Sindikalistët duhet të ndërmarrin veprime për riorganizim të mirëfilltë

0
307

Disa herë kam shkruar për sindikatën dhe veprimin e saj, mirëpo asgjë nuk ka ndryshuar në organizim dhe punën e saj. Dihet se sindikata formohet për përkujdesjen e punëtorëve dhe atë përkujdesje e bënë duke u gjendur përenda tyre dhe jo atë të bëjë përmes konferencave për shtyp. Ende nuk e kanë kuptuar udhëheqja sindikale vijën e kuqe, të ndarëse së epokave, me të cilën edhe ndryshon veprimi dhe organizimi sindikal

vija e kuqe

 

Vija e kuqe e ndarjes së veprimeve dhe organizimeve sindikale ka qenë dorëheqja e prof.  Hajrullah Goranit nga udhëheqja e BSPK. Kjo jo për shkak të dorëheqjes së Goranit, por për shkak të ndryshimit të rrethanave socio – politike që kanë ndodhur në Kosovën e pas lufte. Sikur të ishte kuptuar drejtë ky moment historik, do të kishim një riorganizimi tjetër sindikal, do të kishim mbrojtje më efikase të sindikalistëve dhe ligjet që kanë të bëjnë me dhe për sindikalistët do të ishin më në nivel, sepse si partner të bashkëbisedimeve (dialogut) social do të nxirrnin rezultate më të mëdha që do të reflektoheshin në suksese në të gjitha sferat e jetës së punëtorëve, duke u nisur nga privatizimi e gjer te krijimi i mekanizmave për mbrojtjen e interesit sindikal.

 

Sindikata themelohet për mbrojtjen e interesit të sindikalistëve

 

Çdo sindikatë e themeluar qëllim parësor e ka mbrojtjen e sindikalistëve, pra atyre punëtorëve që kanë pranuar të jenë anëtar të saj. Mirëpo, mbrojtja nuk duhet të përkufizohet vetëm te anëtarët, ngase udhëheqja sindikale duhet të jetë e zonja për të joshur me punën e saj gjithë të punësuarit përbrenda një institucioni apo organizate. Kjo joshje bëhet përmes kontakteve të drejtpërdrejta me punëtorët, që në interes do të jetë, sa më shumë anëtar aq më me peshë do të jenë kërkesat e tyre për të rregulluar kushtet e punës dhe mundësinë e shpërblimit në bazë të punës.

Në jetën e përditshme këtë nuk e kemi parë, sepse udhëheqjes sindikale i intereson vetëm mbushja e deklaratës së anëtarësisë për të vjel anëtarësinë nga sindikalisti dhe asgjë më tepër. Ende nuk ndodhi që në vend ngjarje, pra në vendin e punës, të dalin kreu sindikal, por kjo ndodh vetëm kur sindikalistët dalin, atëherë udhëheqësja i bashkëngjitet atyre dhe me deklarata më tepër i ngjasojnë ndërmjetësuesit se sa mbështetjes së realizimit të kërkesave. Nëse e kuptojmë drejtë bashkëbisedimin social, atëherë udhëheqja duhet të jetë në rrjedhën e ngjarjeve dhe duhet paraprirë për eliminimin e pasojave, të shkojë aty kur na shfaqen problemet dhe jo pasi të acarohen gjërat dhe për të hyrë në marrëveshje me punëdhënësin për përfitime personale.

 

Riorganizimi sindikal varësisht nga punëdhënësi

 

Sindikata pa tjetër duhet të riorganizohet për të pasur suksese në mbrojtjen e anëtarësisë së saj. Mu nga ky mos riorganizim dalin edhe probleme, që nga momenti që duhej bërë ndryshime në qasje të problemeve kemi tri herë përplasje në kreun e saj për të marrë nën udhëheqje, jo për hir të sindikalistëve, por për hir të mjeteve materiale që disponon kreu nga anëtarësia. Kjo më së mirë tregon dy arsyet pse duhet riorganizuar sindikata. Se si duhet të riorganizohet ajo nuk do fort mençuri, sepse këtë ta përcakton punëdhënësi.

Jo vetëm në Kosovë, por gjithkund kemi dy kategori punëdhënësish, qeveritare dhe publiko private. Nisur nga kjo kemi edhe modifikimin e veprimit dhe organizimit sindikal. Të gjithë e dinë se kemi kontrata individuale dhe ato kolektive. Për individuale dihet, por ende kreu i sindikatës nuk është në nivel të njohurive për kontratën e dytë, atë kolektive.

Sindikalistët të cilët punojnë e veprojnë përbrenda institucioneve shtetërore duhet të kategorizohen si dypalëshe (dypatitet), pra duke u mbështetur në kategorinë e punëdhënësve, që në këtë rast janë institucionet qeveritare (ministrit, kryeministria, kuvendi, presidenca, agjensionet, etj), si organizimi i sindikatës së shërbimit civil dhe një kategori e veçantë, sindikata e jurispodencës (gjykatat, prokurorit), që sot gabimisht vepron një sindikatë me emërtimin “administrata dhe jurispodenca”. Edhe kontrata kolektive duhet të lidhet në mes punëdhënësit- Qeverisë dhe punëmarrësit- Sindikatës. Kjo mund të bëhet kur ligjet fillojnë të humbin peshën e vet, atëherë ndërhyhet me marrëveshje kolektive, si parapërgatitje e nxjerrjes së ligjeve tjera më të favorshme për sindikatën.

Në këtë kategori do të binin:

a. Shërbimi civil

b. Arsimi

c. Shëndetësi

d. Policia

e. Jurispodenca

Këto, sepse problemet e tyre lidhën drejtpërdrejti me qeverinë dhe institucionet dhe i kanë problemet e përbashkëta, duke u nisur nga kushtet e punës, pagat, pushimet vjetore e shëndetësore, përvoja e punës, pensionet etj. Këto interesa ndryshojnë dukshëm me interesat e sindikalistëve tjerë, ta zëmë me të atyre në ndërtimtari, minatorëve, tregtarëve etj.

Kategoria tjetër e organizimit dhe veprimit sindikal, që është e njohur si trepalëshe (tripartitet) është ajo e shërbimeve publiko private. Këtu përveç se punëtori duhet të ketë marrëveshje (kontratë pune) me punëdhënësin, sindikata duhet të ketë edhe marrëveshje me punëdhënësin. Që punëdhënësi të jetë i detyruar në zbatimin e kësaj marrëveshje duhet të jetë mbikëqyrës dikush tjetër, pra mekanizmat e kontrollit, ndëshkimit dhe dënimit. Mu për këtë arsye edhe krijohet mekanizmi i trepalëshmërisë, pra pala e tretë në këtë rast është Qeveria, si garantuese se marrëveshja e nënshkruar mes palëve duhet përfillët.

Në këtë kategori do të hynin:

a. Minatorët

b. Ndërtimtarët

c. Punëtorët e elektrokosovës

d. Metalurgët

e. Hotelerisë

f. Tregtisë, etj.

 

Mungesa e marrëveshjes së përgjithshme kolektive

 

Ka vite që nuk ka marrëveshje të përgjithshme kolektive në mes Qeverisë dhe BSPK. Asnjëherë kreu udhëheqës i kësaj sindikate nuk është ulur për të hulumtuar shkaqet e mungesës së kësaj marrëveshje. Edhe sot po t’i pyesësh nuk kanë përgjigj, sepse kjo tregon më së miri se sa janë njohës të organizimit dhe veprimit sindikal.

Qeveria është përballur me nxjerrjen e disa ligjeve: Ligji i Punës, Ligji i Shërbimit Civil, Ligji i Organizimit sindikal, Ligji i Grevave, Ligji i pensioneve, Ligji i pagave, ligje bosht për punëtorët. Në mungesë të këtyre ligjeve, qeveria nuk ka dashur të hyjë në bashkëbisedime me sindikatën, e kjo u ka shkuar për shtati edhe punëdhënësve, që në këtë rast është Oda Ekonomik e Kosovës dhe Shoqata e Biznesit, por më së lehti i ka ardhur të krijoj grupin për bisedime sociale, për mes së cilës ka plotësuar apetite e përfaqësuesve të punëmarrëse, gjoja se po merr mendime rreth hartimit të ligjeve të cekura më lartë. Sindikalistët ka qenë dashtë të ngulin këmbë për nxjerrjen e marrëveshjes së përgjithshme kolektive dhe pastaj të hyj në bisedime për hartimin e ligjeve, që në këtë mënyrë në mungesë të ligjeve të kenë të drejta të garantuara përmes marrëveshjes së përgjithshme kolektive.

 

Mungon mbrojtja e sindikalistëve

 

Kanë mbrojtje sindikalistët nga përfaqësuesit e vet apo jo? Unë them se nuk kanë asnjë mbrojtje. Për të dhënë këtë përgjigje të prerë i kam edhe faktet. E para sindikata nuk ka të angazhuar asnjë avokat profesional, përmes të cilit do të inicioheshin problemet me të cilat ballafaqohen sot sindikalistët.

1. Me mijëra punëtor sot punojnë pa kontrata pune dhe nuk ka kush t’i mbrojë, e ata nuk guxojnë të bëzajnë se humbin vendin e punës

2. Me mijëra punëtor sot largohen nga marrëdhënia e punës për teke të punëdhënësit qoftë shtetëror apo publiko privat dhe ata vet mundohen për të gjetur mënyrën e rikthimit në vendin e punës, përmes formave të ndryshme

3. Me mijëra punëtor janë larguar e largohen nga marrëdhënia e punës në emër të privatizimit me apo pa spinof special dhe ata janë rrugëve duke u munduar që të gëzojnë të drejtat e veta.

4. Asnjëherë udhëheqja sindikale nuk e ka ngritur zërin në prokurori për mospërmbushjen e marrëveshjes së akëcilës kompani me rastin e privatizimit të ndërmarrjes, të cilat kanë qenë të obliguar për të mbajtur një numër të caktuar të punëtorëve, ata kanë shkuar edhe në zbritje të numrit të tyre dhe bëjnë forma të ndjeshme presion për t’i larguar nga marrëdhënia e punës, qoftë me ndërrimet e shpeshta të vendeve të punës, qoftë me kontrata pune me tre e gjashtë muaj, qoftë duke i lëshuar në pushim pa pagesë me dhjetë e pesëmbëdhjetë ditë, e nganjëherë edhe me një e dy muaj.

5. Ka vite që sindikalistët sillen zyrave të institucioneve për 20% dhe askush nuk merret konkretisht me këtë problem, përveç propagandës mediale që bënë udhëheqja sindikale.

Këto janë disa fenomene, ku shihet se prapa punëtorëve sindikal nuk qëndron askush në mbrojtje të tyre dhe me se të krenohet akëcili udhëheqës sindikal për punën e vet të “përkushtuar” në interes sindikal.

 

Sukseset do të ishin më të mëdha

 

Po të ishin të ndara detyrat përmes organizimit sindikal, krejt tjetër gjendje do të kishim sot. Zëri sindikal do të ishte më i fuqishëm. Qeveria do të merrte me seriozitet problemet që do të parashtroheshin para saj, qoftë për të mbikëqyr zbatimin e marrëveshjes dhe ligjeve, qoftë në parashtrimin e kërkesat për t’i realizuar. Është krijuar logjika e “debateve” mediale apo konferencave të shtypit, në emër të mbrojtjes dhe arsyes që japinë të dyja palët, e në anën tjetër punëtorët kudo që punojnë janë të nëpërkëmbur dhe pa të drejta elementare, sikurse është sigurimin shëndetësor.

Më duket se kanë heshtur më shumë se sa duhet sindikalistët. Duhet ndërmarrë veprime konkrete për të bërë riorganizimin e duhur, që të kenë të drejta të merituara sipas natyrës së punës dhe të jenë të respektuar për punën që bëjnë.

 

Prishtinë, 26.04.2012

 

Nga Afrim Morina

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu