Sistemi i degraduar arsimor: Kosova ka tepër juristë, por nuk plotësojnë kriteret për gjyqtarë

0
382

Gjykata Speciale

Ndonëse në Kosovë ka shumë juristë të diplomuar, profesionalizmi i tyre ende mbetet larg standardeve. Kjo ndikon që sistemi i drejtësisë ta ketë vështirë të zgjedh kuadro për gjyqtarë dhe prokurorë.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, vitin e kaluar pati shpallur konkurs për emërimin e 50 gjyqtarëve të rinj, por udhëheqësit e KGJK-së shprehin skepticizmin nëse do të mund t’i emërojnë ata, pasi kandidatëve po u mungon profesionalizmi dhe dija.

Kjo, sipas profesorëve në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, vjen si pasojë e numrit të madh të studentëve, hapjes së shumë universiteteve dhe personave që për një kohë të shpejt bëhen profesorë universiteti.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, thotë se ka shumë juristë me diploma, por sipas tij, duhet të bëhen disa reforma në kuptimin e sistemit arsimor, sepse gjithë ky proces lidhet me profesionalizmin e kandidatëve që pretendojnë të bëhen gjyqtarë.

“Jam skeptik se do të mundemi t’i emërojmë 50. Jam i njoftuar se kemi probleme sa i përket aspektit profesional, të dijes së kandidatëve që pretendojnë të bëhen gjyqtarë”, tha Peci.

Drejtori i Institutit Gjyqësor të Kosovës, Lavdim Krasniqi, thotë se nga diskutimet që kanë pasur me zyrtarët e KGJK-së dhe KPK-së, është shprehur skepticizmi lidhur me kualitetin e kandidatëve.

“Çështja e përgatitjes së një kandidati për gjyqtar ose prokuror, kalon nëpër disa faza. Ka institucione të ndryshme që janë të kyçur në këtë proces: fakulteti, institucionet ku ata punojnë dhe ushtrojnë praktikën e tyre, faza kalimit të jurisprudencës, faza e kalimit të provimit hyrës ose përgatitor dhe faza e trajnimit për ata që i nënshtrohen trajnimit në IGJK. Interesi i shtetit do të ishte që të sigurohet kualitet nëpër të gjitha këto faza”, thotë Krasniqi.

Ai vlerëson se do të ishte mirë që t’i bëhej një vlerësim edhe kurrikulës në Fakultetet Juridike, nëse ofrojnë kualitet dhe prodhojnë juristë të cilët do të mund të emëroheshin gjyqtarë apo prokuror.

“Është për t’u diskutuar çështja e nivelit të kualitetit që ofrohet nga institucionet për arsimim ligjor”, thotë ai.

Profesori i Kriminalistikës në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, Haki Demolli, thotë se janë shumë faktorë pse ka rënë kualiteti i arsimit, e sidomos i atyre Drejtësi.

“Rritja e kolegjeve dhe universiteteve ka bërë që në mesin e një numri kaq të madh të studentëve të depërtojnë edhe ata të cilët më pak përgatiten apo më pak shfrytëzojnë literaturën për jurist”, thotë Demolli.

Demolli shton se më parë në Kosovë, në Fakultetin Juridik në UP, në vitet ‘80-ta dhe ‘90-ta kanë pranuar diku 450 studentë të rregullt, kurse tash kanë mbi njëmijë studentë. Ndërkaq, në të njëjtën kohë pranohen edhe në universitetet tjera, siç është ai në Mitrovicë, i Gjilanit, Prizrenit, Pejës.

“Prandaj, më herët kanë dalë juristët më cilësorë”, thotë ai.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu