pabesueshme deri në shokim, por gjithçka ndodhte vetëm brenda një dite.
Një rrjet i tërë agjenturor me një sofistikim të atillë që nuk shpëtonte asnjë lëvizje e emigrantëve politikë në aktivitet ka funksionuar në mënyrën më perfekte për të mbrojtur pushtetin e Enver Hoxhës.
Konkretisht, ndërsa së fundmi kemi materiale të viteve ’49-’50, kohë kur familja mbretërore e Ahmet Zogut kishte aktivitetin më intensiv në drejtim të organizimit të emigrantëve dhe përpjekjeve të ethshme për tu rikthyer në fron, mësojmë se mbi tavolinën e zyrtarëve kompetentë të shtetit të asaj kohe, çdo ditë jepej çdo vendndodhje e të gjithë pjesëtarëve të familjes Zogiste.
Çdo ditë stuhitë e telegrameve faksonin drejt Tiranës detaje të hollësishme mbi lëvizjen e princeshave.
Tirana komuniste është e informuar çdo moment mbi veprimtarinë edhe më të thjeshtë të familjarëve të njeriut që kërkonte karrigen e Enver Hoxhës
Çfarë bënin, ku shkonin, kë takonin dhe përse e takonin etj. Është befasues sa dhe shokues ky fakt, kur mëson se çdo sekondë e jetës së tyre regjistrohej menjëherë në Tiranë. Pas kësaj, Enver Hoxha, me ekipin që instalonte komunizmin e hekurt, jepte porosi dhe këshilla për veprimin e strukturave të tij të fshehta, të shtrirë në të gjithë botën.
Është i njohur tashmë fakti për dualitetin e jashtëzakonshëm të bërë ndërmjet qeverisë komuniste në pushtet dhe kundërshtarëve të tij politikë. Ata ikën për t’i shpëtuar përndjekjes së pamëshirshme që në vitet e para të çlirimit, kur klasa komuniste po instalonte në Shqipëri pushtetin e hekurt. Ajo luftë e vazhduar prej vitesh u kërkoi të dyja palëve energji dhe kohë të madhe. Gjithsesi, gjithçka përfundoi me triumfin e komunizmit, i cili çdo ditë e më shumë po bënte demonstrim para gjithë opinionit dhe diplomacisë ndërkombëtare se këtë vend nuk mund ta prekte askush se kishte Zot. Por cila është e vërteta e shtetit të Enver Hoxhës përballë një numri shqiptarësh të emigruar, të cilët megjithëse kishin një mbështetje të madhe të Perëndimit deri në atë logjistike, politike dhe trajnuese, nuk arritën t’i konkretizonin dot ëndrrat e tyre shumëvjeçare, madje të kultivuara mirë për dekada të tëra? Gjithçka bëhet e qartë ndërsa vendosim para dosjet e arkivave, të cilat na paraqesin lloj-lloj dokumentesh, të cilat flasin qartë për mënyrën e uzurpimit të pushtetit të Enver Hoxhës. Por se çfarë ka të detajuara në ato dokumente, të cilat kanë mbi 50 vjet që rrinë nën sirtarët tepër sekret të arkivave?

Informacion i dendur drejt Tiranës
Sigurimi komunist shqiptar, i cili në të shumtën e rasteve përdorej për të instaluar në mënyrë shembullore diktaturën e kuqe, kishte krijuar lidhje edhe me një rrjet të tillë që është për t’u pasur zili. Në çdo çast, për këdo dhe kudo qoftë, Tirana zyrtare merrte informacion të detajuar nga disa burime. Çdo gjë përpunohej dhe mbërrinte mbi tavolinën e Enver Hoxhës. Ai ciklonte dhe porosiste për veprime të mëtejshme. Nuk ka pasur asnjë mbledhje dhe asnjë përplasje mes grupesh të shqiptarëve të ndodhur në Gjermani, Francë, Itali apo kudo gjetkë që të mos informohej Tirana.
Çfarë informohej në shkresat sekrete
Nga dokumentet e raporteve që kemi para dosjeve, shikohet se në kohën e dualitetit komunist me antikomunizmin, që në fillim të muajit vërshonin drejt Ministrisë së Jashtme dhjetëra faqe me informacion nga e gjithë bota. Titullarët e ambasadave kishin detyrim të jepnin situatën e detajuar për të gjithë shqiptarët që banonin në shtete ku ata ishin akredituar, ku banonin dhe punonin, aktiviteti politik i tyre, kë favorizonin dhe së fundi për preferencat e tij shoqërore dhe për grupin që donte të afrohej. Pas kësaj, përfaqësuesit tanë në ambasada kishin detyrë tjetër, madje tepër urgjente, për çdo aktivitet që bënin, për se e bënin dhe si realizohej. Madje raportoheshin edhe fjalimet e tyre deri në imtësi.
Në faqet e dosjeve sekrete gjendet emri i princeshës Sanije
Janë lloj-lloj telegramet që ruhen për dekada të tëra brenda kapakëve të dosjeve të etiketuar tepër sekrete. Por e veçanta është se për familjarët e Ahmet Zogut mbahej në korrent të plotë Tirana. Ndër ata emra që na bie në sy është ai i princeshës Sanije, e cila siç dihet, ishte shumë e aktivizuar politikisht për t’i shërbyer sadopak për rikthimin në fron të të vëllait. Telegrami për lëvizjen e Sanijes arrinte në Shqipëri deri edhe një ditë para se ajo të shkonte në ndonjë shtet. Në momentin kur ajo do të shkonte në Itali për të takuar aty emigrantë legalistë dhe për t’i riorganizuar, ambasada që kishte lidhjet e saj mes emigrantëve dërgonte menjëherë telegramin në Tiranë. Por ajo pas disa ditësh kishte ndërmend të largohej për në Francë dhe të paraqitej sikur po merrej me kontrabandë valute. Edhe për këtë gjë do të vinte këtë radhë nga përfaqësuesit e ambasadës në Francë. Jo vetëm kaq, por a merrej edhe me kontrabandë përveçse takonte emigrantët dhe drejtuesit e Legalitetit aty?
Çfarë thuhet konkretisht në dosjet komuniste personalisht për Zogun, i cili përgatitej për të rrëzuar diktatorin e kuq Enver Hoxha?
Është dosja 121 e vitit 1949, pikërisht faqja 64, e ndodhur tashmë në redaksinë e kësaj gazete ku shkruhet:
Ka lindur në katundin Burgajet të Matit. Rrjedh prej një shtrese feudalësh e bajraktarësh. Si njeri i fisëm dhe kreu i bajraktarizmit merr pjesë në lëvizjet e ndryshme që kishin për qëllim forcimin e sundimit të çifligarëve e bejlerëve në vendin tonë. Për këtë aktivitet në vitin 1934 zë vendin e mbretit të Shqipërisë, post të cilin e mban deri në prillin e vitit 1939, kohë në të cilën përmbyset nga armët e fashizmit. Gjatë asaj kohe ai u bë një sundimtar dhe xhelat kryesor i popullit, kundër të cilit ngrinte shpatën dhe vriste e priste. Grabiste me anë të kërbaçit frytet dhe pasuritë e popullit duke e lënë në një varfëri dhe prapambetje të madhe nga çdo pikëpamje. Ishte bërë vegla e fashizmit italian, tek i cili shiti krejt interesat e vendit dhe të popullit.
Ka dhënë me koncesion shfrytëzimin e të gjitha pasurive të nëntokës te qeveritë anglo-italiano-franceze. Familja e tij mbretërore bënte një jetë përrallore dhe rronte në mes të arit, aq sa prindërit dhe princeshat kanë depozituar me miliona flori në bankat e Evropës. Është element i degjeneruar në kulm. Është një njeri që çdo mendim dhe urdhër i diktohet nga rrethet feudale e bajraktare. Si pasojë e politikës së tij shkatërruese u përgatit 7 prilli 1939. Në kohën kur plasi lufta e patriotëve shqiptarë në Durrës, Vlorë e Shëngjin kundër zbarkimit të trupave fashiste të pushtimit, ky satrap i popullit tradhtoi dhe u largua bashkë me klikën qeveritare dhe suitën e tij jashtë për në Turqi e që andej në Egjipt.
Grupet e instruktuara diversioniste në të shumtën binin në dorën e Sigurimit komunist
Ishte njohur pak a shumë nga propaganda e kaluar se grupet e diversioniste kishin dështuar me turp, por që gjithsesi, diku pranohej dhe diku jo. Gjithkush mund të bënte pyetjen se si ka mundësi që forcat e ndjekjes apo segmentet e Sigurimit të fshehtë arrijnë të zbulojnë një bandë të hedhur në konspiracion të jashtëzakonshëm dhe aq më shumë, që ata kishin pasur një përgatitje të madhe falë instruktimit që kishin bërë me instruktorë të Perëndimit. Gjithçka vërehet qartë tashmë nëpër faqet e dosjeve sekrete që i përkasin atij Sigurimi. Në to gjen shkresa ku informohet për të gjithë emigrantët e ndodhur në shkollat e instruksionit. Kush i instrukton dhe ku do të hidhen për veprimtari antikomuniste. Pastaj në dhjetëra e dhjetëra telegrame jepet imtësisht çdo zhvendosje e këtyre grupeve. Kjo, me sa duket është bërë për t’i paraprirë momentit të zbarkimit të tyre.
E veçanta e propagandës së kuqe
Nuk gjen rresht dhe nuk gjen fjalë të asaj kohe që u detyrohet elementëve antikomunistë, të cilët jetonin në emigrim me qëllime të qarta dhe me veprimtari të konsiderueshme në interes të rrëzimit të komunizmit që të mos shahet me rrënjë dhe me degë. Ata para popullit shfaqeshin si kriminelë dhe si njerëz që donin të rrëzonin sovranitetin dhe fitoret e popullit. Kështu që gjithsecilit prej tyre duhej t’i rezervohej vetëm plumbi. Këto ishin termat e përdorura përditë në ambientet e propagandës komuniste. Megjithatë, në dosjet përkatëse të tyre nuk flitet shumë për thirrje patetike se sa një statistikë e çdo njërit për të gjithë veprimtarinë në favor të antikomunizmit. Zenel Hamiti që nga Roma njofton se sa herë janë organizuar asambletë e veçanta riorganizuese të emigrantëve sipas bindjeve të tyre politike. Sa herë Hasan Dosti, Abaz Kupi dhe Ali Begeja kanë hyrë dhe kanë dalë nga Italia. Sa herë ata kanë dështuar apo kanë pasur suksese në punë e tyre konspirative për të mbajtur të bashkuar gjithë emigrantët për t’i pasur të gjithë për ndërhyrjen finale ndaj Tiranës së kuqe. Po të tilla informacione vinin nga e gjithë bota ku kishte shqiptarë veprimtarë.
Komiteti “Shqipëria e Lirë”
Nuk ka shkresë që mund të vinte nga çdo shtet të mos jepej informacion për Komitetin “Shqipëria e Lirë”. Sa ishte numri i anëtarëve të saj, ku ishin qendrat, kush ishin drejtuesit, kur dhe ku do të bënin mbledhjet e ardhshme, ku do të merrte pjesë si i deleguar etj. Gjithçka rreth kësaj situate është mjaft e detajuar në shkresat arkivore, të cilat po shfletojmë së fundi. Mësohet se pas këtyre shkresave kanë qenë struktura të tëra që merreshin me masat parandaluese të çdo situate që pritej apo që ishte vënë në plan që të krijohej. Nga sa lexon, të krijohet ideja e qartë se Enver Hoxha ishte në dijeni të plotë të të gjitha veprimeve që mund të ndërmerreshin ndaj pushtetit të tij. Kështu që merrte masat e menjëhershme për kundërveprim qoftë me mjetet e propagandës, qoftë me rrugët ligjore.
Rasti i presionit ndaj Italisë
Pas rënies në dorën e Sigurimit të elementeve diversioniste të mbështetur fuqishëm nga Italia e atëhershme, e cila ishte e interesuar për të rrëzuar komunizmin në Shqipëri, u mendua nga Enver Hoxha që gjyqet e Hetem Çakos dhe të të tjerëve të bëheshin hapur, ku ata të dekonspironin publikisht Italinë. Pas kësaj në dosjet e Arkivit Qendror të Shtetit, të cilat iu përkasin grupeve diversioniste të viteve ’50, gjenden edhe protestat që qeveria e Tiranës i ka dërguar qeverisë italiane, ku proteston për ndërhyrjen në punët e brendshme. Kjo do të thoshte që kishte një stepje të faktorit ndërkombëtar në mbështetjen që mund t’iu bëhej emigrantëve politikë që kërkonin të ndërhynin në Shqipëri.

 

 

 

Nga Fatos Veliu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu