Sigurimi: Si lindi dhe u organizua Fronti i Rezistencës

0
235

Mark Dodani

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Rrëfimi i Mark Dodanit për veprimtarinë e elementëve antikomunistë në fund të viteve ’40.
Elementët antikomunistë që vepronin në Shqipëri pas instalimit të regjimit komunist, kërkonin të kthenin në fuqi “një qeveri të tipit të perëndimit, që do të shpallte menjëherë politikën e neutralitetit.

Qeveria e re duhej të kishte si parim kryesor lirinë e fjalës, shtypit, mbledhjes dhe organizimit. Por, një nga parimet kryesore të tyre ishte lufta për Shqipërinë etnike, ku do të përfshiheshin Kosova dhe Çamëria.

Ata luftonin për ruajtjen e pronës private dhe për kthimin e pasurisë klasave të prekura prej reformave të pushtetit”. Ky është misioni i Frontit të Rezistencës, i përshkruar nga njëri prej emrave më të njohur të ish-Sigurimit të Shtetit, Mark Dodani, i cili e përshkruan këtë te shënimet me titull “Fronti i heshtun”, në fund të viteve ’60. Dodani ia kushton pjesën kryesore themelimit të Frontit…, mënyrës së rekrutimit të drejtuesve dhe anëtarëve, shumica të shpronësuar nga regjimi komunist. Në këtë pjesë përshkruhet puna për ngritjen e strukturave dhe organizimin e celulave nëpër rrethe nga ana e drejtuesit Hamdi Frashëri, në vitet 1948-1949.Një nga eksponentët kryesorë të reaksionit të brendshëm, ishte Hamdi Frashëri, me origjinë nga katundet e Përmetit dhe që punonte në administratën e spitalit civil në Tiranë.

 

Ishte nga një shtresë e pasur dhe kushëri me Mit’hat Frashërin (ky i fundit ishte Kryetar i Ballit Kombëtar në emigracion dhe më vonë i Komitetit Shqipëria e Lirë. I këshilluar nga anglezët, Hamdi Frashëri e përkrahu luftën Nacionalçlirimtare për një periudhë të shkurtër, por më vonë, nën influencën e Ballit Kombëtar, dezertoi. Ai u bë komandant ballist dhe veproi në zonat e Kolonjës dhe të Korçës. Në çlirim ishte arrestuar dhe më vonë ishte lirua

Ndër elementët kryesorë ku u mbështet Hamdi Frashëri, ishte edhe “Kaçiatori”, me origjinë kosovare, rrobaqepës në Pazarin e Ri të Tiranës. Ky u njoh me Hamdi Frashërin gjatë okupacionit në Kosovë. Qysh nga marsi i vitit 1946, Hamdi Frashëri i kishte thënë “Kaçiatorit” se gjendja nuk ishte e qëndrueshme dhe se anglo-amerikanët nuk do të lejonin në asnjë mënyrë ekzistencën e një Shqipërie socialiste. Të dy kishin qenë të një mendimi se ndryshimi i gjendjes në Shqipëri, që duhej të bëhej me ndërhyrjen e anglo-amerikanëve, duhej të kishte si qëllim jo vetëm rivendosjen e rendit të vjetër çifligaro-borgjez, por edhe krijimin e Shqipërisë etnike, që të përfshinte Kosovën dhe Çamërinë. Parulla për krijimin e një “Shqipërie etnike” vazhdonte të ishte një nga parullat e organizatave reaksionare emigrante, që kishin për qëllim të mobilizonin për veprimtari kundër pushtetit, masa sa më të gjera.

Hamdi Frashëri mori iniciativën për të organizuar një lëvizje të re kundër pushtetit. Në tetor të vitit 1948, Hamdi Frashëri i shfaqi “Kaçiatorit” idenë e organizimit dhe mënyrën e aktivizimit të elementëve të predispozuar për të luftuar kundër pushtetit popullor. Hamdi Frashëri mendonte në atë kohë se lufta në Shqipëri nuk mund të fillohej po të mos kishte këto kushte: organizatë politike si bazë të brendshme, lidhjen me të arratisurit politikë dhe mbështetjen në një fuqi të jashtme.

Ai kishte përcaktuar edhe parimet themelore, mbi të cilat do të mbështetej lëvizja për përmbysjen e pushtetit popullor, që ishin: pushtetin popullor e konsideronin antikombëtar, terrorist dhe tradhtar, të shitur te interesat të huajve, kërkonin përmbysjen e tij për ta zëvendësuar me një qeveri të tipit të perëndimit, që do të shpallte menjëherë politikën e neutralitetit. Qeveria e re duhej të kishte si parim kryesor parullat demagogjike, në të cilat të flitej për liri fjale, shtypi, mbledhjesh dhe organizimi.

Por, një nga parimet kryesore të tyre, ishte lufta për Shqipërinë etnike, ku do të përfshiheshin Kosova dhe Çamëria. Ata thoshin se nuk duhej të kishte ushtri popullore, sepse, sipas tyre, ajo ishte një barrë e rëndë në kurriz të ekonomisë së vendit. Organizata e kryesuar nga Hamdi Frashëri duhej të luftonte për ruajtjen e pronës private dhe për kthimin e pasurisë klasave të prekura prej reformave të pushtetit popullor. Duke përcaktuar parimet organizative, Hamdi Frashëri theksonte se anëtarët e organizatës duhet të mos njiheshin ndërmjet tyre. Në këtë mënyrë, Hamdi Frashëri shtronte idenë e organizimit të sektorëve me kryetarë, nënkryetarë dhe anëtarë. Ai udhëzonte që kryetari të kishte lidhje jo më tepër se me tre nënkryetarë dhe nënkryetari me tre anëtarë. Kështu, kjo formë u quajt organizim mbi bazën e treshes. Nënkryetarët e sektorëve do të kishin lidhje direkte me kryetarin dhe me anëtarët e Komitetit Qendror.

Në nëntor të vitit 1948, Hamdi Frashëri bisedoi edhe me shokun e tij të vjetër, “Mentorin”, i cili i tha se kishte një grup prej tre vetash në Korçë, të cilët ishin të gatshëm të bëheshin pjesë në çdo organizatë, mjafton që të luftohej kundër pushtetit.

“Mentori” kishte kulturë dhe aftësi organizative. Gjatë kohës së pushtimit fashist Italian, kishte qenë oficer i Kuesturës, prandaj e njihte artin e punës së fshehtë. Ideja e Hamdi Frashërit për t’u organizuar kundër pushtetit popullor gjeti mbështetje, përgjithësisht, te elementët e prekur dhe të pakënaqur nga reformat. Kjo inkurajoi atë që të mendojë konkretisht se si duhej bërë organizimi, me çfarë emri ta quante organizatën e tij dhe çfarë masash duhej të merrnin për t’u shpëtuar ndjekjeve të Sigurimit të Shtetit. Kështu, për herë të parë, në dhjetor 1948, Hamdi Frashëri, në bisedë me “Kaçiatorin” dhe M.Ç. si dhe në një dokument me shkrim, shprehu idenë që organizatën ta quante Fronti i Rezistencës shqiptare.

Organizimi i saj të fillohej mbi bazën e treshes. Në këtë mënyrë do të evitohej njohja e anëtarëve në mes tyre dhe zbulimi i njërit nuk do të rrezikonte të gjithë organizatën. Motoja kryesore e organizatës në periudhën e parë, sipas Hamdi Frashërit, duhej të ishte: “…Armiku të përgjon! Ruaju, puno dhe mos u tremb!”). Hamdi Frashëri punoi edhe një skicë organizative fillestare të organizatës.

Të orientuar nga ideja që jepet në skicë, organizatorët e Frontit të Rezistencës përpiqeshin qysh në fillim që t’i shpëtonin asgjësimit nga kundërshtarët e tyre. Për këtë arsye, këta mendonin ta ndërtonin punën, në mënyrë që secili të vepronte në konspiracionin më të madh. Hamdi Frashëri e hodhi idenë e formimit të organizatës së Frontit të Rezistencës, në fillim të janarit 1949, në ish-kafe Kursal të Tiranës, përpara “Mentorit”, “Kaçiatorit” dhe XH.G. Ky XH.G. ishte me origjinë tregtari të pasur dhe, gjatë kohës së luftës, kishte bashkëpunuar me pushtuesit fashistë kundër lëvizjes Nacionalçlirimtare. Këtë e kishte rekomanduar “Mentori”, i cili qysh në dhjetor të vitit 1948 kishte menduar ta caktonte si kryetar seksioni për Korçën. Si nënkryetarë, XH.G. propozoi të rekrutonte A.B. dhe K.P..

“Mentori” i kishte raportuar H. Frashërit se XH.G. me shokët e tij kishte dashur që të arratisej në Greqi, duke patur si qëllim të bashkoheshin me të arratisurit e tjerë shqiptarë dhe të ishin gati kur ta shihnin të nevojshme anglo-amerikanët, të sulmonin Shqipërinë. XH.G. kishte dashur të bashkëpunonte direkt me të arratisurin Selim Mborja nga Korça, i cili vepronte në shërbim të monarko-fashistëve grekë, kundër Republikës Popullore të Shqipërisë. Me Selimin e lidhte e kaluara dhe qëllimi i përbashkët armiqësor kundër pushtetit.

H. Frashëri ishte në dijeni, pra, për qëllimet e Xh.G. dhe të grupit të tij kur u takua me ta. Mbasi diskutoi për gjendjen e tyre, i porositi: “Nuk duhet të arratiseni. Më përpara duhet organizim. Ndryshe do të shkoni e do të ktheheni kot, si shumë të tjerë. Pa organizim lufta nuk kuptohet dot dhe as përkrahja nga jashtë nuk mund të sigurohet në asnjë mënyrë”.

Hamdi Frashëri e kishte zakon të vepronte shpejt e shpejt, sepse kështu, siç thoshte vetë: “e kërkonte momenti politik”, në të cilin po kalonte vendi ynë. Ai, pa e zgjatur, e caktoi Xh.G. Kryetar të sektorit të Korçës. Më vonë e quajti Komitet qarkor dhe e ngarkoi me detyrën e organizimit të sektorit të tij…

Në vazhdim të veprimtarisë së tyre për organizimin e Frontit të rezistencës, drejtuesit e kësaj organizate: Hamdi Frashëri dhe M.Ç., në shkurt të vitit 1949, në hotel Dajti të Tiranës, rekrutuan D.C. nga Peqini i Elbasanit. Ky kishte mbaruar shkollën normale në të kaluarën, kishte qenë eksponent i Ballit Kombëtar dhe kishte marrë pjesë në luftë kundër Luftës Nacionalçlirimtare. Mbas çlirimit të vendit ishte dënuar me 10 vjet burg si armik i popullit, por më vonë ishte liruar në bazë të një amnistie. Meqë D.C. ishte i njohur prej Hamdi Frashërit dhe M.Ç. si element i gatshëm për të luftuar në të gjitha format kundër pushtetit popullor, më 5 shkurt 1949, në hotel Dajti, u propozua hapur që të bëhej pjesëtar i organizatës Fronti i Rezistencës. Duke folur për strukturën organizative, H. Frashëri i tha që të ishte “…i sigurt se në bazë të kësaj forme nuk do të kishte kurrë ndonjë rrezik për t’u zbuluar”.

D. C., si element që priste vetëm rastin për t’u aktivizuar në luftë kundër pushtetit, pranoi menjëherë dhe në këtë rast rekomandoi edhe elementë të tjerë. Pastaj shkuan në dyqanin e “Kaçiatorit” ku, mbasi u morën vesh përfundimisht për organizatën Fronti i Rezistencës, e ftuan D.C. që të betohej mbi një flamur kombëtar, që ruhej në dyqan. D.C. betohet për ruajtjen e sekretit të organizatës dhe për të shërbyer deri në vdekje kundër pushtetit popullor. Ai caktohet menjëherë Kryetar i sektorit të qarkut të Elbasanit. Me ndihmën e D.C., nga fundi i muajit shkurt 1949, u vendos për të rekrutuar në organizatë M.K., nga Peqini, ish-tregtar i pasur që, gjatë kohës së pushtimit, ishte spiun i Gestapos gjermane dhe i lidhur me shefin e Gestapos së Peqinit, që njihej me pseudonimin “Roku”.

Si element i pasur dhe i prekur nga reformat e pushtetit, porsa e njoftuan për formimin e organizatës Fronti i Rezistencës dhe i bënë thirrjen për t’u bërë pjesëtar i saj, ky pranoi. Megjithatë, e ndjente frikën e goditjes nga ana e pushtetit, prandaj qysh në fillim interesohet për masat që ishin marrë në ruajtjen e sekretit. Që ta siguronin për këtë në dyqanin e “Kaçiatorit”, i treguan se anëtarët e organizatës, sipas strukturës së saj, nuk do ta njihnin njëri-tjetrin dhe secili do të mbante pseudonim. Mbasi M.K. qetësohet sipas rregullit që kishin filluar të praktikonin, e ftojnë të betohet. Ai betohet dhe angazhohet se të gjithë jetën do t’ia kushtonte Frontit të Rezistencës.

M.K. caktohet nënkryetar i sektorit të Elbasanit. Më 18 mars 1949, H. Frashëri me M.Ç. rekrutuan R.F. nga rrethi i Durrësit, ish-pronar fabrike dhe i prekur rëndë nga reformat e pushtetit. Atë e rekomandoi D.C. për ta bërë pjesëtar të organizatës.

Bisedimet e para me këtë i zhvilloi vetë D.C., i cili i tha se ekzistonte një organizatë e madhe. Me mënyrën që vepronte Hamdi Frashëri me shokë, krijonte bindjen te njerëzit që caktonin t’i rekrutonin se organizata ishte krijuar dhe se gjoja ishte shtrirë në të gjithë krahinat. R.F., në bisedimet e tij të para me D.C., pranoi se nuk duhej të qëndronin indiferentë. Atë ditë, në Tiranë, në dyqanin e “Kaçiatorit”, Hamdi Frashëri, “Mentori” dhe “Kaçiatori”, e ngarkuan R.F. Kryetar të seksionit të Durrësit. Dhe njëlloj si të tjerët, R.F. u betua dhe mori përsipër të vendosë të gjitha forcat për forcimin e Frontit të Rezistencës, duke u angazhuar për organizimin sa më të mirë të sektorit të tij në Durrës. Nga fundi i marsit 1949, Hamdi Frashëri dhe “Kaçiatori”, në dyqanin e këtij të fundit organizuan takimin me H.K., tiranasin e pasur dhe të prekur nga reformat. Në një kohë të shkurtër kishte qenë partizan i Luftës Nacionalçlirimtare, por më vonë kishte dezertuar, duke u bashkuar me forcat e Legalitetit.

Njihej personalisht dhe i qëndronte besnik Kryetarit të Legalitetit, Abaz Kupit. Edhe më përpara, “Kaçiatori” me H.K. kishin shkëmbyer bisedime kundër pushtetit popullor, por vetëm tani iu shfaqën hapur njëri-tjetrit. H.K., kur mori vesh se ishte krijuar “…organizatë e fortë kundër pushtetit popullor”, u gëzua shumë dhe pa i nxjerrë ende flamurin e zakonshëm për ta ftuar që ta bënte betimin, ai filloi të flasë vetë se duhej të betoheshin “të gjithë shqiptarët e ndershëm, për të luftuar o sot, o kurrë, mbasi tani që u prishëm edhe me Jugosllavinë, komunistët shqiptarë nuk mund të rezistojnë më, edhe sikur të jenë të gjithë heronj”. ..Me rekomandimin e M.Ç., Hamdi Frashëri vendosi të rekrutojë si kryetar sektori në Pogradec, C.Z. Ky ishte mësues dhe vinte nga një shtresë e pasur nga rrethi i Pogradecit. Ishte i prekur nga reformat e pushtetit dhe pasi u prishën marrëdhëniet e vendit tonë me Jugosllavinë, ishte inkurajuar për t’u hedhur në veprime më aktive kundër pushtetit…

Maji i vitit 1949 e gjeti Hamdi Frashërin me iniciatorët e tjerë të organizatës klandestine. Fronti i Rezistencës bën hapin e parë. Mbasi kishin rënë dakord me një pjesë të konsiderueshme elementësh kundërrevolucionarë, u morën vesh plotësisht për formimin dhe organizimin e Frontit të Rezistencës, si e vetmja mbështetje e brendshme për të drejtuar luftën kundërrevolucionare.

Me rekrutimin e këtyre elementëve në Frontin e rezistencës, u hodhën bazat organizative në rrethet, Tiranë, Durrës, Elbasan, Pogradec dhe Korçë. Mandej u vendos shtrirja e organizatës në Veri, sidomos në zonat Krujë, Mirditë, Burrel, Lezhë dhe Shkodër, ku kishte shumë të arratisur, prandaj sipas H. Frashërit, duhej të kishte elementë të mjaftueshëm për t’i rekrutuar.

Nga fundi i vitit 1948 dhe gjysma e parë e vitit 1949, filluan të inkurajohen dhe të organizohen të gjithë reaksionarët shqiptarë jashtë dhe brenda…Diversanti i kapur, Nikollë Nika, duke folur për interesimin e anglo-amerikanëve, deklaronte: “…komisioni hetimor, i përbërë nga anglezë, amerikanë, italianë dhe grekë, erdhi në kampin Llavros të Greqisë, në fillim të vitit 1949, kërkoi të provojë se cilët prej emigrantëve shqiptarë paraqiteshin më të vendosur, për t’u përgatitur për kurse të ndryshme spiunazhi, që më vonë të dërgoheshin si diversantë në Shqipëri”.

Gjithashtu, diversanti Ramazan Doka, i kapur nga organet e Sigurimit të Shtetit, kur shpjegonte se anglo-amerikanët në Itali dhe në Greqi ishin si në shtëpitë e tyre dhe vepronin kundër Shqipërisë, deklaronte se: “..Në Greqi, në fillim të vitit 1949, mbetën krerët e Ballit, të Legalitetit e Bllokut independent dhe të Partisë Agrare, për t’u interesuar që të përgatiteshin emigrantët, të cilët me urdhër të anglo-amerikanëve, do të dërgoheshin në Shqipëri”. Sipas këtij deviersanti, “më datën 28 mars 1949, në kampin e Llavros (Greqi) ka ardhur një anglez së bashku me korofillakët grekë, i cili bëri regjistrimin e 450 shqiptarëve në këtë kamp.

Ai vuri 25 ose 30 makina (kamionë) në dispozicion dhe organizoi nisjen e disa emigrantëve shqiptarë për në skelën e Piresë, në Greqi. Prej aty, sipas urdhrit të anglezit, i cili kishte përgatitur dhe dokumentet përkatëse, grekët i nisën me vapor ushtarak për në Bari të Italisë. Këtu arritën në 31 mars 1949 dhe pastaj italianët i dërguan në kampin e Santa Faros…

(Vijon)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu